Takimi i sotëm ishtë për fat të keq një përsëritje e takimit të djeshëm. Zoti Rama erdhi në tryezë pa asnjë ofertë, përveç mos-ofertës së takimit të djeshëm, i cili buron nga mungesa totale e vullnetit për të kuptuar e njohur krizën e rëndë politike në vend, si rezultat i gjendjes së rendit dhe sigurisë, për shkak të krimit dhe pushtetit të inkriminuar, si rezultat i drogës dhe parave të droges, si rezultat i marshimit të administratës publike si një garnizon elektoral në funksion të partisë socialiste dhe pushtetit.
Mosnjohja e dy problemeve, tashmë ndërkombëtarësisht të njohura, dhe të pranuara si kërcënim ekzistencial për votën e lirë të shqiptarëve, përbën një mospremisë për zgjidhje. Nëse nuk pranohet nga pala tjetër se kriminelët e veshur me pushtet, të cilët në shkelje dhe dhunim të ligjit të dekrimializimit vazhdojnë të mbajnë pushtetin e tyre, nëse nuk pranohet problemi i madh dhe kërcënimi që vjen nga droga, paratë e drogës dhe fenomeni i kultivimit të drogës, për mundësinë që qytetarët shqiptarë të shprehen të lirë, të pakërcënuar, të pablerë e të pa shitur nga skalionët e baronëve të drogës të lidhur me pushtetin, atëherë si mund të vihet në një zgjidhje realiste për krizën e rëndë politike.
Pyetje: Oferta juaj cila ishte zoti Basha?
Basha: Vendi ka nevojë për një zgjidhje politike. Këtë e thonë shqiptarët. Këtë e them unë, Partia Demokratike, opozita dhe e thotë tashmë e gjithë bota. E gjithë bota e di se Shqipëria në këto katër vite ka akumuluar një problem të tmerrshëm, të kriminelëve në zyrat e shtetit, deputetë, kryetarë bashkish, drejtorë policie, dhe në institucioneve të tjera shtetërore. E gjithë bota, e njeh problemin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë së kthyer në një Kolumbi në zemër të Europës, por në ndryshim nga Kolumbia, me një kontroll hierarkik vertikal nga vetë pushteti i cili e përdor drogën si një instrument politik dhe si një instrument pasurimi dhe bëhet gati ta përdorë atë si një instrument asgjesimi të vullnetit të lirë të qytetarëve shqiptarë.
Zgjidhja e ofruar sipas kryeministrit, nuk është një zgjidhje politike. Monitorimi në radhë të parë, është detyrë e institucioneve të monitorimit, dhe monitorimi nuk mund të kufizohet, dhe nuk do të kufizohet as nga institucionet e monitorimit vetëm në çështjen e keqpërdorimit më të shëmtuar dhe më masiv të shtetit, punonjësve të shtetit, të afërmve të tyre, të cilët marshohen me urdhra dhe kërcënime për pushim nga puna në mitingjet paraelektorale të Edi Ramës.
Nëse ne pranojmë të jemi alibi dhe fasadë e këtij procesi, shqiptarët do të marshohen në të njëjtën mënyrë për të votuar jo si qytetarë të lirë por si skllevër të një shteti të bërë njësh me pushtetin, të kërcënuar nga krimi dhe kriminelët me pushtet, e të kërcënuar nga droga.
Pa njohjen e këtyre dy problemeve themelore, natyrisht edhe problemit të tretë të shtetit si garnizon elektoral, pa njohjen dhe pranimin e kërcënimit jetik ekzistencial për demokracinë, për bashkëjetesën demokratike, për zgjedhje të lira dhe të ndershme, nga krimi në pushtet dhe nga droga, nuk mund të ketë asnjë premisë për të kërkuar dhe gjetur sëbashku zgjidhje.
Vullneti politik i Partisë Demokratike, i opozitës dhe i imi nuk ka munguar në asnjë çast. Vullneti politik i palës tjetër vihet në dyshim, dhe në fakt asgjesohet në momentin që pala tjetër nuk pranon, jo thjeshtë përgjegjësinë për situatën e vendit, për krizën politike, dhe e trajton atë si një krizë partiake kur gjithë bota flet për një krizë politike, por, as nuk pranon të njohë problemet kryesore që e sollën Shqipërinë në këtë krizë politike.
Probleme që u demonstruan qartësisht në të gjitha zgjedhjet e administruara nga kjo qeveri dhe nga ky kryeministër. Prandaj, gjykoj se e vetmja rrugë përpara është njohja e krizës ku gjendet vendi nga pala kundërshtare, nga pala tjetër politike në këtë proces, me një sens realiteti, në radhë të pare.
