Qindra naftëtarë nga Fieri, Patosi, Marinza, Ballshi, Rroskoveci iu bashkuan sot protestës në Sheshin e Lirisë. Naftëtarët mbanin në dorë pankarta ku denoncojën padrejtësinë ndaj tyre dhe thirrjen për tu bashkuar. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i mirëpriti naftëtarët dhe i garantoi se interesat e tyre do të jenë prioritet për të.
“Ta dinë mirë se çdo përpjekje për të bërë pazar me shpresën, me besimin, aspiratën e shqiptarëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme, do të dështojë me turp. Para çdo interesi tjetër, para interesit tim, para interesit të PD, para interesit të opozitës, është interesi juaj dhe i çdo qytetari shqiptar.Të flasim çfarë realisht ndjejmë”, tha Basha.
Ftesës së kryetarit iu përgjigjën naftëtarët të cilët ngritën shqetësime të ndryshme për mënyrën si janë trajtuar në punë apo mungesën e njohjes së kontributeve dhe viteve të punës së tyre.
Një nga naftëtarët falenderoi kryetarin Basha për atë që e quajti seancë plenare me dyer të hapura në sheshin e lirisë.
“Ajo naftë që ju keni nxjerrë gjithë jetën tuaj, ka krijuar Fierin, patosin dhe një pjesë të Shqipërisë. Ata morën arin dhe ju lanë të zezën. Ajo që ilustron arrogancën dhe zhvatjen është kryefjala e sotme: Zharrëzi. E gjithë Shqipëria është Zharrëz sot”, u shpreh deputeti Kozma Dashi.
Një ish naftëtar, të cilit shteti nuk i njeh kontributin 30 vjecar dhe po përballet me shtetin në Gjykatën Administrative për këtë problem, thirrjen ia drejtoi grevistëve fierak.
“I mbështes banorët që janë në grevë urie por dua që ata të dalin dhe të vijnë këtu sepse kjo qeveri nuk i përkrah. I lutem të dalin dhe t’í bashkohen protestave dhe këto kërkesa t’ia drejtojnë kryeministrit të ardhshëm, Lulzim Basha”.
Lulzim Basha i tha të pranishmëve se gjendja në të cilën ata ndodhen vjen pasi një gup njerëzish vjedhin gjakun dhe djersën e tyre për xhepat e klientëve dhe se po këta njerëz, janë ata që i tremben zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
“Ju e dini, naftëtarët e dinë, shumica e banorëve në pellgun naftëmbajtës të zonës së jugut e dinë, po le ta themi sot këtu për çdo shqiptar se kjo pasuri kombëtare e shqiptarëve ka një vlerë sot në treg prej 350 milionë dollarësh. Unë jam sot këtu me ju dhe do të jem me ju deri në fitore sepse jam i vendosur që me fitoren e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të mos bëjmë thjesht dhe vetëm një rrotacion politik. Të hapim një kapitull të ri për demokracinë shqiptare, ku pushtetin do ta keni ju.”
Fundi i kësaj vale qytetare për Lulzim bashën është vetëm një dhe i kushtëzuar.
“Jam këtu për të garantuar se kjo lëvizje e madhe popullore nuk mund të përfundojë pa u siguruar që qeveria e ardhshme, prej ditës së parë deri ditën e fundit kur të vijë me zgjedhje të lira, i bindet vetëm zërit tuaj. Nafta, mineralet, bujqësia, pasuritë e ndryshme të këtij vendi do t’u kthehen shqiptarëve , fuqia ekonomike do t’u kthehet shqiptarëve, vetëm kur të kemi një qeveri që ka dalë nga vota e lirë dhe e ndershme. Që ju të vendosni, që ju të jeni sovrani por jo për një ditë, por çdo ditë, 365 ditë në vit”, pohoi Basha.
Ftesën për bashkim në sheshin e lirisë kryetari i selisë blu ia drejtoi edhe njëherë naftëtarëve zëri i të cilëve po injorohet nga pushteti.
“Dua ti bëj një thirrje çdo naftëtari, çdo punonjësi të këtij sektori, të ngrihen aty ku janë, akoma më mirë të vijnë këtu në këtë shesh në Tiranë, të bashkohen me këtë valë të madhe popullore. Zgjidhja është zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe një qeveri që mendon për ju”,deklaroi Basha.
Njoftim per shtyp 22 Shkurt 2017