Peka: Z.Basha, përshëndetje. Të falenderoj që je sërish në “Fakt”. Po e nis me një lajm i cili prej dy vitesh është lajmi kryesor i opinioneve. Presidenti Trump dje akuzonte median kryesore amerikane për lajme të manipuluara dhe dje në Tiranë ka ndodhur diçka e papritur, njëkohësisht, paralelisht, tre media janë sulmuar në mënyrë të habitshme. Dy drejtorë mediash, që sipas tyre nuk kanë pranuar të ndryshojnë linjën editoriale dhe të mos i përshtaten linjës editoriale të pronarëve të tyre, dhe një media tjetër televizive është sulmuar nga AMA. Sot, mund të flasim pa frikë se të gjitha mediat vizive në Shqipëri tashmë janë të njëanshme. Z.Basha, a jeni i kompleksuar për të bërë atë që bëri presidenti i zgjedhur Trump i cili në mënyrë të habitshme fitoi kundra të gjithëve duke i konsideruar mediat amerikane si palë të establishmentit dhe duke zgjedhur si palë të tij, qytetarët amerikanë. Sot në këto momente që po flasim, absolutisht nuk ka hapësirë vizive në median shqiptare për opozitën. Ndërsa, kryetari i opozitës, në këtë moment që po flasim, të paktën në gjykimin tim, nuk ka guximin të bëjë atë që bëri presidenti i zgjedhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Basha: E para, nuk ka paralele midis Amerikës dhe Shqipërisë sa i përket gjendjes së medias. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me të vërtetë që një palë mediash ka treguar njëanshmëri dhe presidenti Trump e ka konsideruar këtë njëanshmëri të skajshme, por të mos harrojmë që SHBA ka një numër jashtëzakonisht të madh mediash, dhe kontrolli i një pale, në këtë rast, i qeverisë mbi mediat është i pamundur. Unë do të shkurajoja çdo krahasim midis Amerikës dhe Shqipërisë kur vjen fjala tek liria e mediave dhe tek mediat e lira. Më mirë se unë, sot e kanë thënë gazetarët në hapësirën e lirë të rrjeteve sociale e kanë konsideruar, si ishullin e fundit të lirisë mediatike, rastin e ABC News, i cili është pushtuar sot, ka rënë sot në duart e qeverisë. Eshtë fakt që sot të gjitha mediat tradicionale, televizionet dhe gazetat, janë nën pushtetin e Edi Ramës. Nën pushtetin dhe kontrollin e qeverisë, proces që ka nisur që në ditën kur Edi Rama është bërë kryeministër. Vetë kryeministri ka adoptuar një retorikë që i quan “media kazani”, ato media dhe gazetarë që janë jashtë kontrollit të tij. Eshtë një gjuhë neveritëse, e padenjë për kryeministrin e vendit. Kë quan kazan? A nuk është Edi Rama që ka llokoçitur dhe futur duart prej 15 vitesh në të gjitha mediat kryesore të vendit? I ka manipuluar, i ka financuar, i ka kërcënuar, i ka bërë palë dhe ky është problemi që kanë sot shqiptarët. Nuk është problem vetëm i gazetarëve, është në radhë të parë problem i demokracisë, i shtetit shqiptar. Kur nuk ka media të pavarura, nuk ka më demokraci.

Peka: Përse jeni i kompleksuar dhe nuk përdorni të njëjtën retorikë apo ashpërsi ndaj mediave, për të cilat nuk ekziston më opozita?

