Fjala e deputetit të Partisë Demokratike Eduard Halimi përpara gazetarëve:
Vreri dhe hakmarrja politike, kanë verbuar Edi Ramën, i cili po shkel çdo ditë Kushtetutën e vendit dhe të drejtat kushtetuese të qytetarëve shqiptare. Ashtu siç deklaroi dhe sot dhe po vepron prej 2 javësh, Edi Rama çdo ditë po anulon koncesionet e biznesit duke kërcënuar drejtpërdrejt, Kushtetutën e vendit, themelet e shtetit ligjor, ekonominë e vendit, biznesin dhe gjithë qytetarët shqiptarë.
Bisnesi shqiptar, nëpërmjet koncesioneve të miratuara nga qeveria, ka fituar një të drejtë ligjore dhe kushtetuese që përbën garantimin e sigurisë juridike në një vend demokratik dhe shtet ligjor. Këto të drejta të fituara, nuk mund të injorohen, të mohohen apo shkelen, sepse në të kundërt, dhunohet drejpërdrejt parimi kushtetues i sigurisë juridike.
Por Rama, i verbuar nga hakmarrja primitive, po shkel në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e vendit, të drejtat e biznesit shqiptar, duke i shembur atyre, parimin e sigurisë juridike, shtyllën kryesore ku bazohet kushtetuta e vendit, shteti ligjor, në një republikë parlamentare.
Kushtetuta e vendit parashikon që në preambulën e saj dhe në nenin 4, se e drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit. Liria, te drejtat, pronat e fituara te qytetareve shqiptare, nuk mund të preken, përcakton qartë neni 41 e 42 i Kushtetutës së vendit. Kufizime të të drejtave të fituara nuk mund të vendosen, përveçse me ligj, dhe nuk duhet të shkelin parimet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Vullneti politik apo dëshirat personale të një individi të veshur me pushtet publik, hakmarrja primitive, nuk mund të përbëjë bazë për ushtrimin e një veprimtarie publike dhe te shembin ekzistencen e shtetit ligjor. Parimi i shtetit të së drejtës ku mbështetet një shtet demokratik, nënkupton sundimin e ligjit dhe mënjanimin e arbitraritetit, garantimin i dinjitetit njerëzor, drejtësisë dhe sigurisë juridike te qytetareve shqiptare.
Garantimi i sigurisë juridike, si e drejtë e fituar, është trajtuar jo më pak se 5 herë në 10 vitet e fundit nga Gjykata Kushtetuese e vendit, e cila ka theksuar qartë dhe pastër, në të paktën 5 vendime se (citoj): Siguria juridike është ndër elementet thelbësorë të shtetit të së drejtës. Kjo siguri presupozon besueshmërinë e qytetarëve tek shteti dhe pandryshueshmërinë e ligjeve apo akteve te qeverise për marrëdhëniet e rregulluara. Besueshmëria ka të bëjë me faktin se qytetari nuk duhet të shqetësohet vazhdimisht për ndryshueshmërinë dhe pasojat negative të akteve te qeverise që cenojnë dhe përkeqësojnë një gjendje të vendosur me akte të mëparshme. Nëse masat e marra shpien në përkeqësimin në mënyrë të paarsyeshme të gjendjes ligjore të personave, mohojnë të drejtat e fituara ose injorojnë interesat legjitime të këtyre, atëherë do të dhunohet parimi kushtetuesi sigurise juridke përbën në vetvete bazë të mjaftueshme për deklarimin e një ligji apo vendim qeverie si antikushtetues” thote Gjykata Kushtetese.
Dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese të vendit sipas nenit 132 pika 1 e Kushtetutës, kanë fuqi detyruese të përgjithshme, (përfshi kryeministrin, ministrat apo të gjitha ata që i binden verbërisht atij.) Këto vendime, janë përfundimtare. Anulimi i koncesioneve që po bëhet nga verbëria e hakmarrjes primitive të Edi Ramës, është tërësisht, kryekëput një veprim i kryer në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e vendit, dhe të paktën 5 vendime të Gjykatës Kushtetuese, 20/2006, 9/2007, 36/2007, 10/2008, 27/2010, pa përmendur këtu me dhjetra vendime të GJEDNJ-së, vendime këto që mbrojnë Kushtetutën, shtetin ligjor, sigurinë juridike, sistemin ekonomik të vendit, mbrojnë biznesin dhe qytetarët nga arbitrariteti i verbër i një politike hakmarrëse dhe dhunuese të biznesit. Vendime këto që kanë fuqi detyruese dhe kanë një qëllim të vetëm: Garantimin e dinjitetit njerëzor, drejtësisë dhe sigurisë juridike te qytatareve shqiptare.
Anulimi antikushtetues i koncesioneve, po trondit deri në palcë stabilitetin ekonomik të vendit, po shkatërron themelet e shtetit ligjor, dhe po i shkakton biznesit një dëm financiar të jashtëzakonshëm. Ky dëm antikushtetues dhe antiligjor që po i shkaktohet biznesit dhe ekonomisë së vendit, padyshim që do të paguhet siç parashikojnë me dhjetra vendime të GJEDNJ-së, të Gjykatës së Arbitrazhit Ndërkombëtar dhe të paktën 5 vendime të Gjykatës Kushtetuese të vendit, që kanë fuqinë e ligjit. Por për këtë dëm financiar të jashtëzakonshëm, antikushtetues dhe antiligjor, që po shkakton Edi Rama me arbitraritetin e vetë, do të paguajë buxheti i shtetit dhe jo buxheti i Ramës. Do të paguajnë qytetarët shqiptarë me taksat e tyre, me paratë e tyre, nga xhepat e tyre dhe jo xhepi i Ramës apo ministrave të tij, që po dhunojnë Kushtetutën dhe ligjin.
Ligji dhe Kushtetuta janë të barabartë për të gjithë. Kush shkel ligjin dhe Kushtetutën duhet të përgjigjet. Vreri dhe hakmarrja primitive nuk e justifikojnë delikuentët nga ndëshkimi i ligjit. Nënshtrimi ndaj urdhërit antikushtetues të shefit, nuk përjashton askënd nga përgjegjësia penale. Verbëria dhe arbitrariteti që po i shkakton dëm dhe po i merr paratë taksapaguesve shqiptarë, do të dëmshpërblehet. Dëmi që po u shkaktohet, duhet të garantohet, dhe pasuritë e Ramës dhe gjithë atyre që marrin pjesë në këto veprime antikushtuese, nuk do të mjaftonin për tu siguruar qytetarëve shqiptare dëmshpërblimin e kësaj që po i bën Edi Rama dhe të gjithë atë që verbërisht po i firmosin urdhërat e tij primitive. Kushtetuta, siguria juridike dhe paratë e qytetarëve, po kërcënohen. Ora e drejtësisë, Kushtetutës dhe ligjit, do të bjerë mbi këdo.