PD organizon një dëgjesë publike me ekspertë e akademikë; dënohet mungesa e transparencës dhe trajtimi i qytetit si plaçkë

 

Këshilltarët e djathtë të Bashkisë së Tiranës, drejtues të departamenteve të Partisë Demokratike, profesorë, intelektualë, ekspertë dhe qytetarë të Tiranës diskutuan në lidhje me abuzimet dhe problemet e thella që sjell plani i ri urbanistik i kryeqytetit.

Në diskutimin e hapur u analizua problematika e një plani i cili nuk sjell zhvillim ekonomik për qytetarët, shton trafikun duke mos eleminuar gazin karbonik, mbjelljen e pemëve të cilat janë të papërshtatshme për dekorim, pasi rrezikojnë jetën e banorëve nga alergjitë, filozofinë e vazhdimit të ndërtimeve dhe humbjen e metrave katrorë të gjelbërimit, shtimin e betonizimit si edhe moskonsultimin dhe lënien në errësirë të qytetarëve shqiptarë për t’u njohur me planin e ri ubanistik të miratuar me urgjencë në natën e ndërrimit të viteve ku qytetarët e kishin të pamundur të informoheshin.

Artur Sulçe, ekspert për sigurinë rrugore, theksoi se shoqata që ai përfaqëson ka reaguar e para kur Edi Rama mbolli pemët në rrugët interurbane kryesore nga mbikalimi i Kamzës deri në mbikalimin e Kasharit. “I thamë që ke shkelur ligjin. Pas një viti ai e ndryshoi këtë ligj për të përligjur atë ndërtim të paligjshëm që bëri. Dhe asnjë nuk u çua për ta goditur në aspektin juridik. Po rritet dita ditës numri i përdoruesve të lëndëve psikotrope të cilat nga mediat e shkruara dhe vizive ka dalë që janë mbi 50 mijë përdorues. Këta janë nga 18 deri në 60 vjeç, të cilët përdorin mjetet. Nga 500 mijë mjete që kemi  1/10 janë këta njerëz që i japin makinave. Imagjinoni probabilitin e rriskut të një aksidenti rrugor. Ka shumë probleme që ne i kemi bërë publike”, tha ai.

Ndërkohë Burhan Sakiqi, ish-kryetar i Këshillit Bashkiak, inxhinier ndërtimi, tha se ka mbetur i pazgjidhur qarkullimi i automjeteve në shesh. “Një shtet që është shtet nuk shkel planin rregullues të tij sidomos sistemi rrugor. “Unazë të vogël nuk kemi. Unazë të dytë mesatare, ajo që vjen nga Rruga Bardhyl deri tek Ura e Tabakëve dhe kalon përbri Ambasadës Amerikane. Aty është ngritur një ndërtesë tetë katëshe. Pra është shkelur në mënyrë flagrante plani rregullues i Tiranës. Tirana ka sistem unazor, dhe nuk e kuptoj se si prishen unazat. I pyes studentët e arkitekturës se a të pëlqen ky bllok betoni, ky ndërtim në formë piramide, a të pëlqen që u prish kafe Gjirokastra? A të pëlqen që po bëhet ky parking këtu mes qytetit? Unë nuk kam parë në një vend të botës që të ketë parkim në mes të qytetit, parkimet bëhen jashtë qytetit që të mos prishë mjedisin. Thonë se kam shumë të drejtë”.

Andi Tepelena, aktivist i shoqërisë civile theksoi: “Tirana po kthehet në një qytet skizofrenik ku duke filluar që nga shtëpitë tona nuk po e kryejnë rolin e tyre pasi jemi të gjithë të stresuar që kur zbresim poshtë pallatit. Rrëmuja gjeometrike që karakterizon Tiranën është pa dyshim shumë e qartë. Nëse e shihni Tiranën nga Dajti, e vetmja hapësirë, zonë që ka hapësirë, janë varrezat e qytetit. Është një rrëmujë, nuk kuptohet, a është qytet oriental, Amerikë Latine, Indi apo Azi. Është një qytet pa një lloj identiteti vizual. Tirana po humbet humanizmin. Është një qytet që po jeton nervozizëm të tejskajshëm. Në Tiranë duhet të shtohen hapësirat e gjelbërta dhe nuk ka nevojë më për ndërtime”.

