Bashkëbisedim në Sheshin e Lirisë për një prej problemeve më të mprehta të tranzicionit. PD nuk e zgjidhi dot plotësisht cështjen e pronave, por ka një plan realist dhe të zbatueshëm. Rama ka projekt për shpronësim të ri. Zgjidhja vjen me votë të lirë e të ndershme
Paraditen e 35-të në sheshin e lirisë, në qëndresën për zgjedhje të lira e të ndershme, qytetarët diskutuan rreth problemit të vazhdueshëm të pronave në Shqipëri. Gazmend Bardhi, këshilltar ligjor i grupit parlamentar demokrat, bashkëbisedoi me pronarë të shpronësuar nga periudha e komunizmit, të cilët ende sot nuk i kanë zgjidhur problemet me pronat.
Familjet e pronarëve, të shpronësuar nga periudha e diktaturës, treguan eksperiencën e tyre ndër vite të fatit të pronave të tyre. E drejta e pronës, e barabartë me atë të jetës, i është mohuar prej vitesh pronarëve të cilët ende nuk janë shpërblyer apo kompensuar me ardhjen e demokracisë.
Kryefamiljari i familjes Plaku nga Konispoli i Sarandës tregoi për persekutimin e vuajtur gjatë komunizmit, të cilit demokracia nuk i ktheu atë cfarë i takonte.
“Në ’90 e mirëpritëm demokracinë por për fatin e keq, ajo pronë neve nuk na është kthyer akoma sot, përjashtuar një shtëpi e cila i ka shërbyer zonës si shkollë. Pronë e vënë me djersën e ballit e duke u kujdesur deri tek kokrra e fundit e ullirit. Gjëra të vogla të cilat familjen tonë e kanë goditur shumë rëndë. Babai im ka kontribuar në luftën nacional clirimtare”.
Gazmend Bardhi tha se edhe Partia Demorkatike, në 8 vitet në pushtet, nuk e zgjidhi dot përfundimisht problemin e pronave, megjithë bilancin, edhe pse cështja e pronave u trajtua. Qeveria e sotme, ashtu si edhe në periudhën 98-2005 kur socialistët ishin në pushtet, nuk ka bërë asgjë, nuk ka zgjidhur asnjë rast. Sot, ai ligj, pavarësisht premtimeve elektorale të Kryeministrit, mbetet ende një ligj i papërfunduar dhe i kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese.
“Është e vërtetë që ne kemi qenë 8 vite në qeveri dhe për fat të keq nuk arritëm të zgjidhnim problemin e pronës. Dhe një nga arsyet themelore që ka ndikuar në moszgjidhjen përfundimtare të kësaj cështjeje ka qenë vendimi politik për t’i kthyer 100% pronën qytetarëve shqiptarë. Sigurisht ne mund të kishim zgjedhur modelin rumun që e kthente pronën vetëm në 20% të masës që ishte shpronësuar gjatë regjimit komunist por vendimi politik ishte që prona e marrë dhe e grabitur nga komunizmi, duhet t’u kthehej 100% pronarëve të ligjshëm. Sepse e drejta e pronës ka të njejtën vlerë si e drejta e jetës dhe si e tillë as nuk mund të merret dhe as nuk mund të mohohet”, tha Bardhi.
Teuta Kalakula nga Durrësi tregoi se si kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, pa njoftim dhe paralajmërim, i dhunoi pronën përmes një firme private.
“Në janar të 2016, lali Eri na dhunon pronën pa na njoftuar dhe pa na marrë leje. Ne hodhëm në gjyq Bashkinë dhe firmën FUSHA SHPK, firmën aktuale që kryen punimet. Por gjykimi ndërpritet sepse ata që kanë marrë lejen nuk vijnë në gjyq, ashtu si edhe Bashkia nuk vjen në gjyq. Prona dhunohet, pa njoftim dhe as nuk na dëmshpërblejnë”.
Gazmend Bardhi tha se kabineti “Rama” e nisi me shpronësimin e pronarëve të ligjshëm dhe përfundoi me zgjidhje, ku pronarëve të cilëve iu mohua e drejta e pronës për 45 vjet, sot, i propozohet vetëm kompensim i pjesshëm.
“Qeveria pronarëve i propozoi një të dhjetën e cmimit real që prona ka sot. Kjo u kundërshtua nga pronarët gjatë draftimit të ligjit dhe sigurisht u mbështet edhe nga Partia Demokratike. Pronarët kanë të drejtë të marrin pronën e tyre 100%”.
Ligji i kabinetit ‘Rama’ propozon për pronarët atë cka mund të quhet si një shpronësim i dytë.
“Rama propozon që kur prona të ishte e lirë, të mos ia kthente pronarit, por t’a kalonte atë në fond shtetëror dhe t’ju shpërblente apo kthente atë pjesë të pronës që korrespondonte me vlerën e pronës në vitin ’45 kur ua mori Enver Hoxha”.
Hamdi Kaziu, ish i burgosur politik me 4 vetë të arrestuar në shtepi, tregon se si persekutimi i periudhës së komunizmit, i rikthehet në formë terrori në kohë demokracie.
“Ajo që më sjell mua këtu është terrori që është bërë këto 4 vjet. Mua më kanë shembur shtëpinë me leje ndërtimi, me pronë të vitit ’33. Erdhën të shembnin shpinë të armatosur deri në dhëmbë. Më rrethuan dhe më kërcënuan se do më shoqëronin në rajon. Gruaja ime, me tre të pushkatuar në shtepi, që ka punuar 40 vjet në kombinatin e tekstilit, sot nuk ka vend ku fle. Ngjit me mua është një pallat i 12 komunistave deputetë. Pallat i paligjshëm. Pse nuk e shembin atë dhe shembin shtëpinë time e cila ka leje, projekt dhe cdo dokument tjetër”.
Gazmend Bardhi tha se edhe për shkak të gabimeve të periudhës kur pushtetin e kishin demokratët, problem i pronave nuk u zgjidh në mënyrë përfundimtare. Ju kërkojmë ndjesë për këtë – tha Bardhi. Sot për arsye jo legjitime, për vonesa të shkaktuara nga shkelja e të drejtës themelore të pronës, Rama ktheu formulën e komunizmit dhe qeverisjes në diktaturë që bënte shpronësimin e pronarëve të ligjshëm.