Pedagogë, profesionistë, studentë dhe qytetarë të thjeshtë bashkëbiseduan në sheshin e lirisë, në ditën e 36 të protestës, lidhur me situatën e drogës dhe pasqyrimin e saj në raportet ndërkombëtare, si ai i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Europol, dhe inkrimnimin e jetës politike dhe institucioneve në vend.
Ish-dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Altin Shegani, theksoi tre momente kryesore nga raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit mbi situatën në Shqipëri.
“Tre moment të rëndësishme që kulmojnë në një trekëndësh që në thelbin e tyre janë edhe baza e zgjedhjeve të lira. Së pari, është defiçenca dhe rënia e integritetit dhe besueshmërisë së institucioneve politike në Shqipëri. Moment i dytë, është pesë-fishimi i sasisë së drogës, që qarkullon në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe që ndikon kuadrin gjeografik të fqinjëve tanë. Dhe një moment tjetër i rëndësishëm është shkalla e lartë e korrupsionit, dendësia e të cilit ka ardhur në rritje. Vota e lirë dhe zgjehjet e lira, janë kushtetuta e çdo demokracie politike, e ka thënë Monteskje, e ka thënë Hans Kenzel, gjithë filozofët dhe politikanët që besojnë se shteti i së drejtës është formula më e mirë për funksionimin më efiçent të një dmeorkacie politike”.
Lorenc Danaj, pedagog i procedurës penale në Universitetin e Vlorës, tha se protesta e qytetarëve në sheshin e lirisë po shkund themelet e kësaj qeverie e cila punon vetëm për interesin e saj dhe kriminelëve të veshur me pushtet.
“Kjo protestë, partisë në pushtet ia ka thyer njërën këmbë, vazhdimi i kësaj proteste duhet të vijojë për ti thyer edhe këmbën tjetër deri në rrëzimin e strukturës kriminale”. Danaj vlerësoi protestën që po mbahet në Sheshin e Lirisë, si një lëvizje që po parandalon vjedhjen e votës që ka ndërmend qeveria.
Klodi me profesion avokat, tha se Shqipëria nuk është ajo e përfaqësuar nga kriminelët e Parlamentit, por është vend i cili e urren krimin dhe drogën dhe kërkon instalimin e një shteti të se drejtës.
“Kam parë njerëz të futur në burg sepse skishin mundësi të paguanin energjinë elektrike, nga ana tjetër, kam parë kriminelë e trafikantë droge të cilët mbroheshin nga strukturat drejtuese në pushtet. Kjo situatë nuk vjen rastësisht.  Shumë qytetarë duhet të kuptojnë që prej zgjedhjeve të lira vjen dhe zhvillimi dhe mirëqënia. Dhe ne ndaj jemi këtu për tu treguar se Shqipëria e urren krimin, e urren drogën”.
Bergin Shehu, student i sapo diplomuar për drejtësi i drejtoi kryetarit Lulzim Basha dy pyetje, ku kërkoi të dijë nëse Republika e Re do të ngjallë shpresën tek rinia dhe do të garantojë që kriminelët të mos përfshihen më në politikë e aq më pak në Parlament.
Lulzim Basha, në përgjigje ndaj pyetjeve të studentit, theksoi burimin e çdo sistemi të lirë dhe demokratik: zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
“Nëse jemi këtu sot, jemi mbledhur pikërisht që përmes Republikës së Re ti japim shpresë dhe jetë kësaj ëndrre të re që ngjan shumë me shpresën dhe ëndrrën e para 27 viteve, por sot dimë më shumë, jemi më të përgatitur, kemi parë dhe shijuar standardin europian të lirive e të demokracisë, të tregut të lire. Jemi këtu në këtë shesh, sepse kemi lidhur besën me njëri-tjetrin dhe me çdo shqiptar të djathtë e të majtë, se nuk do të pranojmë asnjë standard më të ulët se standardi që kanë italianët, grekët, holandezët, gjermanët, amerikanët, për demokracinë e tyre, për votën e tyre dhe për përfaqësimin e tyre dhe A-ja e kësaj është cilësia e përfaqësimit në të gjitha forumet që marrin vendime për shqiptarët dhe në emër të shqiptarëve, duke nisur me parlamentin e Shqipërisë”.
Lulzim Basha deklaroi se Parlamenti i Shqipërisë do të jetë i pastër nga krimi vetëm kur shqiptarët të votojnë të lirë dhe për këtë Partia Demokratike kërkon të vendosë një standard.
“Së dyti, në këtë nivel përfaqësimi, përmes këtij mekanizmi do të synohet cilësia më e lartë në komunitet, po kështu edhe pastërtia e motiveve, çiltërsia që është e vetëkuptueshme tek brezi i ri i shqiptarëve. Prandaj kam kërkuar që të paktën Partia Demokratike e Shqipërisë, partia historike e pluralizmit, të vendosë një standard duke nisur nga zgjedhjet e ardhshme, për përfaqësimin e të rinjve dhe të rejave shqiptare, duke i propozuar shqiptarëve një të tretën e kandidatëve të ardhshëm të PD nga rinia, nën moshën 35 vjeç”.
Për Bashën vendosja e standardit nuk është fundi, por fillimi i një pune të madhe ku nuk mjafton vetëm motivimi, nuk mjafton vetëm vendosmëria por duhet patjetër edhe mençuria për të kapërcyer një nga një të gjitha etapat dhe sfidat me të cilat janë përballur edhe shoqëritë perëndimore për të siguruar produktin për të cilin jemi sot këtu.


Njoftim per shtyp 25 Mars 2017