Në mbrëmjen e 15 të qëndresës qytetare në sheshin e lirisë tema e diskutimit të hapur ishte shëndetësia në sytë e një pacienti. Kryetari demokrat Lulzim Basha dëgjoi qytetarë të thjeshtë të cilët ndanë përjetimet e tyre personale në dyert e spitaleve dhe farmacive në Shqipëri.

Brikena Dana, mjeke nga Vlora e sheh largimin e kolegëve të saj nga Shqipëria si fenomen alarmant.

Aleksandër Gjoni, pensionist, e sheh problemin kryesor tek trajtimi shëndetësor që i ofrohet shqiptarëve.

“Mosha e tretë ka probleme të theksuara shëndetësore, pjesa më e madhe e të cilave janë kronike. Dihet shkencërisht që medikamentet kur merren për një kohë të gjatë japin efekte anësore negative të cilat mund të bëhen edhe të rrezikshme për jetën. Ndaj cilësia dhe siguria e ilaçeve është shqetësim kryesor. Me ardhjen e Ramës kryeminsitër u amendua ligji i mëparshëm, duke i dhënë mundësi minsitrit që ilaçet t’i marrë nga vende jashtë Europës, të cilat janë dhe vende me demokraci të brishtë si Turqia, Qipro, Serbia etj. Ndaj industria e medikamenteve, duke mos pasur kontroll shtetëror, ka future mafien e ilaçeve në Shqipëri”.

Alma Iliazi, invalide, kryefamiljare, nënë e një fëmije të cilin nuk e shpëtoi dot përpara 17 vitesh, sot ka vajzën e saj, studente ekselente, të sëmurë.

“Ilaçet kushtojnë nuk mi rimburson kush. Vajzën e kisha një muaj në pediatrinë e Tiranës. Mjekët dhe infermierët më referonin në vende të ndryshme. Analizat duhet t’i bënim në privat dhe më ka ndihmuar Kisha Ortodokse pasi vajza kërkoi ndihmë me telefon. Më kërkuan një analizë tjetër për 280 mijë lekë të tjera por unë nuk jam bankë. Më kane nxjerrë nga spitali të pashëruar. E mora vajzën në shtëpi. E mora por të rrish në të ftohte, sepse bashkia shpërndan dru vetëm për militantët e saj, kjo nuk është jetë”.

Zonja Iliazi u shpreh e penalizuar nga shteti i cili nuk i ofron ndihmë ekonomike pasi politikat sociale të disa viteve më parë i dhanë zonjës kryefamiljare shtëpi.

“Nga qeveria Berisha para 11 vitesh u trajtova si e pastrehë, jam kryefamiljare dhe më dhanë një shtëpi. Vetëm se kam marrë atë shtëpi po penalizohem sot, asnjë ndihmë, asnjë gjë prej gjëje. Vetë jam e sëmurë. Nuk rrohet kështu por mendoj vetëm për atë fëmije që e kam të vogël. Ajo jeton me 7 mijë lekë të vjetra ndihmë ekonomike, nga të cilat 1200 lekë t’i mban banka.Ne nuk duam politikë me barkun bosh dhe me ilaçe të skaduara”.

Enkelejda Haxhiu, laburante e papunë tregoi për peripecitë e familjes së saj në dyert e spitaleve dhe farmacive të cilat detyrojnë pacientët të paguajnë seancat e kemioterapisë.

“E njoh shëndetësinë ku duhet të jetë shpresa dhe ndihma e para, onkologjiku. Kam dy vjet që spitalin e njoh mirë, por nuk kam parë asnjë lloj ndryshimi. 6 seanca kemioterapie të blear vetë. Një burokraci e pakuptueshme proceduriale pa asnjë vlerë. Mamaja ime është pensioniste. Unë e papunë. Mbaroi kemierapia dhe prisnim me orë të tëra për të gjetur një krevat. Një torturë e paparë”.

Arjan Gadini, humbi vjehrrin në betejën kundër tumorit, por lufta nuk ishte e thjeshtë.

“Ose do paguanim 5 mijë euro për kemioterapi, ose do gjenim miq diku lartë. Edhe mua që ma ka mundësuar puna të njoh njerëz, pasi kontaktova miqt e mi, përsëri nuk arritëm kurrë ta marrim kemioterapinë sistematikisht njëherë në dy javë në mënyrë të pandërprerë ashtu siç duhej. E dini përse? Sepse e shisnin. Sot vjehrri im nuk jeton më, por unë e kam betuar që sa të kem frymë Ilir Beqajn do e shoh në pranga në dorë dhe ju sigurooj edhe që e kam mënyrën. E di ai çfarë kërcënimesh më ka bërë. Më kërcënuan me banda në shtëpinë ku jetoj me djalin tim dy vjeçar. Më treguan koburet. Më vunë tritol në makinë. Por unë nuk u tërhoqa sepse nuk ishte problem vetëm i familjes time, por i shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë”.

