Deklarata për media e deputetit të Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi:
Ditët e fundit doli sheshit farsa e Partisë Socialiste për gjoja paanshmërinë dhe apolitizmin e anëtarëve të saj në KQZ. Këto ditë Edi Rama shpërbleu me poste të larta në administratë ish-anëtarët e saj në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve për bllokimin që ata i bënë Komisionit.
Denar Biba dhe Albana Shtylla, me urdhër të Edi Ramës, bllokuan vendimmarrjen e KQZ-së, dhe me urdhër të tij braktisën detyrën në KQZ duke u dorëhequr në të njëjtën kohë. Këtë e bënë me pretendimin se ishin apolitikë. Me këtë veprim militant të dënueshëm ligjërisht, ata shkatërruan për llogari të Partisë Socialiste shkallën e parë ankimore, KQZ-në, me qëllim e vetëm që të varrosnin provat e vjedhjes prej tyre të mijëra votave dhe të një mandati në Lezhë si dhe shumë shkelje në zonat e tjera.
Për këtë sjellje, këta anëtarë të KQZ-së meritonin ndëshkim sipas Kodit Zgjedhor. Por Edi Rama po i shpërblen për punën prej militanti të zellshëm politik. Ashtu sic dhanë dorëheqjen njëkohësisht, po njëkohësisht Denar Biba u emërua Kryetar i Komisionit të Prokurimeve Publike, ndërsa Albana Shtylla u emërua Sekretare e Përgjithshme e Kuvendit. Po kështu Ilirjan Muho u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Hipotekave.
Sot nuk ka më shqiptar që ta besojë farsën komiko-tragjike të pavarësisë dhe depolitizimit te KQZ-së, që luajtën në Prill 2013 këta militantë partiakë, sipas regjisë së Edi Ramës. Shpërblimi i tyre me poste kyçe tregon haptazi se gjithçka bënë këta individë, e bënë si marioneta politike të mazhorancës së sotme.
Edi Rama po shpërblen kësisoj guerrilasit militantë që i shërbyen atij për të minuar parimet e zgjedhjeve demokratike, konsensusit dhe të shtetit të së drejtës. Me të tilla marioneta dhe mbi të tilla parime është bazuar rilindja e administratës së tij politike.