Mesazhi i Lulzim Bashës në ditën e 54 të protestës për zgjedhje të lira e të ndershme
Këto brohoritje sot në fakt i takojnë përfaqësuesve të brezit të ri, të rejave dhe të rinjve të pranishëm, të cilët me nivelin e lartë kulturor, me përgatitjen e tyre, me formimin e tyre e mbi të gjitha me dashurinë e tyre për lirinë, demokracinë e vërtetë, dëshmojnë se janë pasardhës të denjë të heronjve të dhjetorit dhe Lëvizjes së Dhjetorit që solli pluralizmin në Shqipëri.
Jeni krenarë dhe jemi krenarë me rininë tonë që është balli i kësaj lëvizjeje të madhe popullore, i kësaj lëvizje të madhe qytetare dhe kombëtare, për liri, demokraci dhe për Republikën e Re.
Rinia kërkon ndryshim. Jo thjesht një hap, por një përmbysje të republikës së vjetër dhe instalimin në Shqipëri të standardeve europiane që ne e quajmë projekti i Republikës së Re.
E kërkojnë këtë si shpresën, rrugën, por edhe përbetimin e tyre për t’i dhënë shqiptarëve të çfarëdolloj moshe, e në veçanti rinisë, shpresën dhe besimin për të ndërtuar jetën e tyre në vendin e tyre.
Ju kam thënë shpesh dhe bashkë kemi ndarë se republika e vjetër është një komplot kundër qytetarit shqiptar. Një komplot ekonomik, një komplot politik, një komplot kundër lirive dhe të drejtave të shqiptarëve. Këtë e kemi ilustruar dhe e keni ilustruar me padrejtësitë që përjetoni në jetën e përditshme pikërisht nga ato institucione të cilat ekzistojnë në letër dhe paguhen me para për të mbrojtur qytetarët nga padrejtësitë.
Sot dua të ndajme se bashku disa shifra zyrtare të republikës së vjetër që vërtetojnë sa i thellë dhe sa i madh është komploti ekonomik kundër qytetarëve shqiptarë.
Shifrat zyrtare, të fondeve zyrtare, të shpërdoruara, të vjedhura në periudhën 2014, 2015, 2016; tre vite të qeverisjes Rama, a e dini sa janë të marra sëbashku?! Plot 2.8 miliardë euro.
2.8 miliardë euro. Le ta marrim për frymë popullsie, në një vend që sot ka më pak se 2.8 milionë banorë, ka 2 milionë 740 mijë sipas regjistrit civil, sepse të tjerët janë larguar, kemi mbi 300 mijë që janë larguar në këto tre vite. Pra, le ta bëjmë matematikën, i bie 1 mijë euro për frymë, jo për familje. Llogaritini vetë sa anëtarë familje keni dhe llogaritni se sa para, republika e vjetër, ky komplot ekonomik ka arritur t’ju zhvasë mesatarisht, vetëm përmes abuzimeve të fondeve publike. Pa llogaritur koncesionet, pasuritë publike të shqiptarëve dhe paratë e drogës dhe krimit të organizuar, por vetëm përmes taksave dhe kredive shtetërore, pra fondeve publike ju ka vjedhur 1 mijë euro për frymë.
Po i bëni llogaritë apo jo?!
Sa anëtar ke në familje zotëri që po tund kokën? 5 anëtar, 5 mijë euro. Si mund ta kuptojnë më mirë shqiptarët këtë komplot ekonomik që është drejtuar ndaj çdo shqiptari? Se kjo nuk i ndan shqiptarët në të djathtë dhe në të majtë. Sepse ju siguroj që kjo vjedhje shtrihet në xhepat e çdo shqiptari, demokrat apo socialist apo i çfarëdo bindje politike qoftë. Komploti ekonomik i republikës së vjetër ju ka vjedhur në tre vite 1 mijë euro për frymë vetëm nga taksat tuaja.
Këtë ju e shihni kudo, mjerimi ekonomik, rënia e fuqisë blerëse, shëndetësia në ditët e saj më të zeza, çmimet e rritura apo më mirë të themi tarifat e rritura në arsim, çmimet e rritura të energjisë, të naftës janë pjesë e kësaj vjedhjeje, e bëjnë këtë vjedhjeje edhe më të thellë, edhe më të madhe.
