Mesazhi i Lulzim Bashës në ditën e 73 të protestës për zgjedhje të lira e të ndershme
Kjo ditë e 73 e bashkimit më të madh qytetar popullor dhe kombëtar për zgjedhje të lira dhe të ndershme përkon me 1 Majin.
1 Maji, është një datë e historisë komuniste. Këtu ku jemi ne, baballarët tanë dhe më të rriturit mes nesh, bënin parade me lule letre përpara diktatorit, që rrinte pak a shumë para kësaj fasade.
Cdo 1 Maj, duke brohoritur për mirëqënien që nuk e kishim, për kushtet e mira të jetës që nuk i kishim, për kushtet e mira të banimit që nuk i kishim, për lirinë individuale që mungonte totalisht, për shëndetin që e kishim të fundit në Europë.
Këtu pra, një popull i tërë i skllavëruar nga një diktaturë mizore, ideologjike, që shpenzonte 30% të buxhetit për 30 vite me radhë për të ndërtuar bunkerë, ndërkohë që fëmijët e shqiptarëve vdisnin nga uria me përqindjen më të lartë të vdekjeve foshnjore në Europë, këtu pra, një një popull i tërë, i skllavëruar maj për maj, cdo 1 Maj i bindej ritualit të skllavërimit dhe të mashtrimit, para diktaturës dhe para byrosë politke.
Ndaj, 1 Maji nuk ka si të jetë festë, nuk ka si të jetë festë as për popuj të tjerë që kanë njohur zgjedhën, fatkeqësinë dhe mjerimin e komunizmit, por për ne shqiptarët që komunizmi na hodhi për nga prodhimi i brendshëm dhe mirëqënies, në mes të Afrikës ekuatoriale, 1 Maji është dita për të kujtuar se deri ku mund të poshtërohet një popull. Deri ku, mund të poshtërohet, një baba, një nënë para fëmijëve të vet, nga një rregjim i cili ka humbur cdo ndjenjë realiteti, cdo ndjenjë dhembshurie, cdo ndjenjë përgjegjësie, para fateve të popullit të vet.
Kujtojeni ju që keni qenë 1 Maj për 1 Maj, të detyruar të parakalonit këtu ose të rreshtoheshit në trotuare, ju e ata që detyroheshin ta ndiqnin me radio e me televizoret bardh e zi, parakalimin e 1 Majit. Shfaqje e shëmtuar, macabre, e një popullli që festonte mjerimin e vet, që festonte izolimin e vet, që festonte poshtërimin e vet. Mbajeni mend, sepse ky në fakt ishte një mëkat i përbashkët, jo i barabartë, por i përbashkët.
Mëkati dhe mëkatarët e parë ishin ata që i imponuan vendit për 50 vite me radhë, diktaturën. Por bashkëmëkatarë ishin dhe ata shqiptarë, që nuk guxuan të ngrihen, por pranuan me kokën ulur fatin e rezervuar nga xhahilët, injorantët, nga analfabetët, nga tradhtarët, që i imponuan Shqipërisë për 50 vite me radhë, sistemin më gjakatar dhe më mjerues që njohu Europa komuniste.
Kush e harron historinë, është i destinuar ta përsërisë.
Ndaj sot, është dita për të parë njëri-tjetrin në sy, të djathtë e të majtë, e për të thënë, a jemi gati ti themi “JO” zgjedhës së re, që po përgatisin bijtë politikë dhe ideologjikë të byrosë politike, që deri para 27 vitesh rreshtohej në atë tribunë, ndërkohë që populli zvarritej në paradë.
Sepse, nëse sjeni gati për këtë, duhet të bëhemi gati të pranojmë edhe një diktaturë tjetër, një tirani të krimit, të drogës, të korrupsionit, të barkderrave oligarkë dhe krimit të organizuar me në krye Edi Ramën, që dëshiron që prej datës 18 Qershor, ta shuajë edhe formalisht pluralizimin.
Këto janë dy zgjedhje, o njëra, o tjetra. Kjo lëvizje popullore, ky bashkim i madh qytetar, e ka bërë zgjedhjen e tij dhe, ftesa ime, ndaj cdo shqiptari të ndershëm, që nuk dëshiron të zvarritet në këtë bulevard si para 27 vitesh, para oligarkisë krimit dhe pushtetit të inkriminuar të Rilindjes, është të ngrihemi e ti shporrim, me forcën e bashkimit popullor,
Mashtrimi dhe propaganda, ishin vecoritë e atij regjimi, mashtrimi dhe propaganda janë arma më e fuqishme e Edi Ramës. Mashtrimet që ai prodhon, media e kapur dhe e zotëruar nga zhaget e korrupsionit, e drogës, i shumëfishon ditë për ditë. Dhe sot, shpallën mashtrimin e ditës së punës. Sipas tij 79 mijë e 980 të punësuar në 3 vite nga zyrat e punës.