Një i moshuar i cili prej pak kohe i është nënshtruar një operacioni, tregoi për qytetarët e sheshit të lirisë historinë e tij.

“Edhe pse nuk kam fuqi të flas ashtu si dua unë dhe ashtu si e meritoni ju, do ju tregoj kalvarin e këtyre ditëve. Më ra infarkt dhe më çuan në urgjencë. Më mbajtën një natë aty. Të nesërmen më çuan në kat të dytë në koridor më lanë dy ditë. Pasnesër më çuan në një dhomë ku më mbajtën dy ditë. Një ditë më vonë më cuan në kat të parë prapë dhe djemt e mi e panë se nuk kishte rrugë tjetër ndaj me paratë nga emigracioni me çuan në një spital privat që më operuan dhe unë sot kam mundësi të flas para jush këtu. Sot marr 9 ilaçe që bëjnë diku tek 50 mijë lekë, pa rimbursim. Kjo është shëndetësia falas!”

Lulzim Basha pranoi se shëndetësia, përpara se të vinte Edi Rama në pushtet, nuk shkëlqente.

“Le ti themi gjërat ashtu siç kanë ndodhur. Nuk është se shëndetësia para se të vinte Edi Rama shkëlqente, kishte probleme. Problem ishte edhe korrupsioni në shëndetësi. Ky, erdhi në një moment kur shqiptarët duhet të zgjidhnin, dhe premtoi shëndetësinë falas. Premtoi shëndetësinë falas dhe pas zgjedhjeve të qershorit 2013 u gjend në zyrën e kryeministrit, në zyrën e pushtetit! Edi Rama kishte mundësinë të zgjidhte që milionat e eurove që vijnë nga taksat tuaja ti shpenzonte për të përmirësuar sistemin shëndetësor shqiptar, por nuk zgjodhi këtë”.

Për kryedemokratin Basha, mundësitë që gjeti kryeminsitri Rama kur erdhi në pushtet, i kanalizoi në xhepat e klientëve dhe miqve të tij.

“4 vite si Kryeministër ka harxhuar afro 1 miliard euro për shëndetësinë! Tani po vjen ora që ju të merrni vendimin tuaj, pra pas 4 vjetësh, siç e ka demokracia, po vjen ora që shqiptarët të zgjedhin! Të zgjedhin midis vazhdimit të kësaj katastrofe totale, të kësaj masakre totale që është shëndetësia e Edi Ramës, apo të zgjedhin ta shkarkojnë me vote të lirë e të ndershme”.

Lulzim Basha foli edhe për planin e demokratëve.

“Unë jam i lumtur t’ju njoftoj sot se Partia Demokratike në bashkëpunim me ekspertët më të mire vendas dhe të huaj dhe kur them të huaj them më të mirët e Europës dhe Amerikës, ka bërë gati planin për ta nxjerrë shëndetësinë nga gjendja mesjetare ku e katandisi Edi Rama. Nuk do të jetë e lehtë, por është plotësisht e mundur sepse e para do të shtojmë buxhetin për shëndetësinë, së dyti do të anullojmë që ditën e parë të gjitha koncesionet korruptive dhe e treta, këto para do ti çojmë vetëm në investime dhe shërbime ku përfitimet shkojnë vetëm dhe vetëm te ju, tek pacienti shqiptar dhe te askush tjetër, pëveç pacientit shqiptar”.

Si për të ritheksuar se vendimi është në dorë të qytetarëve, Lulzim Basha përsëriti zotimin e tij si lider i opozitës.

“E di që në ditë të veçanta siç ishte dita e djeshme, pyesni veten se mos tërhiqet apo dorëzohet Lulzim Basha. Jua them dhe më besoni se kjo nuk është beteja jonë e parë, nuk është as beteja jonë e dytë. E mbani mend dekriminalizimin? E mbani mend reformën në drejtësi? Ju jap fjalën, nuk tërhiqem, do jem me ju deri në fitore! Kjo betejë nuk bëhet për të bërë Lulzim Bashën kryeministër, kjo betejë nuk bëhet për pushtetin tim dhe as për pushtetin e Partisë Demokratike, por për më të shenjtin pushtet, pushtetin e qytetarëve për të zgjedhur me votë të lirë dhe të ndershme këdo ata dëshirojnë të zgjedhin”, deklaroi Lulzim Basha.


Njoftim per shtyp 4 Mars 2017