Në ditën e 79-të protestës qytetarë në “Sheshin e Lirisë”, studentë, pedagogë, intelektualë e qytetarë të thjeshtë, diskutuan në lidhje me problemet në arsim, varfërinë, dhe mungesën e shanseve.
Erika Buzali, tha se në Çadrën e Lirisë ajo ndjehet e lirë për t’u shprehur, pasi qeveria e Rilindjes i mohoi të drejtën për studim shumë maturantëve e bashkëmoshatareve të saj, me miratimin e ligjit për arsimin. Sipas saj kjo reformë ishte jo transparente dhe la jashtë dyerve të fakultetit dhjetra miq të saj.
“Jam ish-maturante me ëndrra të thyera në mes. Përfaqësoj mijëra bashkëmoshatarë që u zhgënjyen nga reforma arsimore. Me transparencë zero. U favorizuan privatët dhe klientët e qeverisë. Nuk ka mundësi punësimi dhe të ardhme, po mendojmë emigrimin. Tarifat ishin 180 mijë lek të vjetra ato kanë arritur në mbi 300 mijë lek të vjetra. Kjo tregon mbushjen e xhepit të qeverisë nga të rinjtë. Të rinjtë duan mbështetje. Unë e dua Shqipërinë, Shqipëria jonë nuk ka nevojë për Edi Ramën, drogën e krimin. I ftoj të gjithë të rinjtë e të rejat ti shkojmë deri në fund kësaj nisme”, tha Erika.
Harri Aleksi, pedagog në Universitetin e Arteve, shtroi problemin e rrugës së mbyllur të artistëve të rinj në Shqipëri.
“Studentët e mi punojnë punë të rëndomta, të cilat dëmtojnë studimet e tyre. Përballemi me sfida banale që nuk kanë të bëjnë me mësimdhënien, zhvillimin intelektual dhe artisik. Këta studentë janë të zënë si në një kurth në një sistem arsimor që nuk u garanton asgjë në të ardhme. Nuk ka mundësi reale punësimi dhe promovimi, si intelektualë të rinj. Sistemi arsimor favorizon klientët e caktuar të shkollave private. Monopolizon të drejtat e studimit. Qeveria është armiqësore ndaj artit dhe kulturës shqiptare, sepse artistët e rinj janë të lënë në harresë dhe pas dore. Në vend të tyre promovohen artistë të huaj dhe aktivitetet e tyre. Ne kemi nevojë për një sistem më të fortë arsimor”, theksoi Aleksi.
Ndërsa akademikja Brunilda Imami, shprehu shqetësimin e saj si nënë, pas problemit të madh me kultivimin e lëndëve narkotike në Shqipëri, dhe rrezikun ndaj të cilit kanosen fëmijët e saj.
“Ju admiroj për guximin dhe durimin. Ne shqiptarët, jemi shumë të mirë, inteligjentë dhe punëtorë por qeverisja e keqe ndikon negativisht. Flas si nënë. Ne jemi kundër kanabisit. Fëmijët po na rriten, çfarë edukimi, arsimi mund t’i japim duke pasur atë bimë që ka mbirë kudo”, u shpreh e shqetësuar ajo.
Ndërsa zonja Fato Muraj, vuri në dukje largimin e të rinjve si një rikthim i diktaturës së egër 50 vjeçare. Me të njëjtat metoda si ajo e komunizmit, po jetojmë ne sot, nga Edi Rama dhe qeverisja e tij.
“I përkas atij brezi që u rrit dhe jetoi në diktaturë, që provoi urinë, zinë e bukës, mungesën e dritave, që i rriti fëmijët me qiri dhe tallon. Që diktatura e egër i ktheu shqiptarët, qytetarët më të lashtë të kontinentit europian, në një hiç. Që na izoloi dhe ndau nga bota, nga informacioni dhe qytetërimi, duke përjetuar një tragjedi varfërie dhe izolimi të tejskajshëm. A do lejojmë ne të kthehet Shqipëria mbrapsht, të bjerë prapë në gropën e hiçit, në errësirë? A do të lejojmë të rinjtë të marrin rrugën e mërgimit dhe nënat të qajnë përsëri e të mos u thahen sytë nga lotët? T’i themi jo diktaturës së Ramës, kësaj klike harbute, makute e mbarsur me mllef për demokratët dhe demokracinë. Në fjalët e fundit të Ramës kuptojmë se zgjedhjet për të cilat lufton Partia Demokratike dhe aleatët e saj, na qenka një lojë shahu, se Shqipëria qenka fushë shahu. Këta gjeneralët na qëndrojnë në karrike sipas qejfit dhe ne kundërshtarët që mund të na hanë dhe mund të na eleminojnë si gurët e shahut sipas qejfit të tyre”, u shpreh qytetarja, duke theksuar se bashkimi qytetar do tia dalë të sjellë shpresë e besim në vend.
Lulzim Basha tha se është për të ardhur keq që mediat nuk e transmetojnë zërin e qytetarit, kërkesat dhe hallet që ata kanë, sic vijën të vërteta në Sheshin e Lirisë.
Duke vlerësuar këtë bashkim të madh qytetar e popullor, Basha analizoi edhe një herë se ishte kjo arsyeja, pse Rama u tërhoq nga plani ogurzi që kishte për të asgjesuar votën dhe pluralizmin në Kavajë.
Por misioni ende s’ka mbaruar.
“Ditën e shtunë, në orën 12.00 në këtë shesh të lirisë dhe të së vërtetës.
Ejani të gjithë, të vetëdijshëm për rëndësinë historike të këtij momenti, të kësaj përballje, midis të vjetrës që duhet dhe do të shkojë, dhe të resë që po vjen.
Të vetëdijshëm për forcën e pathyeshme të bashkimit të shqiptarëve, për një kauzë të drejtë qytetare, kombëtare, para vetes sonë, para historisë, para fëmijëve tanë, para Europës, para Zotit. Kauzë e drejtë, e drejta juaj, jo e partive politike. Dhe po kështu, të qetë dhe paqësorë me vetëdije se fitorja do të vijë.
Jo nga forca e forcës, por nga forca e bashkimit total dhe pjesmarrjes totale të shqiptarëve në këtë betejë.
Bashkë, ditën e shtunë në orën 12.00, ballëpërballë shpresa dhe besimi tek e ardhmja që po vjen, dhe republika e vjetër që përgatitet të hyjë në analet e historisë. Të bashkuar gjithëpërfshirës, të gjithë shqiptarët do të jenë qytetarë të Republikës së Re.
Asnjë nuk do të jetë më qytetar i republikës së vjetër. Të dredhive, krimit, drogës, hipokrizisë dhe korrupsionit. E ardhmja nuk ndalet dot më!
E shtuna e ardhshme shpalos para shqiptarëve derën e madhe të kësaj të ardhme europiane”, tha Basha.
Bashkëbisedim në Sheshin e Lirisë, dhe të vërtetat e qytetarëve për varfërinë, pamundësinë për të ndjekur studimet, mungesën e shanseve për punë, kanabisi, tarifat e rritura dhe hallet e mëdha të shoqërisë