Pasditen e 2 Prillit në Sheshin e Lirisë qytetarëve i’u bashkuan familjarët dhe miqtë e katër dëshmorëve të demokracisë, Arben Broci, Bujar Bishanaku, Besnik Ceka dhe Nazmi Kryeziu. Të mbledhur për të kujtuar me mirënjohje sakrificën e bijve shkodran të vrarë pabesisht nga regjimi komunist, në Sheshin e Lirisë, në nderim të tyre u mbajt një minutë heshtje.

Në kujtesë të ngjarjeve të 2 Prillit 1991 ku regjimi komunist vrau katër të rinjtë shkodran, që dolën në emër të lirisë dhe demokracisë,Rajmonda Marku dhe Jozef Shiroka treguan në vargje përjetimet e asaj dite.

Mamaja e Besnik Cekës tha se sot shqiptarët duhet të çojnë deri në fund amanetin e bijve të tyre, të cilët ranë dëshmorë për t’i sjellë vendit lirinë dhe demokracinë.

“Bijtë tanë ranë për një demokraci të vërtetë, të pastër. Amaneti i tyre duhet të shkojë deri ne fund. 4 dëshmorët u vranë, por fituan, nuk dolën të humbur. Ata nderohen nga Shkodra dhe nga e gjithë Shqipëria. I bëj thirrje PD dhe shqiptarëve,të majtë e të djathtë qofshin, të dalin nga Parlamenti nëse janë të inkriminuar sepe ata që udhëhoqën masakrën e 2 Prillit, sot janë në Parlament. Shqipëria nuk ndahet veri-jug siç përpiqet ta ndajë kryeministri”.

Vëllai i Nazmi Kryeziut tha se për të, nuk ka ndryshim 2 Prilli sot me atë që i shkuli të vëllain nga djepi i familjes, pasi ata që kanë qënë dje në pushtet, janë edhe sot, me në krye, ministrin e brendshëm të asaj kohe, që është sot edhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi.

Edhe rinia shkodrane që nuk i ka jetuar ato ditë tmerri, sot ndihet e frikësuar. Mbesa e të rënit Besnik Ceka tha se rinia sot ka frikë të flasë apo protestojë, nga frika se nesër i heqin nga puna. Mbesa e Bujar Bishanakut thirrjen ia drejtoi çdo të riu e të reje shkodrane e shqiptare: Mos u shisni o shqiptarë, sepse kështu shisni shqipërinë dhe ata që do e blejnë, do ta shesin përsëri nesër.

Kryetari Lulzim Basha tha se kujtimi i Arben Brocit, Bujar Bishanakut, Nazmi Kryeziut dhe Besnik Cekës nuk zbehet, por ngjall çdo 2 Prill krenarinë e atyre që patën fatin t’i njohin dhe i kujton gjithë të tjerëve shprehjen e Ronald Regan, se liria është gjithmonë një gjeneratë larg zhdukjes.

“Shqipëria është sot e kërcënuar përsëri nga politika e lidhur me krimin. Njësoj si 27 vite më parë, kur krimi dhe kriminelët e diktaturës 45 vjeçare ngritën dorën për të derdhur gjakun e pafajshëm të katër engjëjve të demokracisë dhe qindra qytetarëve të pafajshëm të Shkodrës, mes tyre qindra gjimnazistë dhe studentë, edhe sot, një aleancë e ripërtërirë e të njëjtëve pushtetarë dhe bijve të tyre, tashmë jo me krimin idelogjik, por me krimin e organizuar dhe narkomafian shqiptare, kërcënon sërish demokracinë dhe vlerat e saj”.

Zoti Basha tha se Kryeministri, në vend që të mendojë për kërkesat e qytetarëve, i kërcënon ata sot, më keq se mbeturinat e diktaturës 26 vite më parë.

“I mirëpritur është çdokush që e ka kuptuar tashmë se për ankthin, pushtetin dhe pasurinë e Edi Ramës, nuk mund të varrosim shpresat, ëndrrat dhe projektet e të gjithë shqiptarëve, dhe nuk mund të zhbëjmë demokracinë, 27 vite pas Dhejtorit 1990. Nuk mund të kthehemi në ditët kur kishte votime, por jo zgjedhje, nuk mund të kthehemi në ditët e partisë shtet”.

Lulzim Basha tha se për qytetarët e 44 ditëve të qëndresës popullore, zgjidhja është e qartë, por koha po skadon.

Kryetari i Opozitës theksoi se nuk do të ketë zgjedhje më 18 qershor dhe se qeveria teknike, duhet të ketë të paktën 100 ditë në dispozicion për të këputur lidhjet kriminale me pushtetin.


Njoftim per shtyp 2 Prill 2017