Sa herë që mblidhemi në këtë agorë, qytetarë, përfaqësues të këtij populli fisnik dhe europian marrin fjalën dhe ndajnë të vërtetat e tyre, dhe sot në këtë ditë të 65, na nderojnë kampionë të vërtetë të sportit shqiptar, të cilët ju i prisni me dashamirësi, me gëzim dhe entuziasëm sepse dhe ju, të gjithë ju këtu, dhe qindra mijëra shqiptarë që ndërtuam këtë monument të lirisë dhe themelin e Republikës së re, jeni kampionët e kohës së re, që po vjen. A e keni pyetur ndonjëherë veten se pse kampionët tanë si Bekim Basha që ka ngritur flamurin shqiptar dhe që ka bërë të këndohet himni ynë kombëtar në dhjetra kampionate, përmes sakrificës së tij, përmes talentit të tij dhe fitoreve që ka korrur në emër të Shqipërisë e dhjetra e dhjetra kampionë të tjerë, nuk marrin asnjë mbështetje, nuk marrin as edhe nderimin që meritojnë?

E mbani mend se si e keqpërdori kombëtaren e futbollit, a thua se ky ishte trajneri i kombëtares dhe menjëherë sa u mbyll ai kapitull, zero investime për sportin.

Kampionë të ndryshëm që ngritën flamurin në mundje, në peshëngritje, në atletikë, në kërcim për së gjati, asnjë fjalë nuk u tha për ta, nga ky që në kampionatin europian, nga mëngjesi deri në darkë, bëntë sikur ishte babai dhe nëna e kombëtares shqiptare.

Për një arsye te vetme.

Kur është puna për ta keqpërdorur sportin për politikë, Edi Rama është kampion.  Kur është puna për të nderuar sakrificën e kampionëve tanë, Edi Rama është kërmill i kompleksuar nga ajo që përfaqësojnë kampionët e vërtetë. Prandaj, nuk i nderojnë kampionët se ata për shkak të kompleksit të tyre, miq të preferuar, shokë, anëtarë të gostive të tyre, kanë vetëm njerëzit pa vlera, servilët, gënjeshtarët, mashtruesit, bundrat e krimit dhe vetë kriminelët. Aty ndihen kampionë, ndërsa me kampionët, para tyre, ndihen dhe janë kërmij.

Ky është tipari i republikës së vjetër, i kakistokracisë, i sundimit nga më të këqinjtë ku më të të këqinjtë janë në krye të vendit dhe më të mirët janë kërcënim për ta. Ndaj, bëhet gjithcka për të asgjesuar dhe denigruar më të mirët, duke asgjesuar konkurencën e lirë dhe të ndershme në ekonomi, në arsim, në sport, në kulturë në gazetari dhe në politikë, sepse kakistokracia, sundimi nga më të këqinjtë e ka tmerr konkurencën. Sepse, konkurenca në një komb të lire e shporr sundimin nga më i keqi dhe nxjerr më të mirët në krye të fateve të vendit, në ekonomi, në sport, në kulturë në gazetari dhe në politikë.

Por kombet nuk bëjnë përpara, kur sundohen nga më të këqinjtë. Shqipëria e vitit 1990, që shumë prej jush e mbajnë mend shumë mire, është dëshmia më rrënqethëse se ku përfundon një shoqëri dhe një vend kur zgjedh të ulë kokën të pranojë të sundohet nga më të këqinjtë dhe nga më i keqi. Në 1990 e pamë vendin tonë dhe veten tonë me standardin e jetesës më të ulët sesa vendet e Afrikës ekuatoriale, këtë na solli komunizmi i Enver Hoxhes me propagandën e tij me shtypjen e tij, me eliminimin e më të mirëve dhe mbi të gjitha, me eliminimin e lirive duke nisur me lirinë për të zgjedhur qeverinë, sepse nuik mund të zgjidhje sepse kishe vetëm një alternativë vetëm një mundësi, dhe nëse nuk votoje, të priste persekutimi i egër politik. Nuk kishte zgjedhje, nuk kishte mundësi, dhe prandaj shqiptarët përfunduan në atë derexhe. Marrim vetëm një shembull, për 30 vite me radhë, 30% e buxhetit të shtetit shkonte për ndërtim bunkerësh, jo për rrugë as ujësjellësa, as investime për ekonominë, por bunker, ndërkohë që populli vuante prej urisë. Pse po i kthehem histories, që shumë prej të rinjve nuk e kanë jetuar atë kohë, dhe nuk e dinë, por gjithë ju të tjerët e dini sepse një komb që harron historinë e ti, është i destinuar ta përsërisë atë.