Rrenë e sofistikuar i duket atij, të paktën pra, afërsisht 80 mijë vetë qenkan futur në punë nga zyrat e punës këto vite. Rrena më e turpshme më e pamoralshme, sepse njeriu që premtoi 300 mijë vende pune, sot në fund të mandatit të tij ka për bilanc 300 mijë shqiptarë të larguar nga vendi i tyre në azil politik dhe në kërkim të një jete më të mirë në Gjermani, Europë Perendimore dhe në SHBA.
Ky është fakt.
Fakti tjetër është i botuar nga Banka Botërore, nga Elen Goldshtajn, një mikeshë e kryeministrit, e cila ka firmosur qindra milionë euro, kredi, që ky i ka bërë rrush e kumbulla, i ka vjedhur, i ka shpërdoruar dhe abuzuar.
Kjo Elen Goldshtajn, mikeshë e kryeministrit, shkruan në raport se në gjashtë vitet e fundit në të gjithë Ballkanin Perëndimor, janë krijuar 300 mijë vetë. Në gjithë Ballkanin perendimor, Shqipëri, Kosova Maqedoni, Mal i Zi, Kroaci, Bosnje.
Por, në Shqipëri e Bosnje, nuk janë krijuar vende pune por janë humbur vende pune. 2,4%, vende pune më pak në Shqipëri, 5% më pak në Bosnje.
Pra, vetë mikesha e tij në Bankën Botërore konfimon atë që cdo shqiptar e di fare mirë, e di fare mirë nga fati i vet, apo i familjarëve të vet se; në Shqipëri me Edi Ramën, ekonomia u shkatërrua, vende të reja pune nuk u krijuan, por vendet ekzistuese të punës u asgjesuan nga Rilindja, nga krimi, nga korrupsioni. Ky është fakt, kjo është e vërtete, dhe këtë 1 Maj dhe cdo 1 Maj, në vend që të zvarritemi në bulevardin e gënjeshtrave, ne kemi ndërtuar këtu Sheshin e Lirisë, sheshin e të vërtetës, ku të vërtetat do t’i themi ashtu siç janë.
Dhe e vërteta e tmerrshme e Shqipërisë nën Edi Ramën është se, Edi Rama me taksat e larta, me arrogancën dhe arbitraritetin e taksidarëve, me rritjen e çmimit të energjisë, dhe të naftës, me pasigurinë totale juridike dhe shkatërrimin e rendit për shkak të krimit në pushtet dhe pushtetit të inkriminuar, e rrënoi ekonominë shqiptare. Ju e dini këtë, shqiptarët e dinë këtë, punëdhenësi madh e di këtë, punëdhenësi i mesëm e di këtë, biznesi i vogël i vetëpunësuar e di këtë. Shqiptarët anembanë e dinë që në këto 4 vite Shqipëria pati një recesion total të ekonomisë që vërtetohet edhe nga shifrat kyçe që tregojnë mirëqenien e njerëzve, rënien e fuqisë blerëse, rënien e investimeve të huaja, rënien në pikiatë të investimeve në tërësi, rritjen e borxhit të keq dhe mbi të gjitha largimin masiv të shqiptarëve.
Ndërmarrjet e mëdha e në veçanti investitorët e huaj po shikojnë se ku të largohen e si të largohen sa më parë. Biznesi i vogël është në gjendje të paprecedentë në 27 vite, nga terrori i taksave dhe presioni, dhe e gjitha kjo shfryhet tek vendet e punës.
Para disa javësh deklaruan se do të rrisin pagën minimale nga 22 në 24 mijë lekë në muaj. Njësoj si paraardhësit e tyre, pagën këta e rrisin me dekret, por shqiptarët e dinë mirë se pagat e rritura me dekret janë zero, nuk vlejnë sepse pagën dhe mirëqenien e rrit ekonomia. Po nuk u rrit ekonomia, nuk rriten pagat.
Unë kam qenë në dhjetëra punëdhënës të mëdhenj dhe kam pyetur punëmarrësit dhe kryesisht punëmarrëset, sa është paga e tyre reale, kur paga minimale me ligj ishte 22 mijë lekë dhe merrnin 150 apo 160 mijë lekë të vjetra, pra 15 apo 16 mijë lekë të reja. Kjo është paga reale dhe punonin 6 ditë në javë. Punonin 6 ditë në javë me orare të zgjatura, me kushte të mjera pune dhe merrnin një pagë të padenjë për realitetin gjeografik europian.
