Bashkëbisedim i qytetarëve të Kavajës në Sheshin e Lirisë, për problematikat e komunitetit, për fasadën që fsheh varfërinë e mjerimin dhe sundimin e qytetit prej krimit të lidhur me shtetin
Në ditën e 72-të të protestës për zgjedhje të lira dhe të ndershme, kryetari i opozitës Lulzim Basha, bashkëbisedoi me qytetarët e Kavajës në Sheshin e Lirisë.
Mesazhi i qytetarëve ishte që shqiptarët të mos kenë frikë nga qeveria e krimit dhe e drogës, por t’i thonë jo, diktatit të krimit e të drogës mbi votën, duke nisur nga 7 maji në Kavajë.
“Kjo është qeveri që ka vetëm numrat, dhe Kavaja ka rënë shumë poshtë në nivelin e saj të përfaqësimit me kandidatin i cili vjen nga partia e krimit”, thanë ata.
Për Xhorxh Simakun prania e kavajasve në Çadrën e Lirisë, është një sinjal dhe mesazh për të gjithë shqiptarët se kjo është Kavaja e vërtetë e vitit 90, e cila u kthye në qytetin simbol të shëmbjes së diktaturës.
“Kavaja do të kërkojë me çdo kusht të drejtën. Jemi në prag të një situate të vështirë ku rrezikohet e ardhmja e fëmijëve tanë. Të luftosh sot për zgjedhje të lira dhe kauzën e Republikës së Re, është jetike dhe vendimtare për të ardhmen e demokracisë dhe qytetarëve. Jam krenar që jam kavajas, qytetit i cili gëzon statusin “Pishtar i Demokracisë”.
Për kavajasit, të cilët sakrifikuan rininë, si dëshmori Josif Budo, i cili bëri bashkë kavajasit për të shembur diktaturën më të egër, sot qytetarët e saj nuk e kanë të lehtë. “Kemi një kryeministër të papërgjegjsjëm i cili di vetëm të kërcënojë. Nuk e pranojmë burgosjen e lirisë”, tha z.Simaku.
Bruna Lakçori theksoi se në Kavajë dhe në të gjithë Shqipërinë, shihet rritje taksash, çmimesh.
“Ku është kjo Shqipëria e bukur dhe e rilindur? Ne shohim një tallje publike për qytetarët e të gjithë Shqipërisë dhe jo më të Kavajës. Shohim atë që na shqetëson të gjithëve, liria për t’u shprehur, liria e fjalës.
Ne sot kemi frikë. Na kanë vjedhur të drejtën më të shenjtë, të drejtën për t’u shprehur, të drejtën për të zgjedhur, për të marrë atë që na takon. Shërbimi shëndetësor është përtokë. Ne kërkojmë shpëtim jashtë vendit, përse ta kërkojmë jashtë. Ne kemi Shqipërinë. Përse mos bëhet Shqipëria nga shqiptarët. Shtetin tonë duhet ta bëjmë vetë. Më 7 maj t’i themi jo talljes publike, jo botës së krimit, t’i themi po vullnetit që i takon sovranit, na takon të gjithëve ne, votën e lirë”, tha zonja Lakçori.
I riu Elvis Gravardari, e vlerësoi kritike gjendjen e të rinjve në Kavajë. “Jam nga qyteti i demokracisë dhe lirisë. Rinia duhet të marrë përsipër fatet e vendit tonë. Ashtu si në vitet 90 si shkëndija e demokracisë, më 7 maj nuk do të ketë zgjedhje me krim e me drogë, as me 18 qershor. Kjo klikë qeverisëse nuk do të shkelë në Kavajë. Ftoj të gjithë të rinjtë e Kavajës t’i themi jo klikës së krimit. Më datë 7 ju presim të gjithëve në Kavajë”, tha Gavërdari.
Arsimtari Genci Gylsheni, theksoi se nuk falet propaganda në orën e mësimit dhe çon me dhunë në mitingun e dështuar të Edi Ramës në Kavajë. Më 7 maj të jemi bashkë, në protestë paqësore. Kandidati është farsë dhe ka ulur poshtë nivelin e qytetit, tha z.Gylsheni.
Lulzim Basha tha se qytetarët e Bashkuar do ta ndalin farsën zgjedhore pushtetarëve të korruptuar, të krimit, të drogës, të republikës së vjetër
“Do të pamundësojmë rikthimin de juro dhe de facto të Kavajës në duart e Elvis Rroshit, që Kavaja e shporri me ligjin e dekriminalizimit, me ndihmën e qëndresës sonë të bashkuar dhe së bashku me 7 maj, ne do t’i japim republikës së vjetër goditjen finale. Të vendosur në paqe totale. Asnjë lule dhe asnjë fije bari nuk do të preket. Por asnjë qytetar i vetëm i Kavajës nuk do detyrohet nga krimi, nga droga dhe republika e qeverisë së vjetër, në një proces fasadë, në një farsë elektorale, sepse një proces të tillë nuk do të ketë, në 7 Maj në Kavajë, dhe as në 18 Qershor në Shqipëri”, tha Basha.
Duke paralajmëruar pasojat, nëse marrëzia e Edi Ramës vazhdon me farsën elektorale, Basha bëri të ditur se:
“Nëse republika e vjetër nuk tërhiqet nga plani dhe projekti për të asgjesuar pluralizmin, për ta zëvendësuar atë me pluralizmin fasadë dhe për të vazhduar demokracinë fasadë, parlamentin fasadë që do të pjellë ekonominë fasadë, me papunësi, mjerim dhe vuajtje pas asaj fasade, nëse kjo ndodh, atëherë me 18 Qershor, në mesnate, kushtetuta dhe ligjet e republikës së vjetër për Republikën e Re do të jenë të pavlefshme, të jenë nul, dhe me 19 Qershor asnjë qytetar i lirë shqiptar, që e ndjen veten pjesë të Republikës së Re, nuk duhet të paguajë asnjë taksë dhe nuk do ti bindet asnjë ligji të republikës së vjetër. Bashkë me qytetarët e lirë ne do të shfrytëzojmë këtë kohë për të nisur krijimin e korpusit institucional ligjor dhe kushtetues të Republikës së Re, bazuar në parimet themeluese të SHBA dhe vendeve demokratike europiane që do të jenë Kushtetuta dhe ligjet e vetme të vlefshme për qytetarët e Republikës së re”.