***

Kasta aktuale në pushtet ka bërë shumë që ne të harrojmë historinë tone, duke glorifikuar komunizmin si dicka të mirë e të lavdërueshme me ca të mira e të meta dhe, duke mos thënë asnjë fjalë, për të zezat e tij dhe në vecanti për kultin e tij të krimit dhe lidhjen e tij totale me privimin e qytetarëve nga mundësia për të zgjedhur. Skeni pse zgjidhni ju, zgjedh shteti, shteti i bën të gjitha dhe e pamë cfarë bëri shteti. Ky koncept i shtetit të forte, i shtetit kriminal, është në bazë të cdo të keqe që njerëzimi ka njohur.

Asnjë shoqëri nuk ka ecur përpara me shtet të fortë dhe individ të përulur. Amerika, Europa Perendimore, vende, drejt të cilave shqiptarët emigrojnë, vende, që shqiptarët adhurojnë, për sistemin e tyre politik, institucional, ligjor ekonomik arsimor dhe shëndetësor, janë vende me individë të fortë dhe shtet të së drejtës. Eshtë individi i fortë ai që bën ndryshimin midis përparimit dhe prapambetjes, midis mirëqënies dhe mjerimit, midis Lindjes dhe Perëndimit. S’kamdëgjuar shqiptarë që duan të emigrojnë drejt Lindjes, që kanë kërkuar azil në vende të Lindjes, madje do të thoja dhe në vendet të BE që i përkasin ish-Lindjes nuk janë të preferuara. Skam dëgjuar përshembull të kërkohet azil në Poloni, apo Ceki. Shqiptarët duan dhe synojnë vetëm Perëndimin.

Sepse, në bindjen e cdo shqiptari, nuk ka vlerë më të rëndësishme se sa liria individuale që do të thotë liria për të zgjedhur, por për të zgjedhur, kur ke mundësi për të zgjedhur.

Liria dhe mundësia janë të lidhura pazgjidhmërisht me njëra tjetrën. Pa liri nuk ka mundësi. Nuk ka mundësi për të ndjekur rrugën tënde për një jetë më të mirë, për tu kualifikuar për një profesion, për të gjetur dhe për të mbajtur një vend pune që garanton të ardhura dinjitoze për veten dhe për familjen. Pa liri, nuk ka e nuk mund të ketë një ekonomi të fortë. Pa liri, nuk ka e nuk mund të ketë një shtet që i përgjigjet nevojave të qytetarëve ndërkohë që mbron dhe garanton të dretat e qytetarëve. Pa liri nuk ka mundësi. Pa liri, nuk ka siguri dhe kjo është arsyeja pse qindra e mijëra shqiptarë janë larguar nga Shqipëria këto 3 vite e gjysëm të rilindjes së krimit, të krimit të ngritur në pushtet. Sepse, asgjesimi sistematik dhe progresiv i lirive dhe të drejtave të qytetarëve, ka zhbërë mundësitë ka zhbërë sigurinë pra ka zhbërë shpresën se këtu mund të bëjë një jetë për fëmijët dhe për veten e tyre.