***
Po ku shkojnë këto para? Kush i vjedh këto para? Mos vallë shkojnë në xhepat e anëtarëve të Partisë Socialiste të Shqipërisë? Si mendoni ju? Jo, nuk shkojnë në xhepat e anëtarëve të Partisë Socialiste të Shqipërisë, por shkojnë në xhepat dhe kontot bankare të një grushti njerëzish, të një grushti pushtetarësh, të një grushti oligarkësh të lidhur me ta dhe një grushti kriminelësh që përbëjnë sëbashku kupolën e komplotit kundër qytetarëve shqiptarë. Këta janë përfituesit e drejtpërdrejtë dhe në fakt janë autorët e komplotit. Këta janë republika e vjetër me interesa miliarda euro për të humbur në qoftë se humbin këtë betejë.
Si mund ta humbin këtë betejë?!
E tha mirë një nga djemtë e rinj: vetingu në politikë. Po cili është vetingu në politikë?! Kush ia bën vetingun politikanëve?! Ia bëjnë qytetarët, ia bën populli, por vetëm me zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Plani i Edi Ramës si kreu i kupolës së Republikës së vjetër, si autor i komplotit ekonomik kundër shqiptarëve, është shumë i thjeshtë. Atë që do të bëjë me vetingun në drejtësi, atë do të bëjë edhe me vetingun në politikë. Me vetingun në drejtësi, dëshiron të fusë në dorë, nën kontroll të gjithë aparatin e drejtësisë, me qëllim që as ai, as miqtë e tij të korruptuar, as krimi, të mos ketë asnjë ferrë nëpër këmbë.
Projekti i vetingut është një projekt mafioz, ku janë përfshirë diplomatë të lartë në Tiranë për llogari të Edi Ramës, kanë marrë peng ekspertët e BE dhe. Së shpejti, ora do të vijë kur do të japin përgjegjësi demokratike në një institucion demokratik, sic është BE. Por kjo ndodhi dhe ndodh vetëm për shkak të rezistencës sonë, për shkak të qëndresës suaj, për shkak të qëndresës së opozitës që është zotuar të mos e dorëzojë drejtësinë në duart e zyrtarëve të krimit dhe zyrtarëve të korruptuar të Edi Ramës.
Ndaj komploti është zbuluar jo herët sa c’duhet, por në kohë.
Gjithcka është bërë me një qëllim, jo për të ndihmuar Shqipërinë për të pasur gjyqtarë e prokurorë të pavarur e të pastër, për të cilët Shqipëria ka nevojë, dhe për të cilët opozita lufton tash e dy vjet, por për ti dorëzuar drejtësinë Edi Ramës. Ky ka qenë projekti.
Një projekt jo Pro-Shqipërisë, por pro-Edi Ramës . Një projekt kundër interesave të shqiptarëve të ndershëm, kudo ku janë. Ndaj e them dhe e përsëris, se jemi këtu dhe jam këtu i vendosur të qëndrojmë këtu si digë, si pengesë totale për kapjen e drejtësisë nga Edi Rama. Kjo nuk ka për të ndodhur kurrë.
Edi Rama, komploti është zbuluar, është zbuluar, jo thjesht sepse ty nuk të zënë besë, sepse vënë pikëpyetje miqtë e tu dhe motivet e tua, por sepse bashkë-komplotistët e tu, janë dekonspiruar dhe i pret gjykimi në institucionet ndërkombëtare. Të gënjeu mendja se do na kompleksoje. Ti mund të kompleksosh të inkriminuarit, ti mund të kompleksosh të korruptuarit, ti mund të kompleksosh injorantët, por ke harruar se përballë ke që tani, brezin e ri të shqiptarëve, që nuk i komplekson dot as ti, as miqtë e tu të korruptuar.
***
Tani më lejoni tju them se cfarë sistemi drejtësie do të kemi në Republikën e Re. Bazat i kemi hedhur sipas formulës Uashington – Bruksel, Nuland – Hahn dhe jo sipas formulës Rama – Tahiri – Shullazi dhe ndonjë i korruptuar me pasaportë të huaj, që s’po ia them emrin sot për kortezi, që së shpejti do të japë llogari. Formula Rama-Tahiri-Shullazi është vetingu që donte për drejtësi, jo për gjyqtarë dhe për prokurorë që luftojnë krimin dhe korrupsionin, por për gjyqtarë dhe prokurorë që ti kontrollonte ky si manar, që të mbronin krimin dhe korrupsionin. Dhe të njëtin plan ogurzi, ka republika e vjetër, dhe për zgjedhjet.
