Të reja dhe të rinj, qytetare të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë!
Eshtë mëngjesi i 22 i lëvizjes më të madhe popullore, kombëtare, demokratike, qytetare dhe paqësore për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për demokracinë e vërtetë dhe për republikën e re të vlerave europiano-perendimore. Eshtë një mëngjes i lavdishëm sepse është një mëngjes më afër fitores tuaj, më afër fitores së Shqipërisë.
Dua të përshëndes në mënyrë të veçantë të gjithë qytetarët që kanë qenë pjesë e kësaj lëvizje madhështore të nisur si sot tre javë më parë me 18 shkurt dhe që janë ditë e natë pjesë e këtij projekti të madh të shpresës dhe lirisë.
Dua të përshëndes në mënyrë të veçantë sot të rinjtë dhe të rejat shqiptare, gjimnazistët, gjimnazistet, studentet dhe studentët e Shqipërisë që kanë qenë balli i kësaj proteste, janë garancia e vendosmërisë së kësaj proteste dhe do jenë kurora e kësaj lëvizje të madhe.
Dje në një bisedë me një nga gazetarët më të mirë të shtypit të shkruar, pata një reflektim, në fakt reflektimin e pati ai. Dhe m’u kujtua sot, kur njëri pas tjetrit të rejat dhe të rinjtë folën për vendosmërinë e tyre për ndryshim.
Thanë se ndryshimi po vjen, treguan besimin e tyre se ndryshimi do vijë. Mbrëmë ky person shumë i njohur i medias së shkruar, e njohin të gjithë gazetarët që janë këtu prapa kamerave, tha, në fakt ndryshimi ka ardhur.
Shqipëria, pas 18 shkurtit është krejt ndryshe nga ajo e para 18 shkurtit. Duket sikur 18 shkurti e ka ndarë historinë tonë në dy pjesë dhe në fakt kështu është. Para 18 shkurtit këta bënin hesape me njëri-tjetrin dhe opozitën e bënin para të njëri –tjetrit, pra kishin s’kualifikuar tërësisht shumicën dërrmuese të shqiptarëve, kishin nxjerrë nga loja me mendjen e tyre, me hesapet e tyre opozitën politike të vendit.
Sot e tash tre javë, janë strukur në birucat e tyre, maksimumi hanë ndonjë drekë apo darkë, por e kanë qepur gojën, këta që shpallin fitoren me tam-tame e dinë që humbja po ju vjen.
Para 18 shkurtit me instrumentet e frikës dhe terrorit kishin mbyllur gojët e shumicës së shqiptarëve, me frikë, me dhunë, me persekucion, me gjoba, me gënjeshtra, me mashtrime. Frika sundonte në Shqipëri. Sot, tre javë pas 18 shkurtit shqiptarët e kanë vrarë frikën, kurajo qytetare është ngritur kudo.
Ka frikë akoma, por e dini se kush ka më shumë frikë sot, se përpara 18 shkurtit?! Qeveria, me në krye Edi Ramën, janë sot lepujt e Shqipërisë, sepse shqiptarët janë ngritur, Shqipëria është ngritur, të gjithë jemi ngritur bashkë.
Pra, është e vërtetë, miku im gazetar ka të drejtë, ndryshimi tashmë ka mbërritur. 18 shkurti është dita kur Shqipëria ka nisur ndryshimin pa kthim.
Por, ne jemi sot këtu e do të jemi këtu deri në arritjen e objektivave të shpallura të kësaj lëvizjeje popullore që është garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme përmes largimit të Edi Ramës dhe një qeverie teknike që i garanton ato.
Vetëm në këtë mënyrë, vetëm përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme ne do të garantojmë që të mos kthehemi më në Shqipërinë e para 18 shkurtit. Sepse në demokraci, miqtë e mi, jo vetëm për shkak të protestave dhe jo vetëm përmes protestave popullore e madhështore, si ajo e 18 shkurtit, por prej ditës së parë që ulet në karriget e pushtetit e deri ditën e fundit, në çdo demokraci nuk është populli që ka frikë qeverinë, por është, e do të jetë qeveria shqiptare që duhet të ketë frikën popullin.
Prandaj kjo luftë, kjo betejë bëhet që Shqipëria ta arrijë këtë standard një herë e mirë. Jo qytetari të ketë frikë pushtetarin, por pushtetari të varet tërësisht nga vullneti dhe nga gjykimi i qytetarit. Kjo është Republika e Re për të cilën luftojmë, ky është standardi europian, ky është standardi amerikan. Ndaj është e domosdoshme ta vazhdojmë këtë betejë deri në fitore. Sepse, çdo tulatje, çdo kthim pas do ta vërtiste Shqipërinë edhe një herë atje ku ishim para 18 shkurtit.
Por kjo nuk ka për të ndodhur. Kjo nuk ka për të ndodhur sepse mbështetja popullore për këtë kauzë po arrin në kulmet historike që ndonjë kauzë ka patur ndonjëherë.
Dhe unë jam këtu ditë për ditë e natë për natë me ju për t’iu kujtuar, për t’u zotuar dhe premtuar se, pas kësaj beteje epike të qytetarëve shqiptarë, borxhi i atyre që do të marrin përgjegjësitë e drejtimit të Republikës së Re është dhe do të jetë me të vërtetë, që asgjë të mos jetë më si më parë, gjithçka të ndryshojë për mirë në drejtim të standardeve, vlerave dhe parimeve europiane.
Dhe me të vërtetë miqtë e mi, pas fitores së kësaj lëvizjeje asgjë nuk do të jetë më si më parë.
Demokraci e vërtetë do të thotë qytetarët zotër të pushtetit dhe jo pushtetarët zotër të qytetarëve.
