Të nderuar anëtarë të kryesisë

Mbledhja e sotme i dedikohet tërësisht përgatitjes të strukturave të Partisë Demokratike për një proces të ndershëm dhe të lirë zgjedhor, dhe për fushatën fituese të PD dhe opozitës, në zgjedhjet e ardhshme, në zgjedhjet e ndryshimit të madh që pret dhe dëshiron çdo shqiptar.

Gjatë këtij takimi i cili natyrisht do të zhvillohet nën moton e njohur dhe të praktikuar të NATO-s, standardet e të cilit aplikojmë prej anëtarësimit në këtë organizatë, animus in consulendo liber, diskutime të lira pa praninë e mediave, por duke marrë shkas nga prania  e mediave, për hir të transparencës; si një parti e hapur që jemi, parti e debatit, parti e dialogut, jo e kulisave dhe as e intrigave, as e krimit, as e korrupsionit, dua të njoftoj përmes tyre qytetarët shqiptarë për disa nga çështjet që po diskutojmë sot.

Në raport me përgatitjet e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, sot në këtë sallë opozita e bashkuar ka nënshkruar një memorandum i cili trajton çështjen më të rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët, jo vetëm për opozitën: Lirinë e votës, pamundësinë për ta vjedhur apo tjetërsuar atë. Sepse të gjithë e dimë që problemi më i madh në këtë vend është shitblerja e votës dhe me mazhorancën aktuale, kjo është kthyer në një industri të vërtetë.

Dhe në propozimet tona kryesore ku hyjnë: zbatimi i ligjit të dekriminalizimit, mospërdorimi mjeteve, resurseve shtetërore në fushatë, kriminalizimi i resurve shtetërore në fushatë, aksesi mediatik i barabartë, masat për tiu kundërvënë sjelljeve të paligjshme të shtetit, në veçanti segmenteve të kriminalizuara të policisë dhe shërbimeve të tjera shtetërore,  spikat, propozimi ynë për votim elektronik dhe numërim elektronik. Një propozim tashmë i bërë zyrtar që me datën 17 maj të vitit të kaluar dhe që jep i zgjidhje përfundimtare disa prej problemeve kryesore në zgjedhje.

Duke votuar me shenjën e gishtit, siç e mundëson sot teknologjia, asnjë shqiptari nuk do ti mohohet më e drejta për të votuar. Cdo kush do të mund të votojë.

Mbledhja e kartave nga reparte kriminale të lidhura me pushtetin, blerja e tyre nuk do të funksionojë. Nuk do të funksionojë as mekanizmi i tyre i votuesve shëtitës, i votimit të shumëfishtë, i votimit tjetër për tjetër, çdo qytetar do të mund të votojë, askush nuk do të mund të votojë për dikë tjetër.

Dhe së dyti, askush nuk do të mund të fusë më duart tek votat e shqiptarëve. Nuk do të ketë kuti votimi për të futur duart dhe nuk do të ketë mundësi që ushtritë e kriminelëve apo militantëve të tjetërsojnë vullnetin e votuesve.

Si të votojnë qytetarët shqiptarë, ashtu do të lexohet vota. Qytetarët do të vendosin, jo militantët, as kriminelët, as korporatat e korrupsionit dhe fasadave.

Procesi i garantimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është një betejë që PD bashkë me aleatët, bashkë me çdo qytetar do ta luftojë dhe do ta fitojë. Do ta fitojmë së bashku këtë betejë,  jo për veten tonë.

Baltë është hedhur dhe mund të hidhet, sulme, shpifje, gënjeshtra, justifikime nga më të ndryshmet, nga ata që nuk e duan votën e lirë të qytetarëve. Por shqiptarëve iu kam borxh tju them se çfarë propozojnë, nëse nuk pranojnë votimin elektronik. Nëse ka një propozim më të mire, jemi të gatshëm ta dëgjojmë dhe ta pranojmë. Përndryshe, nuk tërhiqemi nga kjo betejë.

Ne, këtë betejë nuk e luftojmë për veten tonë. Ndaj, shpifjet, sulmet, denigrimet e atyre që mbrojnë interesat e hajdutëve dhe kriminelëve të veshur me pushtet nuk na bëjnë përshtypje.

