Në këtë mbrëmje të 65-të të protestës tonë pa ndalim, 24 orë në ditë jemi mbledhur sonte këtu, bashkë me kryetarët e partive aleate të koalicionit të opozitës së bashkuar, për të dhënë nga ky shesh i lirisë, bashkë me ju, kampionët e lirisë dhe demokracisë, një mesazh për të gjithë qytetarët shqiptarë, për ditën e nesërme, ditën e përshkallëzimit të aksionit politik për zgjedhje të lira e të ndershme, për liri dhe demokraci të vërtetë, për mos dorëzimin e fatit të shqiptarëve dhe të Shqipërisë në duart e tiranisë së krimit, të korrupsionit dhe të drogës.
Planet ogurzeza të republikës së vjetër për të shkatërruar zgjedhjet e shqiptarëve, për të shkatërruar vullnetin e lirë të shqiptarëve, për të parandaluar agimin dhe ardhjen e Republikës së Re, do të dështojnë me sukses të plotë.
Aspiratën qytetare popullore dhe kombëtare për zgjedhje të lira e të ndershme, e përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme, themelimin e një Republike të Re, ku zoti i fateve është qytetari dhe shërbëtor qeveritari, nuk ka forcë ta ndalë.
Prej 65 ditësh, duke nisur nga bashkimi ynë i jashtëzakonshëm më i madhi në 27 vite, me 18 Shkurt, ne kemi protestuar denjësisht, paqësisht, duke i treguar Shqipërisë dhe mbarë Europës fytyrën e vërtetë europiane të shoqërisë shqiptare. Asnjë veprim nuk e ka cënuar vendosmërinë tonë për protestë paqësore, asnjë provokim i ulët i kastës së republikës së vjetër, nuk na ka lëkundur nga qendrimi ynë. Kështu do të jetë edhe nesër, protestë madhështore, paqësore por e vendosur dhe e pathyeshme në shërbim të çdo shqiptari e çdo shqiptareje, në shërbim të Republikës së Re.
E dinë fare mirë shqiptarët dhe dinë ta bëjnë krahasimin me ata që jo shumë vite më pare, tek bllokonin rrugët kombëtare, digjnin gomat e makinave, digjnin makinat dhe thyenin e shkatërronin institucionet me gurë, me shishe me benzinë, e mbajmë mend fare mirë se çfarë lloj dhune ushtrohej në protestat e tyre.
Dhunë në protestat e opozitës së bashkuar dhe qytetarëve të Republikës së Re nuk ka e nuk ka për të patur! Dhuna është tipar i dobësisë morale, dhuna është tipari dallues i frikacakëve dhe këtu jemi të gjithë njerëz të kurajos qytetare, frikacakët fshihen pas fasadës.
Policia e shtetit, burrat dhe gratë me uniformë, të cilët ndajnë të njëjtat halle me qytetarët shqiptarë dhe që keqpërdoren në mënyrën më të mjerë, më kriminale, nga ky pushtet, duhet ta dinë se nga qytetarët e bashkuar nesër në bllokimin total të transportit kombëtar mes orës 11:00 dhe 12:00, do të gjejnë forcën pozitive dhe paqësore që lufton edhe për të drejtat e tyre, të atyre që nëpërkëmben, të atyre që keqtrajtohen, të atyre që intimidohen për të dhënë, të dhënat e tyre personale, dhe të familjarëve të tyre, në funksion të fushatës së republikës së vjetër dhe çetës së krimit që kryeson.
Të atyre që shohin teksa, kolegët e tyre në shërbim të ndërmarrjeve kriminale, grada e ulët arrestohet ndërsa komandantët nuk i prek ligji, se komandantët e kupolës kriminale në polici janë vetë karriket dhe këmbët e karrikeve të pushtetit të inkriminuar të Edi Ramës.
Por, dua ti kujtoj fare mirë drejtuesëve të kupolës së policisë së shtetit, që përmes shkresave të tyre të turpshme dhe qendrimeve të tyre publike, që sot, kanë thyer ligjin, dua ti kujtoj se do të vëzhgohen dhe regjistrohen nga toka dhe nga ajri, dhe se për çdo shkelje dhe cënim të të drejtës hyjnore për protestë paqësore, do të përballen me forcën e plotë të ligjit.