***

Në thelb e gjitha kjo nuk është një përplasje ideologjike. Ata që i thonë vetes së majtë, nuk janë të majtë. Në fakt shumë prej politikave të tyre i ngjajnë etatizmit fashist të Musolinit dhe Adolf Hitlerit. Asgjë nuk i bashkon me të majtën që është kundërshtarja ideologjike, politike e të djathtës së PD, dhe aleatëve tanë. Koncepti i tyre për shtetin nuk është koncepti i shtetit të solidaritetit të së majtës,  por është shteti kriminal dhe i inkriminuar, ku njësoj si fashistët kanë vendosur në kupolën e shtetit një cetë kriminelësh që kontrollojnë të gjithë burimet e shtetit.

Një cetë oligarkësh, pushtetarësh dhe kriminelësh që kontrollojnë gjithcka. Kontrollojnë buxhetin e shteti, nga i cili kanë vjedhur në 4 vite, 2.8 dhe jo 2.4, por 2,8 miliardë euro, vetëm sipas raporteve zyrtare të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Kontrollojnë asete dhe burime natyrore të Shqipërisë, minierat, naftën, bregdetin, pyjet tokat bujqësore. Kontrollojnë në mënyrë totale koncesionet, që në fakt janë skemat e vjedhjes në shendetësi, në transport, në energji, pra kontrollojnë të gjithë pasurinë kombëtare të shqiptarëve. E duke qënë se kjo nuk u mjafton, sepse ekonominë e kanë futur në pikiatë kanë shpikur edhe kanabizimin e Shqipërisë, shndërrimin e Shqipërisë në një hambar droge.

Nga e gjitha kjo, shqiptarët janë sot më të varfër se para 4 vitesh. Janë sot më të papunë se para 4 vitesh. Marrin sot shërbime më të këqia në shëndetësi, se para 4 vitesh. Paguajnë fatura më të kripura të energjisë dhe të ujit, se para 4 vitesh. Punojnë më shumë por fitojnë me pak dhe fuqia e tyre blerëse është më e vogël se para 4 vitesh. Ky është komploti ekonomik i drejtuar kundër çdo shqiptari.

Në këtë komplot shqiptarët nuk janë të ndarë në të majtë e në të djathtë. Humb sipërmarrësi, humb punëdhënësi, humb i vetëpunësuari, humb i papuni, humb i punësuari që nuk ka siguri për punën, humb i riu që kërkon një vend pune, humbin fëmijët e shqiptarëve, humbin pensionistët, të djathtë e të majtë janë viktimat e republikës së vjetër, të këtij komploti ekonomik i cili ka vetëm një synim; pasurimin e një grushti njerëzish me në krye Edi Ramën.

E vetmja forcë që mund ta zhbëjë këtë komplot ekonomik është kjo lëvizje popullore dhe qytetare e cila ka treguar tash 65 ditë se të gjitha ingranazhet e komplotit ekonomik dhe politik kundër shqiptarëve, të gjitha ingranazhet financiare, politike, ekonomike, ndërkombëtare, të paguara me paratë e drogës dhe të korrupsionit të kësaj qeverie, janë të pamjaftueshme për ti bërë ballë një populli të tërë që është ngritur dhe bashkuar për fatet e tij, jo për opozitën, as për Partinë Demokratike, as për mua dhe askënd tjetër, por që të marrë në dorë fatet e tij, duke shkallmuar njëherë e përgjithmonë komplotin ekonomik që është republika e vjetër.

Shqiptarët, e kanë kuptuar se asgjë nuk do të ndryshojë në jetët e tyre nëse vendi nuk ndahet nga krimi politik dhe politika e inkriminuar. Shqiptarët e kanë kuptuar, të djathtë e të majtë, se propaganda politike që bëhet përditë në parlament e qeveri, është një teatër kukullash për t’ju marrë mendjen, për tu zënë kohën televizive, për t’ju zënë sytë, ndërkohë që duart e zgjatura të qeveritarëve të korruptuar dhe të kriminelëve në pushtet, vjedhin çdo ditë nga xhepat e shqiptarëve, nga buxheti i shtetit, milionat që kurrë nuk shkojnë për investime që ju përmirësojnë jetën, që u hapin vende pune, apo përmirësojnë shëndetësinë dhe arsimin e tyre.