Basha: Nuk jam i kompeksuar, e ke gabim. Kam reaguar sot, kam reaguar sa herë është cënuar media, jo vetëm me denoncime por edhe me akte konkrete, në mbështetje të gazetarëve, me kundërshtime të forta për këtë politikë e cila bashkon pushtetin, interesat e biznesit dhe interesat e medias në një pikë të vetme. Pavarësisht se konkurojnë apo nuk konkurojnë dot, pra, është apo nuk është konkurues, Edi Rama, partia e tij, oferta e tij për shqiptarët, është apo nuk është konkurues filan biznesmen, ofrojnë diçka të mirë për shqiptarët apo jo, këta bashkohen në një pikë, edhe po nuk konkuruan dot, duke mbështetur njëri-tjetrin, partia që preferojnë rri në pushtet, biznesi kontrollon lekët e shqiptarëve dhe për këtë na duhet media. Kjo është skema. Pra t’ia themi troç shqiptarëve. Kjo është punë lekësh. Nëse qyetari i zakonshëm, apo tregtari e biznesmeni thonë sot se nuk kanë lekë, lekët i ka korporuar ky trekëndësh. Interesa biznesi, politikë, media. Dhe për këtë arsye, një nga një, mediat janë kapur dhe janë vënë në shërbim të pushtetit. Pushteti çfarë ofron? Ofron që bizneset pa konkurencë të kapin tendera, konçesione, kontrata të majme. Kështu janë kapur mediat. Si kapen mediat? Si nënshtrohen mediat? Përmes tenderave, konçesioneve, lejeve të ndërtimit. Ky është një zanat që e ka shpikur Edi Rama në fillimet e tij si kryetar i Bashkisë dhe sot si Kryeministër, me rënien e ishullit të fundit, t’i referohemi edhe një herë gazetarëve, ABC News e cila kishte mbetur një dritare e hapur për opozitën, qeveria ka vënë nën kontroll të plotë të gjitha mediat tradicionale shqiptare. Të gjitha televizionet dhe gazetat e vendit. Nuk kam pasur asnjëherë kompleks ta konstatoj këtë. Ka një lajm këtu, që nuk është lajm i keq. Si rregull, kjo është faza e fundit e një pushteti, kur përqendrohet pushteti në këtë nivel që kap të gjitha mediat. Sot pamë edhe shqetësimin e Zërit të Amerikës për largimin e dy drejtuesve të mediave, të Armand Shkullakut dhe Alfred Lelës, por jo thjesht për dy individë, por atë që përfaqëson kjo për median shqiptare. Nuk ka më asnjë media të pavarur jashtë kontrollit qeveritar, në kuptimin tradicional të fjalës, televizion dhe gazeta, kjo tregon që demokracia ka arritur në një pikë kritike. Nuk është e rastësishme që ndodh tani, ndodh 5 muaj para zgjedhjeve, gjithçka është në funksion të kapjes dhe të prishjes së zgjedhjeve të ardhshme, në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme të mos vendosin qytetarët, në bazë të fakteve, në bazë të të vërtetave, në bazë të platformave, por gjithçka të jetë në duart e kësaj kaste, politikanë, të korruptuar, jokonkurues, ku nuk kanë çfarë ti ofrojnë qytetarëve, biznesmenë që nuk prodhojnë gjë, jetojnë me paratë e shqiptarëve, me tendera, me konçesione, me leje ndërtimi dhe një grusht mediash që janë në shërbim të këtij realiteti. Ky është problemi sot në Shqipëri dhe në të njëjtën kohë, kjo është grahma e fundit e një sistemi që nuk është më demokratik. Nuk ka lekë për investime publike, nuk kanë lekë për tu përballur me emergjencat. Nuk kanë lekë për shëndetësinë, nuk kanë lekë për pensionistët. Nuk kanë lekë për shërbimet minimale që shteti duhet të ofrojë, sepse lekët janë akaparuar nga trekëndëshi Pushtet- Interesa Biznesi dhe Media. Prandaj mediat janë kapur sepse i shërbejnë kësaj skeme. Ta them thjeshtë me tre fjalë: është punë lekësh.

Peka: Z.Basha a keni menduar se me këtë situatë mediash, si do të bëni fushatë?

Basha: Nuk është çështje fushate, është çështje e demokracisë. Sigurisht që Edi Rama e shikon me një pazar shumë të ngushtë punën. Atij i duhet një fushatë ku nuk ka zëra të pavarur, nuk ka gazetari të pavarur, nuk ka televizione dhe gazeta të cilat të pasqyrojnë diçka jashtë regjisë së tij qendrore. Por në thelb, kjo nuk është çështje vetëm e fushatës. Natyrisht që ai llogarit me fushatën. Pse?! Sepse me mediat të pavarura, me zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk i dalin llogaritë për atë që do, vazhdimin me çdo kusht të mandatit si kryeministër në krye të një vendi që sot në të gjitha planet është më keq sesa ishte tre vite më parë; në planin ekonomik, në planin e papunësisë kryesisht, dhe këto janë dy plagët më të mëdha, dy mosarritjet më të mëdha të kësaj qeverie. Ekonomia është në ditën e saj më të zezë. Kapitali, leku është zhdukur nga tregu, nga xhepat e shqiptarëve, dhe kjo reflektohet në mirëqenien e tyre, në tavolinat e tyre, në fuqinë e tyre blerëse, në aftësinë e tyre për të kursyer, për të blerë komoditetet bazë të jetës, që nga ushqimi për një numër shumë të madh familjesh e deri tek shlyerja e kredive për apartamentet apo automjetet për shtresat e mesme, e deri tek bllokimi i qindra, mijëra bizneseve të cilat janë një spirale të pafundme falimentimesh.

E di ti, që, çdo muaj falimentojnë me qindra biznese, jo sepse biznesi i tyre nuk është konkurues dhe nuk ecën, por sepse klima ekonomike që ka krijuar kjo qeveri me taksa të larta, me shantazhin tatimor, me një mijë e një inspektoriate duke e bërë të pamundur që një biznes i ndershëm të ecë përpara, të konkurrojë, të ekzistojë pa favore qeveritare.

Duke patur parasysh këtë situatë, Edi Rama po merr masa në disa plane. Njeriu që ka futur kriminelët në politikë, që përbuzi dhe sot e konsideron antikushtetues një nga arritjet më të mëdha për shqiptarët, Ligjin e Dekriminalizimit, njeriu që ka sjellë kriminelët në politikë, njeriu që ka shkaktuar përhapjen e madhe të krimit të organizuar përmes drogës, nuk është problemi këtu tek fara e kanabisit apo mbjellja e kanabisit nga fermeri, fakti është që fermerët, edhe ata që kultivuan kanabisin me shtytje dhe me sy-shkelje qeveritare sot janë në gropë, nuk janë bërë milionerë brenda natës, sepse milionerë janë bërë një grusht njerëzish të lidhur drejtpërdrejtë me Kryeministrin, dhe droga, krimi, kapja e çdo medie tradicionale; ekrani televiziv dhe gazete, dhe varfëria e shtuar, janë pjesë e një skeme për të diktuar një rezultat në tavolinë i cili nuk i përgjigjet vullnetit dhe votës së qytetarëve. Vullnetit dhe votës së qytetarëve në raport me bilancin e kësaj qeverie, çfarë ka bërë në këto vite dhe aq më pak vullnetit të qytetarëve për të zgjedhur një alternativë tjetër. Siç është alternativa e Partisë Demokratike e cila ofron përmes taksave të ulëta, një klime pozitive për biznesin më shumë mundësi për rritje ekonomike, për punësim dhe një qasje krejt tjetër ndaj shëndetësisë, arsimit dhe problemeve të tjera të qytetarëve shqiptarë. Ai nuk përballet dot me ofertë, nuk përballet dot me program, ky nuk përballet dot me ekip, prandaj ka nevojë të ketë kriminelët në krah siç i kishte në Dibër dhe këtë dëshiron ta bëjë tani në gjithë vendin. E nervozon edhe një zë i vetëm gazetaresk. E ke parë që mezi duron në konferenca për shtyp, mezi duron pyetjet. Janë tipare të njeriut që ka humbur çdo lidhje me realitetin dhe në fakt ai e ka humbur se ai jeton në një realitet tjetër. Ai jeton në një dhomë të rrethuar nga vizatimet.

