Dita e sotme është mbushur me zhvillime politike të prodhuara sa nga propaganda e sa nga halli i koalicionit të zullumit, i cili që prej ditës së sotme zyrtarisht ka vendosur të mos jetë në koalicion, por që vazhdon të mbajë peng, për shkak të zullumit në të cilin janë zhytur, zgjidhjen që pret një popull i tërë, që presin qytetarët shqiptarë, që presin miqtë e Shqipërisë, zgjidhjen e krizës politike të shkaktuar për shkak të makutërisë së verbër e cila i shtyn drejt projektit ogurzi të asgjesimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme.

E kemi thënë prej ditës së parë të kësaj lëvizjeje madhështore, popullore, kombëtare dhe demokratike për zgjedhje të lira e të ndershme, për Republikën e Re që po vjen falë sakrificës dhe qëndresës tuaj, se rrënjët e kësaj lëvizjeje, janë thelllë në aspiratën e çdo qytetari, e çdo të riu e të reje, të çdo familjari, kryefamiljari për ti dhënë fund republikës së vjetër të demokracisë fasadë, të parlamenteve fasadë, të qeverisjes fasadë, e cila, për shqiptarët, ka prodhuar vetëm një ekonomi fasadë, rend dhe siguri fasadë, drejtësi fasadë, shëndetësi fasadë, arsim fasadë.

Sepse qëllimi i vërtetë i republikës së vjetër është të shërbejë vetëm si një fasadë për komplotin e madh politik dhe ekonomik që është drejtuar kundër çdo shqiptari, çdo shqiptari të ndershëm, çdokujt që dëshiron të jetojë me djersën e ballit, çdokujt që dëshiron që në liri, sipas aftësive dhe mundësive të tij, apo të saj, të ndërtojë një jetë për veten e tij, për familjen, për shoqërinë dhe një mirëqenie për kombin.

Ky komplot, ka marrë goditje vdekjeprurëse nga çadra e lirisë dhe nga lëvizja jonë kombëtare për Shqipërinë europiane.

62 ditë më parë apo le të themi, 65 ditë më pare, i mbani mend si krekoseshin, balozët e krimit të organizuar dhe tutorët e tyre politikë pas kësaj fasade, sepse kishin në xhep asgjesimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.  Realitetin e tmerrshëm të këtij vendi e kishin bombarduar me propagandën e paguar shtrenjtë me paratë e gjakut dhe të djersës së shqiptarëve, të cilat i vidhnin me koncesione, me tendera, me taksa të larta, me fatura, me abuzime, me hajdutëri dhe me paratë e krimit të organizuar dhe të drogës me të cilin bashkëqeverisin Shqipërinë tash 4 vjet.

 

Por fasada ka rënë, fasada është çjerrë.

Kush e çorri?Ju e çorrët! Shqiptarët e bashkuar në këtë lëvizje e kanë shkatërruar fasadën e gënjeshtrës.

E vërteta ka dalë në pah për të gjithë dhe madje për gjithë botën dhe sot ju them nuk ka bojë ta lyejë më realitetin e Shqipërisë së gjunjëzuar nga krimi dhe korrupsioni.

Por po kështu nuk ka më forcë ta kthejë mbrapsht këtë vullnet popullor që po kërkon të drejtën natyrale, të drejtën hyjnore, për të marrë në dorë fatet e tij.

 

Fatet e shqiptarëve nuk do të jenë më kurrë rob i komploteve politike dhe ekonomike, ky është premtimi i Republikës së Re, ky do të jetë realiteti i ëndrrës që po vjen.

 

Kush e arriti këtë? Ju e arritët, ju dhe qindra mijëra shqiptarë anembanë Shqipërisë që kanë qenë këtu vetë apo me zemër dhe mendje.

 

***

Opozita ka qenë dhe është më e bashkuar, më e vendosur dhe më e fortë se kurrë për të qenë në ballë të kësaj lëvizjeje deri në fitoren e saj. Së bashku morëm një vendim, nuk ka zgjedhje fasadë, zgjedhje të diktuara nga krimi dhe droga dhe opozita e respektoi kontratën e 18 Shkurtit, opozita sot është e bashkuar dhe e vendosur, kjo çadër dhe kjo lëvizje e madhe ia doli po kështu të shpërthejë e shpartallojë pazaret dhe intrigat.

