Paraditen e 22-të të qëndresës popullore në sheshin e lirisë, të rinj, të reja, pedagogë, përfaqësues të konservatorëve europianë dhe republikanë iu bashkuan agorës qytetare për të ngritur zërin dhe për të shprehur mbështetjen e tyre ndaj kauzës popullore për zgjedhje të lira.

Një pedagog i Universitetit të Shkodrës tha se dëshira e kësaj qeverie për të kapur drejtësinë vjen në të gjitha format. Rast konkret, tregoi se në bordin drejtues të universitetit ku jep mësim, katër nga shtatë anëtarë emërohen nga qeveria. Bindjes se kjo qeveri ka investuar para droge dhe do të ushtrojë presion mbi votën e lirë në zgjedhjet e ardhshme, shkodrani i shtoi edhe historinë e vitit 2013. Sipas tij, në Shkodër pasi gjithë bandat u organizuan rreth socialistëve dhe arritën të vidhnin dhe shformonin votën e qytetarëve atje, nga tejngopja, filluan të transferonin kutitë e votimit nga një qendër votimi tek tjetra, pa teklif. Një fakt nga Shkodra: 50% e deputetëve socialistë fitues në Shkodër, sot nuk janë më me PS.

Samuel Berisha, anëtar në organizatën e Komeve të Bashkuara në një projekt të organizuar nga trupat e paqes dhe Ambasada Amerikane  tha se zgjedhjet e lira për një vend si Shqipëria janë një domosdoshmëri bazike.

Kryetari i forumit rinor të republikanëve, Endi Skupi listoi tre arsye madhore për të cilat rinia sot duhet të bashkohet me qëndresën qytetare.

Ligji i arsimit të lartë ka shtuar pasigurinë tek të rinjtë – tha Endi – Më pas këta të rinj të sapodiplomuar s’dijnë ku do punojnë sepse i gjithë tregu i punës është i kapur. Në fund, sipas tij, rinia ftohet të hyjë në zgjedhje ku në lista deputetësh ka kriminelë dhe vota e qytetarëve vidhet. Skupi e mbylli me një thirrje drejtuar qytetarëve të cilët, sipas tij, me vendimin e tyre mund t’i japin Shqipërisë zgjedhje të pakontestueshme.

Belind Kelliçi, kreu i të rinjve demokratë tha se kërkesa e qytetarëve, për zgjedhje të lira e të ndershme, e cila është një e drejtë themelore kushtetuese, po merr dita ditës mbështetje të madhe jo vetëm nga brenda kufijve tanë por edhe jashtë vendit. Thirrjen ia drejtoi shqiptarëve të cilëve i kujtoi se ishte rinia dhe Partia Demorkatike ajo që shembi diktaturën në vitet ’90 dhe po ata do t’i rikthejnë sot shqiptarëve të drejtën për të votuar.

Kryetari demokrat Lulzim Basha, duke iu referuar komentit të një gazetari të njohur të medias, i cili është shprehur se ndryshimi tashmë ka ardhur në Shqipëri, bëri diferencën mes Shqipërisë para dhe pas 18 shkurtit.

“Para 18 shkurtit këta bënin hesape me njëri-tjetrin dhe opozitën e bënin para të njëri –tjetrit, pra kishin s’kualifikuar tërësisht shumicën dërrmuese të shqiptarëve, kishin nxjerrë nga loja me mendjen e tyre, me hesapet e tyre opozitën politike të vendit. Sot e tash tre javë, janë strukur në birucat e tyre, maksimumi hanë ndonjë drekë apo darkë, por  e kanë qepur gojën, këta që shpallin fitoren me tam-tame e dinë që humbja po ju vjen”.

Si të vetmen mënyrë të afrimit të Shqipërisë drejt vlerave europiane që seicili prej nesh përqafon, Lulzim Basha e sheh përmes garantimit të zgjedheve të lira e të ndershme nga një qeveri teknike.

“Vetëm në këtë mënyrë, vetëm përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme ne do të garantojmë që të mos kthehemi më në Shqipërinë e para 18 shkurtit. Sepse në demokraci, jo vetëm për shkak të protestave dhe jo vetëm përmes protestave popullore e madhështore, si ajo e 18 shkurtit, por prej ditës së parë që ulet në karriget e pushtetit e deri ditën e fundit, në çdo demokraci nuk është populli që ka frikë qeverinë, por është e do të jetë qeveria shqiptare, që duhet të ketë frikën popullin”.

Premtimin për përgjegjësinë e afrimit të vlerave dhe parimeve europiane kryedemokrati ia dha të rinjve, të rejave dhe gjithë qytetarëve shqiptarë.

“Të gjitha raportet, duke përfshirë atë që doli para një jave nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe raport progresin e Bashkimit Europian e kanë të shkruar të zezë mbi të bardhë, korrupsioni është i përhapur në ç’do degë të qeverisjes shqiptare. Shqiptarët e kanë vendosur dhe do të luftojnë deri në fund për vlerat e përbashkëta europiane që nisin me zgjedhje të lira e të ndershme”.

Nga Praga erdhi, Jakub Sibak, zëvendës kryetar i të rinjvë konservatorë evropiane, në sheshin e lirisë për të shprehur mbështetjen e të rinjve konservatorë të Europës, në luftën për zgjedhje të lira e të ndershme.

“Unë vij nga Praga, Republika Ceke dhe jam shumë i entuziasmuar që shikoj këtu kaq shumë njerëz që luftojnë për demokraci, që luftojnë për sundimin e ligjit dhe për zgjedhje të lira dhe të drejta. Republika e Cekisë njësoj si Shqipëria ka qenë pjesë e kampit lindor gjatë luftë së ftohtë, dhe unë e kuptoj se sa e rëndësishme është beteja juaj, lufta juaj për ndryshim. Ne të rinjtë europiane konservatorë ju mbështesim plotësisht në përpjekjet tuaja, në betejën tuaj për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sytë e tërë vendeve të Evropës janë drejtuar nga ju me shpresë se rendi i vjetër do të zëvendësohet nga rendi i ri”.

Sibak tha se kërkesat e qëndresës qytetare vijnë jo vetëm për një rotacion politik të rastit, por për një ndryshim i cili trashëgohet në breza.


Njoftim per shtyp 11 Mars 2017