Kjo agorë sot nuk i ngjan agorave të tjera sepse gjithçka që po ndodh këtu, në fakt do të ndodhte në kryeqytetin e demokracisë dhe lirisë në Kavajë. Por kjo agorë, ky tempull i lirisë, ky bashkim i madh i qytetarëve, në fitoren e betejës së parë, me sprapsjen e krimit dhe drogës nga plani ogurzi për të asgjesuar demokracinë lokale në Kavajë, bëri të mundur që ne të jemi sot këtu në Tiranë për të bërë bilancin e një beteje të parë dhe për tu bërë gati për betejën finale me kupolën politike të republikës së vjetër.
Sa bukur që folën qytetarët e pranishëm në këtë agorë. Kush e ndjek përmes facebook, e di fare mirë për çfarë e kam fjalën. Nuk mundem të riprodhoj, në kohën që fatkeqësisht mediat e kapura nga qeveria i akordojnë vetëm kryetarit të opozitës, por jo qytetarëve në këtë agorë.
Po si nuk keni turp?! Po si e harxhoni të gjithë kohën me tavallatë e Edi Ramës në facebook, tha këtë e tha atë, sepse ka që kur është themeluar kjo agorë, që nuk merret me asnjë punë të shtetit.
Jo se merrej më përpara, po asnjë përgjigje nuk u jep qytetarëve për hallet, për premtimet, me të cilat erdhi në pushtet, për 300 mijë vendet e punës, për shëndetësinë falas, për taksat e ulëta, për energjinë, për çmimin e naftës, për arsimin.
Për asnjë nga këto çështje nuk flet, por bën tavalla në facebook dhe me këtë tavalla merren mediat, ne vend që të japin zërin e qytetarëve.
Po si nuk keni turp?! Mirë që nuk keni kurajo, po turp a keni?! A keni turp që i hiqni zërin qytetareve tuaj, të cilëve duhet t’u shërbeni!
E kanë ngrënë turpin me milionat e oligarkisë, që mbahet në këmbë sepse korporatat mediatike shqiptare, mediat kryesore të vendit, janë arma më e fuqishme e republikës së vjetër.
Kanë axhendën e tyre politike, kanë axhendën e tyre pasurore, lejet e tyre të ndërtimit, aferat dhe alleshverishet e tyre me pushtetin dhe vetëm axhendën e qytetarëve nuk kanë.
Qytetarë të Shqipërisë mundohuni ta ndiqni zërin tuaj dhe jo thjesht zërin tim përmes facebook. Braktisini ekranet e turpit dhe gazetat e turpit. Janë pjesë e komplotit ekonomik. Nuk janë në krye të tavolinës jo, rrinë aty dhe marrin kockat që u hedhin Edi Rama dhe çeta që është ulur rreth sofrës.
Ndajnë kockat dhe thërrimet e gostisë që është shtruar me paratë e popullit më të varfër në Europë që grabitet ditë për ditë nga republika e vjetër, përmes këtij komploti ekonomik, përmes taksave të larta, përmes çmimeve të larta, përmes tarifave të larta, përmes koncensioneve dhe tenderave abuzivë.
Ja pse, Shqipëria nuk ecën para, ja pse rriten në vend që të ulen tarifat, ja pse më pak të rinj shkojnë në universitete dhe më shumë emigrojnë, ja pse shërbimi shëndetësor sot është edhe më i dobët se para 4 vitesh, ja pse vendet e punës mbyllen. Sepse paratë në republikën e vjetër i kontrollon një grush njerëzish rreth kësaj sofre, të cilës, i bëjnë temena mediat e kapura nga regjimi që i shërbejnë axhendës së tyre politike dhe pasurore.
Por dita e lirisë do të vijë edhe për median shqiptare. Dita per këta burra dhe djem të rinj, operatorë dhe ata djem dhe vajza gazetarë kur nuk do të kenë më presionin e klientëve të qeverisë, do të vijë dita kur gazetarët shqiptarë do të kenë të nëjtin status si gjyqtarët dhe prokurorët shqiptarë për të thënë të vërtetën për ti shërbyer qytetarëve dhe interesit publik dhe jo derrave të pushtetit, kriminelëve dhe oligarkëve.