Drejtësi e vërtetë do të thotë gjyqtarë e prokurorë në shërbim të ligjit dhe jo në shërbim të pushtetarëve të korruptuar të lidhur me krimin.
Shtet ligjor do të thotë garanci të hekurta për çdo qytetar të Republikës së Re ku të gjithë trajtohen të barabartë para ligjit me mundësi të barabarta.
Këto të tre janë shtyllat, themelet e Shqipërisë europiane. Gjithçka që është jashtë tyre dhe ndryshe nga ato, nuk ka të bëjë me Europën, nuk ka të bëjë me realitetin europian.
Dje, në një tur vizite të paguar nga fondacioni i socialdemokratëve gjerman, që mundohet të na e shesë si vizitë shtetërore, Edi mashtruesi na paska thënë: “Integrim para se të jetë vonë”.
Ou…. Integrim para se të jetë vonë? Mos ju duket gjë si kërcënim apo jo?! Apo e kam gabim?!
Kë kërcënon ky? Kërcënon Gjermaninë, kërcënon Europën, më integroni para se të jetë vonë?
Po a i ke bërë detyrat e shtëpisë o Ed mashtruesi? A e ke luftuar krimin?! Jo. Në vend që ta luftoje e ke marrë dhe e ke ulur në Parlament, e ke ulur në krye të bashkive të vendit. I ke dhënë pushtet maksimal, drekon e darkon me kriminelët me nam të Shqipërisë, ju ke dhënë çelësat e doganave, policisë, tatimeve, institucioneve kryesore shtetërore. Ju ke dhënë imunitet mbi ligjin, ke kapur dy palë zgjedhje me ta dhe do të prishësh zgjedhjet e treta në bashkëpunim me krimin.
Pra, nuk e ke bërë këtë detyrë shtëpie. Ngelës!
E ke luftuar korrupsionin? A e ka luftuar korrupsionin? Përkundrazi, të gjitha raportet, duke përfshirë atë që doli para një jave nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe raport-progresin e Bashkimit Europian e kanë të shkruar të zezë mbi të bardhë, ose si ka qejf ta thotë Ed mashtruesi, troç: korrupsioni është i përhapur në ç’do degë të qeverisjes shqiptare.
Askush nuk e di më mirë këtë sesa ju, qytetarët e këtij vendi që e ndjeni në lëkurën tuaj, e ndjeni mbi kurrizin tuaj peshën e rëndë të korrupsionit që nga njëra anë ju fut duart në xhep dhe ju merr me taksa të larta, me fatura të larta, me tarifa të larta, me gjoba të larta, ç’do kacidhe, e nga ana tjetër, këto para nuk ua kthen as si rrugë, as si spitale, as si shkolla, as si investime, as si ujësjellës, as si subvencione, as si pensione, as si paga sepse i vjedh Ali Baba me katër hajdutë. Pra, luftë kundër krimit jo. Luftë kundër drogës jo e jo. Luftë kundër korrupsionit jo. Si do e fusësh, o Ed mashtruesi Shqipërinë në Europë? Kujt i thua ti “Integrim para se të jetë vonë”? shqiptarët e dinë, të djathtë e të majtë e dinë se ti me krimin në pushtet, me Shqipërinë hambar droge, me korrupsionin në nivele rekord, je sot pengesa kryesore për Shqipërinë Europiane.
Pra, nëse të bëhet vonë për Shqipërinë dhe për integrimin, nëse e ke me të vërtetë “Integrim para se të jetë vonë”, jep dorëheqjen para se të jetë vonë. Largohu dhe hapi rrugë qeverisë teknike, si garancia e vetme që kjo lëvizje popullore do të pranojë, për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Megjithatë, kjo është një kërkesë retorike sepse ne e dime sa të bëhet vonë ty për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ne e dimë se sa përzemër e ke ti Bashikim Europian dhe standardin europian. Siç e di edhe europa se, standardi europian dhe Bashkimi Europian dhe Shqipëria në Europë do të thotë fund i pushtetit të inkriminuar, i krimit të lidhur me pushtetin dhe i politikanëve që sollën krimin në pushtet. Pra Bashkimi Europian, standardi europian është në fakt edhe fundi yt politik. Shqiptarët e kanë vendosur dhe do të luftojnë deri në fund për vlerat e përbashkëta europiane që nisin me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ndaj, prej 18 Shkurtit, nuk e ke ti më në dorë. E ka populli në dorë dhe unë kam besimin më të patundur se populli nuk do tërhiqet deri në fitoren e projektit europian të Republikës së Re.
Apo do tërhiqemi? Jo. Deri në fitore.
Sot në këtë tendë, jemi përsëri me aleatët tanë. Partia Demokratike, anëtare e formacionit më të madh të qendrës se djathtë europiane, Partive Popullore Europiane që ka grupin më të madh parlamentar në Parlamentin Europian, Kryetarin e Komisionit Europian, Kryetarin e Unionit dhe Kryetarin e Parlamentit, në fakt, nuk është i vetmi grupim i djathtë. Në familjen e të djathtës europiane, ka parti të tjera historike të së djathtës si; konservatorët britanikë, dhe shumë parti të tjera. Ky grupim, njihet si grupimi i konservatorëve europianë dhe Zv.Presidenti i rinisë së këtij grupimi, Jakub Sivak ndodhet sot këtu për të përshëndetur protestën tonë, lëvizjen tonë dhe për t’i dhënë mbështetjen e grupimit të tij politik, konservatorëve europianë, kauzës së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ndaj, le ta mirëpresim mikun tonë që vjen këtume mbështetjen dhe mesazhin e kurajos për protestën dhe lëvizjen tonë popullore.
Fjala ne sheshin e lirise, 11 Mars 2017