Shqipëria është e mbytur në halle. Shqiptarët janë të rrethuar në halle. “Halle- halle kjo dynja, halli-hallit nuk i ngja!” -Por që nga ata që nuk ushqejnë dot fëmijët me bukë, deri tek ata që kanë një farë ekonomie, njeri të lumtur nga qeveria e Edi Ramës në Shqipëri pas tre vite e gjysëm qeverisje, nuk ka.

Por nuk janë këto preokupimet e kryeministrit. Jo, ai është i rrethuar dhe jeton në botën e vet dhe nuk ka turp. Ka edhe arrogancën ta shpalosë këtë para shqiptarëve. E patë se ç’thoshte në intervistën e Vitit të Ri: “krenar për pikturat, tani ka filluar të bëjë edhe qype balte”. Ai është njeri që argëtohet, jeton në një botë argëtimesh, udhëtimesh jashtë shtetit, ekspozita pikturash, vetë është i rrethuar me piktura është një njeri që ka humbur tërësisht realitetin. Dhe kjo është një situatë ku kemi dy Shqipëri. Një Shqipëri ku jeton Edi Rama dhe një grusht njerëzish, shërbëtorët e tij, kriminelët me pushtet, një grusht biznesmenësh që është turp t’i quash biznesmenë, të cilët bëjnë prokopi vetëm si klientë qeverisë me tendera, me koncesione, me leje ndërtimi, por jo me konkurrencë. Dhe bota tjetër, ku jetojnë shumica dërrmuese e shqiptarëve, të djathtë dhe të majtë.

Peka: Keni emra për këta biznesmenë z.Basha?

Basha: Padyshim që kam emra. Por nuk kam ardhur këtu që të bëjë policin apo denoncuesin. Unë këtu kam ardhur si kryetar i opozitës për t’iu thënë shqiptarëve, për të ndarë me shqiptarët atë që është problemi i vërtetë në këtë vend, që këtu procesi politik, demokratik, konkurenca mes partive politike, mes ofertave dhe programeve, konkurenca në treg që çon përpara kapitalizmi, hap më shumë mundësi, hap më shumë investime, hap më shumë vende pune, këtu konkurrenca është asgjesuar nga një njeri i cili i trembet konkurrencës dhe për këtë arsye ka bërë trekëndëshin: Pushtet-Biznes i favorizuar dhe mediat.

Peka: Kur z.Rama ka arritur të zhdukë konkurencën, biznesin dhe gjithçka. Sigurisht që sipas jush qëllimi është zhdukja e konkurrencës edhe në politikë. Si do të arrini të riktheni konkurencën e ndershme në politikë? Si do të arrini të siguroni zgjedhje të ndershme në qershor z.Basha?

Basha: Ky është një problem i jashtëzakonshëm për Shqipërinë, një problem për të cilin unë dhe opozita jemi investuar prej më shumë se një viti e gjysëm dhe sot ndodhemi në pikë kritike. Cila është kjo pikë?! Ne duam që zgjedhjet e ardhshme të mos i vendosin kriminelët, por t’i vendosin qytetarët. Ne duam që në zgjedhjet e ardhshme të mos flasë varfëria, që shitet e blihet për një thes me miell, apo për 20 apo 50 mijë lekë, apo 200 mijë lekë për votë, sepse nuk i dihet se sa do të shkojë çmimi për zgjedhje, por të vendosë vullneti i qytetarëve. Pala tjetër nuk e do. Ne kemi paraqitur një platformë me kushte për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Shqiptarët duhet ta dinë që ajo që kërkojmë ne, janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. A ka shqiptar që nuk e di se pa zgjedhje të lira dhe të ndershme, nuk ka më demokraci, nuk ka më liri, nuk ka më mundësi, nuk ka më ekonomi të lirë?

Por çfarë kemi propozuar ne konkretisht?! Kemi kërkuar identifikimin biometrik të qytetarëve, votimin elektronik, numërimin elektronik. Por çfarë do të thotë identifikimin biometrik i qytetarëve?! Çfarë do të thotë identifikim biometrik? Do të thotë që shqiptarët kur të shkojnë për të votuar në zgjedhjet e ardhshme, mos të kenë nevojë të kenë me vete as kartë identiteti as pasaportë, por me shenjën e gishtit në një proces fare të thjeshtë të identifikohen dhe pastaj me një ekran të votojnë për partinë, për koalicionin, në varësi të sistemit dhe për kandidatin.

