Fevziu: Ju keni deklaruar që do të qëndroni në protestë para selisë së KM ose në forma të ndryshme të shpërndara në të gjithë vendin, deri në momentin e krijimit të një qeverie teknike. Nëse z.Rama do t’ju refuzojë deri në fund siç ju ka refuzuar deri tani, a ka  një plan B të PD dhe a mund të negociohet ky vendim i juaji?

Basha: Nuk ka një plan B. Plani është zgjedhje të lira dhe të ndershme. Qeveria “Rama” ka patur 3 vite e gjysëm kohë dhe shanse për të provuar nëse është pro zgjedhjeve të lira dhe të ndershme apo kundër tyre. Ka humbur çdo shans, duke filluar me Korçën, dy muaj pasi erdhën në pushtet, duke vazhduar me zgjedhjet lokale të vitit 2015, duke kulmuar me Dibrën. Dhe kjo është vetëm një simptomë e problemit të thellë të z.Rama dhe qeverisë tij. Një qeveri e lidhur kokë e këmbë me krimin e organizuar dhe me bandat.

Fevziu: Për këtë duhet të shkoni në zgjedhje z.Basha, ta mundni. Nëse Rama nuk ndërton qeveri teknike çfarë do të bëni ju, nëse nuk tërhiqet?

Basha: Dëgjoje deri në fund z.Fevziu, t’i përgjigjem pyetjes së parë dhe pastaj bëj pyetje sërish. Pra, ka humbur shansin e parë sepse tre herë që i është dhënë mundësia të organizojë zgjedhje i ka dhunuar standardet zgjedhore. Problemi i dytë dhe më i madhi faktikisht i Shqipërisë, jo vetëm i Edi Ramës është lidhja kokë e këmbë e kësaj qeverie me krimin. Ne kaluam ligjin për dekriminalizimin, bëmë një qëndresë të jashtëzakonshme, ndërgjegjësuam shqiptarët dhe  ndërkombëtarët me përkrahjen e tyre kaluam ligjin për dekriminalizimin, Edi Rama nuk e zbatoi.

Edhe në një rast kur u detyrua të nënshkruante largimin e Elvis Rroshit, Elvis Rroshi vazhdon “de facto” të jetë kryetari i Bashkisë së Kavajës.

Dhe së treti zvarriti deri në asgjesim reformën zgjedhore. Një vit më përpara i kërkuam reformën zgjedhore, pamë mungesën e vullnetit prandaj ishim ne që propozuam platformën duke përfshirë votimin elektronik, zvarriti dhe zvarriti reformën zgjedhore.

Në këto kushte ku vendi po hyn në një vit të dytë të ciklit të drogës i cili prodhon qindra milionë euro në duart e krimit të organizuar, në kushtet e moszbatimit të ligjit të dekriminalizimit në parlament, per kryetarë bashkish dhe pozicione të tjera, në kushtet e kapjes së Edi Ramës në flagrancë nga media, nga qytetarët, nga ndërkombëtarët, si dhunues, shkatërrues të proceseve zgjedhore, e vetmja mundësi tashmë e artikuluar jo vetëm nga PD, nga opozita, por nga gjithë qytetarët, është një qeveri që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, një qeveri teknike. Ky është një vendim i marrë në sheshin e popullit dhe jo në zyrat e partive, është një vendim i cili nuk ka kthim. Në Shqipëri do të ketë këtej e tutje vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme. PD dhe unë jemi të vendosur ta luftojmë këtë betejë deri në fund, jo për PD por sepse kauza e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është një kauzë që bashkon çdo shqiptar, të djathtë dhe të majtë.

Fevziu: Nëse Edi Rama nuk pranon, z. Basha, cili do të jetë fundi?

Basha: Le të shohim nga historia e këtij vendi dhe nga historia e popujve të civilizuar. Çfarë ndodh me ata që nuk pranojnë të zbatojnë të drejtën themelore të qytetarëve, të drejtën e votës së lirë? Kush do të tërhiqet populli, qytetarët apo ai që merr përsipër këtë barrë? Jam i bindur që fitorja do ti takojë qytetarëve, do ti takojë popullit.