Në radhë të dytë, njohja e faktorëve të kësaj krize, të akaparimit total të shtetit, nga interesat e krimit dhe drogës, të oligarkëve të koncesioneve dhe tenderave dhe trajtimit të shtetit si pronë private, që sjellin edhe problemet kryesore me të cilat përballen shqiptarët, që janë sot varfëria, papunësia, shërbimi shëndetësor në kolaps, sistemi arsimor në të gjithë zinxhirin e tij në kushte jashtëzakonisht të pavaforshme për fëmijët dhe studentët shqiptarë, ekonomia në ngërç total që jo vetëm nuk prodhon më vende pune dhe paga dinjjtoze për njerëzit, por është në procesin e shkatërrimit të biznesit të vogël, përmes falimentimit, nxjerrjes në rrugë të njerëzve nga të gjithë kompanitë në kushtet e një asfiksimi ekonomik.
Të gjitha këto, janë produkt i një shteti të kapur nga krimi dhe droga. Me paratë e krimit dhe të drogës, tani synohet kapja e zgjedhjeve. Njohja dhe pranimi i këtyre të vërtetave të mëdha, që ju i njihni shumë mirë, që bota i njeh, që shqiptarët i njohin, mund të vijë vetëm përmes dy rrugëve; Së pari, nëse pala tjetër ndal fshehjen pas gishtit dhe së dyti me pranimin e përgjegjësive dhe bashkë me pranimin e përgjegjësive është gati të marrë përgjegjësitë për të dalë të bashkuar kundër krimit dhe drogës dhe jo për ta konsideruar krimin dhe drogën aleat të pazëvendësueshëm për prishjen e zgjedhjeve.
Kjo njohje do të vijë herët a vonë. Shpresoj herët duke i thirrur llogjikës dhe arsyes, por në çdo rast duke u përballur me vullnetin e një populli i cili pasi ka parë ti vidhet ekonomia, shëndetësia, arsimi, punësimi, rendi dhe siguria e të helmohet e të drogohet, nuk është më i gatshëm të pranojë edhe vjedhjen e fundit, vjedhjen e të nesërmes përmes asgjesimit të zgjedhjeve, por është e do të jetë i gjithi në këmbë, të djathtë e të majtë, për të pamundësuar vjedhjen e vullnetit të shqiptarëve për të zgjedhur qeverinë dhe Parlamentin me votë të lirë e drejtë e sanksionuar 27 vite më pare, cka kurrsesi nuk mund të zhbëhet në kushtet ku ndodhet vendi sot.
Pyetje: Z.Basha, po draftin e McAllister do ta pranonit sot?
Basha: Ne kemi qënë në një proces negociatash. Nuk ka kam ndërmed ti përgjigjem pyetjeve me nëse. Ajo që është ofruar sot, është siç u shpreh kryeministri, një proces monitorimi dhe jo një zgjidhje politike siç kërkohet dhe lypset nga momenti dhe nga shqiptarët.
Pyetje: A paraqitët kundër-propozim ju z.Basha?
Basha: Po, kundër propozimi ynë ka qenë i qartë. Përbëhet nga dy kollona. Kollona e parë është një qeveri teknike me mandat pikërisht për të zgjidhur dhe për të ndalur influencën e krimit dhe drogës në zgjedhjet e adhshme, për ti dhënë shqiptarëve kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe në këto kushte, kolona e dytë është ekplorimi i mundësisë që brenda 6 muajve nga momenti i marrëveshjes politike, të realizohet votimi elektronik biometrik dhe numërimi biometrik për të cilat ka munguar tërësisht vullneti politik.
Pyetje: Z.Basha, mesa duket edhe ju paskeni ndryshuar ofertën. Megjithatë a jeni ju i gatshëm të hiqni dorë për hir të kompromisit, të mos kërkoni largimin e kryeministrit dhe përse nuk e pranuat paketën McAllister para 10 ditësh?
Basha: Mendoj që përgjigjen për këtë ju e keni marrë para dy ditësh në shkallët e Partisë Demokratike, por po e përsëris, meqë jemi para qytetarëve. Propozimet e ofruara të cilat më ishin bërë të ditura dy javë më parë përmes kanaleve afër kryeministrit, pra me siguri propozime të lobuara nga kryeministri, nuk ofrojnë zgjidhjen politike. Katër ministra teknikë të propozuar nga kryeministri me aprovimin e opozitës, në kushtet kur kryeministri ka akaparuar parti të tëra opozitare, deputetë të opozitës madje edhe deputetë të koalicionit të tij, si manovra politike për të realizuar synimet e tij politike, nuk ofrojnë asnjë garanci që e njejta gjë nuk do të ndodhë me 4 qytetarë që i zgjedh Edi Rama që i aprovojmë ne dhe brenda 24 orëve do të gjenden para zgjedhjes; zhagen ose presionin total të kryeministrit.
