Forumi Rinor i Partisë Demokratike përkujtoi sot lindjen e themeluesit të shtetit shqiptar si edhe firmëtarin e parë të deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Bej Vlora.
Kryetari i FRPD-së, Belind Këlliçi, së bashku me të rinj të tjerë demokratë, u përulën pranë shtatores së rilindasit i cili ia kushtoi jetën e tij shtetit shqiptar.
“Sot është një ditë kujtimi e vlerësimi për Ismail Qemalin, por edhe reflektimi për situatën ku gjendemi”, tha Këlliçi duke shtuar se nuk ka mjerim më të madh, nuk ka përdhosje më të madhe që i bëhet dijes dhe mençurisë. Të shkosh nga Ismail Qemali tek Edi Rama, nga Abdi Toptani tek Arben Ahmetaj, nga Luigj Gurakuqi tek Lindita Nikolla, kjo është Rilindja e Ramës”, tha Kelliçi.
“Vlerat janë zëvendësuar me antivlerat. Sot kriminelët dhe hajdutët drejtojnë vendin. Të aftët, të arsimuarit, të diturit, kanë marrë rrugët e emigrimit. 105 vite pas shpalljes së pavarësisë, vendi drejtohet nga injorantë, të korruptuar, e trafikantë”.
Kelliçi theksoi se sot është dita e rinisë shqiptare që me votën e saj të rikthejë shpresën dhe besimin tek vlerat, tek dija, tek puna e ndershme, si mënyra e vetme që Shqipëria të ecë përpara. Sot është dita që të garantojmë votën e lirë, ta mbrojmë nga armiqtë e saj në pushtet dhe me votë të bëjmë ndryshimin që çdo qytetar po pret më 18 qershor.