Cfarë bëhet me këtë? E para e punës garantohet e drejta e cdo qytetari për të votuar. Askush që ka humbur apo ia kanë marrë kartën, nuk përjashtohet nga votimi, pra garantohet që cdo qytetar voton. E dyta, garantohet që askush nuk voton në emër të dikujt tjetër. Shenja e gishtit është garanci që askush nuk voton në emër të dikujt tjetër. Dhe e treta, garantohet që nuk ka mundësi të ndërhyhet në numërim. S’fut duart njeri tek vota, shkurt, nuk fut duart njeri në kuti se nuk ka kuti. Nuk ndryshon njeri rezultatin në tavolinë, sepse rezultati del automatikisht nga procesi i votimit. Këtë kërkojmë ne, kjo është kërkesa jonë. Pra ne nuk kërkojmë asnjë favor, ne kërkojmë që shqiptarëve tu garantohet vota e tyre.

Peka: Teknikisht është e mundur kjo ?

Basha: Plotësisht, plotësisht, nëqoftëse ka vullnet politik, plotësisht. Sigurisht kur e parashtruam këtë në maj të vitit të kaluar, koha ishte më e bollshme, por nëqoftëse ka vullnet politik zgjidhjet mund të gjenden. Ky është një standard që mund të arrihet.

Peka: Dhe ju mendoni se vetëm kjo gjë mund të shmangë deforimimin e votës në Qershor të 2017?

Basha: E shmang do të ishte një teprim, por pa dyshim për një qeveri që është e angazhuar me të gjitha mjetet për të kapur zgjedhjet me cdo kusht, nuk është se votimi elektronik do të eliminojë cdo problem, por sic thashë, 3 probleme do ti eliminojë, cdokush që do të votojë, do të mund të votojë, askush nuk mund të votojë në emër të dikujt tjetër, dhe e treta, nuk do të mund të fusin duart tek vota. Nuk ka snjë forcë qeveritare apo politike që mund të ndërhyjë tek votimi.

Peka: Tek listat e hapura, ju keni thënë që nuk keni pengesa, e pranojmë nëse realizohet votimi elektronik. Zoti Basha, pse nuk mund jeni të hapur për një kërkesë që ka bërë një parti tjetër, p.sh zoti Kokëdhima ka kohë që flet për lista të hapura. Ai i tremebet Lulzim Basha listave të hapura?

Basha: Jo, po ju them dicka. Unë kam shpallur një platformë për PD, një platformë të hapjes, e cila në fakt nuk i drejtohet vetëm demokratëve apo votuesve tanë, por i drejtohet të gjithë shqiptarëve. Unë mbështes gjithcka që e kalon vendimarrjen tek qytetari shqiptar, tek votuesi shqiptar që fuqizon votuesin shqiptar. Jam shprehur, dhe po e përsëris prapë, që jam edhe më shumë për listat e hapura, unë jam për një mazhoritar të pastër, mos të ketë lista që i bëjnë kryetarët e partive, po të jenë kandidatët nga partitë politike, por dhe kandidatë të tjerë të pavarur, të cilët konkurojnë dhe marrin votat e qytetarëve. Unë jam edhe për garë për kandidatin brenda partisë, “primare” sikurse i thonë në SHBA, kandidatin për deputet të mos e vendosë as kryetari, as kryesia, asnjë forum partiak, por ta vendosin anëtarët, me një anëtar një vote.

Peka: Kur jeni për “primare”pse nuk e praktikoni?

Basha: Unë jam për të gjitha këto dhe unë kam shpallur që primaret, pra votimi nga anëtarësia është objektivi im si kryetar i Partisë Demokratike. Sigurisht, do të jenë të vërteta jo fallse. Cfarë klam parasysh me këtë. Nëqoftëse do të jetë Cim Peka që është pesë herë në ditë në lajme me një tjetër që është shumë i gatshëm për të marrë përgjegjësinë e deputetit, sigurisht ti je më i njohur. Pra duhet të ketë dhe një platformë, të garantohet dhe një farë barazie dhe PD dhe unë jemi të angazhuar ta ndërtojmë këtë platformë dhe nuk bëhet shpejt, por do të fillojmë që këtë vit, që këto zgjedhje ta planifikojmë dhe do ta përdorim në një territor të caktuar me qëllimin, dhe unë këtë do ti kërkoj Këshillit kombëtar, që zgjedhjet e ardhshme parlamentare, jo këto, por në të tjerat të aplikojmë “primaren” në nivel kombëtar.

Por cështja këtu nuk është primare, mazhoritare, apo lista të hapura. E kam thënë dhe po e them; unë personalisht mbështes gjithcka si kryetar i opozitës, jo vetëm si qytetar, cdo gjë që fuziqon qytetarin, që votuesi të ketë më shumë pushtet se c’ka sot, të vendosë se kush do të jetë deputet i ardhshëm. Problemi qëndron nëqoftëse kemi një sistem që nuk vendos qytetari, por vendos krimineli cfarë do që të vendosësh ti; me lista propocionale, lista të hapura, lista të mbyllura, me mazhoritar, nëqoftëse krimineli do të jetë ai që do të luajë rolin kryesor, nëse rolin kryesor do ta luajë fenomeni i shëmtuar i blerjes së votës, pra i blerjes së varfërisë së shqiptarëve nga ata që kanë shkaktuar apo thelluar varfërinë e shqiptarëve, atëherë sistemi nuk ka pikë rëndësie. Sistemi merr rëndësi në momentin që ne garantojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme, pra votën. Prandaj, ne insistojmë tek votimi elektronik dhe me votimin elektronik absolutisht jemi të hapur, le ta zgjedhin vetë sistemin, le ta zgjedhin ata. Në momentin që garantohet vota e qytetarit shqiptar, në momentin që qytetari shqiptar mund të votojë pa asnjë pengesë, pa asnjë kërcënim dhe në kushtet ku nuk mund të shitet dhe të blihet vota, le ta zgjedhe vetë Edi Rama, le ta zgjedhe vetë Ilir Meta ose të dy bashkë, cfarë sistemi duan të garojnë me PD, me Lulzim Bashën. Le ta zgjidhin ata, ajo që kërkoj unë është kushte për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kushte për zgjedhje të lira dhe të ndershme. PD dhe unë jemi gati të konkurojmë në cfarë do sistemi dëshiron Edi Rama apo Ilir Meta, të garojmë me ta dhe ti mundim.

