Mesazhi i Lulzim Bashës në ditën e 70 të protestës për zgjedhje të lira e të ndershme

Përshëndetje, vëllezër e motra, të rinj e të reja, të pranishëm në këtë monument 70-ditor të lëvizjes më të madhe popullore, qytetare, kombëtare për demokraci të vërtetë, për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Një përshëndetje të veçantë protestuesve nga Vlora, nga gjithë Qarku i Vlorës që gjenden sot këtu me ne.

 

Keni ndarë ditën e sotme problemet, hallet dhe shqetësimet e mëdha të banorëve të Qarkut të Vlorës. Shumë prej tyre i ngjajnë problemeve që ne dëgjojmë ditë për ditë, të vërtetave të dhimbshme nga anembanë vendit. Por siç e thanë me të drejtë miqtë tanë nga Vlora sot, nëse ka një fjalë që përkufizon marrdhënien e këtij kryeministri në ikje, me qytetin e Vlorës dhe me Qarkun e Vlorës, ajo fjalë është “tradhti”. Tradhtia e Edi Ramës ndaj interesave të qytetarëve shqiptarë nuk shpaloset në asnjë pjesë të territorit më brutalisht sesa në qytetin e Vlorës dhe në Qarkun e Vlorës.

 

Edi Rama u vu në krye të listës së deputetëve të rilindjes dhe lidhi me ta një kontratë specifike, një kontratë morale me elektoratin shqiptar dhe një kontratë të veçantë me elektoratin vlonjat.

 

Mos harroni, themeli i marrdhënies mes qytetarëve dhe pushtetit para se të jenë Kushtetuta dhe ligjet, është kontrata morale me elektoratin, kjo është një e vërtetë e lashtë sa vetë koncepti i demokracisë.

 

Kjo do të thotë se nëse ai që shkel kontratën, që shkel pra zotimet morale me të cilat ka marrë votat, refuzon të përgjigjet përsëri, para votës së lirë dhe të ndershme, anës tjetër të kësaj kontrate, popullit, i lind e drejta e patjetërsueshme ta përmbysë.

 

Qeverisja jashtë Kushtetutës dhe ligjit është tirani.

 

Qeverisja në shkelje të kontratës morale me elektoratin, me qytetarët, është diktaturë. Dhe sot, këtë javë të 10-të të protestës dhe lëvizjes tonë të madhe kombëtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme është vendi të përsërisim njëzëri se koha kur në Shqipëri tolerohej diktatura e një pakice kundër shumicës ka shkuar për të mos u kthyer kurrë më!

 

 

***

 

Edi Rama dështoi me ekonominë e vendit.

 

Politikat e tij të rritjes së taksave ndaj qytetarëve dhe ndaj biznesit, rritja e çmimeve të komoditeteve bazë të ekonomisë, si nafta dhe energjia elektrike, represioni i vazhdueshëm i taksidarëve të korruptuar që mbushnin me taksat e qytetarëve shqiptarë xhepat e tyre dhe kontot bankare të bosëve të inkriminuar dhe të korruptuar të rilindjes, kanë shkatërruar ekonominë e Vlorës dhe mbarë Shqipërisë.

 

Qeverisja e Edi Ramës ka dështuar totalisht të sjellë një ekonomi më të mirë, më të fortë, me më shumë shanse për punësim për vlonjatët dhe mbarë shqiptarët. Në vend të saj, Shqipëria sot ka një ekonomi në rënie, papunësi në rritje, mjerim dhe varfëri që shtrihet nga jugu në veri.

 

Në majë të këtij kaosi ekonomik qëndron mungesa e besimit të konsumatorëve dhe investitorëve.