Të ndalojë vetingun politik, ose siç njihet ndryshe, gjykimin popullor me votë, që është motorri, zemra dhe vetë mekanizmi i demokracisë. Për këtë arsye, e mbushi Shqipërinë me drogë. Për këtë arsye u bë pengesë për nxjerrjen e kriminelëve nga institucionet ku i futi pasi mori pushtetin me ta. Për këtë arsye, i ka shndërruar institucionet shtetërore në institucione partiake, si kurrë më parë, për ta patur zili dhe Partia e Punës, për ta patur zili edhe Ramiz Alia nga varri.
Eshtë e dokumentuar gjithçka. Dokumentuar janë listat e patronazhit në Policinë e Shtetit. Turp i madh, i ka shndërruar në militantë, i ka shndërruar në njerëz që ose kthehen në militantë, ose largohen nga puna. E njëjta gjë me ushtrinë, e njëjta gjë me shëndetësinë, e njëjta gjë me arsimin.
Faktet i kemi, të gjitha i disponojmë. Turp i madh, por nuk ke për ta çuar dot në fund planin.
***
Miku ynë i shtrenjtë, raporteri social-demokrat në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein, i cili na ka ndihmuar për ligjin për dekriminalizimin dhe i jemi shumë mirënjohës, dje tha që nuk është Shqipria si Maqedonia, pra nuk është e njëjta gjendje. Para zgjedhjeve bëhet fjalë gjithmonë, sepse pas zgjedhjeve problemet me të vërtetë nuk kanë të ngjarë, sepse aty kanë edhe dimensionin etnik, dhe dihet qartë se ku jemi ne së bashku me të gjitha partitë e tjera politike shqiptare. Por e kam fjalën për situatën përpara zgjedhjeve, dhe nuk ka asgjë të përbashkët.
Mik i dashur Knut, ke 100 përqind të drejtë, sepse Shqipëria është 10 herë më zi, 10 herë më keq se Maqedonia.
Më thuaj, 2.5 milionë rrënjë kanabis, shifër zyrtare e policisë. 2.5 milionë rrënjë kanabis të shkatërruara. Mesatarisht janë katër kilogram për rrënjë. I bie, 10 milionë kilograme. I paskan shkatërruar, sipas policisë. Ne thamë, i korrën, por a i shkatërruan apo jo, duhet verifikuar. Si duhet verifikuar. Si në çdo vend tjetër të Bashkimit Europian, të NATO-s, Shqipëria ka pasur dhe ka protokollet e asgjesimit të drogës, që është një mall me vlerë të lartë në tregun e paligjshëm të drogës.
Këto protokolle parashikojnë vendin, orën, regjistrimin dhe praninë e prokurorëve dhe institucioneve të tjera që verifikojnë asgjesimin. Ish-oficerët e policisë të cilët i shoh këtu të pohojnë me kokë, sepse kjo dihet, ky është protokolli. Ku janë protokollet e shkatërrimit të 2.5 milionë rrënjëve bimëve narkotike? Po pse nuk ka protokolle?
Sepse droga nuk është asgjesuar, droga është në tunele, magazina dhe bunkierët e mafias shqiptare në bashkëpunim me qeverinë shqiptare. Prandaj zbulohen 12 ton në Përmet, 2 ton këtu, 1 ton aty.
Mirë e tha Elton Metaj, nuk është më lajm kur ka drogë, por kur nuk ka drogë, është lajm. Sepse Shqipëria është e gjitha e mbushur me drogën e Edi Ramës, me projektin e Edi Ramës, për të shmangur vetingun politik, pra zgjedhjet e lira dhe të ndershme, duke përdorur drogën, siç e përdori në Dibër, siç e përdori në vitin 2015, por tani shumë herë më shumë. Por tani asgjeson përfundimisht vullnetin e lirë të shqiptarëve. Ky është projekti.
***
Të pranojmë ne të shkojmë në zgjedhje, të pranojnë shqiptarët të shkojnë në zgjedhje me kryeministrin, i cili është kreu, komandanti i ushtrisë së drogës dhe i rezervuarve dhe hambareve të drogës, të pranojmë të shkojmë në zgjedhje me njeriun që i futi kriminelët në institucione dhe pengon zbatimin e ligjit që t’i mbajë në institucione. Të pranojmë zgjedhje me kryeministrin që e shndërroi republikën e vjetër në parti-shtet dhe shtet-parti, kurrë nuk do ta pranojmë.
