Deklaratë për shtyp e deputetit të Partisë Demokratike Arben Ristani:
Qeveria e “Rilindjes” e kryerilindasit Rama, që në ditët e para të pushtetit të saj, tregoi qartësisht në sytë e shqiptarëve, alergjinë për shtetin, ligjin dhe institucionet.
Përveç të tjerave, përveç bëmave që opozita po i denoncon përditë, Kryeministri dhe Ministri i tij i Brendshëm, me urdhra të pashkruara, anti-ligjore e krejtësisht alogjike, po përdor Policinë e Shtetit gjoja për të goditur ndërtimet pa leje.
Partia Demokratike e vendosur për funksionimin e plotë të shtetit ligjor, denoncon përpara publikut shqiptar, përdorimin e policisë së shtetit, në të ashtuquajturën “fushatë kundër ndërtimeve pa leje”, ku efektivat e Policisë së Shtetit, detyrohen të dalin derë më derë, jashtë detyrës së tyre funksionale, duke marrë kompetenca të institucioneve të tjera, si në rastin konkret të Inspektoriateve të Ndërtimit.
Bazuar në “denoncimet” në portalin e “Rilindjes”, e të shoqëruar nga eksponentë të Partisë Socialiste në bllok, lagje, fshat a qytet, Policia e Shtetit po detyrohet të regjistrojë në disa formularë, shpikje e rilindjes, të bllokojë dhe të prishë, në mënyrë anti ligjore dhe politikisht selektive, ndërtimet e qytetarëve.
Sjellim në vëmendje të publikut se opozita e djeshme mori votat e shqiptarëve duke premtuar se do të legalizonte pa pagesë ndërtimet e tyre, ndërsa sot në pushtet, po bën të kundërtën.
Rrugës për të vajtur në fshatin ku dikush ka ndërtuar pa leje, në tokën e tij, një dhomë shtesë se marton djalin, policia kalon pranë këtij pallati…, edhe këtij tjetrit… edhe këtij tjetrit…. të gjithë pronë dhe ndërtime të deputetëve të RILINDJES apo të të afërmve të tyre dhe është e detyruar të mbyllë sytë, për shkak se asnjë prej tyre nuk është denoncuar në portalin e RILINDJES “Stop Rrënimit”.
Duke shprehur edhe njëherë mbështetjen për shtetin ligjor dhe Policinë e Shtetit në kryerjen e detyrave të saj, Partia Demokratike kërkon nga qeveria dhe Ministri i Brendshëm, të ndalë diskriminimin, persekutimin politik si dhe përdorimin antiligjor të institucioneve të shtetit.
Përpara ligjit janë të gjithë të barabartë, edhe Sajmiri, edhe Koço, edhe Sadriu apo çdo qytetar tjetër i Republikës.