Gjok Vuksani, profesor i Arkitekturës së Peisazhit në Universitetin Bujqësor të Tiranës, vuri në dukje se përfundimisht kjo qeveri dhe bashkia janë armiq të gjelbërimit.

“Qoftë në parkun e qytetit, qoftë në lulishten në qendër të Tiranës, qoftë në të gjitha lulishtet e Shqipërisë. Kjo është diçka e deklaruar se janë armiq të gjelbërimit. Ne duhet ta mbrojmë. Që në kohën e Ramës është mbjellur rrapi. Mund t’ju duket jo shumë e rëndësishme por arsyeja është e thjeshtë. Rrapi është një bimë që rritet shpejt dhe është i lirë dhe po mbillet në të gjitha rrugët që po ndërtohen në Tiranë. Kam dëgjuar se edhe në Vlorë po hiqen palmat dhe po mbillet rrap. Është një bimë e papërshtatshme për rrugët, j’ua them me kompetencë. Qoftë përsa i përket madhësisë së saj si edhe polenit që çliron gjatë kohës së lulëzimit. Po mbillen bimë të papërshtatshme që nuk ndihmojnë shëndetin e njeriut. Gurët dhe bimët e marra nga trevat është manipulim. Nuk mund të marrësh pishat e Tropojës e ti mbjellësh në Tiranë pasi nuk ka kushtet e përshtatshme për zhvillim. Është një mashtrim i pasktrupullt”, tha ai.

Ledian Bregasi, arkitekt, përfaqësues i Unionit të Arkitektëve dhe Urbanistëve, theksoi se më datë 31 dhjetor është dalë me deklaratën e fundit për shtyp mbi planin e përgjithshëm vendor që u miratua në Këshillin Bashkiak ku ngritëm shqetësime në lidhje me infrastrukturën e cila nuk do të ketë atë fuqi sa pretendohet të jetë zhvillimi i Tiranës si në banor ashtu edhe në shkëmbime ekonomike. “Idea e pesë unazave thellon edhe më shumë problemin e trafikut që ndodh në Tiranë. Idea e pesë unazave ishte në planin e viteve ’39, ’43 dhe në planin e vitit 1989. Plane që në atë kohë makina ligjërisht ishte e pamundur. Me të njëjtin koncept nuk mund të vazhdohet edhe tani. Nuk parashikohet asnjë skemë alternative për të shmangur trafikun. Parku i Liqenit është kthyer në simbol të të gjithë betejës së zhvillimit të paqëndrueshëm”.

Artan Manushaqja, qytetar i Tiranës, tha: Unë kam lexuar planin e përgjitshëm të Tiranës dhe që në pikën 1, kundërshtoj ku thuhet: Një metropol intensiv në rritje brenda kufiqjve duke rivendosur hapësirat e saj të pashfrytëzuara duke shfrytëzuar ndërtimet e vjetra. Që këtu jepet logjika e ndërtimeve brenda qytetit. Që në nisje plani i përgjithshëm i Tiranës reflekton filozofi betonizimi.

Kujtim  Gjuzi, qytetar i Tiranës:  Si  qytetarë të hershëm të Tiranës, nuk e kemi marrë atë me qera sikurse duket se e ka marrë kryetari i bashkisë. Ne duhet ta bllokojmë këtë nisëm dhe ftoj të gjithë dashamirësit e këtij metropoli, ta mbrojmë qytetin me forcë. Duhet të rezistojmë me forcë për sheshin. Këta nuk e kanë marrë qytetin me qera, por ia kanë dhënë.

