Kryeministri nuk kishte plan konkret ditën e parë, nuk ka plan konkret as sot, ditën e 10-të të përmbytjes. Ka demagogji, ka llafollogji, ka akuza ndaj opozitës. Ky është plani dhe oferta e tij. Edhe kur njerëzit nuk kanë ujë për të pirë edhe kur fermerët shohin tu ngordhë bagëtia sepse nuk kanë çfarë ushqimi t’u japin.
Privon mijëra e mijëra banorë nga mbështetja dhe shërbimet që aktivizohen me shpalljen e gjendjes emergjencës. I privon nga ndihma ndërkombëtare gjithashtu. Bruskeli e ka thënë qartë përmes zyrtarëvë të saj të lartë se është gati të ndihmojë Shqipërinë, siç ka ndihmuar vendet e tjera të rajonit dhe botës kur janë goditur nga fatkeqësi natyrore, por Shqipëria duhet të sqarojë tabllonë e përmbytjes. Kur nuk e vlerëson si emergjencë qeveria shqiptare përmbytjen në Vlorë dhe Fier, si mund ta vlerësojë Brukseli?
Ne, Partia Demokratike dhe opozita, e akuzojmë sot politikisht qeverinë Rama-Meta për mosveprim me pasoja të rënda në dëm të pasurisë dhe pronës së mijëra familjeve të përmbytura. E akuzojmë kryeministrin për abuzim me funksionet shtetërore për të fshehur paaftësinë dhe papërgjegjshmërinë e tij në menaxhimin e situatës
Të nderuar anëtarë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike,
Sapo jam kthyer nga disa takime së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm z. Arben Ristani, me banorë të fshatrave Shtyllas, Qarr, Bocovës, Rrethfik dhe Nartë.
Mjaftojnë këto takime, jo të gjata me banorët, për të kuptuar se realiteti atje është krejt ndryshe nga ai që paraqet qeveria.
“E kemi situatën nën kontroll”, janë fjalët që kemi dëgjuar nga qeveritarët, nga mëngjesi deri në darkë. Por atje mijëra banorë janë pa ushqim për vete, për fëmijët, pa medikamente, pa ushqim për gjënë e gjallë që është asgjesuar thuajse tërësisht nga uji. Pa ujë të pishëm në shumë raste. Dhe në zona të tëra, janë lënë si në ishull, të rrethuar nga uji. Asnjëri prej tyre nuk e di se si do të jetë e nesërmja.
Janë në kufinjtë e mbijetesës. Sigurisht përpara natyrës, të gjithë jemi të pafuqishëm, por kur ndodhin gjëma të tilla, qeveria bën maksimumin e saj. Eshtë qeveria me resurset që ka, me fondet që ka, me strukturat që ka, entiteti që mund dhe duhet të japë përgjigjen e duhur. Kjo përgjigje, edhe pse sot është dita e dhjetë e fatkeqësisë natyrore, nuk po vjen e nuk po vjen nga Edi Rama.
Qeveria nuk ekziston prej 10 ditësh në zonat e përmbytura. Po qeveria nuk ekziston as për arsyen kryesore të ekzistencës së saj, që është rendi dhe siguria. Siç e dëshmojnë edhe shpërthimet e njëpasnjëshme të tritolit në Tiranë në ditën e sotme. Ku ta kërkojmë qeverinë? Ku ta kërkojmë qeverinë kur nuk u gjendet pranë qytetarëve të përmbytur në ditën më të vështirë të tyre? Ku ta kërkojmë qeverinë kur nuk është në krah të qytetarëve për rendin publik dhe për sigurinë. E gjejmë në ekrane, e gjejmë në Facebook si një agjensi argëtimi, që ka vetëm një detyrë, të prodhojë shfaqjen e përditshme, si ato reklamat e mërzitshme që duan të shesin një mall që nuk shitet. Mall që nuk vlen, siç e kanë kuptuar dhe njerëzit. Kot lodhen. Qeveri e tillë nuk na duhet. Kjo qeveri nuk është zgjidhja, por problemi.