 

Dje, pata nderin të pres në zyrën time, presidentin e “Konfindustria italiane”, z.Paolo Agnelli, i cili përfaqëson 28 mijë kompani të mesme dhe të mëdha të Italisë fqinje. Me turp të madh konstatova, se, isha i vetmi ndër përfaqësuesit e lartë shqiptar që e prisja këtë personalitet. Nga qeveria nuk i kishin kthyer fare përgjigje, fare. Asnjë përgjigje për një njeri që përfaqëson 28 mijë investitorë të një vendi që tash 27 vjet është vendi me investimet e huaja më voluminoze në Shqipëri, që ka transferuar në Shqipëri kapital, vende pune dhe përvojë në të gjitha fushat, nga kuzhina deri tek teknologjia e informacionit dhe inovacionit.

 

Dhe Edi Rama, i cili gjen kohë të drekojë dhe darkojë me kriminelët me damkë në vilat qeveritare në Vlorë, në Himarë, në Durrës dhe këtu në zyrën e tij, nuk gjen kohë të diskutojë me kreun e Konfindustrias italiane, problemet e mëdha që po shtyjnë dhjetëra investitorë italianë të mbyllin bizneset e tyre në Shqipëri duke larguar qindra-mijëra shqiptarë nga puna, duke i hedhur në mes të katër rrugëve për shkak të taksave të rritura, për shkak të çmimit jokonkurrues të energjisë dhe të naftës në Shqipëri dhe rrethanave të tjera rënduese.

 

Nuk gjen kohë Edi Rama për dy arsye. Arsyeja e parë është se kjo çështje nuk lidhet me xhepin e tij, nuk lidhet me pasurinë e tij. Kjo është çështje jetike për ekonominë tonë kombëtare, prania dhe kushtet për investitorët italianë, që ka të bëjë me fatet e dhjetëra-mijëra nënave dhe baballarëve në Vlorë, në Durrës, në Shkodër, në Lezhë, anembanë Shqipërisë, që ka të bëjë me mundësinë për të punësuar më shumë apo për të siguruar që ata që janë në punë nuk largohen nga puna, për të kërkuar kushte më të mira pune, për t’i rritur rrogat.

 

Kjo as nuk i hyn fare në defter Edi Ramës. Sepse Edi Rama dhe pazarit të peshkut që është qelbur nga koka, vetë kupola e republikës së vjetër, ekziston vetëm për një arsye, për t’u pasuruar dhe për të mbrojtur interesat e veta. Për popullin nuk u bëhet vonë, Shqipëria për ta është plaçkë, Vlora për ta është plaçkë.

 

I shpjegova presidentit Agneli planin tonë ekonomik, që do të nxjerrë Shqipërinë nga kriza, duke krijuar një klimë konkuruese për investitorët e huaj dhe biznesin shqiptar, me taksën e sheshtë 9%, me çmime konkuruese të komoditetit bazë, si energjia dhe nafta, të cilat në Shqipëri nën qeverisjen e re, të Republikës së Re, do të kenë çmimin më të ulët dhe konkurues në rajon. I fola për vendosmërinë tonë, për të aplikuar metodat europiane të administrimit fiskal duke futur në kazerma ushtrinë abuzive të taksidarëve, duke i mundësuar biznesit të vogël që të vazhdojë aktivitetin i pashqetësuar vetëm me ekspozim të pullës së pagimit të detyrimeve vjetore me vetëdeklarim, si dhe duke garantuar në mënyrë të plotë dhe të gjithanshme rend dhe siguri, në rrugët dhe sheshet e Shqipërisë si një parakusht për klimën e biznesit.

 

Dhe këtu zbulohet edhe arsyeja e dytë, vëllezër dhe motra.

 

Arsyeja e parë pse Edi Rama nuk gjen kohë ta presë presidentin e Confindustrias është sepse nuk i bëhet vonë për asgjë tjetër, përveç xhepave të tij. Arsyeja e dytë, është, sepse në subkoshiencën e tij, Edi Rama e di se është kryeministri në largim, kryeministri i papërgjegjshëm në largim. Ka nisur të sillet që tani si opozitë e papërgjegjshme, ndërkohë që ne, opozita juaj, opozita e qytetarëve shqiptarë, që sot, po marrim përgjegjësitë për qeverisjen e nesërme të Republikës së Re.