Sepse, edhe në Afrikë ka paga më të lartë. Por Edi Rama dhe e ashtuquajtura Parti Socialiste që nuk ekziston më, “Rahmet pastë!”, “U prehtë në paqe!”, por rilindja e inkriminuar, nuk do t’ia di as për punonjësit, as për pagat e tyre, as për të drejtat e tyre, as për të papunësuarit, as për të punësuarit që janë vepra e tyre.
Rilindja e Edi Ramës, ka vetëm një mision, misioni u ka dal në shesh nga të dhënat zyrtare të Kontrollit të Lartë të Shtetit; 2.8 miliardë euro kanë vjedhur në 4 vite. 2.8 miliardë euro të buxhetit të shtetit, taksave të shqiptarëve me tendera, me koncensione, me abuzime, i kanë vjedhur në 4 vite.
Ky është misioni i vërtetë i rilindjes, i kësaj makinerie, i këtij mekanzimi që mban në këmbë komplotin politik dhe ekonomik kundër shqiptarëve, që mundëson vjedhjen, zhvatjen e përditshme të shqiptarëve që ka shkatërruar ekonominë tonë, që ka mbyllur dyert e bizneseve të vogla, që ka mbyllur dyert e fabrikave dhe vendeve të tjera që prodhonin punësim dhe që ka orientuar të gjithë resurset drejt krimit, drejt drogës, drejt koncensioneve fasadë që janë skemat e rilindjes për të vjedhur akoma më shumë nga xhepat e shqiptarëve.
E vetmja pengesë për të, janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. I vetmi kërcënim për të ndaluar këtë batërdisje, janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ndaj kjo betejë për të ndalur me çdo kusht zgjedhjet e lira dhe të ndershme, para se të jetë një betejë politike për rilindjen, për Edi Ramën, dhe për bashibozukët që e rrethojnë, është një betejë ekonomike, është një betejë për resurset, është një betejë për të ruajtur kontrollin mbi të ardhurat, mbi buxhetin, mbi tenderat, mbi koncensionet, mbi pasuritë e shqiptarëve, është një betejë për të vazhduar të pasurohen e të vetëmbrohen nga ligji dhe drejtësia.
Mos harroni, në 4 vite ndërsa shqiptarët zhyteshin në mjerim, ndërsa shqiptarët nxirreshin nga vendet e punës që mbylleshin për shkak të rilindjes, ndërsa shqiptarët merrnin rrugët e emigracionit, një grusht njerëzish më në krye Edi Ramën janë pasuruar në mënyrë marramendëse.
Ky grusht njerëzish, përbëhet nga ministra dhe pushtetarë, përbëhet nga oligarkë dhe kriminelë.
Dhe është ky grusht njerëzish, ky grusht njerëzish që do me çdo kusht të mbajë kontrollin dhe pushtetin përmes zgjedhjeve të manipuluara të 18 qershorit.
Ky grusht njerëzish dhe kapoja e tij, dje na paskan dhënë një ultimatum se kemi 48 orë për t’u bërë edhe ne pjesë e fasadës, pjesë e alibisë, pjesë e teatrit të kukullave.
48 orë që opozita të bëhet alibia e teatrit të kukullave që do të vazhdojë vjedhjen dhe batërdisjen e shqiptarëve, që asgjë të mos ndryshojë, që kriminelët të vazhdojnë të jenë në Parlament, në krye të bashkive, drejtorë të administratës, që ligji të shkelet me të dyja këmbët, që pasuritë të vazhdojnë të grabiten dhe që opozita të jetë fasada e kësaj shfaqjeje të shëmtuar.
Përgjigja ime është kjo: Ke 48 ditë para se të shpallim luftën totale për asgjesimin e republikës së vjetër!
Mosbindja civile, bashkimi i shqiptarëve në çdo formë dhe mjet paqësor e demokratik, i cili do të përshkallëzohet duke nisur me datën 7, në çlirimin e Kavajës, kryeqytetit të lirisë dhe demokracisë, nga vjedhja, krimi dhe droga; Mosbindja civile do të shtrihet në çdo qytet, në çdo lagje, në çdo fshat për të kulmuar në 18 qershor ku shqiptarët e bashkuar do të rimarrin kontrollin fizik të Shqipërisë që i takon dhe iu takon vetëm atyre dhe kurrë jo krimit, drogës dhe qeverisë së lidhur me ta.
Ndaj, harroje se mund të trembësh apo blesh Partinë Demokratike, apo këtë bashkim të madh qytetar, apo aleatët tanë.
***
Sot në KQZ, në atë palo KQZ, që bën ato palo deklarata, që është diskredituar si një instrument partizan antiligjor, antikushtetues, është regjistruar vetëm një subjekt zgjedhor.
