Protestuesit e natës së 13 në Sheshin e Lirisë u bënë pjejsmarrës të një prezantimi të kriminelëve të veshur me pushtet nga kryeministri i vendit Edi Rama. Ervin Salianji denoncoi me emer, mbiemër, vepër penale por edhe mënyrën e mbrojtjes nga kjo qeveri të këtyre kriminelëve, të angazhuar nga shefi i ekzekutivit kundër votës së lirë të shqiptarëve.
Klemend Balili, Elvis Rroshi, Armando Prenga, Ilir Beqaj, Arben Ndoka, Mark Frroku, Shkelqim Selami dhe të tjerë, të hetuar, të dënuar dhe me rekorde kriminale në Europë dhe brenda vendit, sot mbahen ende në pushtet, ose minimalisht nën çadrën e Partisë Socialiste për ti shpëtuar drejtësisë.
Nevila Nika, ish drejtoreshë e Arkivave, e para grua në krye të këtij institucioni, tha se transmetimi i një kujtese dhe historisë së hidhur që ka kaluar Shqipëria, duhet bërë me doemos.
Për kryetarin Lulzim Basha, tema e diskutimit të hapur është derivat i arsyes madhore për të cilën qytetarët qëndrojnë prej 13 ditësh në shesh.
“Arsyeja është ajo që këto ditë e kemi quajtur demokracia fasadë, parlamenti, qeveria, drejtësia fasadë dhe sot kemi rastin ti shohim, këtu, prej kartoni, se çfarë ka prapa kësaj fasade. Prapa fasadës së republikës së vjetër që po vdes janë kokat e krimit dhe drogës që bashkëqeverisin me Edi Ramën dhe me këtë qeveri të inkriminuar. Kjo është arsyeja se pse Shqipëria u mbulua si asnjëherë me drogë, pse ekonomia shqiptare sot nuk prodhon më përveç drogës dhe shërbimeve të lidhura me të, pse shteti në shërbim të qytetarit ka pushuar së ekzistuari dhe kemi një shtet në shërbim të krimit dhe bandave të pushtetit. Kjo është arsyeja dhe kërcënimi real dhe i vërtetë për zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Politikanët e korruptuar dhe kriminelët po bëhen gati të vjedhin zgjedhjet e shqiptarëve, siç paralajmëroi para disa javësh një diplomat i rëndësishëm në Tiranë.”
Një thirrje zoti Basha ia drejtoi kryeministrit Rama, referuar incidentit të paradites në tenden e protestuesve.
“Edi Rama hiq dorë nga përçarja, distancohu nga thirrja e provokatores tënde në këtë çadër, distancohu ose mbaj përgjegjësi para shqiptarëve si përçarës i kombit! Shqiptarët nuk ta falin! Streha e fundit e krimit, streha e fundit e maskarallëkut është patriotizmi i rremë por po kështu paska edhe një strehë tjetër kur i fryn përçarjes kombëtare sepse nuk ke kurajon të ballafaqohesh me qyetarët e bashkuar shqiptarë që kërkojnë zgjedhje të lira e të ndershme pëmes largimit të kësaj qeverie, sepse kjo është fytyra e vërtetë e qeverisjes së Edi Ramës”.
Një referim e bëri për tendën përballë të ashtuquajtur të Vettingut.
“Shikojini këto fytyra dhe përgjigjuni, mendoni se Edi Ramës i dhemb barku për drejtësinë e vërtetë dhe qytetarët që pësojnë padrejtësi apo ka merakun e këtyre me të cilët erdhi në pushtet dhe mban sot pushtetin. A mund të ketë reformë të vërtetë në drejtësi për sa kohë kjo qeveri është në pushtet? Zgjedhjet dhe reforma në drejtësi, demokracia dhe drejtësia janë të lidhura pazgjidhshmërisht me njëra tjetrën, vettingu dhe drejtësia e pa kapur do të çlirohen vetëm me largimin e Edi Ramës dhe me një qeveri teknike që do ti hapë rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe po kështu drejtësisë së pakapur”.
Për kryedemokratin Lulzim Basha, mbështetja e ndërkombëtarëve për kauzën e zhgjedhjeve të lira e të ndershme ska qënë kurrë më e fortë se sot.
E pikërisht në mbështetje të protestës dhe për ti thënë shqiptarëve se ata meritojnë më shumë se kaq, erdhi nga Shtetet e Bashkuara edhe sekretari i përgjithshëm i rinisë Republikane të presidentit Donald Trump, Jason Emert.
“Në Shtetet e Bashkuara ashtu si çdo vend demokratik ne bazohemi mbi ligje dhe të drejtën dhe lirinë e votës. Ju keni 13 ditë këtu. Mund tju duhen edhe 300 të tjera por nuk ka betejë më të bukur sesa ti gjuani këta me shkelm dhe të promovoni zgjedhje të lira e të ndershme”.