Në ditën e 15 të protestës në Sheshin e Lirisë u diskutua për shëndetësinë me mjekë dhe profesorë të njohur të vendit.
Mjeku radiolog nga Vlora Egli Veliu që u bë i njohur për denoncimin në media për situatën e rëndë në spitalin ku ai punon, mbështeti protestën për zgjedhje të lira e të ndershme për të patur një qeverisje që ti kthejë shërbimin shëndetësor qytetarëve. “Mamografia nuk funksionon as sot në Vlorë dhe emisioni Stop e bëri të ditur në datën 8 të muajit të kaluar. Në datën 9 mua më heqin nga puna dhe më çojnë diku tjetër dhe me digjet edhe makina që është rast i paprecedentë sepse nuk kam pasur asgjë personale dhe nuk kam pasur asnjë armik. 10 vite në punë dhe më flakën si një leckë. Kam punuar shumë me 40 vizita në ditë por për këta nuk kemi asnjë meritë. Unë jam babai i një fëmijë 20 muajsh dhe nuk do doja të rritet nën këtë presion siç na bëhet ne apo të rritet nën këto sakrifica që po bëjmë ne”, tha Veliu.
Mjekja Roza Hilaj nga Lezha u shpreh se mjekët po lënë Shqipërinë dhe qytetarët po paguajnë shërbimet që duhet ti kishin falas. “Ne jemi të parët që i shohim dështimet e reformës në shëndetësi në spitalet tona rajonale. Si mund të japësh mjekësi falas pacientëve kur buxhetet e spitaleve tona janë si të viteve 90, në një kohë që popullsia është shtuar. Nuk u ofron atyre medikamentet dhe ato shkojnë ti blejnë privatisht. Ku është falas këtu? Laboratorët tonë nuk i ofrojnë shërbimin e duhur ndaj dhe ata detyrojnë të shkojnë ti bëjnë privatisht. Nuk ka shëndetësi falas. Së treti, nuk ka mundëis të forojnë specialitetet e duhura sepse ka ndodhur hemoragjia e mjekëve. Për 3 vitet janë larguar 400 mjekë nga Shqipëria. Mjekët ikin se u është vrarë shpresa, nuk kanë kushte dhe nuk kanë paga të mira”, tha mjekja nga Lezha.
Profesori i njohur Edmond Kapedani u bëri thirrje intelektualëve të ngrejnë zërin e tyre. “Intelektualët duhet të jenë pjesë e kësaj proteste dhe të mos rrijnë fshehur në kafene me frikën se i fotografojnë. Intelektuali dallohet në periudha të vështira të shoqërisë kur me fjalët e tij ai ngre shoqërinë. Kolegët e mi kanë të njëjtat bindje për hashashin, krimin në politikë por tremben. Edhe në spital ka njerëz që kërkojnë llogari se çfarë bërë apo ku ishe dje. Deri këtu ka arritur. U bëj thirrje kolegëve ta vrasin frikën”, tha Kapedani.
Sandër Marku, një tjetër mjek ngriti alarmin. “Nuk ka asgjë falas në shëndetësi dhe të gënjësh për këtë është e pafalshme. Po ndaj një shqetësim. Në Lezhë është vendosur dializa dhe është prishur një repart i infektivit. Duke qënë se lezha është një zonë që përmbytet janë në rritje hepatitet. Ka rrezik që në të ardhmen të shfaqet epidemi. Atëhere si mund ta mbyllësh repartin e infektivit?”, tha ai.
Ilir Pecnikaj kërkues shkencor në farmaci dhe me 15 vite eksperiencë në Italia tha se ai nuk vlerësohet aspak në Shqipëri. “Jam çdo ditë këtu me ju që nga data 18 shkurt, për të ndryshuar këtë realitet”, tha ai.
Student i mjeksisë, Nikolin Shyqyriu tha ndihet keq të veshë bluzën e bardhë sepse njerëzit e shohin si kriminel për shkak se qeveria u ka kaluar mjekëve fajin për shëndetësinë.
Lulzim Basha tha se “kurrë shëndetësia nuk ka qenë në ditë më të keqe. Kurrë shëndetësia nuk ka qenë në gjendje më të zezë. Arsyeja është e thjeshtë, në vend që të investonte për spitale, për pajisje, për personal shëndetësor të mirëtrajnuar e në shërbim të qytetarëve, Edi Rama dhe ministrat e tij të korruptuar me një grusht oligarkësh u janë vërsulur parave të shëndetësisë për t’i futur në xhepat e tyre, për t’i futur në kontot e tyre bankare. Kjo është e vërteta e tmerrshme, kjo është hajdutëria, ky është krimi i vërtetë me të ashtuquajturën shëndetësi falas. Ne kemi një platformë të plotë për shëndetësinë shqiptare. Partia Demokratike ka punuar me njerëzit më të përgatitur për këtë platformë dhe platforma jonë do të kthejë paratë e shqiptarëve tek shërbimet shëndetësore”.
Njoftim per shtyp 4 Mars 2017