Pasditen e shtatëmbëdhjetë në sheshin e lirisëkryetari demokrat Lulzim Basha bashkëbisedoi me aktivistë, pedagog dhe qytetarë të thjeshtë mbi problemin madhor të mbetjeve në Shqipëri.

Besjan Pesha shtroi pyetjen përse kryeminsitri Rama u investua aq shumë në rikthimin e një ligji, shfuqizimin e të cilit e kishte premtim elektoral në vitin 2013.

“Industria e riciklimit mund të mjaftohet vetëm me lëndë vetëm përmes adminsitrimit të mbetjeve tona të brendshme duke hapur kështu edhe vende pune. Falë presidentit ligji u kthe dhe vazhdon të jetë aty, në Kuvend. Por tashmë vjen lajmis e 1300 kontenierë me mbetje radioactive kanë hyrë në Shqipëri.Sot e shoh tek CNN dhe më shqetëson edhe më shumë sepse bëhet fjalë për të ardhmen e djalit tim, fëmijëve tanë.Kto mbetje nesër do të degradojnë në ujra nëntoksore duke përfunduar në toka bujqësore dhe më pas tek ushqimi në pjatat tona.”

Aulon Kalaja kujtoi reagimin e drejtorit të komunikimit pranë Kryeminsitrisë lidhur me lajmin mbi 1300 kontenierët me mbetje të rrezikshme të ndodhur në tokë shqiptare.

“Endri Fuga tha që është mashtrim i madh, por sot shkruajti edhe CNN për këto kontenierë. Flitet edhe për qytete si Durrësi, Elbasani, Dibra, Fieri dhe një pjesë e Fushë Krujës dhe tiranës.”

Sazan Guri pyeti se kujt i shërben Vendimi i Këshillit të Minsitrave të vitit 2014, i cili lejon kalimin tranzit të mbetjeve radioaktive në Shqipëri.

“Mbetje për të furnizuar bizneset e riciklimit i keni këtu, por përsa kohë insiston për import të tyre, tregon atë për të cilën po flitet sot nga fqinjët, CNN dhe gazetat maqedonase. Ku ka zë, s’është pa gjë. E nëjjta gjë ndodhi edhe me armët kimike ku zërat e parë erdhën nga mediat.”

Mirela Jorgo e ngriti shqetësimin një shkallë më lartë duke i kërkuar të pranishmëve të vazhdojnë të mbështesin dhe të bëhen opozita e këtij vendi pasi Shqipëria sot përbëhet nga qytete dhe familje të cilat kanë problematika të përditshme të cilave nuk i japin dot zgjidhje vetë.

Adriatik Lapaj, Besmir Agalliu dhe Panajot Sako, kujtuan rezistencën e shtetit me të cilën janë përballur kur kërkonin të protestonin kundër parkut të Liqenit Artificial të Tiranës. Të rinjtë njëzëri i kujtuan Kryeminsitrit se ata do të vazhdojnë të protestojnë për kauza të mëdha si ajo e thirrur nga opozita për zgjedhje të lira e të ndershme.

Kryedemokrati Lulzim Basha, pasi falenderoi protestuesit në Belgjikë të cilët i bën jehonë thirrjes se qytetarëve shqiptar nga sheshi i lirisë në Bruksel për zgjedhje të lira e të ndershme, tha se sot po diskutohet për shëndetin e fëmijëve të çdo familje shqiptare.

“Sot, në këtë shesh të lirisë po diskutohet një kauzë jashtzakonisht e rëndësishme, shëndeti i shqiptarëve, shëndeti i fëmijëve të shqiptarëve, helmimi i tyre, i lidhur drejtpërdrejtë me problemin e tmerrshëm të mbetjeve.”

Në prani të aktivistëve të shoqërisë civile, zoti Basha bëri dallimin mes atyre që flasin për interes të qytetarëve dhe atyre që shiten për interes të oligarkëve.

“Në Shqipëri ka dy shoqëri civile, njëra është ajo e tendave të paguara me paratë e pista të krimit dhe të korrupsionit, me shoqata të cilat një ditë do të duhet të përgjigjen para shqiptarëve, sa lekë kanë marrë nga taksat tuaja dhe çfarë kanë bërë me ato lekë. Ku ishit kur kjo qeveri ktheu ligjin për importin e mbetjeve duke shkelur zotimin dhe premtimin me të cilin erdhi në pushtet? Në anën tjetër kemi këta djem dhe vajza, këto të reja dhe këto të rinj dhe profesorë të nderuar, njerëz me të ardhura të pakta e shpesh here pa të ardhura, por që kanë një fuqi të mbinatyrshme sa here që ngrejnë zërin kundër padrejtësisë. Këta janë ndërgjegjia e vërtetë e shoqërisë civile dhe këta në Republikën e re do të kenë të gjitha kushtet dhe mbështetjen me një mision, jo për të heshtur, por për të protestuar kundër çdo qeverie e kundër çdo pushteti.”

Për kryetarin demokrat Basha, shkelja e premtimit të parë elektoral të Rilindjes, me kthimin e ligjit të mbetjeve përmes Eduard Shalsit, është një shkelje flagrante dhe delegjitimim i një qeverie dhe kryeministrit të saj. Nëse lajmi i 1300 kontenierëve me mbetje të rrezikshme të ndodhura në Shqipëri konfirmohet, për Lulzim Bashën ky është genocid ndaj shqiptarëve.

“Sot që jemi këtu me sa duket lajmet po shpërthejnë nga të gjitha anët, po presim konfirmimin e plotë të tyre, por me sa duket ndodhemi pëpara një krimi të pëmasave të paimagjinueshme. Bëhet fjalë për 1300 kontenierë, jo fuçi, kontenierë, secili prej tyre me peshë 30 ton, që mund të jenë futur në Shqipëri kundër ligjit, kundër Kushtetutës, kundër vullnetit të qytetarëve shqiptarë dhe që rrezikojnë në mënyrë fondamentale sigurinë dhe shëndetin e shqiptarëve në ato zona ku janë futur.”

Një thirrje ia drejtoi prokurorisë.

“Unë i kërkoj sot, Prokurorisë, jo vetëm të hetojë me shpejtësi, por të bëjë transparencën e plotë dhe të gjithanëshme të çdo hapi të hetimit. Ky nuk është një krim dosido, kjo nuk është një aferë dosido.”

Zgjidhja për Lulzim Bashën vjen nga burimi, zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

“Problemi I lidhjes me mafien ndërkombëtare të plerave, njësoj si problemi I katapultimit në pozicione drejtuese shtetërore të kriminelëve dhe narkotrafikantëve, nuk janë probleme që I zgjidh vetting-u. Këto janë probleme që I zgjidh vetëm vota e lire e shqiptarëve, vetëm zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Edhe nëse vetting-u do të bëhej ashtu siç e kemi përcaktuar ne, çfarë vlere do të kishte kur kemi kriminelë në parlament, kur kemi kriminelë në krye të Bashkive, kur kemi milionat e drogës që kërcënojnë votën e shqiptarëve? Edhe një grusht gjyqtarësh dhe prokurorësh të ndershëm do të vendoseshin menjëherë në shënjestrën e mafies në pushtet dhe kriminelëve të lidhur me ta. E vetmja rrugë është demokracia e vërtetë dhe drejtësia e vërtetë. Shqiptarët e kanë kuptuar ndaj kan marr një vendim dhe ne jemi ktu për ta zbatuar deri në fund. Zgjedhje të lira dhe të ndershme përmes një qeverie teknike që i garanton ato.”


Njoftim per shtyp 6 Mars 2017