Kryengjarja e vendit, ajo që ka marrë dhe po merr e do të vazhdojë të marrë deri në fund gjithë vëmendjen dhe angazhimin tonë politik, por dhe njerëzor e institucional, është përmbytja. Fatkeqësia që u ka rënë mbi kokë dhjetra-mijë bashkqytetarëve tanë, burrave, grave, fëmijëve, të rinjve, të rejave, të moshuarve, veçanërisht në rrethet e jugut dhe natyrisht kush ka një minimum qytetarie, humanizmi, dhe shqiptarie nuk mund të ndihet i qetë, nuk mund të flejë i qetë kur sheh dhe dëgjon çfarë u ka nbdodhur dhe çfarë po u ndodh familjeve të goditura nga kjo fatkeqësi natyrore, kur përballet përmes ekraneve apo drejpërsëdrejti me gjendjen e tyre të rëndë përtej fjalëve dhe përfytyrimit, kur mendon ku do ta kalojnë dhe si do ta kalojnë natën apo ditën fëmijet, të moshuarit, nënat dhe ballaballarët ndërkohë që shtëpitë e tyre mbeten të pabanueshme. Si po mbahen, me çfarë po mbahen? Si po ndihmohen dhe si do të ndihmohen për ta kapërcyer të keqen? Si do të shpëtohet ajo pjesë e gjesë së gjallë që nuk është mbytur? Si do të dëmshpërblehen për dëmët e pësuara? Këto janë pyetjet dhe shqetësimet, e solidaritetit mbarëshqiptar me banorët e zonave të përmbytura.
Sikurse herë të tjera në fatkeqësi të tilla, Shqipëria dëshmoi e po dëshmon se e ka virtyt të qytetarëve të saj solidaritetin me njerëzit në hall dhe me familjet në nevojë. Shumica dërrmuese e shqiptarëve kanë qënë dhe janë me zemër dhe me mendje pranë familjeve të përmbytura. Mjaft prej tyre kanë ndihmuar e po ndihmojnë sipas mundësive, pa dallime politike. Pa dallime politike shqiptarët kanë kërkuar e po kërkojnë me forcë, në të gjitha format e komunikimit publik, që qeveria të shpallë gjendjen e emergjencës dhe të marrë përgjegjësitë që i takojnë një qeverie, për të ndihmuar deri në një të goditurit.
Kjo, dua të theksoj sot, se është shprehja më e lartë e solidaritetit qytetar dhe popullor, sepse është një popull i tërë që i kërkoi dhe vazhdon ti kërkojë kryeministrit të zgjohet, të organizohet, të marrë vendime, të çelë fonde në favor të familjeve të shpërngulura apo të rrënuara në Vlorë, Fier dhe kudo gjetkë për shkak të përmbytjeve. Eshtë një popull i tërë pra që e shtyu dhe po vazhdon të shtyjë qeverinë të bëjë atë për të cilën ekziston dhe për të cilën paguhet. Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë.
Qytetarët kanë të drejtën themelore t’i kërkojnë qeverisë të mbështesë me fonde familjet e përmbytura sepse këto fonde janë të qytetarëve, janë të taksapaguesve. Qytetarët e krijojnë buxhetin dhe janë pronarët reale të pasurisë publike, ndërkohë qeveria është apo duhet të jetë në këtë rast administratore e tyre.
Në këtë rast dua të përsëris qëndrimin tonë, ne çmojmë lart dhe inkurajojmë çdo fond solidariteti dhe mbështetjesh me ndihma familjeve në nevojë. I kemi bërë thirrje mbështetësve dhe simpatizantëve tanë, i jemi shumë mirënjohës për ndihmën që kanë dhënë deri më tani, ata dhe kushdo tjetër. Dua të falenderoj anëtarët e Grupit Parlamentar për kontributin e tyre financiar i cili u destinua pothuajse tërësisht për t’u ardhur në ndihmë me medikamente të veçanta për gjënë e gjallë banorëve të zonave të Fierit dhe të Vlorës. Do të vazhdojmë të japim shembullin tonë në këtë drejtim, siç e kemi dhënë në këto ditë. Këto ndihma pa dyshim kanë vlerë të madhe për të zbutur të keqen, por nuk mjaftojnë për ta mundur te keqen.
