Lulzim Basha bashkëbisedim në sheshin e lirisë me ekspertë dhe qytetarë mbi drogen dhe krimin. Në 2016, 8 milion rrënjë bime kanabis sativa të mbjella në Shqipëri, me vlerë tregu afërsisht 6 miliardë euro. Shkëputje të politikës nga krimi, dhe xhandarmëri për të shtypur drogën

 

Mëngjesin e dymbëdhjetë në sheshin e lirisë, kryetari demokrat Lulzim Basha bashkëbisedoi rreth drogës që është një prej shkaqeve kryesore të shkatërrimit të shoqërisë dhe burimi kryesor i blerjes së votës nga qeveria.

 

Aleks Hajdari, kryetar i shoqatës së punonjësve të larguar të policisë, foli për një kanabizim të territorit si kurrë më parë në 26 vite demokraci.

 

“Vetëm në vititn 2016 janë bllokuar 21.5 ton kanabis sativa në Itali dhe 214 hektarë janë kultivuar në territorin shqiptar. Agjensitë ligjzbatuese në 2016 folën për 8 milion rrënjë bime kanabis sativa, të barazvlefshme me afërsisht 6 miliardë euro në treg. I kërkoj liderit Basha të ndërtojë dhe hartojë programe për polici të depolitizuar ku ligji të jetë i barabartë për të gjithë. Të krijojë një organizatë policie që zbaton ligjin dhe Kushtetutën për të rikthyer besimin dhe respektin tek policia e shtetit”.

 

Për Ahmet Premçin kjo është protesta e dytë në të cilën merr pjesë, pas asaj të vitit ’90 pasi sot arritjet e Shqipërisë janë në rrezik.

 

“Unë jam këtu si qytetar i lirë i republikës së Shqipërisë dhe si një ish drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, kam mendimin se sot atdheu është në rrezik për situatën e krijuar me rendin dhe sigurinë publike. Në kohën që kam drejtuar Policinë e Shtetit me kryeministër z.Berisha dhe minister Lulzim Bashën, arritëm dy gjëra të rëndësishme. Për të plotësuar standardet për të anëtarësuar Shqipërinë në NATO dhe për të liberalizuar vizat. Sot këto dy procese të rëndësishme që me shumë mund u arritën të realizohen, janë në rrezik”.

 

Premçi krahasimin e bëri me kohën kur drejtonte policinë e shtetit.

 

“Në vitet kur unë kam pasur privilegjin që të jem drejtori i Policisë së Shtetit, statistikat vjetore që kapeshin në Itali në një vit ishin 4 kilogram. Vetëm dy muajt e fundit janë dhjetëra ton që kapen në Itali e Greqi. Unë flas për shifrat zyrtare që jep Policia Italiane dhe Greke këtu, nuk u besoj shifrave që jep qeveria. Në fillimet e veta si kryeministër Edi Rama i premtoi policisë që nuk u pres në besë. Policia sot është më e prerë në besë se kurrë sepse 95% e punonjësve të policisë sot do të dëshironin të ishin këtu në vendin tim për ta thënë fjalën e tyre sepse janë me kokën ulur për situatën e krijuar në policinë e shtetit. Ata punonjës policie të ndershëm sot nuk kanë mundësi të shprehin asgjë lidhur kushtet dhe situatën që është krijuar me punën e tyre dhe misionin e tyre. Janë jashtë misionit të tyre totalisht.”

 

Një banor i Fierit denoncoi fenomenin e drogës në Shqipëri. Punëtor në ndërtim, ai tha se një vit më parë i ofruan të punonte maleve për të mbjellë drogë dhe në këmbim do e paguanin ose me para, ose me sasi droge. Fieraku pasi tregoi se nuk kishte pranuar të punonte në ilegalitet deklaroi se nuk ka më besim tek policia.

 

Basir Çollaku tha se të tregosh histori të rëndë të trafikut të drogës sot është domosdoshmërisht emergjencë kombëtare. Ai tregoi për historinë e punonjësve të policisë, dëshmia e të cilëve është fshirë nga dosja hetimore mbi makinën Audi me targë AA003GB, e cila figuron ende në emër të Ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri, makinë që përdorej nga trafikantët e drogës.

 

“Të dy policët që kanë dëshmuar këtë gjë, janë larguar nga Shqipëria pas kërcënimeve. Gjithashtu Dritan Zagani, ish shefi i anti drogës kërkon të dëshmojë në sallën e gjyqit por nuk e lejojnë.”

 

Kryedemokrati Lulzim Basha tha se është vendi dhe koha të kujtojmë mënyrën se si republika e vjetër ra pre e krimit dhe u shndërrua në strofullën e saj.

 

“Na e kujtuan sot në këtë shesh drejtuesit dhe punonjësit e Policisë së Shtetit të larguar në mënyrë të paligjshme nga ky kryeministër dhe ministrina e drogës që i thotë vetes Ministri e Brendshme. E nisën duke ekzekutuar kupolën e drejtuesve të lartë të policisë dhe drejtuesve të niveleve zbatuese, të cilët ju dhanë shqiptarëve arritje të mëdha e të merituara, siç ishte futja e vendit në NATO, siç ishte heqja e vizave për qytetarët shqiptarë”.

 

Zoti Basha kujoi të akuzuarit që i kanë shpëtuar drejtësisë me ndihmën e instrumentave të shtetit.

 

“Bën që vrasësi i Dritan Lamajt, Arben Frroku të arratisej ndërkohë që merrte vendimin për tu kthyer në burg. Si mund të ndodhte ndryshe që kërkesa për ekstradimin e tij nga Interpol Belgjika, të fshihej për tre muaj me radhë? Prandaj nuk e arrestuan edhe Klemend Balilin. 32 herë Partia Demokratike e denoncoi Klement Balilin, “Eksobarin e Ballkanit” si një emërim kriminal në strukturat shtetërore. Nuk lëvizën gishtin. Përkundrazi, doli nga zyra e tij në Sarandë dhe kërcënoi se do të hidhte në gjyq për shpifje Partinë Demokratike. Dhe kur CNN e shpalli “Eskobarin e Ballkanit”, policia e Saimir Tahirit me urdhër të Edi Ramës për dy javë nuk lëvizi gishtin, duke i dhënë mbrojtje, për ti lejuar të arratisej dhe nuk lëviz gishtin sot megjithëse Klement Balilaj kap peshk nga jahti i tij luksoz dhe shëtit nga dasma në dasëm”.

 

Zgjidhja për Lulzim Bashën është fitorja e kauzës së shqiptarëve për zgjedhje të lira e të ndershme përmes një qeverie teknike.

“Me një qeveri teknike do t’i japim vendit zgjedhje të lira dhe të ndershme ku qytetarët vendosin për fatin e tyre, të vendosin për një qeveri që kthen rendin dhe sigurinë, që lufton drogën për t’i dhënë Shqipërisë perspektivën europiane që meriton, sigurinë edhe një ekonomi të vërtetë që krijon vende të vërteta pune dhe jo t’i shndërrojë shqiptarët në skllevër dhe konsumues të hashashit. Pjesë e këtij plani kombëtar është dhe krijimi i xhandarmërisë kombëtare shqiptare si një bashkëpunim midis forcave të armatosura të republikës së re dhe policies. Për të mundësuar që mijra bijë dhe bija shqiptare me përgatitjen e duhur me investimet nga taksapaguesit shqiptarë të kenë përgjegjësinë e tyre krah për krah policisë së shtetit për të siguruar rendin dhe luftën kundër drogës në cdo pëllëmbë të republikës së Shqipërisë”.