Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i kërkon qeverisë të tregojë më shumë përkushtim për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve
Së bashku me, bashkëpunëtorët e Departamentit të Sigurisë Kombëtare, kemi ndjekur me shqetësim përshkallëzimin e situatës midis Serbisë dhe Kosovës në 48 orët e fundit, provokimin për hyrjen në territorin e Kosovës në mënyrë të paautorizuar të të famshmit tren dhe pastaj gjuhën luftënxitëse të autoriteteve më të larta të Beogradit.
Në emër të PD, dhe në emrin tim, dua të dënoj pa asnjë ekuivok këtë sjellje provokative me tone destabilizuese të Beogradit dhe autoriteteve më të larta të tij. Përtej sezonit elektoral që sapo është hapur në Serbi, sjellja dhe gjuha e Beogradit sjell në vëmendje aktet destabilizuese dhe kërcënuese për paqen dhe sigurinë në rajon dhe qëndrime të vjetra të tejkaluara bashkë me rregjimin e Slobodan Milosheviçit.
Dua të shpreh mbështetjen time të plotë për autoritetet e Kosovës, për Presidentin, qeverinë dhe Parlamentin, për policinë e Kosovës, njësitë speciale dhe qytetarët e Kosovës të cilët me gjakftohtësi, por me vendosmëri, kanë qëndruar para kësaj sprove, para këtij provokimi, duke e sprapsur atë. Kjo është një sprovë dhe provokim edhe për NATON edhe për BE.
Ndaj kërkoj dhe mbështes një reagim të qartë e të prerë që konfirmon përkushtimin e NATO-s dhe BE ndaj një Ballkani në paqe, me kufij të pandryshueshëm dhe një stabilitet që mund të burojë vetëm përmes marrdhënieve të mira dhe miqësore me njëri tjetrin. Incidenti dhe provokimi me trenin, gjuha që pasoi, përdorimi i një fletëarresti të vjetëruar dhe të pavleftësuar nga drejtësia ndërkombëtare ndaj Ramush Haradinaj dhe fillimi i ndërtimit të një muri në Mitrovicë, janë pjesë e një plani të mirëpërgatitur, i cili shkon përtej propagandës dhe përtej kalkulimeve të politikës së brendshme.
Përgjigja i takon në radhë të parë shtetit dhe institucioneve të Kosovës dhe këtu partitë politike shqiptare duhet të bashkojnë njëzëri qendrimet, Shqipëria do të jetë njëzëri në mbështetje të Republikës së Kosovës, qeverisë së Kosovës dhe institucioneve të Kosovës. Por ky plan i mirëpërgatitur i cili cënon dhe rrezikon seriozisht jo vetëm integritetin territorial dhe politik të Republikës së Kosovës por edhe stabilitetin rajonal, kërkon një përgjigje të mirëpërgatitur nga të gjitha palët, interesat e të cilëve preken nga destabilizimi i Ballkanit Perëndimor. NATO, BE dhe padyshim Shqipëria si shtet fqinj i Kosovës, si shtet me interesa të qarta kombëtare për mbrojten e drejtave të shqiptarëve kudo që jetojnë dhe si anëtarë e NATO-s.
Kjo përgjigje do të përshkallëzohet, përgatitet dhe të shpaloset në të gjitha rrafshet e në veçanti në rrafshin diplomatik dhe në atë të mbrotjes dhe sigurisë kombëtare. Eshtë e pamjaftueshme që reagimi i Shqipërisë zyrtare të kufizohet me deklarata për shtyp apo akoma më keq deklarata në Facebook.
Dua të theksoj se momenti nuk është për t’ju rikthyer lojërave të brendshme politike apo përdorimit për konsum politik të kësaj çështjeje. Por i kërkoj kryeministrit shqiptar, z.Rama të bëjë më shumë se sa reagimi në Facebook, të bëjët detyrën që i takon, sa kohë është kryeministër i Shqipërisë.
Unë dhe Partia Demokratike, opozita jemi të gatshëm të japim ndihmën dhe kontributin tonë të plotë për përgatitjen e një përgjigje, një reagimi dhe një mbështetje të plotë nga Shqipëria zyrtare në radhë të parë ndaj shtetit të Kosovës dhe së dyti si anëtare e NATO-s për të parandaluar përshkallëzimin e situates, që vjen si rezultat e një plani të mirëpërgatitur dhe provokimeve serbe, për të kontribuar për një klimë të ç’tendosur, për rikthimin e dialogut, paqen dhe sigurinë në rajon.