Në facebook të paktën nuk ka censurë. Aty dëgjoni zërin e qytetarëve që thonë të vërtetat me kurajo që u jep trimëri kësaj lëvizje, opozitës, dhe gjithë kombit të bashkuar për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
***
Brenda 2 ditësh do të festojmë ditën e Europës që është dita e fitores mbi nazifashizmin, 9 Maji. Eshtë festa në radhë të parë e demokracisë dhe demokratëve në Shqipëri.
Ne jemi përpjekur në këto vite të vështira dhe ia kemi dalë të hedhim hapat më domethënës drejt Europës, me Stabilizim-Asociimin, me aplikimin për statusin kandidat, me heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë.
Asnjëra prej këtyre nuk ishte lëmoshë dhe nuk ishte dhuratë. Ishin arritje e Shqipërisë dhe shqiptarëve ndërkohë që drejtonte një forcë që ishte thellësisht europiane dhe europianiste siç ka qënë, siç është dhe siç do të jetë Partia Demokratike.
Por a mund të ketë Europë për Shqipërinë, pa zgjedhje të lira dhe të ndershme. A mund të ketë demokraci pa themelin e bashkëjetesës demokratike që është liria e votës. Kjo dhe vetëm kjo është Europa, ëndërr e shqiptarëve, sepse sot për fat të keq po përvijohen dy Europë.
Europa që ne duam, e lirisë, e shtetit ligjor, e drejtësisë së vërtetë, e demokracisë së vërtetë, e barazisë para ligjit, e mundësive për të gjithë, e konkurencës së ndershme si motor i përparimit, e mediave të pakapura e të pacensuruara, të patrembura dhe të pa intimiduara nga qeveritë, i opozitave si institucion garant i demokracisë.
Kjo është Europa që ne njohim, kjo është Europa që ne duam dhe kjo është Europa drejt së cilës ne do të marshojmë së bashku me Republikën e Re.
Për fat të keq kemi parë edhe një faqe të shëmtuar që kurrsesi nuk mund të përfaqësojë Europën e vërtetë. Ju e dini për çfarë e kam fjalën, për ata që nuk e shohin drogën edhe pse po u rritet para ballokoneve të veta në vilat e tyre luksoze. Për ata që nuk duan tia dinë për krimin ndonëse drekojnë në të njëjtat restorante me kriminelët më në zë të Shqipërisë, Ballkanit dhe Europës.
Për ata që nuk mjaftohen vetëm duke i shërbyer qeverisë por e kanë kthyer në një mision luftën ndaj opozitës duke reflektuar mentalitetin e tyre thellësisht antidemokratik, pra anti-europian.
Për ata që kanë harruar të numërojnë e nuk numërojnë dot as numrat e mëdhenj, 2.5 milionë rrënjët e kanabisit që u deklaruan të asgjesuara dhe nuk ka asnjë procesverbal të vetëm që të provojë që janë asgjesuar, por në fakt nuk janë asgjesuar por janë ruajtur dhe po tregtohen nga shteti i bërë njësh me krimin dhe krimi i bërë njish me shtetin.
Mirë që nuk numërojnë dot 2.5 milionë, por as nga njëshi deri në 50 nuk numërojnë dot. Siç i numëron ai djali bukurosh aty, djali i Endrinit. Edhe ai numëron nga një në 50, por disa nga këta nuk numërojnë dot.
Nga 17 Qershori – deri në 28 Prill, për të parë se edhe ligjërisht Edi Rama, Ilir Meta dhe republika e vjetër kanë thyer Kodin Zgjedhor se edhe ligjërisht, nuk ka lista zgjedhore të ligjshme, se edhe ligjërisht, përpos moralisht dhe politikisht, nuk ka zgjedhje me 18 Qershor.
Pra ne jemi me Europën e CERN-it, që ka filluar të provojë me eksperimente ekuacionet më të ndërlikuara që mendja njerëzore, ajo e Anjshtanjit, e parashikoi dhe jo me këtë që nuk numëron dot nga 1 deri në 50.