Eshtë koalicioni i 2015-ës, edhe ai nuk është i plotë. I ka lënë rrugës disa bishta, nuk i morën dot me vete. Në udhëtim e sipër, në pazar e sipër, njëri ha ngjalën, tjetri ha peshkun. Dikujt i ngeli hala, dikujt i ngeli bishti, kështu që nuk i morën dot të gjithë me vete.
Disa u kanë rënë nga kamioni. Janë mërzitur disa që kanë rënë nga kamioni i pazarit të peshkut. Nuk kanë çfarë të bëjnë, kanë ngelur rrugës. Por, fakti është që ka ngelur një subjekt zgjedhor, mos harroni. Një subjekt zgjedhor. Këta ishin koalicioni i qeverisë së 2015-ës. Dhe tani për t’i hedhur hi syve të shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, pretendojnë se janë 17 subjekte zgjedhore.
Koalicioni i turpit, koalicioni i vjedhjes, koalicioni i abuzimit, koalicioni i drogës, koalicioni i krimit me në krye Edi Ramën, me Ilir Metën, me mercenarët e tyre si, Bamir Topi, si Ben Blushi, si Gjergj Bojaxhi, janë një dhe vetëm një.
Shqiptarët do t’i refuzojnë me mosbindje civile. Monizëm në Shqipëri nuk ka për të pasur më, me asnjë çmim, me asnjë mënyrë.
Nuk ka për të pasur më monizëm në Shqipëri. Edhe Ramiz Alia, përpara se ta detyronin studentët liberatorë të Dhjetorit, intelektualët dhe qytetarët, me Lëvizjen e Dhjetorit, donte të kishte Partinë e Punës, Frontin Demokratik. Kur nuk ia doli dot Ramizi, nuk do ia dalësh dot ti Ramë, hiqe nga mendja.
Hiqe nga mendja se do të të lejojmë ta marrësh prapë Shqipërinë peng, e të përgatisësh këtu në këtë shesh të lirisë, paradat e 1 Majit, paradat e mjerimit, paradat e mashtrimit. Harroje!
***
E shkelën ligjin, duke nxjerrë nga puna mijëra punonjës publikë të trainuar me lekët e shqiptarëve, të trainuar me lekët e europianëve dhe amerikanëve, e shkelën ligjin për t’i nxjerrë nga puna, dhe sot janë prapë shqiptarët që do të paguajnë nga taksat e tyre 40 milionë deri në 70 milionë euro fatura, për të mbuluar padrejtësitë e Edi Ramës, për të paguar padrejtësitë e tyre, që nga njëra anë nxorrën nga puna nënpunësit, duke i lënë në mes të katër rrugëve, dhe nga ana tjetër, faturën për këtë paligjësi ia japin shqiptarëve.
E njëjta paligjësi edhe sot.
Nuk ka zgjedhje me 18 qershor edhe për faktin e thjeshtë, se edhe formalisht këta i dogjën afatet. Listat i dorëzuan 24 orë me vonesë.
Ky me të vërtetë nuk është një kriter themelor, por është një kriter ligjor; o ka ligj o s’ka ligj. Nëse ka ligj, këta e kanë shkelur ligjin. Asnjë parti, asnjë kandidat për deputet nuk është regjistruar sipas ligjit. Këto mund të jenë zgjedhjet e pazarit të peshkut, por kurrsesi jo, zgjedhjet e shqiptarëve. Edhe formalisht, edhe ligjërisht janë të pavlefshme.
***
Sot, ne do të planifikojmë në detaje, bashkimin më të madh të shqiptarëve, të dielën e ardhshme, në Kavajë, më 7 maj, për të çliruar Kavajën me forcën e bashkimit, nga krimi, droga dhe zgjedhjet fasadë.
Prej ditës së hënë e tutje, do ta shtrijmë anembanë Shqipërisë mosbindjen civile dhe lëvizjen e madhe popullore, për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për të kulmuar me 18 qershor.
Nuk e di se si i ke bërë planet Edi Rama, e se ku po të çon mushka e kupolës kriminale ku ke hipur, nga e cila refuzon të zbrezësh duke i zënë rrugën një populli të tërë.
Por, të jap fjalën. Çfarëdo të kesh planifikuar me 18 qershor, nuk do të qeverisësh dot asnjë orë të vetme pas 18 qershorit.
Asnjë orë të vetme! Asnjë orë të vetme!
Lëvizja popullore e bashkuar është totalisht e vendosur për Republikën e Re, ndaj ke vetëm një rrugë, bëhu pjesë e zgjidhjes ose shporru bashkë me republikën e vjetër.
Qytetarët nuk do të kthehen pas. Opozita nuk i tradhëton dhe nuk do t’i tradhëtojë. E keqja do të mposhtet! E mira, do të fitojë!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!
Zoti i bekoftë shqiptarët!