Ne e luftojmë këtë betejë për qytetarët shqiptarë, për çdo qytetar, jo vetëm për demokratët, por për çdo shqiptar.

Në funksion të rakordimit opozitar, kjo Kryesi, Këshilli Kombëtar i PD, të gjitha strukturat e PD, do të angazhohen në një dialog të drejtpërdrejtë jo vetëm me votuesit dhe simpatizantët e PD, opozitarë, por me gjithë qytetarët shqiptarë sepse është detyrë e çdo qytetari shqiptar të luftojë së bashku me ne, e të sigurojmë lirinë e votës, votën e lirë. Pa të cilën nuk mund të ketë as qeveri të përgjegjshme, as ekonomi të shëndoshë, as të neserme të sigurtë për ta dhe për fëmijët e tyre.

Një çështje tjetër e rëndësishme të cilën pritet diskutimi dhe vendimmarrja e Kryesisë sot, ka të bëjë me procesin e mbledhjes së propozimeve për kandidatët për deputetë të PD, për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Pas konsultimeve me të gjitha grupet e punës që janë ngritur për këtë qëllim, propozimi im siç edhe e kam shpallur publikisht është për një konsultim të hapur, jo vetëm me strukturat e PD, seksionet, grupseksionet, degët, por për një konsultim të hapur me qytetarët, me mbështetësit tanë, me simpatizantët tanë apo edhe me të gjithë qytetarët, po kështu me shoqërinë civile dhe botën akademike dhe studentore, dhe botën e sipërmarrjes së ndershme, me të përndjekurit politikë, me të rinjtë, me pronarët, me moshën e tretë, me pensionistët, me fermerët, me organizatat jofitimprurëse, të vërtetat dhe jo ato falsot që i bëjnë fresk qeverisë nga mëngjesi deri në darkë.

Pra, me të gjithë Shqipërinë, për një proçes sa më të hapur të evidentimit të njerëzve që gëzojnë respektin dhe reputacionin e panjollosur në komunitet, kapacitetet morale dhe profesionale për të përfaqësuar vlerat dhe idealet e larta me të cilat ka lindur kjo parti dhe për të cilat qëndron kjo parti.

Që proçesi të jetë sa më i hapur, përveç rrugës statutore që do të ndiqet sipas përcaktimit në statut, dhe kjo do të monitorohet – jo për fasadë se partinë e fasadës e kemi në anën tjetër të bulevardit – por që në të vërtetë çdokujt t’i jepet mundësia për të propozuar, për të dhënë mendimin e tij për kandidatët e mundshëm të Partisë Demokratike, kjo mundësi do të ekzistojë edhe drejtpërdrejt për anëtarësinë e Partisë Demokratike dhe për çdo qytetar përmes një aplikacioni të posaçëm në faqen e Partisë Demokratike online, tek demokratet.al.

Ky proçes duhet të përfundojë, përsa i përket strukturës, brenda datës 5 Shkurt.

Kandidatët e Partisë Demokratike, lista e kandidatëve të cilën unë do të kem nderin t’i kryesoj në këtë betejë për një Shqipëri ndryshe dhe për një ndryshim në Shqipëri, do t’i nënshtrohet një proçesi vetingu, kontrolli të imtësishëm, sipas standardeve më strikte dhe praktikave më të avancuara amerikane, me ekspertë të cilët kanë qenë në bashkëpunim të ngushtë me mua dhe përmes këtij bashkëpunimi, dhe në bashkëpunim me Komisionin e Kontrollit të Integritetit dhe Etikës drejtuar nga Dr.Halim Kosova, do të bëjmë të mundur që çdo demokrate dhe demokrat, anëtar kartëmbajtës i Partisë Demokratike, të flejë i qetë, dhe të jetë i qetë dhe ballëlart, se kandidatët e Partisë Demokratike, janë të pastër si kristali. Një proçes vetingu i hollësishëm, që shkon përtej kërkesave të vetingut për drejtësinë, përtej kërkesave të ligjit për dekriminalizimin, që përfshin natyrisht edhe vetingun e të kaluarës në diktaturë, dhe që siguron një listë dinjitoze, përfaqësuese të aspiratave më të mira të të rinjve shqiptarë, të nënave dhe baballarëve, të gjysheve dhe gjyshërve dhe të brezave që vijnë.