 

***

Tradhëtia është sot fjala që u shkon ndër mend shumicës dërrmuese të një pjesë të shqiptarëve me bindje të majta, që më kot besonin dhe shpresonin se Edi Rama e ka me të vërtetë kursin e reformave në Shqipëri. Sot është provuar se reformat që Edi Rama i ka në majë të gjuhës, nuk janë gjë tjetër veçse pjesë e teatrit të kukullave që është luajtur tash 4 vjet.

 

Edi Rama nuk do reforma dhe nuk ka dashur kurrë reforma, sepse Edi Rama nuk do një Shqipëri të reformuar, por një Shqipëri plaçkë dhe çiflig të tij, të cilin mund ta grabisë me konçesione dhe tendera, me leje ndërtimi, ta mbushë me drogë dhe të bëjë pazar me gjithçka dhe çdo gjë që ky vend ka duke përfshirë zyrën e kreut të shtetit, funksionin e Presidentit të Republikës.

 

Ndaj sot, më shumë se në çdo ditë tjetër, në këto 70 ditë, edhe më skeptikët, edhe më kritikët ndaj kësaj çadre dhe lëvizjes së pamposhtur qytetare që ajo përfaqëson, e kuptojnë, se ajo që ne kemi thënë prej ditës së parë, është e vërteta dhe e drejta. Se Shqipërinë, Edi Rama e do për plaçkë, zgjedhjet i do për fasadë, opozitën e do për alibi, që të vazhdojë pazaret për të nxjerrë në treg gjithçka ky vend ka. Zyra, funksione, ministrat, Presidentin, gjithçka, përveç karrikes së tij me të cilën ka lidhur pazgjidhshmërisht ekzistencën politike në bashkëpunim me krimin dhe drogën.

 

Ndaj, sot shpaloset fare qartë, para çdo shqiptari e në veçanti para atyre të majtëve stoikë, që akoma besonin se me Edi Ramën Shqipëria do të reformohej, se Edi Rama përfaqëson kërcënimin më të madh, kërcënimin më real ndaj shpresave të çdo shqiptari të majtë dhe të djathtë, për liri, mundësi, progres dhe jetë të ndershme me djersën e ballit në vendin e vet.

 

Dita e sotme konfirmon katërcipërisht se këta konsiderojnë gjiçka plaçkë të tyre. Konsiderojnë gjithçka çifligun e tyre. Këtu është katandisur demokracia fasadë me kupolën e Edi Ramës dhe Ilir Metës.

 

Këtu ka përfunduar posti i Presidentit të Republikës që pasi i hoqën me ligj çdo kompetencë dhe e shndërruan në një zyrë me më pak fuqi veprimi se drejtori i postës në Vlorë, tani e trajtojnë si një rifuxhio, si një plaçkë për të kënaqur orekset e njëri-tjetrit dhe për të mbyllur pazarin e pisët me anë të të cilit mendojnë se do të asgjesojnë demokracinë shqiptare.

 

Edi Rama ka dështuar me eknonominë, Edi Rama ka dështuar me arsimin, Edi Rama ka dështuar me shëndetësinë, Edi Rama që solli kriminelët në pushtet ka dështuar të zbatojë ligjin për dekriminalizimin. Edi Rama është autor i mbushjes së Shqipërisë me drogë dhe sot Edi Rama ka firmosur edhe dështimin e tij total për reformën në drejtësi, që e përdori si kalë beteje, si alibi për dështimin e tij të madh kombëtar.

