Më lejoni të përshëndes në veçanti sot, familjarët, prindërit, të afërmit e katër dëshmorëve të 2 prillit, heronjve të demokracisë, që i përkujtojmë sot si çdo 2 prill, me një ndjenjë të thellë e të vazhdueshme, dhimbje, malli, por edhe krenarie dhe mirënjohje të thellë kombëtare patriotike dhe qytetare. Dita e sotme është jo vetëm për Shkodrën por për mbarë Shqipërinë, kujtesa e çmimit të lartë që ky popull është gati ta pagojë për liri dhe demokraci.
E në veçanti e stolis këtë sakrificë në altarin e demokracisë karakteri, trimëria, vendosmëria, fisnikëria e katër engjëjve të 2 Prillit, Arben Brocit, Bujar Bishanakut, Nazmi Kryeziut dhe Besnik Cekës. Kujtimi i tyre nuk zbehet por stolis në çdo 2 prill që vjen, krenarinë e atyre që patën fatin t’i njohin, dhe kujton të gjithë të tjerët e në veçanti rininë shqiptare, siç dhe duhet ta kujtojë sot dhe 25 vjet pas, thënien e madhe të një prej udhëheqësve të botës së lirë, të Presidentit Ronald Regan, se; liria është gjithmonë një gjeneratë larg zhdukjes, apo ajo që ne shqiptarë e dimë fare mirë, se kur nuk luftohet për lirinë, ajo është e kërcënuar, e rrezikuar të zbrapset dhe të zhduket.
Sot në 2 prill 2017, 44 ditë pas nisjes së betejës fisnike popullore dhe kombëtare për lirinë e votës, shqiptarët nuk janë të ndarë, por janë të bashkuar më shumë se kurrë më parë, duke ruajtur brenda vetes harmoninë dhe pluralizmin e mendimit dhe të bindjeve, por të bashkuar kombëtarisht, atdhetarisht, demokratikisht për të mbrojtur me çdo kusht dhe me çdo çmim, vlerat themelore të bashkëjetesës demokratike, që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, demokracia e vërtetë dhe liria e vërtetë.
Ky bashkim i madh popullor nuk vjen thjesht dhe vetëm si një zotim i atyre që mbajnë mend atë që diktatura shkaktoi në këtë vend, i më të rriturve që e dinë se një vend nuk mund të bëjë përpara, e do të përjetojë krizë pas krize, nëse nuk garanton demokracinë, por, edhe i të rinjve dhe të rejave shqiptare të cilët kanë qenë balli i protestës që më 18 shkurt, e vazhdojnë të jenë balli i kësaj lëvizje të madhe kombëtare dhe demokratike.
Sepse, Shqipëria është sot e kërcënuar përsëri nga politika e lidhur me krimin. Njësoj si 27 vite më parë, kur krimi dhe kriminelët e diktaturës 45 vjeçare ngritën dorën për të derdhur gjakun e pafajshëm të katër engjëjve të demokracisë dhe qindra qytetarëve të pafajshëm të Shkodrës, mes tyre qindra gjimnazistë dhe student, edhe sot, një aleancë e ripërtërirë e të njëjtëve pushtetarë dhe bijve të tyre, tashmë jo me krimin idelogjik, por me krimin e organizuar dhe narkomafian shqiptare, kërcënon sërish demokracinë dhe vlerat e saj.
Të gjithë e dimë që demokracia, vota e lirë, zgjedhjet e lira dhe qeveria që del prej tyre, njësoj si qeveria që largohet me votën e lirë, janë të vetmet mekanizma të shoqërive të civilizuara, për të garantuar zhvillim, paqe, përparim, mirëqenie, për të zhvilluar vendin dhe për të garantuar harmoninë sociale.
Por, po kështu, e dimë dhe e kemi mësuar akoma më mirë këto katër vite, se kur krimi ngrihet në pushtet dhe kur pushteti bëhet njësh me krimin, nuk ka dhe nuk mund të ketë as paqe, as harmoni sociale, as ekonomi të zhvilluar, as vende të reja pune, as rritje rrogash dhe pensionesh, as shëndëtesi, as arsim, por ka dhe do të ketë vetëm padrejtësi, krim, papunësi, ekonomi të dobët, emigracion dhe vrasje shprese. Këto dhe vetëm këto janë bëmat e shtetit të inkriminuar që Edi Rama ngriti me duart e tij në këto katër vite.
***
Ndaj, sot nga funerali i rilindjes pak kilometra nga ky shesh i lirisë, nga funerali i rilindjes i mbushur me njerëz të administrates, që me të vërtetë në fytyrat dhe në sytë e tyre dallohej përzierja e hidhërimit dhe e gëzimit që po përcillnin rilindjen e vdekur, Edi Rama u përpoq të mbronte shtetin e krimit që me duart e tij dhe të një çete kriminelësh ndërtoi në këto katër vite, sepse, për të, vetëm krimi dhe aleanca me krimin e shpëtojnë nga gjykimi i popullit me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ai e di fare mirë se, nuk ka asnjë shans, asnjë shans ti shpëtojë gjykimit popullor me votë dhe as gjykimit të drejtësisë së pavarur, përveçse me aleancën e tij me krimin e organizuar dhe narko-mafian shqiptare.