Edhe sot u përpoqën të shkelin ligjin dhe Kushtetutën. KQZ-ja me të vërtetë ka refuzuar regjistrimin apo pranimin e kërkesës për të shtyrë regjistrimin e koalicioneve dhe sot në Shqipëri nuk ka koalicione zyrtare për zgjedhjet e 18 Qershorit.  Por ajk duhet ta hedhë atë poshtë, sepse, tani do të flas pak fare si jurist për juristët e KQZ-së, sepse po nuk e hodhët poshtë, jeni në kushte të shpërdorimit të detyrës dhe do ju çojmë për ndjekje penale.

 

Nuk ka kompromis me ëndrrën e shqiptarëve për Republikën e Re, por ka patur ka e do të ketë një gadishmëri për dialog të vërtetë që i shërben zgjidhjes.

Në këtë dialog ne vijmë me kërkesat e parashtruara nga qytetarët shqiptarë që përbëhen nga dy pjesë, dy pjesë të lidhura pazgjidhshmërisht me njëra tjetrën.

Hapi i parë është qeveri teknike me mbështetje të gjerë politike.

Hapi i dytë, mandati i kësaj qeverie, që ka të bëjë me zbatimin deri në fund të ligjit të dekriminalizimit për të larguar kriminelët nga institucionet shtetërore, nga parlamenti, nga bashkitë, për ti larguar ata që nuk na ranë nga qielli, as nuk i gjeti në Partinë Socialiste, por i solli Edi Rama për pushtetin e vet dhe i mban për pushtetin e tij në krye të vendit, në krye të punëve.

Së dyti, luftë të vendosur dhe të vërtetë kundër drogës që deri para një muaji nuk e shihte, se nuk ekzistonte, nuk e shihte as ai, as ish Ministri i tij i Brendshëm, as Ministri i tij aktual i Brendshëm, as miqtë e zhages nuk e shihnin drogën.

Ua kishte zënë sytë zhagia, prandaj se shikonin drogën. E megjithatë ti ia ke zbrazur zhaget gjithë shqiptarëve, dhe flasim për zhaget me të cilat korrupton ata që të qëndrojnë në krah kundër interesave të shqiptarëve, prapë se prapë, ne jemi për një zgjidhje me dialog.

Dhe së treti, kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme, reformë të plotë zgjedhore, votim elektronik, biometrik dhe numërim elektronik.

Ne 24 orët e fundit, pazari i peshkut që është qelbur nga koka, nga Konispoli në Vermosh, nga Bilishti në Rodon, ka filluar manovrat që mendojnë se do e nxjerrin në breg republikën e vjetër që ua ka marrë e po ua merr lumi përditë. Pazari i peshkut mendon se tani që nuk po ia del dot faqe kurajos dhe bashkimit qytetar, do të negociojë me opozitën, me ne, politikanët e opozitës, një pazar politik që të mbajë në këmbë republikën e vjetër, dhe ti shesë qytetarëve sapunin për djath dhe kjo përbëhet nga dy platforma.

Platforma e pare, është hajde ti bëjmë edhe luftën kundër drogës edhe luftën kundër krimit edhe kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme, po hajde se i bën Ed Rama këto. Pra njeriu përgjegjës për shndërrimin e Shqipërisë në Kolumbinë e Europës, sa i përket sasive të drogës, se në Kolumbi drogën e bëjnë të gjitha palët, kurse këtu drogën e kontrollon Edi Rama dhe çeta e tij, ajo që e solli në pushtet, pra, ky që e mbushi Shqipërinë me drogë, tani do besimin tonë se mund të luftojë drogën dhe paratë e drogës. I zoti i zhages, thotë do ta hedh zhagen në lumë.

Së dyti, njeriu që solli kriminelët në pushtet që e detyruam të bënim ligjin për dekriminalizimin me ndihmën e partnerëve tanë europianë, që sot u thotë botërisht, aleatit të vet dhe ambasadorëve, që jam bërë pishman që kam kaluar ligjin për dekriminalizimin, kërkon që shqiptarët ta besojnë se tani do ta zbatojë ky ligjin për dektriminalizimin, tani që e ka lakun në fyt nga ky bashkim popullor dhe vendosmëria juaj për ta spastruar politikën nga kriminelët.

Dhe së treti, njeriu që shkatërroi katër palë zgjedhje, Korçën e mbani mend, zgjedhjet e 2015, Dibrën dhe Kolonjën, ky do na garantojë kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme.