Kjo nuk është Europë, as Azi, ky është analfabetizëm dhe korrupsion.
Pra, vëllezër dhe motra, askush në këtë vend nuk e do më shumë Europën, nuk ka luftuar më shumë për Europën e nuk do të luftojë më shumë për Shqipërinë Europiane, se ky bashkim i madh qytetar, se kjo opozitë, se kjo Parti Demokratike.
Tani meqë jemi të procedurat zgjedhore, sot KQZ-ja ka bërë harakirin total. Ka refuzuar të vërë në dispozicion të 3 anëtarëve të KQZ të votuar nga opozita të votuar sipas Kodit Zgjedhor, listat e partive që janë detyruar të mbledhin firma për të bërë bypassin e kolapsit zgjedhor, për mos regjistrimin në koalicion.
Kanë refuzuar për një arsye të thjeshtë, sepse kjo KQZ, është bërë mburojë e paligjshmërisë.
Ashtu siç me paligjshmëri refuzoi të zbatonte ligjin me 28 prill, duke pranuar listat që kanë ardhur me vonesë, po kështu, sot me paligjshmëri refuzon transparencën sepse transparenca është armiku kryesor i gënjeshtrës, është aleati kryesor i të vërtetës.
Transparenca dhe e vërteta janë armiqtë kryesorë të republikës së vjetër dhe me transparencën e këtye listave e vërteta do dalë në shesh. E vërteta e firmave falso, e vërteta e kompanive dhe shërbimeve publike që paguhen nga taksat e shqiptarëve dhe në vend që të sjellin ato shërbime, janë shndërruar në firmosës të listave të partive politike që nuk kanë as anëtarë, as struktura por janë fasada e shëmtuar e pseudopluralizmit të Ramiz Ramës në vitin 2017.
Në fakt Ramizi nuk pati guxim ta bënte, ky ia ka kaluar edhe Ramizit me çmendurinë e tij. Parti që nuk kanë anëtarë. Ne e dimë që nuk kanë anëtarë, madje edhe kryetarët i kanë me gjysëm kohe.
Parti që i ka mbushur me firmat e OSSHE-së, të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, dhe koorporatave të tjera shtetërore, për të na shpikur fasadën e një pluralizmi që nuk ekziston, sepse i madh e i vogël e di që për këto zgjedhje nuk është regjistruar asnjë subjekt tjetër, përveç subjektit që garoi në vitin 2015, si një koalicion, madje edhe ai i paplotë.
Ky është një turp i madh. KQZ-ja është e kapur në flagrancë dhe në krim. Eshtë shfaqur si dëshmitarja e rreme e Edi Ramës. Eshtë një tjetër provë e kolapsit fatal institucional të republikës së vjetër, e komplotit të lirisë dhe të drejtës themelore, që është vota e lirë.
KQZ-ja ka marrë fund për ne, si një entitet i republikës së vjetër.
***
Pse bëhet gjithë kjo luftë?
Bëhet për atë që tha maturantja.
Bëhet nëse paratë do të vazhdojnë të administrohen, siç i administron republika e vjetër, apo nëse do të kthehet tek qytetarët shqiptarë.
Kaq para janë. Këto janë resurset e Shqipërisë. Nëse republika e vjetër do të vazhdojë avazin e vet, atëherë tarifat e studentëve do të vazhdojnë të rriten, më pak studentë do të jenë në gjendje t’i paguajnë. Më shumë studentë detyrohen të lënë shkollën. Akoma më shumë maturantë do ta kenë të pamundur të nisin studimet e larta.
Nëse republika e vjetër vazhdon të mbetet në këmbë, pensionet do të vazhdojnë të bien në fuqinë e tyre blerëse, sepse rritjet që janë ligjërisht të detyrueshme sipas normës së inflacionit dhe rritjet e tjera që premtoi republika e vjetër kur mori pushtetin, kurrë nuk do të shkojnë në xhepat e pensionistëve sepse do të shkojnë në xhepat e oligarkëve, do të shkojnë në xhepat e pushtetarëve të korruptuar, të cilët nuk ngopen, por blejnë dhe ndërtojnë vila, pallate, hotele me pishina, konto bankare dhe madje banka, për veten e tyre dhe për pasuritë e tyre.
