Sot në 8 Mars, duke marrë kurajo nga kurajo e grave shqiptare, opozita e bashkuar ka marrë një vendim. Ky vendim që po kështu ka filluar të spinohet në forma dhe mënyra të ndryshme është i thjeshtë dhe i qartë. Vendimi përbëhet nga dy pjesë. E para; organizimin në të gjithë territorin e Shqipërisë të Kuvendeve Qytetare për Zgjedhje të Lira dhe të Ndershme. Këto kuvende do të jenë hapësirat e lirisë ku do të bashkohen qytetarë, do të bashkohen punëdhënës dhe punëmarrës, të papunë, të rinj e të reja, intelektualë, akademikë, artistë, sportistë, fermerë, pensionistë, për ti dhënë thellësi dhe qendresë qëllimit tonë madhor, zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, përmes një qeverie teknike. Këtu do të marrë formë përmes kontributit të çdo shqiptari Republika e Re, republika e vlerave europiane, republika e barazisë së qytetarëve para ligjit, republika e kufizimit të pushtetit për politikanët dhe fuqizimit të pushtetit politik dhe ekonomik për qytetarët.

Në këto forume, gjithkush ka mundësinë, është i mirëpritur dhe i thirrur të jetë pjesë e hartimit të këtij projekti të madh kombëtar. Nuk është e nuk mund të jetë kurrë, as monopol i Lulzim Bashës, as monopol i Partisë Demokratike dhe as monopoli i opozitës, Republika e Re është është që nga gjeneza, kërkesa juaj e do të jetë projekti i çdo shqiptari.

Vendimi i dytë i opozitës së bashkuar nuk është bojkoti i zgjedhjeve. Jo more zotërinj, nuk do tia hidhni kaq lehtë. Nuk ka për të patur bojkot zgjedhjesh, sepse zgjedhje fasadë me krimin, nuk do të ketë. Qytetarët shqiptarë janë të vendosur. Rezistenca civile, mosbindja civile, armata e republikës së re do të pengojë me të gjitha mjetet popullore, qytetare, demokratike dhe paqësore, zgjedhjet me krimin, zgjedhjet me drogën dhe zgjedhjet fasadë. Ua kemi dhënë paralajmërimin nga ky shesh me 18 Shkurt. Ua përsërisim ditë për ditë, e natë për natë. Ngule mirë në mendje. Zgjedhje fasadë nuk ka për të pasur më në Shqipëri.

Ndaj i ke bërë hesapet pa popullin, ose siç thotë populli pa hanxhinë. Populli është këtu, vendimi është marrë, zbrit me këmbë në tokë. Shqiptarët nuk i dorëzohen më dëshpërimit. Askush nuk do të vrasë më veten për gjëmat e qeverisjes tënde. Të gjithë bashkë, do të vrasim republikën e vjetër, siç kemi vrarë frikën. Dhe do ti japim shqiptarëve atë që duan dhe meritojnë, Republikën e Re ku ka vend për të gjithë. Ata njerëz, burra, gra të rinj e të reja që duan një Shqipëri europiane të votës së lirë, të ligjit të barabartë për të gjithë, të drejtësisë së vërtetë që nuk mbron, por ndërshkon krimin dhe korrupsionin. Këto janë vlera të përbashkëta europiane. Këto janë vlera esenciale perëndimore. Ky është edhe themeli i demokracisë më të madhe në botë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga kemi marrë dhe vazhdojmë të marrim përkrahje dhe mbështetje pa kushte për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sonte dua të risjell në vëmëndje dhe të falenderoj përzemërsisht të gjithë ata që përmes mesazheve, letrave, telefonatave, bisedave të drejtpërdrejat me mua apo me përfaqësuesit e nderuar të koalicionit tone, siç është z Mediu që sapo u kthye nga Uashingtoni, Kanë mbështetur dhe mbështesin këtë beteje, si; kongresmenët: Dan Lipinski, Randy Hultgren, Richard Hudson, Louie Gohmert, John Moolenaar, Thomas Suozzi, Jeff Fortenberry, Trent Kelly dhe Robert Aderholt. Si dhe senatorët Lamar Alexander, James Lankford, Mike Enzi, Luther Strange, Susan Collins, Jim Inhofe, Tom Cotton, Roger Wicker, Mike Rounds dhe Ted Cruz.


Deklarata e Lulzim Bashës në Sheshin e Lirisë, 8 Mars 2017