Lektorët në bashkëbisedim me qytetarët. Studentët na kërkojnë të mbështesim kauzat e mëdha të shoqërisë. Basha: Sot në KQZ, partitë opozitare do të dorëzojnë ultimatumin me shkrim për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kush i fryn borive të bojkotit, gabohet rëndë. Nuk do të ketë bojkot, do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme, do të ketë Republikë të Re, qytetarët do të fitojnë.
Sot në ditën e 21 të protestës në Sheshin e Lirisë, ku kërkohet vota e lirë dhe e ndershme për zgjedhjet që po vijnë, u diskutua me pedagogë e njerëz të universiteteve në lidhje me temën; Pse të gjithë duan të vijnë në cadër?
“Kjo është ngjitëse”, tha pedagogia Belina Budini, e cila shpjegoi pse e vlerëson Sheshin e Lirisë, agorën e mendimit të lirë, si një platformë të jashtëzakonshme komunikimi.
“Kam ardhur pa asnjë ngurim. I jam përgjigjur ftesës së PD pa asnjë kompleks, pa dyshim në pozita krejtësisht të lira për të qenë këtu. Në auditorë kemi presion nga studentët për të marrë pjesë, për t’u angazhuar, për të mbështetur kauzat që i gjykojmë të drejta. Në këtë tempull, në këtë hapësirë të re, në këtë agorë, mund ta bësh me efikasitet. Studentët më thonë që duan të gjejnë forma për ta mbështetur këtë protestë që u flet atyre jo nga pozita politike por dhe shoqërore dhe sociale. Ata janë të angazhuar këtu në forma nga më të larmishmet. Kjo është para së gjithash një kauzë morale, para se të jetë partiake. Nuk duhet askush të ketë kompleks për t’iu bashkuar kësaj kauze, qoftë në linjën partiake ose jo”, tha Budini.
Leonard Boduri, është pedagog dhe autor i emisionit televiziv, Disco Lajme.
“Vota e lirë nuk është çështje e opozitës, nuk është çështje e zotit Basha, nuk është çështje e partive të tjera të koalicionit opozitar. Eshtë çështje e të gjithëve. Vota garanton të gjithë qytetarët, ata që votojnë dhe ata që nuk votojnë. Problemin që ne kemi me blerjen, me dhunimin, me presionin për të larguar nga puna njerëz, duke u marrë karta identiteti, janë trajta parafashiste të një shteti”, u shpreh Boduri.
Hari Aleksi është pedagog në Universitetin e Arteve.
“Doja të komplimentoja këtë protestë unike sepse është ndryshe nga ç’do protestë tjetër që është bërë. Në Universitetin tim kam parë përpjekjet e qeverisë për të goditur arsimin me disa reforma absurde. Do doja të ishim një nismë qytetare jo vetëm për arsimin por për mbarë kombin. Sot nuk flas vetëm si pedagog. Unë këtu flas is taksapagues, si një i ri që punon për vendin e tij. Nuk dua që në të ardhmen të kemi një vend që vazhdon të jetë eksportues kanabisi dhe importues plehrash. Unë dua një vend që të prodhojë inxhinierë, shkencëtarë, intelektualë dhe politikanë të ndershëm”, tha Aleksi.
Albano, pedagog i shkencave sociale thotë se: Askush nuk mund ta quajë veten edukator, mësues apo pedagog nëse nuk është në gjëndje të flasë dhe të mendojë i lirë. Rilindja po shkrin arsimin për xhepat dhe interesat e tyre. Kjo nuk është e lejueshme. Kësaj duhet ti themi stop! Unë premtoj që bashkë me kolegët e mi do e mbështesim këtë kauzë sepse nëse mbështesim të ardhmen, arsimin, mbështesim lirinë.
Lulzim Basha e nisi bisedën me një falenderim të vecantë për pedagogët që angazhohen për kauzat e mëdha të shoqërisë dhe që prej ditës së parë mbështesin lëvizjen popullore për zgjedhje të lira e të ndershme.
“Nuk ka kontrast më të qartë, mënyrë më të mirë për të shpjeguar të djeshmen që po ikën dhe të nesërmen që po vjen, se sa kjo agorë. Ti me kriminelë, unë me pedagogë. Ti me hajdutët, unë me qytetarët. Ti me vesin, ne me virtytin. Ti me antiligjin, ne me ligjin. Ti kundër zgjedhjeve, ne për zgjedhjet. Ti për drejtësinë e kapur, ne për drejtësinë e vërtetë, të pakapur që nuk mbron por ndëshkon krimin dhe korrupsionin. Ky është thelbi, kjo është fabula”, tha Lulzim Basha.