Nëse republika e vjetër vazhdon të mbetet në këmbë, fermerët nuk do të shohin kokërr leku subvencione, siç nuk kanë parë këto katër vite, sepse paratë që duhej të shkonin për fermerët për një jetë dinjitoze për veten e tyre, të vetëpunësohen për të krijuar një ekonomi e cila do të ndihmonte me prodhim vendas, cilësor dhe me çmime të përballueshme dhe pjesën tjetër të qytetarëve, këto para, zhduken në xhepat e një kaste të korruptuar, një grushti njerëzish që i ndajnë me njëri-tjetrin dhe oligarkët që përfitojnë gjithçka nga ky shtet.
Toka, subvencione, pasuri, naftë, minerale dhe gjithçka tjetër.
Kjo është beteja që kemi nisur prej 18 shkurtit në këtë agorë. Ose republika e vjetër do të vazhdojë të ndajë paratë e shqiptarëve për veten e saj, për një grusht përfituesish, për një kupolë politike që ekziston vetëm për t’i shërbyer pasurimit të vet dhe pushtetit të vet, ose do të kemi një qeveri që kontrollohet vetëm nga qytetarët shqiptarë, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Ky është udhëkryqi. Nuk ka as shteg as monopat tjetër. Do të ecet në një rrugë, ose do të ecet në një rrugë tjetër.
Ose qeverisja do të vazhdojë të kontrollohet nga oligarkët, nga pushtetarët e korruptuar, kriminelët dhe bosët e drogës, dhe gjithçka që ky vend ka, do të jetë për ta dhe në dispozicionin e tyre dhe për pasurimin e e tyre dhe për pushtetin e tyre, ose qeverisja do t’i kthehet përfundimisht kontrollit të qytetarëve shqiptarë.
Kjo e dyta mund të ndodhë vetëm nëse zgjedhjet e ardhshme do të jenë të lira dhe të ndershme.
Kjo e dyta mund të ndodhë vetëm nëse vota e çdo shqiptari do të garantohet përtej çdo dyshimi, nga një proces i ndershëm zgjedhor.
Për ne, kjo garanci, e tashmë për botën mbarë, nuk mund të jetë përveçse një garanci politike.
***
Ai që shkaktoi kriminalizimin e shtetit, ai që e mbushi Shqipërinë me drogë, ai që vodhi e shpërdoroi 2.8 miliardë euro nga buxheti i shtetit, me tendera, me check-up-e, me koçesione, në katër vite, nuk mundet kurrë të ëndërrojë që për katër javë apo katër muaj, ne t’i besojmë zhbërjen e zullumeve të republikës së vjetër dhe fatin e zgjedhjeve dhe votës së shqiptarëve.
Kjo nuk mund të ndodhë dhe nuk do të ndodhë. Ndaj, rruga e vetme drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, është qeveria teknike me mbështetje të gjërë politike, e cila jo vetëm do të njohë, por edhe do të luftojë problemet e rënda të vendit, që kanë sjellë këtë kolaps politik, këtë krizë elektorale dhe politike.
Duke nisur me largimin e kriminelëve nga institucionet, duke vazhduar me luftën e vërtetë kundër drogës dhe paratë e drogës.
Duke garantuar kushtet që shqiptarët të votojnë si qytetarë të lirë, si qytetarë europianë.
Duke garantuar kështu kushtet e barabarta të garës, duke filluar që nga financimi i partive politike, deri tek liria e mediave në mënyrë që qytetarët të gjejnë pasqyrimin e problemeve dhe shqtetësimeve dhe shpresave të tyre, në vend të tallavasë kryeministrore, bajate që luhet ditë për ditë, nga mediat e kapura dhe të trysnuara nga qeveria.