E gjitha është një teatër politik që i trajton shqiptarët si dele, ndërkohë që një tufë politikanësh vjedhin ditë për ditë miliona e miliarda për veten e tyre.

Në funksion të kësaj, është edhe kapja e medias. Kapja e medias është jetike për të vazhduar teatrin politik. Kapja e medias dhe shfrytëzimi shtazarak që u bëhet gazetarëve të ndershëm dhe punonjësve të ndershëm të medias është ekzistencial për vazhdimin e këtij komploti ekonomik dhe politik kundër shqiptarëve. Le të amrrim një shembull tjetër. Dje e morëm shembullin, por mesa duket e kanë të vështirë edhe këta se janë nën presion. Dje morëm kampionin e fake news, Top Channel. Prap sot, Top Channel. S’e ka fajin gazetari i shkretë. Top Channel sot riqarkullon lajmin e një portali europian, nga njëfarë Martin Banks. Unë e kritikoj këtë, se ka edhe media që janë tualet fare. Me ato nuk merrem fare, se nuk janë media. Ato janë uturaku ku ulet kryeministri. Këta që i kritikoj, e bëj, se mendoj se ka një shpresë për ta të mos kthehen në uturakë të kryeministrit që na e kanë shpallur si portalin zyrtar të Bashkimit Europian.

Top Channel nuk ka shkuar aq larg, por na evidenton këtë, dhe na e përdor këtë Martin zhagen, për të trembur shqiptarët dhe për të amplifikuar thirrjet e Edi Ramës, dhe qehajajve dhe sejmenëve të tij, për të frikësuar popullin e për të kujtuar 97-tën.

Nëse vendos të botosh çdo lajm, pse nuk boton Forbes, se Top Channel ka disa njerëz që dinë anglisht. Ndonjëri edhe ka jetuar në Angli. E dini se kush është Forbes apo jo?! Çfarë thotë Forbes? Ja t’ia citojmë që të mos thonë që e tha nga vetja e vet; “Edi Rama drejton një ndërmarrje kriminale në vend që e ka kthyer Shqipërinë në qendrën europiane të krimit të organizuar dhe trafikut të drogës”. Pse është zhdukur kjo nga mediat e kapura?!

Reporterre i Francës, thotë: Eshtë vështirë të imagjinohet që pushtetarët nuk janë të përfshirë në trafikun e drogës.

Çështja Zagani që mori mbulim total në të gjithë Europën dhe këtu kalon me ndonjë retush të vogël.

Pse? Sepse mediat dhe kapja e mediave janë jetike për republikën e vjetër dhe për krimin e lidhur me republikën e vjetër. Asnjë taktikë e republikës së vjetër që nis zhaget drejt portaleve në Europë për të bërë propagandën e tyre, nuk e zbraps një popull të bashkuar që nuk është ngritur në këmbë për një parti politike por për fatet e tij. Këta që bëjnë këtë lloj propagande nuk e shohin drogën, nuk e shohin krimin.

Kush nuk e sheh drogën dhe krimin është ose i papërgjegjshëm, pra indiferent karshi fateve të shqiptarëve dhe Shqipërisë, ose i zhages. Zhagia vjen me burime të shumta. Vjen me paratë e korrupsionit, të drogës e cila vazhdon të vërshojë nga mëngjesi deri në darkë me tonelata drejt Europës, dhe ku këta bëjnë vetëm shfaqje, se nuk guxojnë të ndërmarrin aksione të vërteta.

Ka 3 ditë në grykëderdhjen e Ishmit që motorskafi i Habilajve me 3 motorrë të fuqishëm, ka ngelur në llucë. E dinë të gjithë. E di Policia, e di ministri i brendshëm, e di kryeministri, dhe nuk guxojnë ta prekin me dorë motoskafin e Habilajve, sepse Habiljat janë pronarët e vërtetë të kësaj qeverie, të këtij kryeministri, të atij ministri të brendshëm dhe kupolës së policisë të bërë njësh me narkotrafikantët. Kjo është arsyeja, që asnjë media, nuk flet për këtë. E di gjithë Ishmi. Nuk guxojnë, dhe nuk u vë faj, të çojnë kameran, a të bëjnë një fotografi apo një filmim qoftë edhe fshehurazi, e të thonë; çbën ky skaf me 3 motorrë të fuqishëm tash 3 ditë në llucën e Ishmit?

