Vëllezër dhe motra, qytetare dhe qytetarë, mbrëmja e 22-të e protestës, kjo e Shtunë e tretë që pas 18 Shkurtit, që ka ndryshuar njëherë e për gjithmonë Shqipërinë, premton ardhjen e shpejtë të pranverës politike, të pranverës së lirive për çdo shqiptare e çdo shqiptar, dhe kjo falë jush, falë qytetarëve që qëndruan e qëndrojnë me vendosmëri për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për qeverinë teknike, për Republikën e Re, të mundësive dhe lirive për çdo shqiptar.

Sot në këtë tendë, protestuesit e rinj, vajzat dhe djemtë e shqiptarëve që kanë vendosur ti thonë Jo të djeshmes dhe Po të nesërmes europiane që po lind nga ky shesh, u bashkuan e u përshëndetën nga përfaqësuesit e të rinjve konservatorë. Sonte jemi mbledhur këtu ndërkohë që qeveria duket se është në grahmat e saj të fundit. Në fakt, ka tre javë që nuk bën asnjë punë përveçse përgjon protestën e qytetarëve, përgjon popullin e vet. Sado ta përgjojë, sado të shtijnë fall e të lexojnë filxhanët e kafesë, prapa fasadës qeveritare, konkluzionin e kësaj proteste ua kemi thënë që ditën e pare; ne jemi këtu, jemi ngritur bashkë me 18 Shkurt e bashkë do jemi, në këtë shesh, deri në largimin e qeverisë të bërë njësh me krimin dhe drogën. Ju kemi thënë e ua përsërisim se pë ne kjo lëvizje i ka tejkaluar kufijtë e çdo partie politike, i ka tejkaluar kufijtë e Partisë Demokratike, i ka tejkaluar kufijtë e opozitës, është sot lëvizja më e madhe popullore, qytetare, demokratike dhe kombëtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Ndaj, nuk jemi mbledhur këtu as për koka turku, as për koka delesh, as për koka kecash, jemi mbledhur për të siguruar për shqiptarët sot e mot dhe për brezat që vijnë, standardin europian të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe, zgjedhje të lira e të ndershme me një qeveri dhe kryeministër garant të krimit dhe të drogës nuk mund të ketë. Ndaj, çfarëdo thashethemesh e prapaskenash të kurdisin, mesazhi ynë është një dhe i pandryshuar; qëndresa jonë është e vendosur deri në krijimin e një qeverie teknike me mbështetje të gjerë politike që do të bëjë detyrat para shqiptarëve dhe para Europës.

Lajmi se ka shkarkuar Tahirin është në rradhë të parë një truk pë ti hedhur hi syve shqiptarëve, për ti hedhur hi syve opinionit ndërkombëtar, për ti hedhur hi syve protestuesëve që janë këtu ditë e natë për 22 ditë me rradhë. Eshtë pra, një tjetër nga ato proçkat e këtyre 4 viteve, një përpjekje mjerane për t’i shpëtuar përgjegjësisë që vetë Edi Rama ka për gjendjen ku e ka sjellë vendin, për shkallën e mosbesimit që ka përfshirë çdo shqiptar, të djathtë e të majtë, se ai mund të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme, për bindjen që ka i madh e i vogël se, vetë qenia në pushtet e Edi Ramës, përbën kërcënimin kryesor për zgjedhje të lira e të ndershme, kryesisht për shkak të lidhjes së faktuar të kabinetit të tij dhe atij vetë me krimin e organizuar që e ngriti në pushtet dhe që e liroi nga burgjet, pikërisht për interesat e tij.

Sot e deri në fitore nuk do të lodhemi së përsërituri se kjo protestë nuk bëhet për pushtetin e opozitës, për pushtetin e Partisë Demokratike, për pushtetin e Lulzim Bashës. Kjo protestë, do të përfundojë vetëm kur t’i garantojë çdo shqiptari zgjedhje të lira e të ndershme, votën e lirë. Por, duke refuzuar, siç refuzojmë sot të gjithë në bllok, truket e fasadat për ti shpëtuar përgjegjësisë, nuk mund të mos ju uroj gjithësecilit prej jush dhe ju qindra mijëra, miliona shqiptarë që jeni pjesë e kësaj lëvizjeje unike në historinë tonë kombëtare, tiu uroj, sepse sido që ta përcjellin lajmin, fakti është që për më shumë se tre vite, opozita ka kërkuar dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm, për shkak të lidhjeve të tij me krimin në mënyrë institucionale dhe ky nuk ka dëgjuar.

Prej afro dy vitesh dhe për punët dhe interesat e veta ia kërkon edhe partneri i tij në koalicion, ky jo vetëm që s’ia ka vënë veshin por i hoqi edhe Ministrin e Drejtësisë.

Prej më shumë se 6 muajsh ia kërkojnë partnerët tanë strategjikë dhe ky u tall dhe tallet me partnerët strategjikë. E pra, nëse lajmi është i vërtetë, kjo është fitorja vetëm e juaja, vetëm e bashkimit qytetar dhe është prova e qartë se forca e vetme e ndryshimit në këtë vend është bashkimi qytetar dhe kjo lëvizje popullore, por sot nuk është koha as për eufori e as për festë, është koha për një bashkim edhe më të madh, për një realizëm edhe më të qartë, se beteja që kemi përpara mund dhe do të fitohet vetëm përmes kurajos, qëndresës dhe sakrificës. Ndaj dua tju pyes sonte, siç ju pyeta në mëngjes, siç ju pyes çdo ditë, a jeni lodhur? Jo. A jeni të vendosur të qëndrojmë deri në fitore? Po.


Mesazhi i Lulzim Bashës në mbrëmje në Sheshin e Lirisë, 11 Mars 2017