Gjendja e zgjatur emergjencës dhe pasojave të saj kërkon domosdoshmërisht ndërhyrje të fuqishme nga ana e qeverisë. Qeveria në situata të tilla duhet të këtë inciativën, të jetë e para. Në situata të tilla qeveria është e pazëvendësueshme.
Kryeministri nuk kishte plan konkret ditën e parë, nuk ka plan konkret as sot, ditën e 10-të të përmbytjes. Ka demagogji, ka llafollogji, ka akuza ndaj opozitës. Ky është plani dhe oferta e tij. Edhe kur njerëzit nuk kanë ujë për të pirë edhe kur fermerët shohin tu ngordhë bagëtia sepse nuk kanë çfarë ushqimi t’u japin.
Nuk shpalli dhe nuk shpall emergjencën që po ia kërkon një popull i tërë. Nuk e shpall jo se nuk e ka parë me sy batërdinë, por për inat të opozitës. Pandeh se po i ulet hunda. Për teka të tilla të një mendësie primitive privon mijëra e mijëra banorë nga mbështetja dhe shërbimet që aktivizohen me shpalljen e gjendjes emergjencës. I privon nga ndihma ndërkombëtare gjithashtu. Bruskeli e ka thënë qartë përmes zyrtarëvë të saj të lartë se është gati të ndihmojë Shqipërinë, siç ka ndihmuar vendet e tjera të rajonit dhe botës kur janë goditur nga fatkeqësi natyrore, por Shqipëria duhet të sqarojë tabllonë e përmbytjes. Kur nuk e vlerëson si emergjencë qeveria shqiptare përmbytjen në Vlorë dhe Fier, si mund ta vlerësojë Brukseli?
Ne, Partia Demokratike dhe opozita, e akuzojmë sot politikisht qeverinë Rama-Meta për mosveprim me pasoja të rënda në dëm të pasurisë dhe pronës së mijëra familjeve të përmbytura.
E akuzojmë kryeministrin për abuzim me funksionet shtetërore për të fshehur paaftësinë dhe papërgjegjshmërinë e tij në menaxhimin e situatës. A nuk është abuzim i ulët, krejtësisht i padenjë për një njeri që duhet ta njohë shtetin pasi ka drejtuar përgjatë njembëdhjete vjetëve bashkinë me të madhe të vendit, të dalë para shqiptarëve dhe të thotë se e gjetëm bosh arkën e emergjencës civile ndaj s’kishim ç’ti bënim përbytjes? Nëqoftëse nuk e keni harruar, me të njëjtën papërgjegjshmëri, në mënyrë spekullative e demagogjike ka përdorur të njejtën përqasje gjatë ndërrimit të pushtetit duke thënë e gjetëm bosh arkën e shtetit. Atëherë ishim detyruar t’i themi si një fëmije të shkollës elementare se buxheti nuk është arkë me para, por një proces dinamik i prodhimit dhe mbledhjes së të ardhurave nga tatimet, doganat dhe burimet e tjera publike dhe private. Të njëjtën gjë i themi edhe sot për fondet e emergjencave civile, por kësaj radhe me një shembull konkret: Gjatë vitit 2014 fondi i emergjencave civile ka qenë 110 milion lekë, i përdorur plotësisht gjatë vitit të kaluar edhe pse nuk ka patur një shpallje të emergjencës civile. Opozita do të merret me faktin se ku kanë shkuar këto para, por për momentin le të themi se janë përdorur për të mirën publike. Me logjikën e Ramës, ndërsa fondi i vitit 2014 është harxhuar njëqind për qind, duhet thënë se qeveria e Ramës e vitit 2015 ka trashëguar zero lekë për emergjencat civile nga qeveria Rama e vitit 2014. Në fakt zero lekë duhet të trashëgojë se fondet caktohen për t’u përdorur, e në fund të buxhetit ose përdoren ose digjen. Qeveria ka një fond të ri të emergjencave civile për vitin 2015, që është po njësoj si vitin e kaluar, 110 milion lekë. Kjo është e vërteta. Qeveritarët nuk mund të hiqen si budallenj për të mashtruar publikun! Fondet e emergjencës dhe të shumë shërbimeve të tjera krijohen nga e para në çdo vit buxhetor.