Kush e ka këtë skaf? E ka shteti i Edi Ramës, shteti i inkriminuar dhe i korruptuar dhe i droguar i Edi Ramës.

Portali Europorter nuk i sheh këto gjera. Çfarë ia ka zënë sytë?! Zhagia ia ka zënë sytë. Ky në fakt ka edhe një emër interesant, Martin Banks, Martin Bankat. A thua se nuk është zhagia apo ka diçka tjetër në këtë mes.

A ka ndonjë bankë?! Ka një bankë të çuditshme në Shqipëri që quhet ABI-Bank. Prit se ka zhage, e zhage. ABI Bank ka për aksionerë dy investitorë të privatizimeve në Rusi në vitet 90-të që kanë regjistruar fondet e tyre në Cayman Islands, Ishujt Kejmen. E dini ju çfarë janë Ishujt Kejmen? I di populli të gjitha, janë parajsat e pastrimit të parave dhe jo thjeshtë fiskale. Në Ishujt Kejmen, me ligj, ndalohet të pyetet se kush është pronari i një kompanie. Pra ligji në Ishujt Kejmen ndalon që ti të marrësh vesh, kush është pronari i një llogarie bankare apo një kompanie dhe pikërisht kompania mëmë e ABI Bank-ut këtu në Tiranë, është regjistruar në Ishujt Kejmen.

Kush është në bordin e kësaj banke?! Eshtë bashkëshortja e kryeministrit shqiptar. Eshtë edhe njëfarë Rezze Schlauch, ish minister federal i Gjermanisë dhe sot ndër lobistët kryesorë të Edi Ramës në Berlin. Këta janë në bordin e e një banke të themeluar nga investitorë në pasuritë e patundshme dhe privatizimet në Rusi, që paratë e tyre i kanë çuar në parajsat fiskale ku kryesisht hetimet e vendeve demokratike janë për pastrim parash.

Zhagia nuk është vetëm zhage. Zhagia bëhet edhe bankë. Interesat e republikës së vjetër nuk i mban dot vetëm një zhage, si mban dot vetëm Taulanti në krah. Një zhage mund ta mbash në krah deri në Vjenë, në Berlin apo Bruksel, por këto zhaget e mëdha kanë nevojë për banka.

Ku janë lekët e shqiptarëve?! Ska lekë thonë. Ska lekë thotë fermeri, qytetari, i riu. Ku janë lekët?! Në zhaget dhe bankat e republikës së vjetër. Me një qëllim, për të mbajtur në këmbë republikën e vjetër me çdo kusht e me çdo çmim. Tani, kaq shumë sa kam folur për ABI bank do ishte fare normale që po të ishin të pastër këta njerëz të hapin gjyq kundër meje, apo jo?! Si thoni, do ta hapin një gjyq kundër meje?! Po pse nuk do ta hapin gjyqin?! Kanë frikë se mos them ndonjë gjë tjetër.

Komploti ekonomik kundër shqiptarëve dhe fasada e këtij komploti që është teatri politik, parlamenti, qeveria si fasadë, si teatër politik janë të tmerruara nga kjo lëvizje popullore dhe nga kjo që ju qytetarë të bashkuar të majtë e të djathtë keni vendosur; që nuk do të ketë e nuk do të pranohen më votime moniste por do të ketë vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme, zgjedhje sipas standardeve europiane të cilat mund e duhet të vijnë vetëm përmes një qeverie teknike.

