Ky biçim Parlament po degradon nga dita në ditë. Sot ke në rendin e ditës çështjen më të rëndësishëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve, çështjen e zgjedhjeve. Opozita ka depozituar kërkesën për debat, ke emrat e folësve të opozitës.
Ju vini të papërgatitur për debat për një arsye të thjeshtë; sepse ju nuk e doni debatin. Dhe ti ngre kartonat këtu për ti mbyllur gojën opozitës me kartona, por kjo nuk mund të ndodhë kurrë.
Mblidhni Konferencën e Kryetarëve tani. Opozita kërkesën e ka bërë konform rregullores. Ky parlament nuk është pronë e maxhorancës, nuk është pronë e jotja, është pronë e qytetarëve shqiptarë dhe funksionon vetëm në bazë të rregullores dhe jo kartonëve që ngre ti këtu.
Prandaj, ndërpre tani seancën, mblidh Konferencën e Kryetarëve, konstato kush ka përgjegjësinë për këtë problem. E ke mbi tavolinën tënde listën e folësve të opozitës. Eshtë njoftuar tash 4 ditë debati parlamentar për zgjedhjet. Botërisht qytetarët po i ndjekin.
Ju keni lepurin në bark, s’dini nga t’ia mbani; se nga një anë keni ngjarjen e Elbasanit, nga tjetra anë keni Rrugën e Elbasanit. Po ky është problemi juaj. Problemi i shqiptarëve është se ju vini këtu me një maxhoracnë fiktive, në aleancë me krimin, me një parlament ilegjitim.
Kjo lojë, nuk mund të vazhdojë gjatë, ndaj mblidh Konferencën e Kryetarëve. Mos ngri kartonat bosh këtu. Ose përndryshe, bëhu përgjegjës për bllokimin total të punimeve të këtij parlamenti.
Mblidh Konferencën e Kryetarëve tani!
Vendos për një afat të arsyeshëm debati. Nuk mund të shtyhet me një javë debati. Për një afat të arsyeshëm debati ne kemi propozuar orën 16:00, nëse ju duhet më shumë kohë të përgatiteni, merrni orën 18:00.
Por kjo seancë nuk mund të procedojë në shkelje totale të normave dhe rregullores të Parlamentit.
Është në rendin e ditës, s’mund ta heqësh nga rendi i ditës ti sepse ke ardhur i papërgatitur. Se kështu, i bie që për katër vite të shtysh debatin për një qëllim: t’i mbyllësh gojën opozitës.
Ne këtë nuk ta lejojmë Gramoz. Ndaj pezullo seancën, mblidh Konferencën e Kryetarëve. Mbani përgjegjësi.
Shqiptarët presin sot debatin. Dhe fakti që s’ju pëlqen, sepse këtë javë ka dalë raporti i OSBE/ODIHR-it dhe raporti i Këshillit të Europës që flet për dhunim, për shit-blerje të votës, dhe përdorimin e grupeve kriminale, fakti që ju ndodh që gjithë Shqipëria është nën terrorin e bandave, nuk ju jep kurrë të drejtën t’i mbyllni gojën opozitës.
Përkundrazi, sot, dhe jo nesër, shqiptarët meritojnë debat në këtë sallë. Ndaj ndërpre seancën, mblidh Konferencën e Kryetarëve.
Qytetarët meritojnë debatin, opozita është për të bërë debat dhe jo për të të bërë fresk ty.