Në ditën e 33-të të protestës për zgjedhje të lira e të ndershme, në Sheshin e Lirisë pati një diskutim dhe reflektim për 22 Marsin 1992, ku 25 vite më parë shqiptarët rrëzuan me votë të lirë përfundimisht diktaturën komuniste.

Historiani Romeo Gurakuqi tha se 22 Marsi shënon periudhën e ndërtimit të Shqipërisë së lirë e demokratike. Gurakuqi tha se Shqipëria sot ndodhet në një situatë të vështirë ndaj duhet një përpjekje e madhe për të themeluar një republikë të re.

Më 22 mars filloi periudha e rindërtimit institucional të Shqipërisë, bazuar në parimet e lirisë, shtetit të së drejtës, ndarjes së pushteteve, një sistemi Republikë parlamentare që respektonte liritë dhe të drejtat e njeriut. Por, sot jemi mbledhur këtu për të përkujtuar këtë datë, por njëkohësisht jemi mbledhur në kuadrin e një situate shumë të rëndë që po kalon vendi jonë, e lidhur me destabilitetin e përgjithshëm të institucioneve të shtetit, për shkak të thyerjes së parametrave themelorë të demokracisë, që lidhen me respektimin e shtetit të së drejtës, me ndarjen e pushtetit nga shteti, me ndarjen e institucioneve dhe pushteteve dhe krijimin e një sistemi pluralist të mirëfilltë që nuk është funksional në vendin tonë. Në këto rrethana, nisma për themelimin e një Republike të Re nuk është një shprehje e rastësishme kalimtare, por do ta thoja është një nismë esenciale që kërkon reflektim dhe marrjen e masave konkrete përmes konstitucionalistëve më të mirë jo vetëm shqiptarë, por do të ftoja PD-në që këtë ta bëjë përmes konstitucionalistëve më të mirë perendimorë, për ta rithemeluar Shqipërinë si një Republikë të ngjashme me të njëjtat reforma që vende të Europës Lindore, post komuniste, ato që kanë avancuar më përpara në sensin e ndërtimit të shtetit të së drejtës dhe këtu shembulli i Sllovenisë është më konkreti në rithemelimin e Republikës dhe ndërtimin e një Republike të balancuar. Një Republikë të vlerave dhe jo një Republikë të krimit të organizuar!”, tha Gurakuqi.

Rudina Hajdari ftoi protestuesit të ngrihen me mirënjohje ndaj grave e burrave shqiptarë që udhëhoqën vendin drejt fitores të plotë të demokracisë me 22 Mars 1992.

Disa prej burrave dhe grave që udhehoqën këtë lëvizje janë të pranishëm sot. Për ta, do tu ftoj që të ngrihemi dhe ti japim duartrokitje me mirenjohjen tonë më të thellë. Partia Demokratike ka akoma shumë për të bërë. Ne kemi zgjedhje për të fituar. Nuk mund të jemi utopikë ndaj kësaj beteje. Ne duhet të jemi realistë, por duhet ti qëndrojmë besnik idealeve tona deri në fitore, prandaj dhe qendrojmë ketu sepse kerkojmë zgjedhje te lira për të arritur ëndrrat që kemi sot”, tha Hajdari.

Sali Berisha, lideri historik i demokratëve dhe Presidenti i parë i Shqipërisë demokratike të dalë nga zgjedhjet e 22 Marsit, ndau me qytetarët rëndësinë e kësaj date historike. Berisha tha se kjo datë është një mesazh për shqiptarët 25 vite më pas për të mbrojtur fort liritë e tyre, për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Më 22 Mars në mbarë vendin vërshoi entuziasmi, shpresa dhe besimi i jashtëzakonshëm i shqiptarëve për një të ardhme që meritonin ndërkohë situata ishte më katastrofike se sot këtu, dhe ata që e kanë përjetuar mund ta imagjinojnë. Historia në një aspekt është arkiv dhe për këtë duhet të jemi të lumtur, por historia është edhe mesazh dhe për këtë ajo na duhet shumë”.

25 vite më pas, Berisha tha se për shkak të qeverisë aktuale, shqiptarët janë goditur në shpresën për të votuar të lirë.

Momentalisht për shqiptarët ka humbur çdo shpresë për të votuar të lirë. Sot Shqipëria, për shkak të politikave elektorale dhe kriminale të Edi Ramës është mbushur me kanabis nga thellësitë e alpeve deri në skajin jugor të vendit. Edi Rama ka vendosur para shqiptarëve, një mal parash droge, me qëllim që të shtypë votën e shqiptarëve. Njëherë shtrova pyetjen se çfarë dallimi ka ky nga narkodikatori Noriega?! Ky ishte diktator i Panamasë. Atë fillimisht e mbështetën miqtë tanë por ai punën e parë që bëri ishte mbushja e Panamasë me drogë e më pas Presidenti Bush i dërgoi marinsat dhe e kapi të strukur në bunker në shkretëtirë dhe e dënuan në SHBA me mbi 100 vjet. Do i them Edi Ramës që në mënyrë absolute ti ske asnjë dallim nga Noriega për ne. Po të duash merre si betim, si paralajmërim, po të duash si kërcënim, si të të pëlqejë por të jap fjalën se nuk do të largohesh me marinsa por do të largohesh nga këto vajza e djem në mënyrën më të mjeruar, po nuk u largove”.

Ai apeloi që të dëgjohet zëri i qytetarëve që protestojnë në çadër pasi ata janë të vendosur për çdo sakrificë që të votojnë të lirë.

Edi Rama mos mendo se do bësh zgjedhje, po ta themi këtu ke djegur çdo shans dhe shansi i yt i vetëm është të krijohet qeveri teknike, dhe pastaj të bëhen zgjedhje. Jo vetëm qeveri teknike por një qeveri që do të përcaktojë të gjitha kushtet që këto vajza, këto djem dhe këta qytetarë i gjykojnë të domosdoshme për vullnetin e tyre të lirë. Edi Rama bën mirë të dëshosh zërin e Çadrës sepse përfaqëson të ardhmen, përfaqëson atë që po lind ndërsa ti të shkuarën më të zezë të shqiptarëve. Partinë Demokratike, çadrën dhe lëvizjen sot e udhëheq një udhëheqës i ri, as i gjeneratës time dhe as i tendës. Krejt tjetër i cili doli këtu të ndërtojë një vend me vlera të vërteta europiane ndërsa ti përfaqëson xhelatët e shqiptarëve. Të këshilloj, sepse e ke vetë parasysh që e keqja nuk ka fund, duhet të mësosh nga mençuaria e popullit dhe duhet të fillojmë në krijimin e qeverisë teknike me kushte të caktuara mira që do bindin çdo shqiptar se këtu do votojnë të lirë. 22 Marsi është dita e kushtrimit, e frymëzimit, e apelit për të gjithë shqiptarët. Të gatshëm për çdo sakrificë që të votojmë të lirë, të votojmë me dinjitet për të sotmen dhe të ardhmen që meritojmë”.

Protestuesit ndoqën më pas një dokumentar mbi përpjekjet dhe arritjet e Partisë Demokratike në këto 27 vite të pluralizimit politik për zhvillimin e vendit, lirinë dhe demokracinë shqiptare.


Njoftim per shtyp 22 Mars 2017