Kryetari i opozitës z. Lulzim Basha zhvilloi një takim të veçantë me Ministren e Punëve të Jashtme të Republikës së Italisë znj. Emma Bonino.
Gjatë bisedës u diskutua në lidhje me bashkëpunimin e ngushtë mes Shqipërisë dhe Italisë dhe mbështetjen thelbësore që Italia i ka dhënë integrimit të vendit në BE, anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, liberalizimit të vizave, dhe bashkëpunimin për projektet strategjike si Gazsjellësi-Trans-Adriatik.
Z. Basha falënderoi znj. Bonino për kontributin e saj të çmuar në mbështetjen e Shqipërisë dhe shqiptarëve gjatë gjithë aktivitetit të gjerë politik.
Znj. Bonino vleresoi reformat dhe transformimin e Shqipërisë në këto vite. Duke iu referuar zgjedhjeve të 23 Qershorit ajo theksoi se mbarëvatja e tyre është një meritë e qeverisjes së Partisë Demokratike.
Duke iu referuar situatës aktuale politike në vend dhe debatit maxhorancë opozitë në lidhje me prishjen e konsensusit mbi ligjin e administratës civile, znj. Bonino theksoi se mesazhi i Brukselit është, se parimi më i rëndësishëm që do të vlerësohet në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE është ai i gjithëpërfshirjes.