Të rinj e të reja, qytetare dhe qytetarë, vëllezër e motra, ju përgëzoj nga zemra për këtë rekord të ri të lëvizjes sonë qytetare, kombëtare dhe popullore, për mbylljen e javës së 12–të të qëndresës suaj 24 orëshe.
12 javë, pra 3 muaj qëndresë dhe nesër kjo qëndresë do të inaugurojë Republikën e Re, nga ky shesh i bashkimit më të madh i shqiptarëve në historinë e tyre.
Nesër nis rrugëtimi i bashkimit të shpresave të çdo shqiptari dhe shqiptareje të ndershëm, i besimit të patundur në të ardhmen më të mirë që na pret, i vendimit të madh për të rrëzuar me forcën e bashkimit nga themelet republikën e vjetër të vesit, republikën e vjetër të korrupsionit, republikën e vjetër të krimit dhe drogës, republikën e vjetër të pazareve të ndyra politike, republikën e vjetër të kupolës së vjetër politike, që luajti gjithë këto vite teatrin e ndyrë, teatrin e kukullave në kurrizin e shqiptarëve dhe për të themeluar që nesër përmes forcës së bashkimit republikën e qytetarëve shqiptarë.
Nesër bashkohen në këtë shesh si kurrë më parë shqiptarët.
Bashkohen të papunët të cilët në 4 vite u gënjyen, u zhgënjyen, u mashtruan, u përbuzën dhe u nëpërkëmbën sepse paratë që duhet të hapnin vende pune përmes investimeve publike apo uljes së taksave për biznesin që të krijonte vende pune i përpiu kuçedra e oligarkisë.
Mirë se vini të papunë e të pashpresë sot! Shpresa nesër merr rrugën e zgjidhjes së problemit të papunësisë, të një ekonomie të fortë, të një të nesërme të sigurtë përmes republikës së re të taksave të ulëta, të investimeve publike dhe çlirimin ekonomik për Shqipërinë.
Nesër bashkohet në këtë shesh qindra-mijëra të rinj e të reja, studentë dhe gjimnazistë sepse e dinë që me bashkimin e tyre, me vendosmërinë e tyre për të mos lejuar dhe as pranuar zgjedhje të diktuara nga krimi dhe droga, por për të luftuar dhe fituar vetëm zgjedhje të lira e të ndershme, në Republikën e Re, do t’i hapim rrugën arsimit dinjitoz, arsimit cilësor, një ligji të ri për arsimin e lartë me tarifa të përballueshme që secili prej të rinjve shqiptar të ketë mundësinë të ndjekë studimet, pavarësisht prej mundësive apo pamundësive ekonomike të prindërve të vet.
Kjo që sot është një iluzion në republikën e vjetër, tash 84 ditë është një ëndërr e çadrës së lirisë dhe nesër do të sanksionohet me pjesëmarrjen tuaj si ligji i parë i Republikës së Re që lind nga bashkimi.
Do të marrë fund kaosi korruptiv me maturantët. Merita dhe preferenca, vetëm merita dhe preferenca do të përcaktojnë mundësinë që çdo maturant dhe çdo maturante të zgjedhë degën që dëshiron të studiojë me Republikën e Re në krahun e tij dhe të saj, duke iu uruar lundrim të mbarë anijeve të shpresave të gjimnazistëve shqiptarë.
Me ne bashkohen nesër qindra-mijëra sipërmarrës të vegjël, të cilët kanë përjetuar 4 vite terrori, taksat e larta, inspektorët e pashpirt, korrupsioni që i ka detyruar në kufijtë e ekzistencës dhe shumë prej tyre të mbyllin binzeset e tyre familjare. Republika e Re sjell me vete premtimin e çlirimit tuaj nga taksat e larta, nga abuziviteti dhe arroganca e taksidarëve. Çlirimi i biznesit të vogël është mision parësor i Republikës së Re që themelojmë nesër në këtë shesh.
Nesër bashkohen me ne qindra-mijëra fermerë të lënë në dëshpërim, të cilët në 4 vite përjetuan prapakthehun më të madh të investimeve tyre dhe të familjeve tyre, zero subvencione, zero investime, konkurrencë e pandershme, dogana të vëna kryekëput në funksion të oligarkëve dhe korrupsionit qeveritar.
