Senatori Italian Mario Mauro, ish-Ministër i Mbrojtjes në Itali, ish-Zëvendes-President i Parlamentit Europian, ishte sot në Sheshin e Lirisë ku bashkëbisedoi me qytetarët mbi vlerat e lirisë, të votës së lirë, të luftës ndaj drogës, krimit, dhe mbi standartet demokratike të një vendi. Mauro u shpreh se e mbështet plotësisht lëvizjen popullore për votën e lirë duke e quajtur atë një kauzë të drejtë. Ai theksoi se nuk është opozita por qeveria ka bojkotuar standardet demokratike.
Më poshtë bashkëbisedimi i plotë i senatorit Italian sot në Sheshin e Lirisë
Mario Mauro:
“Unë jam sot këtu për të dhënë mbështetje maksimale nga Partia Popullore Europiane, për kryetarin Basha dhe Partinë Demokratike. Dua të jem i qartë. Nuk jam këtu se jeni një parti që është pjesë e Partisë Popullore Europiane por jam këtu sepse ju po bëni edhe luftën tonë për demokracinë dhe lirinë. Jemi ne që duhet ti themi falemnderit Partisë Demokratike shqiptare. Unë kam ardhur këtu për tu thënë faleminderit. Pse e them, që ju po mbroni demokracinë dhe lirinë?!
Miqtë e mi. Shteti ka për detyrë të mbrojë lirinë e qytetarëve të vet. Shteti është mbrojtësi i lirisë dhe jetës së qytetarëve dhe jo pronari i tyre.
Sot të gjitha partitë thonë që mbrojnë liritë. Por unë dua që ne të kujtojmë dicka. Kur në vitin 1989 ra sistemi sovjetik, të gjitha partitë komuniste në Europë ndryshuan emrin e tyre. Të gjitha partitë komuniste në Europë, u bënë socialiste. Dhe të gjithë u bënë “europianistë”.
Dua të them se ne jemi këtu për ti thënë njerëzve çfarë është Europa e vërtetë. Europa e vërtetë është historia dhe dashuria e popullit shqiptar për lirinë dhe vendin e tij. Europa e vërtetë ka nevojë për Shqipërinë.
Ju sot kujtoni 130 vjetorin e shkollës së parë shqipe. Miqtë e mi, çfarë do të thotë të arsimohesh?! Të arsimohesh do të thotë që të bësh dallimin mes të mirës dhe të keqes. Dhe cila është ajo qeveri që mund të arsimojë dhe edukojë, qeveria e cila nuk kupton që droga është e keqe e që bën dëm?! Cila është ajo qeveri që mund të arsimojë dhe të ndihmojë në arsimimin e brezave, ajo që nuk kupton luftën kundër kriminalitetit dhe e nuk e zbaton atë maksimalisht?!
Dhe cila është ajo qeveri që mund ta çojë Shqipërinë në Europë dhe që është e aftë që të mbrojë këto vlera?! Ua them unë, se cila do të jetë ajo qeveri. Qeveria e Lulzim Bashës.
Pikërisht sot kur projekti europian kalon vështirësitë e veta përgjegjësia është akoma edhe më e lartë. Projekti politik i Europës së bashkuar është projekti që i ka lejuar Europës të jetojë në paqe për 70 vjet. Nëse vëreni historinë tonë, gjendja normale e jetës tone, nuk ka qënë paqja, por lufta. Pa këto vlera dhe pa këtë vision, ka konflikt dhe vetëm konflikt. Dhe për këto arsye, është shumë e rëndësishme që të luftojmë për lirinë dhe demokracinë.
Sepse mjafton në një vend që liria dhe demokracia të jetë e nëpërkëmbur, më tej në të gjithë Evropën vlen e njëjta gjë. Dhe për këtë arsye, populli shqiptar duhet të jetë më i vendosur se kurrë për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë dhe për këtë arsye është shumë e rëndësishme që qytetarët shqiptarë të kërkojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Sepse zgjedhjet e lira në Shqipëri, çojnë përpara projektin e Europës së bashkuar, sepse kjo bën që Europa të jetë vetvetja, toka e lirisë dhe e demokracisë. Në të kundërt, do të kthehej ne një Bashkim Sovjetik dhe këtë nuk do ta lejojmë.
Miq të dashur, dua ta mbyll fjalën time me një situatë që unë e kujtoj çdo ditë.
Shumë vite më pare, kur unë isha 19 vjeç shkova në Poloni, një vend që ishte nën diktaturën komuniste. Isha student në universitet dhe qëllimi ishte të merrnim shkrimet, librat e shkrimtarëve polakë, e ti nxirrnim jashtë Polonisë që të njihnim gjithë Europën me vuajtjet dhe eksperiencat e këtij vendi.