Peka:  Nëqoftëse këto kushte nuk plotësohen?

Basha: Nëqoftëse këto kushte nuk plotësohen, pra nëqoftëse nuk garantohet vota e qytetarit, atëherë nuk është problem vetëm i imi , vetëm i opozitës, është dhe problem yt, është problem i cdo shqiptari. Nëqoftëse nuk garantohet vota e lirë, nëqoftëse prishen zgjedhjet e ardhshme, ky është problemi i cdo shqiptari dhe na takon ne të gjithëve, të reagojmë.

Peka: Sigurisht që, është problem i cdo shqiptari zoti Basha, ju i keni dalë për zot të drejtoni opozitën. Opozita cfarë do të bëjë?

Basha: Opozita ka një plan veprimi të cilin ne e kemi shpallur dhe dje me aleatët dhe nëqoftëse nuk garantohet vota e shqiptarëve të jeni të sigurtë se opozita do të marrë të gjithë peshën e përgjegjësisë që i takon. Edhe qëndrimi për këtë, të jesh i sigurtë, unë e kam të qartë vendimin vetë, që nuk do të jetë një qëndrim i marrë në vetmi, por pavarësisht se unë i kam atributet si kryetar i PD, do të jetë një vendim i marrë nga të gjithë demokratët.

Peka: Pra ju e keni të qartë se cfarë do të bëni nëse do preket vota

Basha: Unë besoj se cdo shqiptar e di se prekja e votës, prishja e zgjedhjeve  është fundi.

Peka:  Lulzim Basha e ka të kristalizuar se çfarë do të bëjë nëse preket vota.

Basha: Unë po. Unë besoj se në kushtet ku ndodhet vendi sot, Shqipëria nuk ka më hesap, nuk ka më këllqe që të mbajë një proces zgjedhor tjetër të manipuluar. Ka vuajtur Shqipëria 25 vite nga zgjedhjet e prishura.

Peka: Mediat e sponsoriauzra nga kryeministri dhe biznesi afër tij janë shprehur se në takimin që keni pasur me aletatët, ju i keni kërkuar atyre të mos njohin zgjedhjet dhe ata ju kanë kundërshtuar.

Basha: Eshtë tërësisht e pavërtetë, e vërteta është krejt ndryshe. E ka shprehur zoti Ndoka publikisht. Aleatët kanë kërkuar si kusht për të mos hyrë në zgjedhje me këtë qeveri, një kërkesë që në fakt është në sintoni të plotë me atë që unë e kam shprehur që në Dhjetor të 2015, se zgjedhje të lira me Edi Ramën nuk ka. Pse? Sepse ka 3 prova të qarta, ka  sjelljen e tij me tre palë zgjedhje, me Korcën, në 2015, dhe Dibrën, ka faktin që është ky që i ka marrë dhe i ka përdorur kriminelët, të cilët i dinte kush ishin, e ka bërë sepse pikërisht e dinte shumë mirë kush ishin dhe cfarë përfaqësojnë, për të marrë pushtetin. Pra ky solli kriminelët në politikë, për të marrë pushtetin dhe për të mbajtur pushtetin dhe e treta, është ky, Rama, arsyeja kryesore pse nuk kemi  reformë zgjedhore sepse propozimet për reformë zgjedhore janë në tavolinë që prej datës 17 Maj 2016. Të treja këto, tregojnë qartë që Edi Rama nuk ka vullnet për zgjedhje të lira e të ndershme, i trembet zgjedhjeve të lira e të ndershme, i trembet konkurencës, por ajo që na takon ne si opozitë është, dhe këtë kam argumentuar në tryezën me partitë opozitare, parlamentare, të hënën do të ketë një takim të zgjeruar me të gjithë partitë opozitare të koalicionit për të dalë me një vendim final, dhe ajo që kam argumentuar është që interesi madhor i shqiptarëve është të kenë kushte për zgjedhje të lira e të ndershme dhe ne na takon të bëjmë gjithçka për këtë interes të shqiptarëve, prandaj, së pari, duhet të provojmë gjithçka për të patur një rrugë që mundëson zgjedhje të lira e të ndershme. Kjo rrugë për ne kalon përmes identifikimit biometrik, votimit elektronik, propozimit për financimin e partive politike, dekriminalizimit dhe propozimeve të tjera, por këto janë tre shtyllat kryesore. Këto janë në tavolinë dhe në këtë fazë të procesit i takon mazhorancës të tregojë përpara shqiptarëve, ka apo nuk ka vullnet për zgjedhje të lira e të ndershme. Nëse ka vullnet dhe një nga partitë është shprehur që është pro votimit elektronik, shpresoj që edhe partia tjetër, partia e madhe të adoptojë këtë qëndrim, atëherë mund të ecet pa problem në këtë qëndrim. Koha nuk mund të jetë kurrë alibi, nëse nuk ka vullnet, opozitës i takon që bashkë me qytetarët shqiptarë të ndërmarrim të gjitha hapat për të mundësuar zgjedhje të lira e të ndershme. Zgjedhje farsë, votime si në kohë të Enverit, Shqipëria nuk mund të ketë.

