Grida Duma denoncon mashtrimin e Veliajt dhe kërkon transparencë për interesat që ka me bashkinë biznesmeni që pagoi udhëtimin e luksit

 

Dy ditë më parë, Erion Veliaj ka udhëtuar me një avion çarter nga Rinasi drejt Parisit. Me të kanë udhëtuar zëvendësi i tij Mazniku, një ndihmëse e tyre dhe një biznesmen. Avioni çarter është paguar nga biznesmeni.

Ndërsa Veliaj gëzonte luksin e Parisit, për qytetarët shqiptarë u kishte dërguar mediave një kronikë të gatshme, video sikur ndodhej në krye të detyrës duke inspektuar një kopësht në Tiranë.

Lehtësia me të cilën Veliaj mashtron publikun është tashmë e njohur nga të gjithë. Të nesërmen e dasmës ai dërgoi kasetën në media sikur gjoja kishte dalë në punë. Shkoi në Sri Lanka dhe përsëri dërgoi në media kasetën sikur punonte në Tiranë. Është mania e pakontrolluar e një njeriu që mashtrimin e ka sëmundje patologjike. Por rasti i fundit është më shumë se mashtrim. Eshtë dëshmi e pazareve të Veliajt me planin urbanistik dhe kullat që ka vendosur të mbjellë në Tiranë. Nuk ka shqiptar që mund të mendoje se një biznesmen mund të paguajë për lluksin e Erion Veliajt pa përfituar gjë të paligjshme prej tij.

Prandaj, Erjon Veliaj duhet të përgjigjet publikisht: Pse udhëton me çarter për në Paris me një kosto të paktën 60-70 mijë euro?

Cila është urgjenca e një kryetari bashkie për të shkuar në Paris me çarter?

Kush e pagoi çarterin?

Çfarë interesash ka me bashkinë, biznesmeni që pagoi çarterin dhe qëndrimin luksoz të Erjon Veliajt në Paris?

A është i lidhur biznesmeni i çarterit me biznesin e plehrave ku u vra Ardit Gjoklaj?