Prandaj miku ynë, Knut Fleckeinstein, një të vërtetë të madhe ka thënë: Asgjë s’ka të përbashkët me situatën në Maqedoni para zgjedhjeve, sepse këtu është 10, 100 herë më keq. Ndaj oferta jonë për qeveri teknike, është një ofertë e zemërgjerësisë tipike opozitare të opozitarëve të lirisë. Sepse kemi qenë në të drejtën tonë dhe jemi në të drejtën tonë të kërkojmë arrestimin dhe procedimin e kreut të kësaj masakre, të këtij shkatërrimi që i është bërë vendit tonë.
Por, nuk kemi kërkuar këtë, s’kemi kërkuar ta përmbysim me revolucion, sepse me zemërgjerësinë tone, kemi kërkuar vetëm të largohet si shenja minimale e përgjegjësisë se ku e ka sjellë vendin dhe ku i ka sjellë shqiptarët, para njëri-tjetrit dhe para botës mbarë, që e njeh sot problemin e drogës, problemin e krimit si askush tjetër. Vetëm largimi i Edi Ramës nga karrikja kryeministrore është kushti minimal për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Kjo nuk ndryshon dhe çdo ditë që kalon është kohë e humbur. Por nuk është kohë e fituar për republikën e vjetër, për këtë ju jap fjalën. Sepse zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë vetëm fillimi.
***
Republika e Re është reformë e thellë kushtetuese që kufizon pushtetin e kryeministrit. Që kufizon pushtetet e kryetarëve të partive dhe e delegon këtë pushtet tek i zoti i punës që është qytetari dhe populli shqiptar.
Republikë e Re nuk është thjesht qeveri teknike, Republikë e Re janë zgjedhje të lira dhe të ndershme, patjetër me votim elektronik, me votim biometrik elektronik dhe numërim elektronik, ku as militantët, as kriminelët nuk do të kenë mundësi të tjetërsojnë votën e askujt, as të djathtë, as të majtë.
Republikë e Re është çlirim i ekonomisë nga oligarkët, nga monopolet, nga ato isntrumente që zgrapin një mijë euro për frymë në tre vjet, nga xhepat tuaja, nga tavolinat tuaja, duke u kredhur në mjerim, në papunësi, në pacientë të pashëruar, në të rinj të paarsimuar, në një komb dhe një shoqëri të tërë pa shpresë. Që të marrë fund kjo, do të asgjesojmë monopolet, oligarkët dhe do të rikthejmë konkurencën e lirë mes qytetarëve, mes bizneseve, si standardi i lartë i shoqërive të lira, si i vetmi standard europian ku çdokush të ketë mundësinë të fitojë me djersën e ballit, jetën dhe fatin e tij dhe të familjes së tij.
Këto janë themelet e Republikës së Re dhe pa dyshim është detyra më e shenjtë, garantimi i dinjitetit dhe i të drejtave tuaja, i çdo qytetari shqiptar – pavarësisht prej bindjeve politike, pavarësisht prej moshës dhe zanatit, përkatësisë krahinore, statusit social, statusit ekonomik, të gjithë të barabartë në Republiëkn e Re përpara ligjit, me të drejtat e garantuara para ligjit.
Ky është tabani dhe mbi këtë taban do të ngrihen fuqishëm, themelet e një ekonomie kombëtare vibrante, që do të ndezë motorrët e optimizmit, do të çlirojë energji pozitive, do të thithë investime të brendshme dhe të huaja, do të sigurojë një ekonomi të fortë dhe një të nesërme të sigurtë për çdo shqiptar.
Ne e dimë fare mirë se për ku jemi nisur. Nuk ka forcë e cila mund të na ndalë. Ata e dinë fare mirë se çfarë do të humbasin, nuk ka forcë që mund t’i thyejë përveç bashkimit tuaj, përveç qëndresës suaj.
Ndaj qëndresa, vendosmëria, kurajo, përgjegjshmëria, sakrifica në këtë shesh dhe anembanë Shqipërisë, duhet dhe do të vazhdojë derisa republika e vjetër të jetë histori, dhe Republika e Re realitet.
Zoti e bekoftë Shqipërinë!
Zoti i bekoftë shqiptarët!