Peka: Z. Basha ka një perceptim nga opinionistët se opozita shqiptare i ka varur shpresat tek një gafë e Edi Ramës gjatë zgjedhjeve në Amerikë ndaj Presidentit tashmë të zgjedhur Donald Trump dhe tek fitorja e Presidentit?

Basha: Nuk më rezulton kështu, unë kam kontakt të përhershëm me gazetarët dhe nuk më rezulton që të jetë një perceptim i tillë. Partia Demokratike dhe unë nuk mund të varim shpresën tek kjo, sigurisht që zgjedhjet në amerikë, shembulli i zgjedhjeve në Amerikë është një shembull frymëzues për ne. Pse është frymëzues, sepse siç e thatë në nisje të këtij emisioni, përkundër gjithë shanseve të deklaruara nga një pjesë e madhe e mediave, e establishmentit, sondazheve madje edhe e segmenteve brenda partisë së tij, Trump tregoi që fuqia në fund të fundit për të ndryshuar një vend është tek qytetari. S’qenka pra as tek establishmenti, as te mediat e kapura, as te biznesmenët e korruptuar, por qenka tek qytetarët dhe ky është një shembull shumë frymëzues, jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjitha vendet që kanë një deficit të madh demokratik, si Shqipëria sot. Por shpresa jonë, pikërisht për këtë arsye, është te qytetarët shqiptarë, besimi im është tek qytetarët shqiptarë. Sot një pjesë e madhe e faktorëve që duhet të luajnë rolin e tyre në demokraci, balancë – kundër balance, midis të mires dhe të keqes, nuk e luajnë këtë rol.

Rikthehemi prapë tek media, media ka mbaruar, ekranet televizive janë të kapura, gazetat janë të kapura, falë Zotit për mediat sociale dhe për portalet që vazhdojnë me guxim, ndërkohë që ka iniciativa për ti kapur dhe për ti shantazhuar edhe këto. Ajo që dua të them është që sado të përpiqen, edhe kjo që ka ndodhur dje me Shkullakun dhe me Lelën, lajmi i mirë është që kjo është faza e fundit, faze e fundit e një pushteti që shkon në mënyrë të pashmangshme drejt rënies. Pse? Sepse fuqia e një demokracie është qytetari, ky është shembulli i Trump, nëqoftëse qytetarët bashkohen dhe duan ndryshim, kanë besim se bashkë mund tia dalin, atëherë nuk ka force t’i ndalojë në demokraci.

Peka: Ishulli I fundit thatë pak më pare për ABC-në, unë po them ndoshta ishulli i fundit i autoritarizmit në Ballkan mund të konsiderohemi edhe ne. Z.Basha, Edi Rama është e sigurtë që e mallkon veten nga mëngjesi deri në darkë për deklaratën që ka bërë kundër Presidentit Trump. Po Lulzim Basha është penduar që mori pjesë në Konventën e Demokratëve përpara zgjedhjeve?

Basha: Aspak, unë jam ftuar nga të dyja Konventat, në Konventën e Republikanëve e cila ka ndodhur në javën e 18 dhe 21 Korrikut, kam pasur mirëkuptimin e plotë të ftuesëve të mi, të Komitetit Kombëtar Republikan dhe të stafit të ngushtë Presidentit Trump sot, atëherë kandidatit Trump, në kushtet e krizës së kalimit të paketës Kushtetuese për reformën në drejtësi, unë nuk mund të udhëtoja drejt SHBA. Prania ime javën tjetër tek Konventa e Demokratëve, ishte po kështu në bazë të një ftese e cila më ishte drejtuar mua, por edhe partive të tjera simotra, Partive Popullore Europiane, një pjesë e të cilave ishin aty me Sekretarin e Përgjithshëm të PPE. Prania jonë në të dyja konventat nuk ishte shenjë mbështetjeje për asnjërin prej kandidatëve, sepse ishte një vendim që i takonte tërësisht amerikanëve, amerikanët kanë vendosur. Unë jam shumë i lumtur që pas zgjedhjes së tyre, Partia Demokratike, për të cilën sigurisht mund të themi që ka një qasje ideologjike më të afërt me Partinë Republikane, që prej ditës së parë të themelimit të saj, dhe unë personalisht gëzojmë marrdhëniet më të mira me administratën që pritet të vij dhe me Presidentin Trump.

Peka: A keni komunikim me administratën e re Z. Basha?