Këto janë kushtet, jo të miat, as të Partisë Demokratike. Asgjë nuk kam kërkuar e nuk do të kërkoj as për veten time, as për partinë time, as për koalicionin tonë politik. Madje, nëse ka diçka që ne mund të ofrojmë dhe mund të japim, do ta jap me dëshirën dhe vullnetin më të mirë, që në minutën e parë.
Por një gjë nuk e jap, se nuk është e imja. Do të luftoj deri në fund, deri në fitore, dhe kjo është garancia totale, që çdo shqiptar, i djathtë apo i majtë, votues i imi, apo kundër meje, të ketë të drejtën të votojë i lirë, i pakërcënuar, i pashitur dhe i pablerë.
Për këtë jemi ngritur në këtë betejë, nga kjo varet fati i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Asgjë nuk do të ndryshojë nëse e braktisim këtë parim të madh.
Gjithçka do të ndryshojë, asgjë nuk do të jetë më si më parë, nese e garantojmë me vullnetin e bashkuar të qytetarëve shqiptarë.
Unë kam besim të madh se tashmë të gjithë janë të ndërgjegjësuar se pse bëhet kjo betejë.
Edhe pse censura qeveritare dhe investimi qeveritar për të turbulluar mendjet e njërëzve, për të zhvendosur temën e këtij diskutimi jetik, për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve, edhe pse ky investim është bërë me shumicë, prapë se prapë, këto 79 ditë të qëndresës suaj madhështore ia kanë dalë të shkatërrojnë fasadën e propagandës dhe çdo shqiptar e di që për këtë bëhet beteja.
Beteja bëhet nëse qeverinë e ardhshme do ta zgjedhë droga dhe krimi, apo do ta zgjedhni ju bashkëqytetarët e mi, të djathtë e të majtë, gegë e toskë, myslimanë e të krishterë, demokratë e socialistë, ju, dhe jo kriminelët, jo droga, jo politikanët e kapur nga krimi dhe nga droga.
Nëse do të jeni ju ata që do të vendosni, kush do u përfaqësojë në parlamentin e ardhshëm, apo do të jenë prapë kryetarët e partive, e aq më pak kryetarët e partive të lidhur me kriminelët.
Në funksion të kësaj ceshtje ekzistenciale, jetike, për ju dhe familjarët tuaj, për fëmijët tuaj dhe për të gjithë vendin tonë, ju ftoj në bashkimin më të madh popullor, Ditën e shtunë, në orën 12.00 në këtë shesh të lirisë dhe të së vërtetës.
Ejani të gjithë, të vetëdijshëm për rëndësinë historike të këtij momenti, të kësaj përballje, midis të vjetrës që duhet dhe do të shkojë, dhe të resë që po vjen.
Të vetëdijshëm për forcën e pathyeshme të bashkimit të shqiptarëve, për një kauzë të drejtë qytetare, kombëtare, para vetes sonë, para historisë, para fëmijëve tanë, para Europës, para Zotit. Kauzë e drejtë, e drejta juaj, jo e partive politike.
Dhe po kështu, të qetë dhe paqësorë me vetëdije se fitorja do të vije jo nga forca e forcës, por nga forca e bashkimit total dhe pjesmarrjes totale të shqiptarëve në këtë betejë.
Bashkë, ditën e shtunë në orën 12.00, ballëpërballë shpresa dhe besimi tek e ardhmja që po vjen, dhe republika e vjetër që përgatitet të hyjë në analet e historisë.
Të bashkuar gjithëpërfshirës, të gjithë shqiptarët do të jenë qytetarë të Republikës së Re. Asnjë nuk do të jetë më qytetar i republikës së vjetër të dredhive, krimit, drogës, hipokrizisë dhe korrupsionit.
E ardhmja nuk ndalet dot më! E shtuna e ardhshme shpalos para shqiptarëve derën e madhe të kësaj të ardhme europiane.
Zoti i bekoftë shqiptarët!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!
Mesazhi i Lulzim Bashës në ditën e 79 të protestës për zgjedhje të lira e të ndershme