Apeli i intelektualëve në Sheshin e Lirisë dhe mbështetja për kauzën e zgjedhjeve të lira e të ndershme

 

Paraditja në Sheshin e Lirisë mblodhi qytetarët në një diskutim me gazetarë, botues dhe student, mbi Republikën e Re. Qytetarë të të gjitha shtresave dhe brezave, folën me besim dhe shpresë, për një zgjidhje të situatës.

 

Ndricim Kulla, botues, tha se kjo qeveri me në krye Edi Ramën, e ka mbuluar Shqipërinë me kanabis në nivel kapilar, ku pothuajse i gjithë territori u mboll me drogë. Ndriçim Kulla ngriti pyetjen nëse ka ndonjë opozitë në botë e cila do të pranonte të hynte në zgjedhje me këtë sistem kanabizimi.

 

Opozita në mënyrë të natyrshme kërkoi që në zgjedhje të hynim me një qeveri teknike – tha Ndriçim Kulla duke e quajtur si të vetmen zgjidhje që do të krijonte një standard të ri për zgjedhjet në vend. Kulla tha se rruga paqësore që qytetarët zgjedhin prej 63 ditësh, e solli në çadrën e protestës. Në përfundim të fjalës, Kulla një mesazh për ndërkombëtarët e dha përmes fjalëve të mençura të Mit’hat Frashërit, se sduhet të kthehemi në lodër të të huajve për interesat e tyre të turpshme.

 

Studiuesi Behar Gjoka tha se zgjedhjet pa opozitën në një shtet demokratik edhe mund të ndodhin, por do të nënkuptonin dështim. Ajo që më shqetëson mua është që ata mendojnë se mund ta lënë vendin pa pluralizëm – tha Gjoka, duke dënuar ndarjen që i është bërë qytetarëve nga qeveria, si ata brenda çadrës, apo jashtë saj. Gjoka tha se kështu qeveria del kundër protyestës dhe këtë e quajti të papranueshme.

 

Gazetari Flavio Qarri tha se sot gazetarët duhet të pyesin veten nëse po thonë të vërtetën apo jo. Problemi kryesor është se ne jemi me të vërtetën dhe është shumë më e vështirë të mos humbasësh lirinë, sesa të pranosh tiraninë e cila zgjedh dhe vendos gjithçka për çdo qytetar.

 

Reltar Deda, gazetar, tha se ai dhe kolegët e tij janë dëshmitarë të izolimit më të madh që i është bërë ndonjëherë figurave dhe politikave të caktuara. Shtypi sot është në një fazë të mbylljes në vetvete dhe mbizotëron një ekstazë në komunikim  – tha Deda –  ekstazë sepse nuk është e vërtetë. Ai foli edhe për të drejtën që qytetarët kanë për të votuar të lirë, gjë të cilën një politikë e inkriminuar smund ta sigurojë. Rast shembullor i kësaj është edhe qarku i Lezhës ku Reltari voton. Lezha ka prodhuar absurdin – tha ai – ku të gjithë deputetët e listës së një force politike (Partisë Socialiste), rrëzohen njëri pas tjetrit sit ë inkriminuar.

 

Ervin Halili dhe Gentian Xhanari folën për nevojën për pastrimin e politikës nga kriminelët dhe zbritjen e politikbërjes në nivelin qytetar ku shqiptarët  të bëhen pjesë e vendimeve për të ardhmen e tyre. Këtë, qytetarët thanë se e presin me Republikën e Re e cila dueht ngritur mbi parimet e dhjetorit ’90, ato të lirisë dhe demokracisë. Gentian Xhanari i tha çdo qytetari që ka qënë në çadrën e protestës për zgjedhje të lira, se arroganca ndaj sakrificës së tyre nuk duhet të ketë vend në republikën e re.

 

Lulzim Basha i tha qytetarëve se merita për idenë dhe konceptin e Republikës së re është e qytetarëve të lirë dhe në Republikën e Re asgjë nuk do të jetë më si mëparë.

 

“Do të jetë një shtëpi e madhe e xhami sa i përket transparencës, do të jetë një fuqi e madhe, çelik, sa i përket zbatimit të ligjit, dhe do të jetë një garanci totale për lirinë dhe të drejtën e çdo shqiptari, siç e ka traditë modeli i demokracive perendimore. Sepse, ky është modeli mbi të cilin ne po ngremë Republikën e Re.”

 

Republika e re është për çdo shqiptar, të majtë e të djathtë, në pushtet apo jo, pasi në themel ka kontrollin dhe balancimin e pushteteve.

 

“Në këtë model, qytetarët zgjedhin me votë të lirë, shumica ka përgjegjësinë e vendimeve por kurrsesi monopolin e pushtetit dhe pakica apo opozita, që po kështu, mandatohet nga qytetarët, ka detyrën e shenjtë të kontrollit dhe balancës së pushtetit, së bashku me opinionin e shëndosh publik, i cili është vendimmarrës çdo ditë, jo vetëm në ditën e zgjedhjeve; i cili, nuk guxon të injorohet në një Republikë  të Re, demokraci të vërtetë, aq më pak të manipulohet, apo të kërcënohet, apo të shantazhohet, apo të goditet nga administrata, nga taksat, nga policia, me heqje nga puna, kanë për aleatë median e lirë, fjalën e lirë.”

 

Zoti Basha tha se kto janë vlerat euro-atlantike për të cilat qytetarët luftojnë prej 63 ditësh në qëndresën e tyre për zgjedhje të lira e të ndershme, gjë për të cilën asnjë ndërkombëtar nuk mund të shprehet kundër.

 

“Për vlerat e përbashkëta që na bashkojnë por edhe për sigurinë e përbashkët. Sepse një Shqipëri e sigurt, kontribuon për një Europë të sigurtë. Kontribuon në partneritetin strategjik dhe sigurinë euroatlantike, ndërsa një Shqipëri që ka humbur kontrollin e territorit dhe të kufijve, e ka dorëzuar kontrollin e territorit të kufijve tek krimi i organizuar, kontribuon me pasiguri për Europën, dhe kthehet në konsumatore të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

Miqtë tanë mbështesin kauzën e drejtë, por kjo është një betejë e vështirë. Kupola e krimit, oligarkët në pushtet kanë miliarda për të humbur. Ata kanë përdorur dhe do të përdorin çdo lloj makinacioni për të ndalur dhe komprometuar këtë lëvizje, për të kthyer avazin e vjetër të republikës së vjetër.

 

Kush ka nevojë për më shumë informacion, për të njohur realitetin, ka gjetur dhe do të gjejë tek ne partnerët e durueshëm, objektivë, të përgjegjshëm. Sot në opozitë, nesër në qeverisje, Partia Demokratike dhe opozita e sotme shqiptare, do të jetë partneri më i përkushtuar europian dhe euroatlantik, për një Shqipëri të sigurtë që lufton krimin dhe drogën, që lufton korrupsionin dhe që zbaton një reformë në drejtësi sipas konsensusit të 22 korrikut”.

Lulzim Basha theksoi edhe njëherë bindjen se nuk ka asnjë mënyrë tjetër për zgjidhjen e kësaj krize veç sigurimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme përmes një qeverie teknike.

 

“Garantimi dhe sigurimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme do të kryhet vetëm me një qeveri teknike, e cila do të ketë në thelb të mandatit të saj, dekriminalizimin e shtetit, luftën kundër drogës dhe paketën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme përfshirë votimin biometrik, elektronik, dhe numërimin elektronik. Standardet janë të panegociueshme!”