Paraditen e 78 në Sheshin e Lirisë qytetarët bashkëbiseduan me kryetarin demokrat Lulzim Basha për fitoren e korrur në Kavajë nga qëndresa e tyre liri dhe demokraci të vërtetë. Intelektualë, profesionistë dhe studentë ngritn zërin për problemet e tyre, që i sollën ata në çadrën e protestës opozitare.
 
Marjana është studente e nivelit master në Itali dhe thotë se në përfundim të studimeve dëshiron të kthehet në vendin e saj për të kontribuar në shoqëri. Por Marjana tha se vendimi për t’u kthyer për të është më i vështirë. Edhe pse ajo kërkon të jetojë pranë familjes dhe të punojë për vendin e saj, mundësitë që Shqipëria ofron për punësim të të rinjve janë thuajse inekzistente, edhe pse kjo qeveri erdhi në pushtet me premtimin e 300 mijë vendeve të punës.
Serena, Sidorela dhe Tomasi, të rinj të shkolluar në universitete në nivelin master, treguan se edhe ata investojnë në shkollim vite të tëra, po kur dalin në tregun e punës, përballen me kërkesën më të ulët ndonjëherë për punësim. Nëse nuk fillon punë në Call Center është e pamundur të gjesh punë, për më tepër nëse nuk ke minimalisht tre vjet eksperiencë pune në CV, treguan të rinjtë.
 
Taulanda Jupi, aktore, tha se qytetarët e papunë, studentët e mbetur jashtë dyerve të universiteteve, ata që ngritën zërin kundër varfërisë që i ka kapluar, prindër që ngritën zërin për shfrytëzimin që pranojnë nga punonjësit vetëm për të mundësuar shkollimin dhe mbarëvajtjen e jetes së fëmijëve të tyre, janë fitimtarët e betejës për Kavajën.
Kjo fitore duhet të jetë motivim për një fitore edhe më të madhe – tha Taulanda – të mos vetkënaqëmi dhe të mbetemi këtu. Përmes vargjeve të John Lennon,  Taulanda përmblodhi rrugëtimin 77 ditor të lëvizjes që korri fitoren e parë: Në fillim na quajtën ëndërrimtarë, por të tillë nuk jemi të vetëm.
 
Shkrimtari dhe pedagogu Agron Tufa theksoi simbolikën e fitores së parë të kësaj qëndrese, në Kavajën që lajmëroi demokracinë në Shqipëri. Jemi po ne ata që larguam perandorinë e së keqes 27 vite më parë, dhe jemi po ne ata që duhet të largojmë këtë qeveri që kërkon të vrasë atë liri dhe demokraci që fituam me gjak dhe mund – tha Tufa duke i bërë thirrje qytetarëve të mos kenë frikë.
 
Studiuesi Ndriçim Kulla tha se risia që solli çadra e protestës në politikën shqiptare  ka krijuar impakt edhe tek ata që ishin skeptikë për kauzën e opozitës. Zgjidhja e ofruar nga Partia Demokratike, në kushtet në të cilat ndodhet Shqipëria sot, e vetmja zgjidhje është qeveria teknike – tha Kulla, i cili i bëri thirrje çdo shqiptari, që pavarësisht problemeve që mund t’u krijohen në të ardhmen, të qëndrojë i vendosur pasi lirinë smund t’ua marrë askush.
 
Lulzim Basha i tha qytetarëve se në historinë e kombeve dhe shteteve, liria, të drejtat dhe pasuria nuk i është falur kurrë askujt, ndaj dhe përpjekja e qëndresa e qytetarëve është e vetmja rrugë paqësore për arritjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme.
“Tërheqja e Edi Ramës nga zgjedhjet fasadë të diktuara nga krimi në Kavajë është vetëm rezultat i betejës, qëndresës tuaj, vendosmërisë tuaj për të mos lejuar monizëm të diktuar nga krimi dhe nga droga. Gjithçka vjen përmes përpjekjeve, gjithçka vjen përmes betejave dhe gjithçka mbahet mbahet në këmbë përmes betejave. Aq më shumë kur vjen fjala për liritë dhe të drejtat themelore të individit, që janë çdo ditë e në çdo kohë nën kërcenimin dhe presionin e faktorëve që duan të pasurohen e të fitojnë pushtet mbi kurrizin e qytetarëve të thjeshtë”.
 
Kryedemorkati Basha tha se plani i qeverisë për zgjedhjet fasadë në Kavajë ishte tabloja e krimit dhe parave të drogës të përgatitur për një ‘masakër elektorale’.
“Qytetarët që luftuan për 11 javë, çdo ditë, arritën atë që askush tjetër nuk e arriti dot për 3 vite e gjysëm, madje as opozita parlamentare nuk ia doli të siguronte në 3 vite e gjysëm atë që shqiptarët e bashkuar arritën për Shqipërinë, për veten tuaj dhe për të ardhmen tone, në 78 ditë. Gjithçka u përmbys sepse e vetjma forcë që mund ta ndalë, që mund të përballet dhe fitojë përballë krimit të veshur me pushtet, janë shqiptarët e bashkuar, në këmbë, të vendosur se nuk do të kthehen nga kjo rrugë pa fitore totale të demokracisë në kavajë dhe në gjithë Shqipërinë”.
 

Thirrjen zoti Basha ia drejtoi çdo shqiptari, çdo të riu e të reje, çdo të papuni apo punëtori të pavlerësuar denjësisht, çdo nëne dhe babai që dëshiron të ardhmen e sigurtë të fëmijëve të tyre, të bashkohen në marshimin paqësor të javës së ardhshme, për të treguar edhe njëherë se vetëm me forcën e vendosmërisë së pathyeshme të qytetarëve, zgjidhja vjen për gjithë Shqipërinë.


Njoftim per shtyp 6 Maj 2017

​