Fevziu: Z.Basha thatë pak më parë që ka dhënë prova që në dy raste që ka tentuar të organizojë zgjedhje të lira, z.Rama ka dështuar. Por i kujtoni zgjedhjet lokale dhe në Vorë dhe në Lezhë, ku ju konkuronit me LSI-në, ndërkohë që duket se aktualisht po e kërkoni shpëtimin në një aleancë me LSI-në dhe një qeveri teknike që mbështetet nga Meta?

Basha: Ne nuk kërkojmë shpëtimin tek askush tjetër përveçse tek qytetarët shqiptarë dhe qytetarët shqiptarë janë bashkuar sepse shpëtimi janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Fevziu: Keni negociata me Metën?

Basha: Nuk ka shpëtimtarë te tjere përveçse shqiptarëve që bashkohen siç janë bashkuar të shtunën, siç janë të bashkuar këtu tre ditë. Çdo orë kjo protestë rritet, bëhet gjithmonë e më e madhe, çdo orë rritet konsensusi i qytetarëve. Edhe atyre që të kërcënuar, të dhunuar nga kjo qeveri nuk i janë bashkëngjitur orëve të para të protestës por që me zemër janë këtu. Janë me mijëra mesazhe. Hapni “FB” e Partisë Demokratike, hapni “FB” tim dhe do të shikoni qe, kjo lëvizje nuk është më një lëvizje politike, është një lëvizje popullore, kombëtare e cila nuk kthehet mbrapsht pa fitore, që është, zgjedhje të lira dhe të ndershme, qeveri teknike.

Fevziu: A keni negociata me Metën?

Basha: Nuk ka negociata. Pa dyshim që çdo faktor politik shqiptar që ndjen përgjegjësi  para qytetarëve shqiptarë, që nuk është i mbyllur në bunkerin e konfliktit të interesit me qytetarin shqiptar, në bunkerin e krimit, në bunkerin e korrupsionit, në bunkerin e drogës, sot duhet të marrë përgjegjësi. Kjo vlen për çdo parti politike.

Fevziu: Edhe për Metën?

Basha: Përfshi Partinë Socialiste të Shqipërisë apo çfarë ka mbetur prej saj, përfshi Lëvizjen Socialiste për Integrim, çdo faktor politik ka shansin të dëshmojë nese është me qytetarët, është për popullin, është për zgjedhje të lira dhe të ndershme, apo është me krimin, me drogën, me pushtetin e parave të pista. Kjo është zgjedhja e sotme, zgjedhje tjetër nuk ka, rrugë tjetër nuk ka.

Fevziu: Z.Basha si do ta arrini këtë kur Bashkimi Europian sot përmes Maja Kocijancic ka deklaruar se nuk njeh asnjë formë të bashkëbisedimit politik veç atij që është në Parlament. Dhe ju nuk jeni në Parlament.

Basha: BE ka folur me rezoluta, me deklarata ku vlerat themelore të Europës, zgjedhje të lira dhe të ndershme janë të panegociueshme dhe këtu ju kujtoj se zgjedhjet të lira e të ndershme janë tashmë një kusht formal i Bundestagut Gjerman për të përparuar Shqipëria drejt integrimit europian, ju kujtoj se po kështu Parlamenti Europian ka nënvizuar se zgjedhjet janë test për integrimin europian të Shqipërisë. Vetëm një i marrë mund të ketë guximin që tu thotë shqiptarëve që Bashkimi Europian do të tolerojë një Shqipëri ku krimi e droga vendosin zgjedhjet dhe jo qytetarët shqiptarë. Zgjedhjet e lira e të ndershme, kauza e shqiptarëve është një e drejtë themelore është pjesë e identitetit europian. Smund të jetë Europa, pa zgjedhje të lira e të ndershme dhe padyshim që edhe sot kanë ardhur mesazhet e përkrahjes nga Italia, nga Gjermania për këtë kauzë, për zgjedhje e lira dhe të ndershme. Ndaj, është Bashkimi Europian që ndihmoi me ligjin për dekriminalizimi, është Bashkimi Europian që ndihmoi me një reformë në drejtësi me paketën kushtetuese e cila lufton krimin dhe korrupsionin, është Bashkimi Europian i cili e ka bërë fare të qartë për shqiptarët dhe Shqipërinë dhe kësaj qeverie shurdhe se; pa zgjedhje të lira e të ndershme Shqipëria nuk do të bëjë përpara drejt integrimit europian.