Kryetari i opozitës, njoftoi për hapa të reja të koalicionit qeveritar në drejtim të garantimit të votës së lirë e të ndershme.
“Sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, partitë opozitare do të dorëzojnë ultimatumin me shkrim për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kush i fryn borive të bojkotit, gabohet rëndë. Nuk do të ketë bojkot, do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme, do të ketë Republikë të Re, qytetarët do të fitojnë, ju do të fitoni, Shqipëria do të fitojë. Me hapin e sotëm, opozita shqiptare provon luajitetin tonë ndaj kauzës së çdo qytetari shqiptar, kauzës së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Republika e vjetër dhe klanet kriminale në pushtet guxuan të vënë në pikëpyetje gadishmërinë tonë për t’iu përgjigjur thirrjes dhe vendimit tuaj popullor më 18 shkurt.
Dje e morën mesazhin nga komunikimi ynë politik, sot do ta marrin me firmë dhe me vulë seriozitetin dhe vendosmërinë tonë për të qendruar me popullin dhe për popullin deri në arritjen e qëllimit tonë madhor, zgjedhjeve të lira dhe të ndershme; të lira nga krimi, të lira nga droga, të lira nga paratë e korrupsionit”, u shpreh Basha.
“Në kushtet e kriminalizimit që sa vjen e thellohet, të qeverisë së republikës së vjetër që e ka kapur paniku dhe kur ne flasim sdinë ku të fusin kokën, në kushtet e drogës dhe parave të drogës, dhe rrezikut real për demokracinë dhe stabilitetin e vendit, për ekonominë, shoqërinë dhe familjet e fëmijët e shqiptarëve nga sezoni i ri i mbjelljes së drogës që po afron, në kushtet e mungesës totale të reformës zgjedhore me qëllimin e vetëm për të shtypur dhe tjetërsuar votën e shqiptarëve, në kushtet e sabotimit me vetëdije të reformës në drejtësi sipas përcaktimeve kushtetuese të 22 korrikut, nga ata që kanë frikë nga drejtësia e vërtetë dhe e pakapur; ka një dhe vetëm një zgjidhje”, pohoi Lulzim Basha.
Dhe zgjidhja është: Qeveri teknike, largimi i Edi Ramës dhe kabinetit të turpit, kabinetit të krimit, kabinetit të drogës. Asnjë tërheqje nuk ka e nuk mund të ketë sepse çdo tërheqje do të ishte tradhti para qytetarëve shqiptarë para të ardhmes së shqiptarëve dhe fëmijëve të tyre.
“Ndaj jemi këtu duke u njohur edhe më shumë me njëri tjetrin me ju qindra mijëra heronj. Tashmë jo të heshtur por zë-lartë, të lirisë, demokracisë dhe zgjedhjeve të lira e të ndershme duke frymëzuar kurajon qytetare duke vrarë frikën cep më cep të Shqipërisë. Duke i kërkuar qytetarëve kudo ku janë, të ngrihemi dhe të përmbysim republikën e krimit, drogës dhe zgjedhjeve të kapura”, tha Basha.
Kryetari i opozitës ka siguruar qytetarët se: Kjo betejë nuk bëhet për interesat tona politike. Nuk bëhet për të sjellë në pushtet një parti për të bërë një person një kryeministër. Kjo betejë bëhet për të fituar një herë e përgjithmonë pasaportën e dinjitetit evropian për çdo shqiptar e çdo shqiptare.
“Ta dinë po mirë që sado të pasur të jenë bërë, sesa do kriminelë të fusë në oborrin apo në zyrën e kryeministrisë nuk ka qeveri të inkriminuar e të korruptuar ti bëjë ballë popullit që ngrihet bashkë për të drejtën legjitime dhe sovrane të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Fronti zgjerohet orë për orë. Të papunë, fermerë, pensionistë, intelektualë, të reja, të rinj, burra gra të moshuar, artistë sportistë, sipërmarrës e punëmarrës, sindikata, jemi të gjithë në këtë front, të djathtë e të majtë qytetarë të bashkuar deri në fitore”, deklaroi Lulzim Basha.