Zgjidhja politike vjen përmes vullnetit politik, i cili duhet të ketë si premisë kuptimin e gjendjes ku është vendi. Duhet të ketë si premisë pranimin e gjendjes së krimit dhe drogës në vend dhe vetëm mbi këto baza mund të shkohet drejt një zgjidhje me dialog.
Pyetje: Z.Basha, për hir të kompromisit, do ishit dakord që të hiqnit dorë për kryeministër teknik?
Basha: Ne kemi paraqitur dy shtylla dhe nga ky propozim ne nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Sigurisht, nuk kam ndërmend të zbuloj para jush pozitat tona negociatore. E kam thënë dhe e përsëris, jam i gatshëm që çfarëdo që Partia Demokratike dhe unë personalisht mund të ofrojmë, ta ofrojmë në funksion të zgjidhjes që duhet të jetë për qytetarët. Por, ajo që nuk mund të bëjmë, është që t’u japim qytetarëve alibinë se do kenë mundësi të votojnë të lirë dhe të pakërcënuar, kur kërcënimi nga droga, krimi dhe një administratë e marshuar nën urdhëra politikë, janë realiteti siç kanë qënë në këto 3 vite e gjysëm në të gjitha proceset elektorale.
Pyetje: Cilat do të ishin hapat që duhet të ndodhin brenda 6 muajve?
Basha: Propozimi ishte i detajuar. Nëse do të kishte një marrëveshje politike, propozimi im ishte fare i thjeshtë nisur nga momenti i marrëveshjes politike, brenda 3 javëve të eskploronim nëse votimi elektronik do të ishte i mundur brenda një periudhë 6 mujore. Nëse do të ishte i mundur, atëhere të veprohej menjëherë, sepse, kjo në vetvete ndonëse duket si një zgjidhje teknike, ofron garanci politike për një numër problemesh që ju i njihni fare mirë siç është tjetërsimi i kartave të identitetit, sekuestrimi i tyre nga krimi apo nga shumat e parave, kartat e identitetit falso, votimi i shumëfishtë, votimi tjetër për tjetër dhe i gjithë presioni i një ushtrie prej 40 mijë mijë militantësh të helmuar dhe kontaminuar në radhët e tyre me kriminelë për tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve përmes procesit të numërimit. Të gjitha këto marrin fund. Qytetarët votojnë në një dhomë pa komisionerë të partive politike, vetëidentifikohen dhe në momentin e votimit të qytetarit të fundit, rezultati kombëtar shpallet para qytetarëve. Pra eleminohen të gjitha këto probleme.
Pyetje: Z.Basha, nëse 4 ministrat do të propozoheshin nga ju dhe do të miratoheshin nga Edi Rama, a do të ishte kjo një ofertë e cila mund të pranohej nga ju?
Basha: Tani nuk kam ndërmend këtu të përgjigjem për nëse dhe as se. Sepse jemi në proces negociate, nuk kam ndërmend t’i paraprij negociatave duke bërë hamendësime të cilat nuk na çojnë askund. Fakti është që, Edi Rama mbetet tek propozimi i djeshëm që është një mospropozim dhe mosofertë për zgjidhje dhe ky është edhe shkaku se përse bisedimet e sotme janë në vendnumëro.
Pyetje: Kur do jetë takimi i radhës. A do vazhdojnë negociatat?
Basha: Prej ditës tonë të pare, kemi parashtruar dialogun si mënyrën tonë të preferuar të zgjidhjes së krizës politike në vend, sepse besojmë dhe jemi të përkushtuar që zgjidhja e kësaj krize të rëndë politike me kosto për çdo shqiptar, për tavolinat e çdo shqiptari, për xhepat e çdo shqiptari, për punën, shëndetin, arsimin, mirëqënien e çdo shqiptari, duhet të vijë me një faturë sa më të vogël dhe kjo vjen përmes dialogut politik dhe zgjidhjes politike.
Por asnjë shqiptar nuk duhet të ketë iluzion se diçka do përmirësohet për mirë në jetët e tyre kur krimi, droga, dhe përdorimi i shtetit si çiflig personal, tjetërsimi i të ardhurave të shqiptarëve në funksion të një grushti oligarkësh, kriminelësh dhe baronësh të drogës, që e kanë shtepinë në selinë e qeverisë dhe janë në funksion të qeverisë dhe kryeministrit, do të vazhdojnë sic janë.
Asgjë nuk do të ndryshojë nëse opozita tradhëton këtë kauzë qytetare për hir të interesave të saj të ngushta politike. Gjithçka do të ndryshojë vetëm nëse ne qendrojmë të bashkuar në këtë betejë për ti dhënë shqiptarëve një republikë me të vërtetë të qytetarëve dhe jo të politikanëve dhe aq më pak të krimit, drogës dhe korrupsionit.