***

Para disa ditësh Strasburgu, për herë të dytë refuzoi 3 kandidatët e qeverisë për gjyqtarë në Gjykatën e Strasburgut. Kjo është e paprecedentë. Asnjëherë nuk ka ndodhur të rrëzohen kandidatët e Shqipërisë. Ndodhi para disa muajsh, dhe ndodhi për të dytën herë. Edi Rama, e mbani mend, tha që për kandidatët që do çojë në Strasburg, do e zbatojë vetingun në mënyrë vullnetare. Ja pra e zbatoi vetingun, sipas tij, në mënyrë vullnetare dhe ja ku dolën tek ara e Tares.

Të tre kandidatët u refuzuan sepse vetingu i Edi Ramës çoi si kandidatë të gjithë shqiptarëve, për gjyqtarë në Gjykatën e Mbrotjes të së Drejtave të Njeriut, kunatin e Fatmir Xhafës, Sekretaren e Përgjithshme të Mirela Kumbaros dhe një ndër eskpertet kryesore të Xhorxh Sorosit për të kapur drejtësinë shqiptare për hesap të Edi Ramës.

Strasburgu i tha jo, dhe ky është një lajm i mirë. Por është po kështu një dritare për çdo shqiptar që është skeptik kur u themi se reformën në drejtësi ky e do për vete. Ja pra si e do drejtësinë Edi Rama. E do me gjyqtarë dhe prokurorë nën kontrollin e tij total. Njerëz të cilët nuk do të kenë as guximin dhe as profesionalizmin, as ndershmërinë, as përgjegjësinë dhe as lirinë e pavarësinë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, për ti ndërshkuar ato sipas ligjit, por që do të jenë nën kontrollin total të kupolës kriminale të Edi Ramës për të mbrojtur dhe jo luftuar pushtetarët e korruptuar dhe krimin e organizuar të lidhur me ta.

Ja pse oferta jonë për veting sipas përcaktimeve kushtetuese dhe marrëveshjes politike të 22 korrikut, u fut tmerrin në palcë sepse i hedh në erë mjaullimat e tyre. Mjaullinte sot edhe maçoku i punëve të jashtme nga Shkodra. Po hajde pra, kur e ke guximin. Qeveri teknike, marrëveshjen politike të 22 korrikut, nuk ka pse të presim për zgjedhjet, kalojmë dhe zbatojmë vetingun sipas reformës kushtetuese!!!

Por nuk ia mban, ka vetëm 2 mënyra. Ose në kontrollin e tij ose ndryshe mos ta bëjë fare duke pretenduar se nuk e do PD-ja. Pse nuk e do PD-ja?! Pse, nuk e do populli dhe opozita aleatin në drejtësi, që do të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Kush i trembet luftës kundër krimit të organizuar dhe luftës kundër korrupsionit?! Ju? Qytetarët?! Opozita që ka 3 vjet e gjysëm që lufton ditë për ditë, apo pushteti me mijëra skelete në dollapin e tij. Kjo është oferta dhe nuk ka pse ta shtyjmë vetingun pas zgjedhjeve.

Mos e merr peng reformën në drejtësi. Hapi rrugë zbatimit të reformës në drejtësi, qeveri teknike, veting sipas 21 korrikut dhe zbatojmë konsensusin politik për një drejtësi të pavarur e të pakapur.

Kanë 48 orë që nuk përgjigjen për ofertën tonë për president nga populli. Dje kishin nxjerrë të gjorin Gramoz për të thënë atë që nuk ua zë goja dot vetë; nuk e zgjedhim dot nga populli se nuk ka kohë, se nuk ndryshojmë dot kushtetutën. Kohë për të vjedhur gjejnë gjithmonë, kohë për koncensione deri në minutën e fundit, kohë për ta mbushur vendin me drogë, për të nisur motoskafe e avionë drejt Europës, në mëngesi në darkë gjejnë. Kohë për të ndryshuar kushtetutën, për ti kthyer popullit atë që i takon popullit, këtë, kupola kriminale e republikës së vjetër, nuk e gjen dot.

