Lulzim Basha bashkëbisedoi me njerëz të mediave dhe studentë për fjalën e lirë dhe situatën ku sot ndodhen mediat dhe formën që do të ketë Republika e Re. Gazetarë të medias së shkruar dhe vizive, me eksperiencë por edhe të rinj përballen me presionin për të përçuar tek shikuesi, lajmin e përzgjedhur dhe përgatitur paraprakisht nga zyrat e propagandës qeveritare.
Klara Bici, Elton Metaj, Mina Hysa, Altin Mema, Gëzim Saliu, Artan Cena dhe Bled Kasmi folën për vështirësitë në vendin e punës për të mos bërë kompromis me të vërtetën. Bici tha se kryeministri sot sulmon ato media, të cilat edhe përmes presionit, e ndihmuan në ngritjen e figurës së tij fiktive. Hysa tha se gazetarët janë nën presion, ndërsa pronarët janë blerë dhe se nuk mund të ketë liri në media kur nuk ka votë të lirë. Gazetari nga Lezha, Altin Mema tha se kryeministri po zhduk gazetarët dhe kameramanët të cilët nuk i lejon të xhirojnë në aktivitetet e tij, sepse i bën vetë dhe ia dërgon lajmin redaksive të gazetave dhe televizioneve të parapërgatitur. Mema tha se në këtë mënyrë kryeministri jo vetëm kontrollon lajmin, por i heq edhe ditën e punës gazetarit dhe kameramanit profesionist. Gazetari Artan Cena tha se “sheshi i lirisë” i ka dhënë mundësinë njerëzve të thonë hallet e tyre, të cilat duhen zgjidhur dhe kjo është Republika e Re për qytetarët.
Poeti dhe autori Agim Doçi tha se iu bashkua qytetarëve në atë të cilën e quajti “çadra e gjithë Shqiptarisë”.
“Kam ardhur për misionin e madh sepse disa shqiptarë se kanë kuptuar se në opozitë është çështja kombëtare.”
Doçi shprehu keqardhjen për situatën ku po kalon vendi, e sidomos rinia shqiptare.
Gjatë diskutimit, studentët e pranishëm folën për mungesën e vizionit në një vend ku jo vetëm të rinjtë por edhe mosha e mesme sot kërkon të largohet përtej kufijve. Alit Brati, Erjada Halili, Edona Staka folën për nevojën që rinia të qëndrojë dhe investojë në vendin e saj.
Staka, studente nga Shkodra tha se kjo qeveri nuk i dha shqiptarëve asnjë arsye për të qëndruar në vendin e tyre. 60% e të rinjve duan të largohen, gjashtë nga dhjetë fëmijë largohen për të gjetur shkollim dhe punë përtej kufijve. Shtetit i ikën katalizatori i tij.
“Do kisha dash tju them mos ikni dhe me ju dhënë 1 milionë arsye mos me ik, por unë nuk i kam as 100, kam vetëm 5 të mijat modeste pse kam zgjedh unë mos me ik. Nuk dua të iki sepse kam lindur ne vitin 1991, ndaj jam konceptuar të jem e lirë. Nuk e kam ndërmënd të lë bishën komuniste të më kalojë para syve. S’kam ndërmënd të lë prindrit e mi të jetojnë komunizmin për herë të dytë në 2017. Kam një za dhe mendim dhe kam bindjen se i duhem vendit tim. Mos ikni por guxoni dhe të guxosh dmth të mos të kesh frikë të sfidosh sistemin.”
Lulzim Basha tha se kryeministri Rama është i vetdijshëm se me votë popullore nuk mund të dalë i fituar përpara shqitparëve. Për këtë shpresa e tij e vetme është ruajtja e lidhjes së ngushtë me krimin dhe përmes tij të mbajë pushtetin.
“Plani i republikës së vjetër është të ruajë me cdo kusht status quo-në. Me milionat e drogës, koncesioneve dhe tenderave është futur në lojë për ti mbyllur gojën edhe mediave shqiptare, jo gazetarët as analistët e ndershëm, por një grusht pronarësh, të cilët e kanë lidhur fatin e tyre jo me të vërtetën, por me paratë e tenderave korruptive, të lejeve të dnërtimit dhe që kanë të njëjtin interes si Rama të mbajën këtë gjendje në këmbë, të ruajnë status quo-në. Sepse me këtë gjendje, me këtë status-quo, ata janë zotër të vërtetë të parave të shqiptarëve, të pasurive të shqiptarëve , të mediave, mendjeve dhe fatit të shqiptarëve. Ata janë zotër të vërtetë dhe populli e qytetarët nuk janë asgjë, përvecse shërbëtorët, një tufë delesh që ushqehen me kashtë e me bar që vetëm t’ju merret qumështi leshi, mishi dhe pika e fundi e gjakut.”
Kryetari Basha tha se kush e ka përjetuar qëndresën popullore, që sot hyri në ditën e 50 të saj, ka krenarinë të jetë pjesë e një qëndrese qytetare e cila nuk iu dorëzua së keqes dhe i dha zë shpresës dhe forcës së një populli që sot ngrihet bashkë kundër saj.
“Kryeministri thotë që do bëjë shtet. Shtetin Edi Rama e ka bërë. Ky është shteti i Edi Ramës dhe siç e dini fare mirë, asgjë nuk ka për të ndryshyar për këtë shtet nëse ne e lejojmë tiraninë e krimit të vazhdojë të diktojë jetët e shqiptarëve. Ky është shteti i Edi Ramës. Kriminelë në parlament, kriminelë në krye të bashkive, eskobarë në krye të policisë, doganave, tatimeve. Por e bënë këtë vetëm e vetëm sepse kishin mbështetjen, bekimin dhe mbrojtjen politike të kryetarit të tyre të krimit në pushtet që është Edi Rama. Asgjë nuk do të ndryshojë për rininë shqiptare, asgjë nuk do të ndryshojë për studentët shqiptarë. Përkundrazi, ligji aktual i Arsimit të Lartë e ka të shkruajtur të zezë mbi të bardhë, se tarifat do të rriten nga viti në vit, ndërkohë që cilësia e mësimdhënies në auditorë do të bjerë nga viti në vit, duke rënë kështu edhe mundësia për të pasur një brez të ri të mirëarsimuar e të gatshëm t’i përgjigjet nevojave të tregut të punës.”
Lulzim Basha tha se vendosmëria e qytetarëve është edhe garancia se nuk largohen nga kjo betejë pa fitoren e plotë të kauzës për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Përkundër ofshamave të prindërve, përkundër dëshpërimit të rinisë, nuk ju dorëzuam këtij fati të keq, por duke marrë forcë nga virtytet më të pastra të shqiptarit ndër shekuj i dhamë zë, shpresë dhe forcë një populli i cili nuk dorëzohet, një populli i cili nuk nëpërkëmbet nga e keqja por çohet, ngrihet së bashku për ta mposhtur të keqen. Detyrat tona janë të qarta, ta ndalim tiraninë. Qeverisja jashtë Kushtetutës dhe jashtë ligjit është tirani dhe tiranitë ndalen ose përmbysen. Ky shtet jo vetëm që nuk do të qendrojë në këmbë por nuk do ti mbijetojë as orës së parë të republikës së re që po vjen me zgjedhjet të lira dhe të ndershme. Ky është kuptimi, ky është mesazhi, kjo është leviza e betejës tonë tash 50 ditë dhe i tillë do të mbetet qëndrimi, e tillë do të mbetet qëndresa dhe vendosmëria e kësaj lëvizje popullore deri në fitoren totale të kësaj beteje.”
Njoftim per shtyp 8 prill 2017