Mesazhi i Lulzim Bashës në ditën e 49-të të protestës për zgjedhje të lira e të ndershme
Dita e sotme, agimi i sotëm e afron më shumë orën e fitores së lëvizjes më të madhe popullore, ditën e fitores së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, vetëm me një qeveri teknike me mbështetje të gjerë politike e cila do të bëjë të mundur largimin e kriminelëve nga institucionet, do të luftojë drogën dhe do të krijojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Nuk ka shqiptar dhe shqiptare që nuk e di zezanën e drogës dhe krimit, që është gjëma më e madhe që qeveria e Edi Ramës i shkaktoi Shqipërisë dhe shqiptarëve.
As kriminelët nuk erdhën vetë në institucione dhe as droga nuk mbiu nga shiu e nuk u rrit nga dielli. Kriminelët në institucione i solli Edi Rama për të mbajtur pushtetin e tij politik, dhe me kriminelët shkatërroi totalisht institucionet shqiptare, ekonominë shqiptare, liritë dhe të drejtat e shqiptarëve dhe e mbushi Shqipërinë me drogë.
Këtë ne e kemi denoncuar që ditën e parë. Na u desh një punë e madhe por sot Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës në raportet e tyre më serioze për drogën dhe krimin e kanë konstatuar të zezë mbi të bardhë gjendjen dramatike të vendit.
E pra, droga dhe krimi, janë dy arsyet e jashtëzakonshme për kërkesën tonë për zgjidhje të jashtëzakonshme, ndaj kërcënimit të jashtëzakonshëm për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kërkesa jonë, vendimi jonë nuk ndryshon; vetëm qeveri teknike.
Ka miq dhe dashamirës të Shqipërisë që për një arsye apo një arsye tjetër nuk kanë informacionin e plotë, me ta kemi e duhet të kemi durim, me ta kemi e duhet të kemi të hapur rrugën e dialogut për t’i informuar mbi këto të zeza që i janë shkaktuar Shqipërisë nga droga me lidhje qeveritare.
Por ka edhe të tjerë që nuk duan të informohen. Atyre, pavarësisht se nga vijnë dhe çfarë posti mbajnë u them: Të mbyllësh sytë para krimit dhe drogës, dhe kërcënimit që këto sjellin për votën e lire, do të thotë që je ose i papërgjegjshëm, ose i korruptuar nga paratë e narkomafies shqiptare.
Nga kjo betejë, ky bashkim i madh popullor, kjo lëvizje e madhe popullore nuk mund të kthehet përveçse me fitore totale, që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Nuk mund të dorëzohet kauza e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në duart e atyre që shkaktuan drogën duke sjellë krimin në pushtet.
Ndaj rruga e vetme është largimi sot, një orë e më pare, i Edi Ramës nga karrigia kryeministrore dhe hapja e rrugës për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Për fat të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve, nuk kanë munguar e nuk mungojnë miqtë e vërtetë të Shqipërisë, të cilët i kanë dhënë mbështetje totale të kauzës së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kauzës së dekriminalizimit, luftës pa kompromis kundër drogës dhe korrupsionit qeveritar, që synon të shkatërrojë zgjedhjet e shqiptarëve.
Këta miq, kanë folur nga kryeqytetet e tyre, kanë dërguar mesazhet e tyre të përshëndetjes dhe mbështetjes së protestës, dhe për qytetarët e bashkuar, në këtë lëvizje të madhe kombëtare, evropiane dhe euroatlantike.
Dje kryetari i grupit të Forza Italia në Senatin Italian e tha qartë mbështetjen e plotë për një qeveri teknike të vullnetit për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Ndaj sot kam nderin dhe kënaqësinë e madhe të përshëndes me mirënjohje e ti uroj mirëseardhjen dhe në emrin tuaj e të qindra mijë qytetarëve shqiptarë të bashkuar në këtë lëvizje të madhe, Kryetarit të Komitetit të Kontrollit Demokratik të Forcave të Armatosura, deputetit të Partisë Popullore Austriake, të Austrisë mike dhe aleate, zotit Michael Hammer.
-Ndërhyrja e dytë
Dua të falënderoj të gjithë folësit në agorën e sotme të cilët ndanë me ne historitë e tyre, kryesisht të emigracionit.
Natyrisht, këta përfaqësojnë vetëm një pikë ujë në oqeanin e madh të vuajtjeve të qindra –mijë shqiptarëve që kanë marrë sërish rrugët e kurbetit në këto tre vite e gjysëm për shkak të një qeverie e cila ka braktisur totalisht shqiptarin e thjeshtë, për shkak të një kryeministri i cili ka braktisur totalisht përgjegjësitë e tij, për t’i shërbyer vetëm një çete pushtetarësh të korruptuar, kriminelësh dhe oligarkësh që janë sot përfituesit e vetëm të këtij pushteti.
Duke i falënderuar nga zemra dhe duke falënderuar mikun tonë Michael Hammer për mbështetjen e jashtëzakonshme për kauzën tone, më lejoni t’i bëj më dije qytetarëve shqiptarë qëndrimin tim për dialogun.
***
E dini që çdo ditë, çdo orë që kalon dhe ju jeni këtu, ai ju përgjon nga dritarja, dhe ka 49 ditë që nuk qeveriset më Shqipëria. Puna e vetme e tij është të përgjojë çadrën dhe të lidhë kokën me peshqir sa herë që flet çadra.
Tani, ka shprehur dëshirën të vijë në çadër.
(Degjohen thirrjet Joooooo)
E qartë, e qartë, unë them se një shteg duhet t’ia lëmë.
Po, të vijë me dorëheqjen e firmosur, po dialogut.
Ka 36 orë që negociatori i Partisë Demokratike dhe i opozitës, pret të dërguarin e Kryeministrit, për të përgatitur një dialog në funksion të zgjidhjes së krizës politike.
Por Kryeministri nuk do dialog. Do monolog, monologje shterpë për t’i hedhur hi syve shqiptarëve dhe për t’iu shitur dokrra ndërkombëtarëve, gjasme sikur është i angazhuar për zgjidhje.
Nuk do të lejojmë dhe as nuk do të pranojmë.
Do ketë vetëm dialog për zgjidhje, për zgjidhjen e krizës politike përmes formimit të një qeverie teknike me mbështetje politike që të realizojë zbatimin e plotë të ligjit të dekriminalizimit, luftën efikase kundër drogës dhe krijimin e kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Për këtë dialog, i përgatitur me qëllim që të ketë sukses e jo të shkojë drejt dështimit dhe konferencave për shtyp me fjalime të parapërgatitura, kemi 36 orë që i kemi vënë në dispozicion negociatorin tonë dhe do ta ketë në dispozicion në qoftë se me të vërtetë do dialog.
Përndryshe, përballja vazhdon deri në fitore.
Zoti e bekoftë Shqipërinë!