 

Kontrata morale me elektoratin është kthyer në kontratën amorale që elektorati shqiptar përgatitet ta grisë, në rastin më të parë, me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Edi Rama e di këtë fare mire. Ai e di fare mirë se me zgjedhje të lira dhe të ndershme do ta ketë të pamundur t’u diktojë qytetarëve, dicka tjetër përveç gjykimit të tyre të drejtë, me votë të lirë. Ndaj dhe, gjithë përpjekja e tij bëhet për të shmangur orën e gjykimit të ndershëm  popullor.

 

Sot në këtë ditë të 70-të, është rasti t’i përsërisim se, tani që dështimi i tij me ekonominë, me arsimin, me shëndetësinë, me rendin, me sigurinë, me drejtësinë, me dekriminalzimin, është shpalosur ashiqare, tani që ka vendosur karriken e tij si pengesën e vetme midis këtij populli të tërë, që kërkon zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe një kupole kriminale që bën pazar me gjithçka dhe që trajton Shqipërinë si plaçkën e tij, ti përsërim se; rruga e vetme e shpëtimit për të, është qeveria teknike si garante e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, duke zbatuar dekriminalizimin, duke luftuar drogën duke implementuar reformën zgjedhore përfshirë votimin elektronik dhe numërimin elektronik dhe, që orën e parë të qeverisë teknike, vetingun që bën sikur e do, por që i trembet, i trembet si vampiri dritës së diellit.

 

Ja pra ora e të vertetës është ulur këmbëkryq në këtë shesh.

 

Kush e do vetingun e vërtetë dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme, bashkohet me  këtë rrugë, si e vetmja rrugë, për zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe vetingun e vërtetë.

Qeveri teknike, dhe ditën e parë të kësaj qeverie, vetingun e vërtetë dhe rrugën drejt demokracisë së vërtetë. Ne e dimë dhe ju e dini shumë mirë pse Edi Rama nuk e bën këtë, pse Edi Rama refuzon ofertën qytetare për një zgjidhje me dialog.

 

Frika e tij ka si motiv mijëra gjëma e bëma për të cilat nuk ka nevojë t’i hamendësoni,  por janë shpalosur këtu në këtë shesh, janë shpalosur anembanë Shqipërisë dhe sot, janë faqosur në mediat kryesore të botës nga Uashingtoni në Bruksel. Këto janë ankthet, frikat,  arsyeja e vërtetë pse Edi Rama nuk pranon as vetingun e vërtetë, as zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

 

Por rruga e çmendur, në të cilën kërkon ta fusë Shqipërinë, është një rrugë qorre. Në këtë rrugë, ku ai dëshiron të tërheqë një popull të tërë me zgjedhje pa alternativë, pa opozitë, në votime të diktuara nga krimi. Eshtë rruga e shkatërrimit të demokracisë dhe instalimit institucional të tiranisë së krimit, drogës dhe korrupsionit.

 

27 vite më parë, Shqipëria u ngrit në këmbë për të braktisur një herë e mirë këtë rrugë që e coi kombin tonë, Shqipërinë tonë drejt falimentimit. Liria, demokracia e vërtetë, për të cilën ekziston kjo lëvizje populore, nuk ka çmim! Dhe  të ndërgjegjshëm e të vetëdijshëm për këtë, dua ti them fare qartë sot Edi Ramës se, në asnjë mënyrë, në asnjë formë dhe në asnjë moment nuk do të lejojmë të marrësh peng demokracinë shqiptare dhe të drejtën sublime për zgjedhje të lira e të ndershme.

 

Koha e përballjes po afron, shqiptarët janë të bashkuar e po bashkohen nga ora në orë, nga dita në ditë. Ky bashkim popullor është forca e vetme, që do të ndalë komplotin ekonomik, politik kundër shqiptarëve. Ky bashkim popullor i vendosur, paqësor, por i pathyeshëm, është garancia e vetme e Republikës së Re që po vjen. Asgjë nuk do ta ndalë.

 

Zoti është me të drejtën. Zoti është me shqiptarët. Zoti është me Shqipërinë. Fitorja po afron.