Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi mori pjesë në punimet e Kongresit të Rinisë Kristiandemokrate gjermane. Gjatë këtij kongresi, Këlliçi takoi kryetarin e të rinjve të CDU/CSU, z. Paul Ziemiak, të cilin pasi e falenderoi për mbështetjen e tij gjatë protestës në “Çadrën e Lirisë”, biseduan për rritjen e bashkëpunimit mes dy forumeve partnere. z Ziemiak garantoi mbështetje për të rinjtë demokratë shqiptarë duke u bazuar në praktikat më të mira gjermane, për të rritur kapacitetet në ndërtimin e një opozite të fortë ndaj qeverisë socialiste që ka shkatërruar mundësitë për të rinjtë shqiptarë.
Me z Ziemiak por edhe me homologë të tjerë, si me Kryetarin e komunitetit të të rinjve demokratë në Europë (DEMYC), z. Javier Hurtado Mira dhe me Kryetarin e Unionit Ndërkombëtar Demokrat të të Rinjve në botë (IYDU), z. Bashir Wardini, u fol gjerësisht për situatën e rënduar në Shqipëri pas zgjedhjeve të 25 Qershorit, për blerjen masive të votës, përdorimin e krimit në procesin zgjedhor, për keqqeverisjen si dhe për situatën e vështirë ekonomike.
Krerët e të rinjve gjermanë dhe europianë u informuan mbi rrezikun e madh të një eksodi tjetër masiv të shqiptarëve, për shkak të gjendjes së rëndë të kriminalitetit në vend dhe trafikut të drogës, si dhe pas implementimit të rritjes së taksave të parashikuara nga qeveria, e cila do të prekë çdo biznes e çdo familje shqiptare. “I garantova ata se FRPD së bashku me PD do të bëjnë një opozite të fortë dhe pa kompromis kundër qeverisë së lidhur me krimin dhe më të korruptuarën që ka pasur ndonjëherë vendi ynë”, u shpreh Këlliçi.
Deutschlandtag 2017 ose kongresi i të rinjve të djathtë gjermanë, këtë vit u organizua në Dresden dhe pati si folës kryesore ministrin e Brendshëm të Gjermanisë, Dr. Thomas de Maiziere, Sekretarin e Përgjithshëm të CDU, Dr. Peter Tauber, Komisionerin Europian për Buxhetin, z. Günther H. Oettinger dhe kulmoi me fjalën e Kancelares Gjermane, Dr. Angela Merkel.