Neni 261 i Kodit Penal, sanksionon dënime penale për ata që pengojnë mbledhjen dhe manifestimin paqësor politik të qytetarëve të republikës.
E kemi Top Channel këtu? Ku është kamera e Top Channel? Cila është? Top Channel, dy herë në ditë fake news, e bëre baltë fare!
Nuk jep leje, nuk jep leje policia për grumbullimet paqësore të qytetarëve shqiptarë, tash një dekadë.
Ligji kërkon që policia vetëm të njoftohet, policia nuk jep leje, njoftohet dhe është njoftuar, ndaj hiqe fake news, le të ta falim meqë është darka e të dielës, po ta konsiderojmë injorancë dhe jo shërbim ndaj Edi Ramës dhe çetës së tij kriminale në pushtet.
I pa precedent, keqpërdorimi politik që i bën policisë Edi Rama, por do të marrë fund së shpejti. Ky është një argument më shumë dhe më i qartë se pse nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme me një polici të nënshtruar e të bërë zap politikisht nga një çetë pushtetarësh të bërë zap nga krimi dhe nga droga.
Vëllezër dhe motra, qytetare dhe qytetarë të Republikës së Re që po lind në zemrat tuaja, në shtëpitë tuaja, në këtë agorë të lirisë dhe në çdo qytet të vendit tonë, nesër bashkohemi midis orës 11:00 dhe 12:00 të gjithë bashkë.
Të rinj e të reja, artistë, sportistë, gazetarë, do të jenë aty me ne, punëdhënës e punëmarrës do të jenë aty me ne, studente dhe studentë do të jenë aty me ne, të pa punë e të shpunësuar, biznese të vogla që janë mbyllur e që mezi rrinë hapur, do të jenë aty me ne, demokratë e socialistë do të jenë nesër me ne për të treguar vendosmërinë tonë në kauzën kombëtare për zgjedhje të lira e të ndershme.
Ejani pa frikë dhe paqësisht, por vendosmërisht.
Një orë sakrificë kombëtare, për një pafundësi të mirash në Republikën e Re që po vjen, për dinjitetin tuaj, për lirinë dhe të drejtat tuaja themelore, për mirëqënien dhe punësimin tuaj, për një të nesërme të sigurtë dhe një ekonomi të fortë për çdo shqiptar, nesër mes orës 11:00 dhe 12:00 bashkohemi dhe ngrihemi së bashku!
E nesërmja vjen si një ditë e re në aksionin e Republikës së Re, me vendosmëri totale, me masivitet popullor, me paqe në zemrat tona.
Asnjë lule nuk do të dëmtohet, asnjë gotë nuk do të thyhet. Trafiku do të bllokohet për 1 orë, por trafiku i drogës, trafiku i krimit, trafiku i votave, trafiku i parave të pista të korruspionit do të marrin fund njëherë e mirë.
Nesër në orën 11.00, anembanë Shqipërisë, në rrethrrotullimin e Shqiponjës, në kryqëzimin e teknologjikut, 2 pika në Tiranë. Rrethrrotullimin e Plugut, dhe gjithë Jugu do të mblidhet aty. Rrethrrotullimin e Rrugës së Kombit me nacionalen Shkodër-Tiranë, rrethrrotullimin e Milotit, dhe gjithë Veriu do të jetë aty. Në rrethrrotullimin e Bradasheshit, Korça, Elbasani dhe gjithë Juglindja e gjitha do jetë aty.
Një orë bashkim për vite të tëra Shqipërie të lirë dhe demokratike për veten dhe fëmijët tuaj. Ngrihemi së bashku. Bashkohemi paqësisht neser në orën 11.00. Zoti e bekoftë Shqipërinë. Zoti i bekoftë shqiptarët.
Mesazhi i Lulzim Bashës pasditen e 65 të protestës për zgjedhje të lira e të ndershme, 23 Prill 2017