Në diskutimin e tij këshilltari bashkiak Besnik Aliaj theksoi se: “Janë atakuar disa ligje si ligji për planifikimin e territorit, ligji për transparencë dhe informimin e publikut, ligjet për çështjet mjedisore dhe ligji për trashëgiminë. Po flasim për aktivitete dhe ndërmarrje që atakojnë pjesën qëndrore që është në një regjim mbrotje të trashgimisë historike të qytetit. Përse bëhet kjo me kaq nxitim dhe me kaq shqetësim?! Nuk ka nevojë ta them pasi ajo dihet. Unë e kam shprehur edhe publikisht. Unë dua të nënvizoj faktin që vetëm me këtë argument që u ngrit, funksionimi i Këshillit Bashkiak ka rënë. Nuk egziston më ky këshill për mendimin tim. nuk ka më një shtrat dhe kolona ligjore sepse nuk janë kushtet që të funksionojë në mënyrë demokratike, nuk është informuar, nuk janë mbledhur as komisionet përkatëse. Na është dhënë informacioni 5 ditë para. Është bërë takimi 3 ditë para dhe pastaj është çuar në mbledhjen e këshillit. Nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e qytetit kjo. Unë jam në të tretin mandat dhe kemi pasur në raste të tjera debate por në fund të fundit ka pasur diskutime, kemi pasur diferenca mendimesh, por janë bërë takime publike, në media, etj por ky ka qënë një rast eskprem dhe i mbajtjes së fshehtë. Kjo është shumë e rëndë. Tani për mendimin tim gjithaçka ka ikur nga institucionet e zgjedhura dhe demokratike dhe i takon sovranit të vendosë. Opozita duhet të bëjë gjithçka të fitojë besueshmërinë që kjo nuk është një betejë e radhës politike por është një përpjekje serioze në kuadër të një krize serioze të demorkacisë që ka vendi.

Drejtuesi i departamentit të Mjedisit Jamarbër Malltezi Malltezi tha se plani i ri që i imponohet Tiranës e kthen  si të vetmin kryeqytet në botë që bulevardi  përfundon në qytet tjetër. “Duhet prishur një park urban për të ndërtuar një tepsi betoni, ky duket të jetë  fokusi i kësaj çështjeje. Po të bëjmë një krahasim mes planit që u bë në 2013 dhe planit që kaloi në mënyrë shumë të rrufeshme dhe të fshehtë pa u konsultuar në fund të dhjetorit 2016. Si bashkëautor i vlerësimit  strategjik mjedisor për planin 2013 dua të bëj paralelizma midis dy planeve. Plani 2013 një proçes i gjerë konsultimi pjesëmarrjeje, të dokumentuara me dhjetëra e dhjetëra takime të grupeve strategjike me qytetarë, intelektualë, artistë dhe me ekspertët që shihnin me vizion dhe logjikë. Dhjetëra mbledhje të hapura të paktën pa logo partish, mbledhje të hapura për çdo qytetar pa presione,  plani i 2013-ës i vuri kufizime ndërtimeve, u tha stop nuk mund të ndërtosh ku të teket. Sot me planin e ri nuk kemi asnjë kufizim për ndalimin e ndërtimeve në zonat urbane, ka vetëm tek zonat kombëtare. Kjo bëhet sepse brenda një viti jemi dëshmitarë se si kryeministri Rama po ndërton më mënyrë sistematike në parqe e lulishte për interesa të klientëve. Kemi prerjen e dhjetëra e dhjetëra pemëve, betonizimin e parkut kinse për kënd lojrash. Kemi prishjen e pyllit urban tek sheshi  Skënderbej. Kemi betonizimin e parkut Rinia me një vendim të fshehtë, kemi ndërtime brenda parkut të Tiranës në dy anët e Korpusit të Universitetit Politeknik. Kemi blerjen e mediave nga oligarkët që bëjnë ndërtime edhe brenda lulishteve. Plani i ri rrezikon të betonizojë të gjithë parqet dhe lulishtet brenda qytetit. Kjo ndërhyrje e shtrenjtë prej afro 17 milion dollarë në sheshin Skënderbej po kryhet për interesa të vogla, bëhet pa asnjë studim paraprak hidrogjeologjik, modelim ujrash sipërfaqësore dhe nëtokësore, modelim gazrash dhe ky plan po kryhet pa asnjë diskutim të hapur publik  dhe me ekspertë.