Sigurisht, që nuk ka njeri që e beson, as të vetët nuk e besojnë. Pra Edi Rama nuk e ka e nuk do ta ketë kurrë besimin për të kryer këto detyra si Kryeministër.

Rruga tjetër, thotë, hajde të bëjmë qeveri teknike dhe shkojmë në zgjedhje me 10 korrik. Pra, qeveria teknike fasadë.  10 korrikun po e them meqë po qarkullojnë këtë ide, që do shpërndajmë parlamentin, se nuk zgjedhim presidentin, do futemi në krizë kushtetuese, dhe kushtetuta mbi të gjitha.

Qeveri teknike, po a e ka kjo qeveri teknike kohën e mjaftueshme për të zbatuar mandatin e saj që shqiptarët me të vërtetë të votojnë të lirë nga krimi, nga droga, që kartat e tyre të identitetit të mos blihen dhe të mos mblidhen. Sigurisht që jo.

Asnjëra dhe as tjetra veç e veç nuk bëjnë fajde. Të dyja bashkë, është oferta e lëvizjes më të madhe kombëtare për demokraci të vërtetë, për liri të vërtetë dhe drejtësi të vërtetë. Të dyja bashkë po, e bëjnë punën.

Ndaj, tash 62 ditë, ftesa jonë është kjo; së bashku, pavarësisht se kush i ka përgjegjësitë, ti japim fund e ta varrosim republikën e vjetër, këtë fasadë të komplotit kundër shqiptarëve, kundër xhepave të tyre, kundër punësimit të tyre, kundër shëndetësisë dhe arsimit të tyre dhe të hapim rrugën për një Shqipëri europiane me një pakt kombëtar të Shqipërisë europiane.

***

Kjo, zonja dhe zotërinj, është rruga e vetme në të cilën do të vazhdojë të qendrojë e të marshojë lëvizja jonë e madhe kombëtare dhe qytetare për liri dhe demokraci.

 

Por sot dua t’u njoftoj se në funksion të arritjes së këtij qëllimi madhor, të këtij vendimi të patjetërsueshëm të 18 shkurtit, opozita e bashkuar me në krye Partinë Demokratike të Shqipërisë ka vendosur intesifikimin e protestës qytetare në të gjithë Shqipërinë, duke ruajtur si pishtar, si bërthamë, si monument të kësaj lëvizje, çadrën e lirisë, 24 orë në ditë, por duke e shtrirë atë në mbarë vendin.

Ditën e hënë, të gjithë qytetarët shqiptarë, të djathtë, të majtë, patriotë, të rinj, të reja, të moshuar, bashkohemi mes orës 11.00 dhe 12.00 në bllokimin total të trafikut kombëtar në gjithë Shqipërinë. Ky është vendimi i opozitës së bashkuar.

 

Kjo orë është një orë e madhe e solidaritetit kombëtar. Eshtë një orë e madhe mesazhi i shqiptarëve të bashkuar ndaj kastës së korruptuar të republikës së vjetër se kurrë më nuk do të ketë tërheqje dhe kompromis, as pazar me interesat e republikës së vjetër por vetëm qendresë deri në hedhjen e themelit të Republikës së Re, që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Por është po kështu, edhe fillimi i një aksioni politik, i cili vetëm do të përshkallëzohet për të kulmuar në një tjetër kulm, në datën 7 Maj, ku ne do ti rrijmë deri në fund fjalës së dhënë shqiptarëve dhe kavajasve, për të mos ia dorëzuar më Kavajën krimit, për ti thënë ndal krimit, drogës dhe kriminelëve në Kavajë, dhe pastaj në të gjithë Shqipërinë.

Oferta për dialog të vërtetë dhe për zgjidhje të vërteta, nuk tjetërsohet nga asnjë manovër për të shpëtuar karriken e kriminalizuar të Edi Ramës, por do të vazhdojmë të qendrojmë si një ofertë dinjitoze, për një zgjidhje gjithëpërfshirëse.

***

Tani populli e kupton dhe nuk ka nevojë për Fakultet Juridik. E kuptojnë qytetarët, natyrisht e kuptojnë dhe juristët dhe studentët e shkencave politike këtë që do them tani. Eshtë mirë ta kuptojë dhe Edi Rama, dhe nëse e di, akoma më mirë, se do të thotë se vetëm po gënjen, nëse nuk e di domethënë, është dhe injorant: Kushtetuta e Shqipërisë dhe kushtetutat e vendeve të tjera, ekzistojnë vetëm për të mbrojtur liritë dhe të drejtat natyrale dhe hyjnore të qytetarëve të tyre. Liritë dhe të drejtat e qytetarëve sic e ka thote Thomas Jefferson jane vetëevidente, të dhëna nga Zoti. Kushtetuta është instrument për ti garantuar ato.