Basha: Sigurisht dhe jo tani, ne kemi patur komunikim të hapur me stafet kryesore të të dy kandidatëve dhe kjo është detyra normale e çdo faktori të përgjegjshëm politik, për më shumë, e opozitës që pritet të jetë pushteti i nesërm, e kryetarit të opozitës që pritet të jetë Kryeministri i vendit nesër. Unë nuk e bëj këtë për veten time, unë e bëj këtë për interesat e shqiptarëve. Sot përfaqësoj interesat e shqiptarëve, dhe nesër do të përfaqësoj interesat e të gjithë shqiptarëve. Si opozitë, unë jam opozita e gjithë shqiptarëve, nesër si pushtet do të jem pushteti i të gjithë shqiptarëve dhe për shqiptarët. Marrëdhënia me SHBA është një marrëdhënie strategjike e rëndësisë së pa krahasueshme me asnjë vend tjetër. Detyra jonë është ta forcojmë këtë marrdhënie, sepse aspektet më kryesore që kanë të bëjnë me integritetin tonë, me orientimin tone euroatlantik, me sigurinë tone kombëtare dhe me aspiratat tona për prosperitet e zhvillim, për një Shqipëri të zhvilluar e të fuqishme, janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme me SHBA dhe ajo që ndodhi tregoi edhe në herë cektësinë, por edhe dëshirën e kundërshtarit tim politik për të hedhur zare, me fatet e shqiptarëve. Nuk mund të ndodhte ajo kurrë, sepse nuk ishte vendimi i tij, vendimi është i amerikanëve, pavarësisht se ata mund ta identifikojnë veten më afër Partisë Demokratike, dhe ne më afër Partisë Republikane. Fakti është që ne në gjithë këto 25 vite kemi kooperuar shkëlqyeshëm me të dyja krahët. Unë kam pritur Presidentin Bush si Ministër i Jashtëm, në Rinas, në vizitën e parë të një Presidenti në detyrë, por kam bashkëpunuar shkëlqyeshëm me administratën e Presidentit Obama dhe me Sekretaren Klinton në fazën e përfundimit të hyrjes së Shqipërisë në NATO, apo të pavarësimit të Kosovës dhe të lobimit për njohjen e shtetit të Kosovës, apo në aspekte të tjera që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare të Shqipërisë dhe sigurinë në tërësi, ku ne kemi peshën tonë si vend në NATO.

Peka: Qarkullojnë lajme të ndryshme Zoti Basha mbi një ftesë të mundshme për të marrë pjesë në ceremoninë e inagurimit të Presidentit Trump. A ka një ftesë Lulzim Basha dhe në rast se po nga kush?

Basha: Po. Ka një ftesë zyrtare nga Komiteti Kombëtar Republikan, thënë ndryshe, nga Partia Republikane dhe nga grupi i Kongresmenve Amerikanë Republikane në Kongresin Amerikan.

Peka: Zoti Basha, sot media globale po flet për një përplasje publike të Presidentit Donald Trump dhe George Soros. Në Shqipëri është folur shumë për një vizitë që Soros ka bërë në Selinë e Partisë Demokratike. Ish-kryeministri Berisha e ka atakuar si një spekulant brilant George Sorosin. Mediat janë munduar pas zgjedhjes së Presidentit Trump t’u afishojnë edhe ju si një përkrahës i George Sorosit. Pyetja konkrete është: A është Lulzim Basha i pavarur dhe i pakapur nga George Soros?

Basha: Po sigurisht që po Çim Peka. Aq sa je dhe ti. Ai ka qënë një takim i kërkuar nga stafi i Sorosit në kuadrin e një vizite që ka bërë në Shqipëri dhe unë kam pranuar kërkesën e tij për takim. Ka qënë një takim i hapur, publik, me stafe. Eshtë interesuar për gjendjen në Shqipëri dhe unë i kam bërë pasqyrën e kriminalizimit të shtetit nga Edi Rama, që për të thënë të drejtën, është qartësisht një njeri i sponsorizuar në karrierën e tij politike nga qarqe të financuara nga zoti Soros. I kam shpjeguar për shqetësimin tim të madh sesi nën maskën e një shoqërie të hapur ai ka krijuar një shoqëri të mbyllur të krimit këtu në Shqipëri dhe të akaparimit të ç’do lirie dhe të dëmtimit të lirisë së qytetarëve shqiptarë. I kam treguar me fakte sesi po mundohej në atë moment ta kthente reformën në drejtësi në një grusht shteti, institucional për të kapur të gjitha pushtetet vetë, dhe sesi Partia Demokratike ishte e vendosur t’i rezistonte deri në fund një përpjekjeje të tillë. Dhe po kështu i kam thënë që për Partinë Demokratike, përpos Reformës në Drejtësi, vendi ka nevojë për një Reformë Kushtetuese. Ka dalë në pah tani, një Kryeministër i lidhur ngushtë me krimin që ka zhbërë të gjitha garancitë kushtetuese dhe balancën e pushteteve. Të gjitha këto do i shohësh në deklaratën për shtyp. Kjo ka qënë biseda. Më shumë ka dëgjuar. Nuk ka pasur ndonjë kërkesë ndaj meje apo ndaj Partisë Demokratike. Pastaj se çfarë ka marrë nga ato që i kam thënë unë, është puna e tij, por fakti është që në këtë takim unë kam bërë ç’do përpjekje për transparencë maksimale sepse për fat të keq një pjesë e mirë e axhendës së errët te Edi Ramës është për të kapur institucionet e drejtësisë, për t’iu shitur të huajve një Shqipëri që po ndryshon për mirë, por në fakt këtu gjërat kanë shkuar keq e më keq këto 3 vite. Nuk gjen një person të vetëm të thotë që gjërat janë më mirë se para 3 vitesh. Këto kanë ndodhur duke përdor influencën e rrjetit të George Soros, të cilën Edi Rama e ka shaluar tash e disa vite. Por ndryshe kur e shalonte në opozitë, ndryshe kur e shalon si Kryeministër bashkë me pushtetin për ti bërë gjëmën vendit. Kjo e dyta është e papranueshme.