Fevziu: Z Basha, a ka lidhje kjo proteste me bllokimin e procesit të vetingut? Dhe pse nuk i jepni ok procesit të vetingut që të shkojë paralel me protestën tuaj?

Basha: Ky është një mashtrim tipik. Ai që ka bllokuar procesin e vetingut është Edi Rama. Ne jemi krenarë për paketën kushtetuese që mundësuam me konsensus historik më 22 Korrik. Qendruam dhe luftuam një vit e gjysëm sepse Edi Rama kërkonte ta kapte drejtësinë, donte të kontrollonte gjyqtarët dhe prokurorët në mënyrë që të mbrohej ai dhe kriminelët dhe kriminelët e lidhur me të. Mori fund kjo përpjekje e tij dhe ai u detyrua të pranojë para Bashkimit Europian dhe SHBA-ve si pjesë e konsensusit të 22 Korrikut se 7 ligjet kryesore të Reformës në Drejtësi do të bëheshin vetëm me konsensus me opozitën. Menjëherë pas kësaj Edi Rama shkeli premtimin para SHBA-ve dhe BE-së dhe i kaloi ligjet siç deshi vetë duke përjashtuar opozitën. Na ka përjashtuar Edi Rama duke shkelur premtimin e tij para SHBA-ve dhe BE-së 7 ligjet do të bëheshin vetëm me konsensus me opozitën. Nuk jemi vetëpërjashtuar. Na kanë përjashtuar me ndërgjegje për të dëmtuar reformën në drejtësi sepse nuk duan reformë në drejtësi që ndërshkon krimin dhe korrupsionin, por drejtesi qe liron bandat, që liroi Lul Berishën, që liroi Hakmarrjen për Drejtësi, që përgatitet të lirojë Aldo Baren, që mban gati për të liruar Shullazin. A ka shqiptar që beson sot se një kryeministër i zhytur deri në grykë me korrupsion, drogë e krim do gjyqtarë e prokurorë të ndershëm e të pastër që ta hetojnë. Jo. Ai do gjyqtarë e prokurorë që mund ti shantazhojë, që mund ti urdhërojë në telefon siç tha vetë ministri i tij i Drejtësisë. Gjerat janë të qarta. Keto jane fake news qe ka shpërndarë Edi Rama. U bëj thirrje mediave të mos bëhen pjesë e tyre. Opozita u përjashtua nga Edi Rama, përgjegjësia për të është e Edi Ramës por unë dua të siguroj sot gjithë shqiptarët se nesër Partia Demokratike në pushtet do të mundësojë zbatimin e paketës kushtetuese, per një drejtësi të pavarur që do të vërë para përgjegjësisë politikanët e korruptuar dhe kriminelët të cilitdo krahu politik qofshin.

Fevziu: Do radikalizohet protesta nëse nuk ka përgjigje?

Basha: Protesta do të rritet, nga ora në orë me pjesëmarrje dhe entuziazëm. Partia Demokratike dhe Lulzim Basha kanë qënë dhe janë për protestë paqësore. Ne do ta mundim të keqen, ne do ta mundim tiraninë e varfërisë dhe korrupsionit. Ne do ta mundim krimin. Do ti mundim me pjesëmarrje dhe bashkim qytetar. Populli do fitojë, tirania do të zbrapset. Zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe një qeveri ku pushtetin ekonomik dhe politik do tia kthejë qytetarëve.


Intervista e Lulzim Bashes dhene gazetarit Blendi Fevziu ne emisionin Opinion, 21 Shkurt 2017