Lulzim Basha bashkëbisedon me familjarë, përfaqësues dhe të përndjekur politik në ditën e 10 të rezistencës popullore
Mëngjesin e dhjetë të protestës kryetari Lulzim Basha bashkëbisedoi me familjarë dhe pjestarë të shtresës së të përndjekurve politikë. Pjesmarrës të këtij grupimi marshuan drejt sheshit të qëndresës qytetare ku edhe ndanë përjetimet e tyre.
Lavdie Nela, gruaja e poetit të vrarë, Havzi Nela, tha se lumturia e saj perëndoi kur ia mori diktatura. Sot ajo jeton e vetme dhe kërkon vetëm një gjë.
“Unë kërkoj hapjen e dosjeve. Të gjithë kriminelet që kanë firmosur për vrasjen e poetit Havzi Nela të marrin dënimin e merituar. Familja ime u burgos e u internua për një Shqipëri demokratike. Sot ju falenderoj ju Zoti Basha që jeni bërë zëri i shqiptarëve në këto ditë të vështira”.
Për Uran Kostrecin, tenda e protestës qytetare është sot çerdhja nga ku do të sjellin dhe njëherë demokracinë si e sollën në vitet ’90.
“Ky popull që vuajti 50 vjet nga komunizmi nuk besoj se e kishte hak edhe këtë sistem që për mua është neo-komunizëm”.
Në një linjë është edhe Besim Ndregjoni, i cili tha se sot kjo çadër e opozitës dhe qytetarëve shqiptarë, rrethohet nga një pushtet kriminal, i cili sot duhet t’i kërkojë falje kësaj kategorie.
“Nuk e kishim menduar që bijtë e etërve që vranë këtë poull do të bënin politikë në Shqipëri. Le të dalë Edi Rama në dritare dhe ti kërkojë falje gruas së Havzi Nelës, ti kërkojë falje për firmën e babait të tij që vari bashkëshortin e zonjës Nela”.
Osman Kaceli tregoi për të pranishmit se si 66 vjet më parë, 22 perona mes të cilëve edhe babai i tij, u pushkatuan pa asnjë shkak dhe u groposën pranë urës së Beshirit me vendim të Byrosë Politike.
Një prej tyre, pjestar i shtresës së të përndjekurve politik, prej 40 vitesh tashmë, invalid, baba i tre fëmijëve, tha se sot shteti i jep një ndihmë financiare mujore prej 86 mijë lekësh të vjetra dhe ka mbetur në shpatullat e djalit të tij mbijetesa dhe shkollimi i dy fëmijëvetë tjerë.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha përpara se të zotohej përballë përfaqësuesve të të përndjekurve politik, tha se ky mëngjes i bukur është edhe paralajmërim i pranverës në politikën shqiptare.
“Ne kemi bërë shumë në këtë drejtim, politikisht dhe në qeverisje, por e di që shumë ka mbetur pa u bërë. Dua të zotohem këtu para jush, përfaqësuesve të të përndjekurve politik, dhe gjithë të përndjekurve politik, se Republika e re që po ndërtojmë së bashku do të jetë Republika e lirisë vetëm kur të ketë shlyer plotësisht borxhin moral dhe material ndaj jush. Ky është zotimi im, ky është premtimi im”.
Duke i quajtur si shtresa më fisnike e dinjitetit njerëzor, Lulzim Basha tha se në themel të çdo lirie është e drejta për të zgjedhur.
“Si askush tjetër, ju që jeni këtu dhe paraardhësit tuaj që u vranë, u burgosën dhe u internuan, jeni dëshmi e gjallë e përpjekjes së shqiptarëve për liri. Themeli i lirisë është mundësia për të zgjedhur vetë. Dhe në një shoqëri të qytetëruar dhe perëndimore kjo merr formë përmes lirisë së votës. Ky është një instrument i vjetër sa qytetërimi. Ndaj dua ta nis këtë fjalë me respektin dhe nderimin më të madh për sakrificën sublime të të përndjekurve politikë shqiptarë”.
Kjo sakrificë për Lulzim Bashën po minimizohet për shkak të kërcënimit që i bëhet sot lirisë.
“Por sot, pas 26 vitesh liria për të cilën ju luftuat, për të cilën u ngritëm dhe luftuam 26 vite më parë është përsëri e kërcënuar, tashmë jo nga një diktaturë ideologjike, por nga diktatura e krimit. Sot liria kërcënohet nga një qeveri dhe një kryeministër që shkel Kushtetutën dhe shkel ligjin për të mbrojtur kriminelët që ka sjellë në pushtet Sot jemi këtu si pjesë e një vendimi të madh popullor për t’i thënë Edi Ramës që e vetmja mënyrë për të rikthyer normalitetin në këtë vend është largimi yt dhe një qeveri teknike që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme”.