Peka: Zoti Basha pyetja e fundit. A ka Lulzim Basha një deklaratë në mendje në rast se nuk fiton zgjedhjet?

Basha: Partia Demokratike dhe opozita do shkojnë në zgjedhje të lira dhe të ndershme me besim të plotë se qytetarët jo vetëm do ndëshkojnë keqqeverisjen e Edi Ramës për shkak të së cilës sot paguajnë më shumë, blejnë më pak, jetojnë më keq, por do i besojnë një alternative e cila i kthen lirinë individuale si thelb i mundësive për një jetë më të mirë, për punësim dhe për një cilësi më të lartë të shërbimeve që shteti i detyrohet qytetarëve si taksapagues.

Peka: Zoti Basha, nëse garantohen zgjedhjet e lira dhe shqiptarët nuk ndëshkojnë mazhorancën aktuale, a do ta ndëshkojë Lulzim Basha vetë?

Basha: Unë kam besim shumë të madh te demokracia. Unë kam besim shumë të madh te qytetarët shqiptarë. Jam i sigurtë që zgjedhjet e ardhshme të lira dhe të ndershme do jenë një pikë kthese për Shqipërinë. Një brez i ri shqiptarësh do lënë përfundimisht pas krizat e shkaktuara nga zgjedhje të prishura që çojnë në pushtet të kapur, ne biznese të kapura, media të kapura. Dhe ne do hapim një kapitull të ri të një Shqipërie që ka lirinë të punojë, që ka lirinë të prodhojë, që ka lirinë të mendojë, që ka lirinë të konkurojë. Jam i bindur që jemi shumë afër momentit. Dimri është i rëndë por pas dimrit ka pranverë. Pas reve ka dritë.

Peka: Po në rast se preken zgjedhjet a do kemi një Bashë tjetër? Një Bashë agresiv dhe jo një Bashë elastik siç e kemi parë vitet e tjera?

Basha: Nëqoftëse quan elasticitet ligjin për dekriminalizmin, atëhere është problemi yt. Vendosmëria ime për t’iu qëndruar parimeve nuk matet as me tonin e zërit, as me zgurdullimin e syve, por me produktin. Unë kam dy vjet që e kam thënë para shqiptarëve që zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë një test i patejkalueshëm për Shqipërinë. Ne duhet dhe do kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk mund dhe nuk do pranojmë asnjë proçes tjetër zgjedhor përveç zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Rekordi flet vetë. Dekriminalizimi kur askush nuk e besonte, ndodhi. Reforma në Drejtësi u bë sipas përcaktimeve kushtetuese të Partisë Demokratike, përkundër gjithë presioneve. Tani, unë ftoj të gjithë shqiptarët, të bashkohemi për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Eshtë çështje e dinjitetit të tyre personal, është çështje e lirisë së tyre personale, e mirëqënies së tyre personale.

Peka: Keni fituar dy beteja. A do e fitoni edhe këtë betejë?

Basha: Patjetër që po. Sepse kauza që mbështesim është kauza e çdo shqiptari, jo vetëm kauza e të djathteve, jo vetëm e demokratëve, jo vetëm e opozitarëvë, por e çdo shqiptari. Rruga që propozojmë garanton votën e lirë të çdo shqiptari. Nuk po kërkojmë asgjë për veten tonë. Votën e lirë të çdo shqiptari.

Peka: Edhe një pyetje të fundit. Jeni shprehur se Zoti Berisha e ka në dorë vetë nëse do dojë të vazhdojë të jetë deputet apo jo. Përveç Lulzim Bashës dhe ish Kryetarit të PD, a ka deputet tjetër që është i garantuar?

Basha: Nuk ka asnjë deputet të garantuar. Forumet do vendosin për të gjithë. Unë kam shprehur mendimin tim personal për Zotin Berisha si lider historik i Partisë Demokratike që, sa më takon mua, sa herë të deshirojë do ishte i mirëpritur por vendimi për çdo rast është i forumeve të Partisë Demokratike. Risia këtu është që Partia Demokratike, besoj që në ditët në vazhdim do hapë një proçes që nuk ka ndodhur më përpara, sa i përket konsultimit me anëtarësinë, me grupet e interesit, me qytetarët, jo vetëm me anëtarët e Partisë Demokratike, por me qytetarët, me komunitetin për deputetët e ardhshëm. Këtu përfshihet edhe shoqëria civile, edhe bota akademike, edhe sipërmarrja e ndershme, në mënyrë që të përfaqësohemi jo vetëm me ekipin më të mirë, me juristët, ekonomistët, shkenctarët, artistët, profesorët, sipërmarrësit, të rinjtë, të rejat më të mirë, ekipin më të mirë, më përfaqësues që ka Shqipëria, por që ky ekip të mos ketë lindur thjesht dhe vetëm në kokën e Kryetarit, por në dhomat dhe forumet e Partisë Demokratike. Të përfaqësojë sa më shumë vullnetin e qytetarëve shqiptarë.


Lulzim Basha në një intervistë me Çim Pekën për Syri.net , për reformën zgjedhore, kapjen e medias nga Rama,  alternativën e PD, dhe vizitën në SHBA, 13 Janar 2017