Por, e ka gabim, e ka dramatikisht gabim kur mendon se tani që po vjen ora e zgjidhjes së madhe, ora e gjykimit popullor, do të mund ta hedhë lumin siç bëri rëndom në këto katër vite duke i hipur kalit të krimit, kalit të narkotrafikut, kalit të kriminelëve me damkë që përfaqësojnë llumin dhe antivlerat kudo ku janë.
Vendimi i marrë është kategorik. Ne do të shpartallojmë lidhjet e qeverisë me krimin dhe prandaj kushti i patejkalueshëm për zgjedhje të lira dhe të ndershme është një qeveri e palidhur me krimin, një kryeministër i palidhur me krimin, prandaj Edi Rama duhet dhe do të largohet, si kusht për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Aleanca e tij me krimin e fundosi Shqipërinë, e ktheu në vendin më problematik për drogën, më problematik për krimin, më problematik për larjen e parave, e ktheu në vendin më të mjeruar ekonomikisht, në vendin me emigracionin më të lartë në Europë, madje duke konkuruar edhe Sirinë që është në luftë civile.
Sot, në vend që ti kërkojë falje shqiptarëve, në vend që ta kuptojë se qeveria teknike është mbi të gjitha formula për t’i shpëtuar kokën atij dhe bandës që e rrethon, formula e vetme që garanton një zgjidhje paqësore dhe demokratike të krizës dhe zhbllokon rrugën Europiane të Shqipërisë, krekoset dhe kërcënon më keq se mbeturinat e diktaturës, të cilës i dhamë fund 26 vite më parë. E pra, le ta ketë të qartë se sot jo vetëm për demokratët, jo vetëm për opozitën, por për shqiptarët e ndershëm kudo ku janë, të djathtë e të majtë dhe për partnerët ndërkombëtarë që vlerësojnë dhe duan një Shqipëri demokratike, europiane dhe të zhvilluar; pengesa, bllokimi, problemi kryesor dhe numër një i Shqipërisë për rrugën e saj europiane ka një emër, dhe ky është Edi Rama.
***
Nuk do të ketë zhvillim, nuk do të ketë punësim, nuk do të ketë shërbime, nuk do të ketë pensione të larta po nuk e këputëm lidhjen e krimit me politikën dhe të politikës me krimin. Dhe kjo mund dhe do të arrihet vetëm me zgjedhje të lira e të ndershme, të cilat mund dhe do të arrihen vetëm nga një qeveri teknike, që ka kohën e mjaftueshme, të këpusë një herë e përgjithmonë lidhjet e politikës me krimin.
Ndaj, ftoj sot, me 2 Prill, në këtë ditë të madhe të historisë tonë, të bashkohemi të gjithë, të gjithë faktorët politikë, të gjithë faktorët qytetarë, përballë marrëzisë, përballë dinakërisë, përballë mizorisë së një njeriu i cili dëshiron ta mbajë pushtetin e tij të inkriminuar në këmbë me zor, me dhunë dhe pa zgjedhje të lira e të ndershme, pa garë të ndershme dhe pa opozitë.
Le të bashkohemi të gjithë, duke treguar me gisht pengesën e vetme dhe duke bërë gjithçka për largimin e kësaj pengese një orë e më parë. I mirëpritur dhe e mirëpritur është çdokush që e ka kuptuar tashmë se për ankthin, pushtetin dhe pasurinë e Edi Ramës, nuk mund të varrosim shpresat, ëndrrat dhe projektet e e të gjithë shqiptarëve, nuk mund të zhbëjmë demokracinë 27 vite pas Dhejtorit 1990, nuk mund të kthehemi në ditët kur kishte votime por jo zgjedhje, nuk mund të kthehemi në ditët e partisë shtet.
Sa për ne që jemi këtu në këtë shesh, vendimi është i qartë, ne do të jemi këtu deri sa një qeveri teknike pa Edi Ramën të marrë mandatin popullor për të këputur lidhjet e krimit, pë të luftuar paratë e drogës dhe për të krijuar kushte për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe kjo, nuk ka se si të arrihet për sa kohë që ditët dhe javët që qytetarët i vunë në dispozicion Edi Rama i keqtrajtoi i abuzoi dhe i shpërdoroi me broçkulla dhe mashtrime.
Prandaj i garantoj qytetarët shqiptarë se beteja jonë, beteja juaj dhe zotimi im, sot janë më të forta se kurrë. Qeveri teknike me kohë të mjaftueshme për të kryer detyrat e saj. Ndaj nuk ka dhe nuk do të ketë zgjedhje me 18 Qershor. Qeveria teknike duhet të ketë të paktën 100 ditë në dispozicion për të këputur lidhjet kriminale dhe për të çmontuar aparatin mafioz dhe narkotrafikantë që mban Edi Rama në pushtet.
Edhe njëherë, i bëj thirrje ti vërë gishtin kokës e ta kuptojë se këto kushte demokratike që populli ka vendosur për zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk janë thjeshtë dhe vetëm rrugëzgjidhja dhe rrugëdalja për Shqipërinë europiane, por janë edhe shansi i tij i fundit për të mos përfunduar siç përfundojnë diktatorët e marrë që dëshirojnë t’i marrin liritë dhe demokracinë popullit. Thirri mendjes sa nuk është vonë. Beteja jonë ka nisur dhe do të përfundojë vetëm me fitore.
Fjala e Lulzim Bashes ne Sheshin e Lirisë, 2 Prill 2017