Por të drejtat e qytetarëve dhe ndër to, e drejta për të zgjedhur me votë të lirë të pakërcënuar nga krimi e nga droga, të pableshme nga zuzarët e korrupsionit, është një e drejtë e cila qendron mbi cdo normë ligjore, dhe çdo normë ligjore, përfshirë Kushtetutën, ul kokën para të drejtës se qytetarëve për të vendosur me votë të lirë qeverinë e tyre.

Liria e qytetarëve është themeli, liria dhe të drejtat themelore të qytetarëve të republikës, janë themeli për të cilat Kushtetuta vepron si mburojë dhe jo si alibi.

Për të mbrojtur këto liri, ekziston Kushtetuta, dhe nuk janë këto liri për tu sakrifikuar për hir të Kushtetutës apo çdo parashikimi tjetër ligjor. Këto të drejta janë vetëevidente, thotë Thomas Jefferson.

Janë të drejtat tuaja me të cilat keni lindur, pavarësisht se i shkeli diktatura, për një pjesë tuajën. Keni lindur dhe ju shoqërojnë gjatë gjithë jetës tuaj. As nuk i jep as nuk i merr, as Edi Rama, dhe askush tjetër.

Ndaj të jeni fare të qartë. Zgjidhja e vetme që garanton bashkëekzistencën demokratike që garanton bashkëjetesën demokratike e cila sot kercenohet nga krimi, nga droga, që janë projektet elektorale te Edi Rames, zgjidhja e vetme, është qeveria teknike me mandatin popullor për të luftuar pikërisht drogën dhe për të garantuar votat e shqiptarëve dhe për të nxjerrë kriminelët nga qeverisja e vendit.

Dialog, absolutisht për të arritur këtë, dialog me zemërgjerësi për gjithëpërfshirje. Ne kemi zemërgjerësi që çdokush që pendohet, ti themi mirësevjen në Republikën e Re. Përndryshe, ajo që nisim të hënën, ajo që bashkë nisim të hënën, do të jetë vetëm paralajmërimi i parë se ne, nuk kthehemi nga kjo rrugë pa fitoren totale të kauzës qytetare.

Fitorja e kësaj kauze nuk është ambicie personale apo politike e imja apo opozitës. Eshtë domosdoshmëria e diktuar nga rrethanat dhe koha.

 

2017 do të jetë viti i fundit i krimit në pushtet dhe i pushtetit të bërë njësh me krimin. 2017 do të jetë hera e fundit që shqiptaret luftojnë për zgjedhje të lira e të ndrshme. 2017 do të jetë viti i fundit për drogën dhe drogmenët kudo ku janë.

 

Zgjedhjet para nesh janë të qarta, vendimet janë marrë. Kur Republika e Re, realiteti që të gjithë presim, endrra që ka zbritur në zemrat dhe mendjet e shumicës derrmuese të shqiptarëve, të jetë duke prodhuar efektet e saj konkrete për të përmirësuar jetesën e njerëzve, për të ngritur edhe njëherë ekonominë në këmbë, e pastaj për të ndezur motorrët e zhvillimit, për punësim shëndetësi që garanton trajtim me dinjitet dhe profesional të të sëmurëve, për arsim që edukon brezin e ardhshëm, shpresën e këtij vendi, shpresën e prindërve të këtij vendi, atëherë kur të kthejmë kokën pas, dy reflektime do na kujtohen në mendje dhe zemër.

I pari që kemi kaluar vite të errëta, kur këtu krimineli përshëndetej nga policët, kur këtu krimineli bënte ligjin. Kur krimineli dhunonte qytetarët në dyert e policisë, kur krimineli bënte ligje për drejtësinë, kur krimineli emëronte policin, doganierin, tatimorin.

Por ne do të jemi krenarë duke i thënë njëri-tjetrit dhe brezave që vijnë: kohët ishin të errëta, sfidat ishin të mëdha, por sot jemi këtu ku jemi, sepse ne thamë jo, ne thamë ndal, ne u ngritëm u bashkuam dhe fituam.

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Zoti i bekoftë shqiptarët!


Fjala e Lulzim Bashes ne Sheshin e Lirise, 20 Prill 2017