Në vitin 2005, si zëvendëspresident i Parlamentit Europian u ktheva në Poloni në 25 Vjetorin e Lëvizjes së Solidarnosit. Në kantjerin e ndërtuar, polakët kishin ngritur një ekspozitë të madhe e cila shërbente për të celebruar 25 Vjetorin e Lëvizjes së Solidarnosit dhe për ti kujtuar popullit polak se cila ishte diktatura komuniste.
Ishin 25 foto të mëdha tek ky shesh dhe në këto foto shfaqeshin tanket, telat me gjemba, trupat e të vrarëve, të plagosurve, nga sistemi. Në këto foto, nga ana bardh e zi ishin ngjarjet e 25 viteve më parë, ishin fotografi të luftës për liri dhe demokraci të popullit polak. Nga ana tjetër, ishin 25 foto me ngjyra. Ishin foto me të rinjtë, djem dhe vajza 25 vjeçare të lindur pikërisht në ato rrethana, në atë periudhë. Dhe çdo të riu i bëhej një pyetje, çfarë ishte diktatura, çfarë ishte komunizmi? Dhe përgjigja ishte “nuk e di, nuk e mbaj mend, nuk ma kanë shpjeguar”.
Fotoja e fundit ishte krejtësisht e zezë, ku ishte shkruar në shumë gjuhë “kush nuk ka kujtesë për të kaluarën e vet, nuk ka të drejtë për liri”.
Për këtë arsye jemi këtu në këtë shesh. Ja përse jemi këtu në këtë tendë sepse kjo tendë është zëri i popullit shqiptar dhe është ky popull që do çojë Shqipërinë në fitore.
Pyetje-Cfarë mendimi keni ju për zgjedhjet e lira dhe të ndershme në Shqipëri, a do të realizohen ato ndonjeherë?
Mauro-Kam lexuar në shumë gazeta evropiane se qeveria shqiptare, po akuzon opozitën që po bojkoton Parlamentin. Nga këndvështrimi im, qeveria po bojkoton demokracinë, pra ajo që po bëhet në këtë tendë nuk është vetëm e bazuar dhe e legjitimuar në kushtetutë, por edhe politikisht është e vetmja gjë që mund të përbëjë një garanci politike për të siguruar lirinë e votës.
Me 27 Janar, ne u bashkuam të gjitha partitë popullore dhe votuam në unanimitet dhe në solidaritet një dokument ku i japim mbështetje strategjisë së Partisë Demokratike. Ky dokument është i disponueshëm në internet dhe ju mund ta qarkulloni mes jush. Ju duhet të jeni të qetë dhe të sigurt sepse nuk jeni vetëm në këtë betejë!
-Pyetje: Zoti senator një këshillë sesi mund të mësojnë të rinjtë këtu mbi historinë e komunizmit.
Mauro-Problemi më i madh i komunizmit është se komunizmi është ideologji dhe ideologjitë janë të rrezikshme sepse nuk të bëjnë të kuptosh dhe të duash realitetin. Po ua shpjegoj me shembuj. Kur Stalini mori pushtetin në rusi donte të bënte një shoqëri për punëtorët. Por në 1917, një shekull më parë, 100 vite më pare, në Rusi nuk kishte punëtorë. Kishte fshatarë dhe bujkrobër. Lenini dhe Stalini morën 20 milion fshatarë të vegjël që ishin pronarë dhe quheshin kulakë dhe i vranë të gjithë. Kjo është ideologjia. Kur realiteti nuk është ashtu si e dua unë, shpik një realitet tjetër të ri, në të cilin heq qafe cdokënd që mendon ndryshe nga sa mendoj unë. Për këtë arsye, ne duhet të jemi të kujdesshëm ndaj ideologjive. Ideologjitë e 1900-tës, komunizmi, nazizmi, fashizmi, cfarë kishin të përbashkët? Kishin të përbashkët një përqendrim pushteti dhe ku pushteti ishte gjithcka dhe individi, personi, ishte asgjë. Dhe gjithë furia ideologjike e këtij pushteti bëhej në emër të popullit dhe në emër të popullit bëheshin masakra. Edhe sot ka ideologji. Përshembull emri i popullit është zëvendësuar me Zotin. Dhe fondamentalizmi islamik është kthyer baza e terrorizmit sepse ka fshirë vlerat e një feje për ta zëvendësuar me një projekt ideologjik. Dhe ne e dimë se brenda një partie me vlera demokratike, të gjithë fetë mund të qëndrojnë bashkë. Për këtë arsye, ju mund të ktheheni në një shembull për të gjithë Evropën. Për këtë arsye, me mbështetjen tuaj mund të mposhtim ideologjitë. Ne duhet të pyesim veten, nëse qeveria aktuale i ka braktisur apo jo ideologjitë. Sepse, nëse nuk ka hequr dorë nga ideologjitë nuk mund të bëjë mirë për popullin e vet”.
Njoftim per shtyp 7 Mars 2017