Para 10 vitesh, e mbani mend të gjithë, Edi Rama kërcënoi se nuk do të hynte në zgjedhje nëse nuk ndryshohej kushtetuta dhe ligji që çdo votues të kishte me vete certifikatën e lindjes. E mban mend apo jo. U ndryshua kushtetuta. Nuk kishim atëhere as karta biometrike dhe as pasaporta biometrike. Donte këtë garanci dhe iu dha kjo garanci. U ndryshua kushtetuta për certifikatat e lindjes që kërkoi Edi Rama, ndërsa sot, i njëjti njeri që e ka mbushur Shqipërinë me drogë, që e ka mbushur shtetin me kriminelë, refuzon ti kthejë popullit atë që është e popullit, presidentin nga populli dhe zgjedhje të lira e të ndershme.

Nuk kanë asnjë argument. Kanë vetëm një interes. Të ruajnë me çdo kusht pushtetin, të ruajnë me çdo kusht pasurinë e tyre. Këtu jemi ballë për ballë, por jo e djathta me të majtën. Shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë, me një çetë të korruptuarish hajdutësh që edhe pse valëvisin ndonjë flamur partie, skanë asnjë lidhje, as më të majtët dhe as me të djathtët, as me socialistët, as me socialdemokratët. Kanë lidhje vetëm me pasurinë e tyre, me xhepat e tyre, me drogën, me krimin dhe me korrupsionin.

Me qendrimet e tyre armiqësore ndaj interesit publik  Edi Rama i ka paralajmëruar dështimin e ndërmjetësimit europian të martën që vjen. Unë prapë i bëj thirrje sot, që ti thërrasë mendjes, ti hapë rrugë dialogut në funksion të zgjidhjes, përmes një qeverie teknike, me mbështetje të gjerë politike, me një mandat për të nxjerrë kriminelët nga politika, sipas ligjit të dekriminalizimit për të luftuar me të vërtetë drogën dhe paratë e drogës dhe për të krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, që përfshijnë votimin biometrik dhe elektronik si dhe numërimin elektronik. Në asnjë nga këto kushte nuk është interesi politik i PD-së apo i opozitës, por vetëm interesi publik i shqiptarëve të majtë e të djathtë e të bashkuar.

Ndaj jemi dhe mbetemi të gatshëm për dialog, por harroje se mund të kthesh mbapsht monizmin. Harroje se do të ketë zgjedhje pa opozitën. Zgjedhje pa opozitën është një kontradiksion në terma. Votime po, por zgjedhje pa opozitën nuk mund të ketë dhe opozitën nuk mund ta krijojë kurrë pushteti. Nuk ka zgjedhje pa opozitën, ka votime pa opozitën.

Votim pa opozitën nuk do të ketë, as në Kavajë dhe as në Shqipëri. Shqiptarët janë të bashkuar dhe të vendosur duke nisur me protestën e nesërme, ku është i thirrur të bashkohet çdo shqiptar e çdo shqiptare.

Një orë bllokim i trafikut kombëtar është një sakrificë e vogël dhe një dhuratë e madhe për Shqipërinë e re, për bllokuar trafikun e drogës, për të bllokuar trafikun e krimit, për të siguruar liritë themelore të qytetareve dhe që janë garancia e mirëqënies së qytetarëve. Mos harroni, nesër 1 orë të gjithë bashkë të vendosur dhe thellësisht paqësorë.

Bashkohemi të bllokojmë të keqen me këtë parajamërim që ti hapim rrugë të mirës për çdo shqiptar duke larguar dhe mundur drogën, duke larguar dhe mundur krimin, duke iu kthyer qytetarëve të drejtën për të zgjedhur me votë të lirë e të ndershme. Me bekimin e Zotit, me paqen në shpirtrat tanë, me vendosmëri totale, le të bashkohemi nesër mes orës 11.00 deri në 12.00 për ti thënë ndal krimit, dal drogës, ndal korrupsionit, po zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe republikës së re të qytetarëve shqiptarë. Zoti e bekoftë Shqipërinë. Zoti i bekoftë shqiptarët.


Mesazhi i Lulzim Bashës në ditën e 65 të protestës për zgjedhje të lira e të ndershme, 23 Prill 2017