Por nesër fermerët bashkohen në bashkimin më të madh të shqiptarëve këtu në këtë shesh dhe nga ky shesh me votën e lirë, me Republikën e Re do t’i kthejnë fermerëve shqiptarë jo thjesht shpresën, por mundësinë përmes subvencioneve të drejtpërdrejta, investimeve në bujqësi dhe sigurimit të tregut që produktet e tyre të shiten cilësisht dhe me çmime të përballueshme për çdo qytetar shqiptar.
Nesër bashkohen në këtë shesh 650 mijë pensionistë të cilët janë trajtuar si qytetar të dorës së dytë, me pensione që u rritën më pak se inflacioni, me fuqi blerëse të degraduar, me fatura energjie të shtrenjta, me bileta autobusi të shtrenjtuara, ilaçe të shtrenjtuara. Pensionistët shqiptarë bashkohen me Republikën e Re nesër në këtë shesh dhe Republika e Re brenda 4 viteve do të mundësojë që pensioni miminal të jetë jo më pak se 250 mijë lekë në muaj për çdo pensioniste dhe çdo pensionistë shqiptar.
Dhe një nga aktet e para të Republikës së Re do të jetë përgjysmimi me ligj i çmimit të biletave të urbanit në Tiranë dhe ne çdo qytet tjetër. Sepse paratë e pensionistëve do të jenë për pensionistët e jo për lali fikun me të korruptuarit e tij.
Bashkohen qindra mijëra shqiptarë, në shtrëngesë ekonomike, që humbën padrejtësisht ndihmën ekonomike, sepse paratë e ndihmës ekonomike i vjedh Edi Rama me çetën e tij të oligarkëve. Bashkohen sepse Republika e Re, do të realizojë që në ditën e saj të parë, rikthimin e listave të ndihmës ekonomike, të çdokujt që ka nevojë për ndihmë ekonomike.
Dhe jo ndihmë fallco,10 mijë, 30 mijë, 40 mijë lek të cilat jepen me një dorë dhe në dorën tjetër shteti ua merr me faturat e energjisë. Por ndihmë ekonomike dinjitoze dhe pagesën e faturës së energjisë deri në 300KV në muaj për çdo familje në ndihmë ekonomike dhe bashkë me faturën e ujit të pijshëm.
Paratë e qytetarëve shqiptarë që sot i vjedh dhe i shpërdoron oligarkia, Republika e Re që themelojmë nesër, do t’jua kthejë atyre më në nevojë. Ata do të jenë të parët në listën e përfitimit.
Nesër bashkohen me ne punëdhënësit dhe punëmarrësit, për platformën tonë të taksës së ulët, të taksës së sheshtë më të ulët në Ballkan 9%, që do të injektojë në ekonominë tonë kombëtare çdo vit, 1 miliardë euro, të cilat do të kthehen në investime, do të kthehen në punësim, do të kthehen në rritje rrogash për punonjësit shqiptarë.
Paratë që sot vidhen dhe shpërdorohen nga çeta e Edi Ramës, plotë 2.8 miliardë në tre vite, përafërsisht 1 miliard çdo vit, para me të cilat kanë blerë, hotele, vila, prona dhe banka, kjo do të marrë fund me Republikën e Re.
Ndaj bashkohet nesër çdo punëdhënës dhe çdo punëmarrës, në Republikën e Re.
Horizonti i mirëqënies dhe i prosperitetit do të matet vetëm me mundësinë për të konkuruar me djersën e ballit. Asnjë pengesë, asnjë kufizim. Talenti, kreativiteti, djersa e shqiptarëve, do të jetë vetëm për mirëqënien e shqiptarëve.
Nesër bashkohen me ne qindra mijëra të përndjekur politikë, bijtë dhe bijat e tyre. Bashkohen jo thjesht për reflektimin e madh të Republikës së Re, për shlyerjen totale të borxheve financiare për vitet e tyre të vuajtjeve. Por mbi të gjitha, për më të madhin shpagim, shpagimin moral që Republika e Re do ta ketë në themelin e saj për të përndjekurit politik.