Të mos bëjmë asnjë gabim, zonja dhe zotërinj të kryesisë. Kjo është një pikë kthese fondamentale, jo thjeshtë me potencialin, por me detyrën për të eliminuar plotësisht çdo njollë kriminaliteti, korrupsioni, apo bashkëpunimi me organet e diktaturës nga lista e ardhshme e Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Asnjë surprizë, përveç  vullnetit të pastër të qytetarëve, të anëtarëve, simpantizantëve dhe strukturave të Partisë Demokratike, kapaciteteve më të mira profesionale, vlerave më të larta njerëzore, morale, shoqërore dhe patriotizmit.

Këtë pres, këtë kërkoj, dhe këtë do të arrijmë, përmes një proçesi të tillë, të vetingut të plotë të listës së ardhshme të kandidatëve të Partisë Demokratike.

Nesër nisem për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me ftesë zyrtare nga Komiteti Kombëtar Republikan dhe grupi i mazhorancës në Kongres në Senatin Amerikan, për inagurimin e Presidentit Donald Trump.

Dua t’iu informoj se gjatë vizitës në Uashington do të kem takime zyrtare me anëtarë të Kongresit dhe të Senatit, me drejtues të lartë të institucioneve, politikbërësve të politikës së jashtme, sigurisë, institucioneve dhe insituteve të Partisë Republikane të cilët na asistojnë si në procesin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme ashtu edhe për hartimin e programit të Partisë Demokratike në disa fusha të veçanta. Do të marr pjesë i ftuar zyrtarisht edhe në disa prej ceremonive dhe pritjeve zyrtare festive për inaugurimin e Presidentit Trump.

Në kthim, do të kem takime në Bruksel dhe në Berlin në lidhje me mbështetjen që Partia Popullore Europiane dhe Partia Kristiandemorkatike Gjermane të Unionit Kristiandemokrat Gjerman po i japin Partisë Demokratike për programin e saj elektoral. Këtu në këtë sallë, para 5 javësh këshilltarët ekonomikë të Angela Merkelit, kanë bërë vetingun e programit ekonomik të Partisë Demokratike, proces i cili ka certifikuar dhe validuar propozimet tona për nxjerrjen e vendit nga kriza e thellë ekonomike ku e ka zhytur papërgjegjshmëria dhe korrupsioni i Edi Ramës, nxjerren e Shqipërisë nga recensioni dhe kriza Rama, që njihet sot në Europë, dhe po kështu pas takimeve për të rakorduar për çështje të programit dhe zgjedhjeve të lira dhe të ndershme do të kemi në mesin tonë të dërguarit e CDU-së, të dërguarit e Partisë Popullore Europiane, të Institutit Republikan Ndërkombëtar dhe partive të tjera simotra për të ndihmuar Partinë Demokratike si në rrafshin e logjistikës, të përgatitjeve për fushatë, të programit dhe në trajnim të drejtpërdrejtë të njerëzve. Do ti diskutojmë në detaje, sepse pavarësisht se janë interesante për anëtarësinë e Partisë Demokratike do të jenë të njohura publikisht.

Fushata për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe nisja e fushatës së Partisë Demokratike për evidentimin e kandidaturave, vetingun e kandidaturave, përfundimin e pjesës logjistike që ka të bëjë me kontaktin dhe regjistrin e votuesve për të cilin janë nxjerrë vendimet nga mbledhja e fundit e kryesisë, janë ndër detyrat kryesore me të cilat Partia Demokratike, anëtarësia jonë, simpatizantët tanë, mbështetësit tanë do të angazhohen fuqimisht në ditët dhe javët në vijim.

Një gjë është e sigurtë. Ky dimër i ashpër fizik i cili edhe në këto momente shkakton vështirësi për qytetarët, padyshim do apo nuk do Edi Rama, do ti lërë vendin pranverës. Ky dimër 3 vjeçar politik do ti lërë vendin një pranvere politike ndryshimesh të mëdha për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ne së bashku do ti prijmë këtij ndryshimi.


Fjala e kryetarit të PD, Lulzim basha në mbledhjen e kryesisë, 16 Janart 2017