Kishin 110 milionë vitin e kaluar. I kanë bërë tym, edhe pse nuk ka pasur gjendje emergjence.
Kanë 110 milion këtë vit. Pse nuk shpallin gjendjen e emergjencës? Përse nuk i përdorin për Fierin dhe Vlorën, çfarë presin, çfarë duhet të ndodhë më shumë?
Kanë rritur taksat dhe tarifat që paguajnë qytetarët. Deklarojnë se mbledhin më shumë para dhe më shumë duhet të mblidhen sepse taksat janë rritur.
Ku i kanë paratë? Për çfarë i kanë kur nuk i përdorin për të përballuar fatkeqësinë e mbi 50 mijë bashkëqytetarëve në nevojë?
A ka pasur fond të rezervës së shtetit vitin e kaluar? Ka patur! 6 milionë lek. Për çfarë është përdorur, çfarë blerjesh janë bërë me këtë fond? Nuk e di.
A ka fond të rezervës së shtetit për ketë vit? Ka, edhe këtë vit. 10 milionë lek. Së bashku siç e bëmë publike edhe dje rezerva e shtetit ka planifikuar për të dy vitet në total 120 mijë euro, plotë 80 mijë euro më pak se sa qeveria dha për përmbytjet në Bosnje dhe Serbi. Për çfarë po përdoret?
A ka fond rezerve ky kryeministër? Buxheti thotë po, ka. Për çfarë e përdor? Nëse jo për përmbytjet, për çfarë tjetër?
Mundësitë për të mbështetur me fonde publike sipas ligjit njerëzit në nevojë dhe fatkeqësi janë të shumta. Por kur nuk ta ndjen për njerëzit, vjen vërdallë me batuta.
Deputetët tanë do të kërkojnë trasparencë të plotë për këto fonde; ne kërkojmë dhe ngulmojnë për destinimin e tyre në mbështetje të familjeve të përmbytura.
Nga ana tjetër, ne do të do të marrim nismën për një amendement në ligjin e buxhetit të shtetit me qëllim alokimin e fondeve që janë dhënë për vepra luksi për zhdëmtimin e gjithë dëmeve në zonat e përmbytura.
Çështjet e energjisë do të vijojnë të jenë në fokus të impenjimeve tona politike. Do të ngulmojmë në kërkesat për faljen e gjithë kamatvonesave dhe uljen e çmimit të emergjisë elektrike për kosumatorët shqiptarë, duke argumentuar me shifra se ato janë plotësisht të mundshme, si një domosdoshmëri për zbutjen sadopak të varfërisë që ka pllakosur çdo shtëpi shqiptare me ardhjen e qeverisë Rama-Meta. Një vit e gjysëm ka mjaftuar për të sprovuar se qeveria oligarkike di të prodhojë vetëm një gjë: përkeqësim, rënie, varfëri për qytetarët, favore dhe pasurim abuziv e korruptiv për klientelën e saj të ngushtë të kryeministrit dhe ortakut të tij në koalicion. Të mos kemi iluzione: sa kohë të jenë këto karrike e njejta gjë do vazhdojë. Me keqardhje e themi: nuk ka asnjë shpresë për përmirësim. Publiku e qytetarët e kanë kuptuar tashmë. Ky stan këtë bulmet ka. Kjo qeveri këtë bereqet ka. Detyra jonë si opozitë për ti larguar nga pushteti dhe për ti ofruar Shqipërisë një rrugë tjetër shprese dhe zhvillimi bëhet çdo ditë një imperativ i shoqërisë shqiptare.
Fjala e kryetarit të PD, Lulzim Basha, në mbledhjen e Grupit Parlamentar, 10 Shkurt 2015