Për pronarët e ligjshëm shqiptarë, të cilët duke u bashkuar nesër në manifestimin më të madh referendar të shqiptarëve, votojnë për hedhjen poshtë të ligjit të ndyrë komunist, që është ligji i shpronsimit të dytë, votojmë për ligjin e dëmshpërblimit, kthimit dhe kompensimit të pronave, sipas tregut, sipas standardit europian.
Nesër bashkohen me ne, të zhgënjyerit dhe të mashtruarit, vëllezërit dhe motrat tona, të majtë, socialistët e ndershëm shqiptarë që bashkë me ne do t’i thonë ndal krimit, ndal drogës, që njësoj si ne duam një Shqipëri që qeveriset përmes votës së qytetarëve, dhe jo përmes diktatit, drogës dhe krimit. Që po aq sa ne dhe me të drejtë, më shumë se ne duan ta pastrojnë të majtën shqiptare nga kriminelët, nga trafikantët, nga dallkaukët, dhe kështu së bashku ballë për ballë nga formacionet tona të vërteta politike, por vetëm në synimin tonë për një Shqipëri europiane, të bëjmë garën e ndershme, të alternativave që do të mundësohet vetëm me zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Me ne bashkohen nesër intelektualët, akademikët, sportistët, artistët, truri dhe shpirti i kombit. Elita e vërtetë e kombit e cila sot rri mënjanë me sytë përdhe, sepse është zëvendësuar nga kriminelët, nga trafikantët, nga oligarkët barkderra dhe pushtetarët e korruptuar me në krye Edi Ramën.
Ja pse e nsërmja do të hyjë në historinë tonë kombëtare si një ndër ditët më të mëdha të kombit shqiptar. Sepse është dita e një bashkimi të paparë e të padëgjuar ndër vite e dekada.
Me një qëllim, sigurimin e të ardhmes së shqiptarëve të një të nesërme të sigurtë, të një ekonomie të fortë, e të dinjitetit të çdo shqiptari e të çdo shqiptare, pavarësisht prej statusit social, prejardhjes krahinore, bindjeve.
Çdo shqiptar bashkohet nesër që përmes çelësit të artë, votës së lirë, të hapim derën e një të ardhme të re, për çdo shqiptar e çdo shqiptare.
Ky është bashkimi i madh për të cilin flitet tash një javë, në çdo shtëpi, në çdo vatër kudo ku shqiptarët bisedojnë dhe mbështesin e bëhen gati të derdhen drejt këtij bashkimi ditën e nesërme, në orën 12.00 në këtë shesh të lirisë, të qëndresës dhe shpresës që po lind.
Asgjë më e rëndësishme, asgjë më e rëndësishme nuk do të ndodhë këto 24 orë. Asnjë investim më të madh nuk ka bërë secili prej jush që vjen nesër, për veten e tij, për veten e saj dhe për fëmijët tuaj.
Forca e bashkimit, drejtësia e kauzës së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, premtimi i Republikës së Re, që është republika ku fatin tuaj do ta keni vetëm ju në dorë, dhe askush tjetër, janë arsyet, motivet, të cilat me bekimin e Zotit të madh, do t’i mbledhin shqiptarët në këtë bashkim, në këtë rrugëtim, në ditën e parë të Republikës së Re, realitetit të pakthyeshëm që nuk ka krim, drogë e oligarki ta ndalë.
Ndaj me vendosmëri, me paqe dhe gëzim në zemrat tona, me besimin e patundur që sjell forca më e madhe e një shoqërie, inkurajimi më i madh i një kombi, që është bashkimi më i madh rreth vlerave:
Mirësevini, vëllezër dhe motra, të rinj dhe të reja, qytetare dhe qytetarë, nga jugu në veri, nga lindja në perëndim, nesër në orën 12.00, në sheshin e historisë, në sheshin e vlerave, në sheshin e të ardhmes sonë europiane!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!
Zoti i bekoftë shqiptarët!
Mesazhi i Lulzim Bashës në ditën e 84-të të protestës për zgjedhje të lira e të ndershme, 12 maj 2017