Të nderuar anëtarë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe të aleatëve.
Gjatë javës së kaluar, pas protestës madhështore të 20 shkurtit dhe betejës së fortë të opozitës në Kuvend, kemi mbajtur shënim botimin në fletoren zyrtare të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Aktit Normativ të kryeministrit për Ligjin e Nëpunësit Civil dhe, njëherësh, shtyrjen e projektligjit të ri për Nëpunësin Civil që kjo qeveri përgatiti tinëzisht, sapo u rrëzua në Kushtetuese, për t’i hequr themelet ligjit që nuk i hoqi dot çatinë.
Botimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese në fletoren zyrtare është një akt rutinë, një detyrim. Mosbotimi është shkelje; mosbotimi është shprehje e vullnetit të mbrapshtë për të dalë mbi Kushtetutën dhe ligjin, ndërkohë që botimi nuk ka arsye të konsiderohet e nuk mund të konsiderohet shprehje e vullnetit të mirë. Ajo që mbetet për t’u mbajtur mend nga kjo histori është fakti se opozita u ngrit në këmbë dhe qindra e mijëra qytetarë të goditur nga reprezalja e qeverisë vërshuan në protesta për një gjë që në një qeverisje normale, në rendin normal të gjërave, duhet ta bënte në mënyrë automatike, pa mund, pa përpjekje, pa ndërhyrje. Ndaj nuk ka as hapësirë, as arsye për të thënë më shumë se kaq për ketë akt.
Ajo që kërkojmë sot e do të vazhdojmë ta kërkojmë me forcë në aulën e Kuvendit dhe në të gjitha foltoret dhe sheshet e “Shqipërisë në protestë” është anulimi i pasojave që ka krijuar ndërkohë zbatimi antiligjor i aktit normativ antikushtetues, kthimi në punë pa kushte i gjithë burrave dhe grave, të rinjve e të rejave që janë hequr arbitrarisht me aktin e rrëzuar, kthimi pa kushte i ligjshmërisë në sjelljen dhe qëndrimet qeverisë ndaj administratës publike.
Ne kemi mbajtur shënim shtyrjen e projektligjit të ligjit të ri te qeverisë për nëpunësin civil, por kërkojmë e do të kërkojmë me forcë tërheqjen përfundimtare të këtij projekti tinëzar, antikonsensus dhe antikushtetues gjithashtu, me pasoja të rënda nëse nuk tërhiqet dhe anulohet.
Jo thjesht botimi i vendimit të Gjykatës në fletoren zyrtare, por zbatimi i këtij vendimi dhe tërheqja e projektligjit të shkatërrimit të administratës publike do të ishin sinjalet e para se shumica parlamentare dhe qeveria e saj po fillojnë t’i dëgjojnë dhe po fillojnë të reflektojnë ndaj mesazheve që ka adresuar në adresë të tyre protesta popullore dhe lufta jonë parlamentare.
Që në fillim ne kemi përcaktuar Kuvendin si aulën kryesore të betejës, aulën kryesore të përpjekjes sonë politike opozitare. Prania jonë në Kuvend është dhe do të jetë në funksion të misionit tonë në mbrojtjen pa kompromis të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në tempullin e ligjit. Nga ky qëndrim nuk do të lëvizim derisa të shterojnë mundësitë e fundit të opozitarizmit parlamentar.
Ne, së bashku me aleatët tanë, do të dimë të kuptojmë momentin kur prania e opozitës në parlamentin e ekzekutimit të ligjeve, e përdhosjes së institucioneve të pavarura shkeljes së demokracisë nuk do të jëtë më në dobi, por në dëm të qytetarëve, nuk do të jetë më e vlefshme për vendin, por një përligje e dënueshme e pseudoparlamentarizmit, si parathënie e shkatërrimit të demokracisë.
Ky moment, ç’është e vërteta, ka kohë që vjen rrotull me morinë e akteve arrogante të shkeljes së ligjit dhe Kushtetutës, uzurpimit të institucioneve të pavarura dhe zhbërjeve antidemokratike, si rasti flagrant i 20 shkurtit dhe shumë raste të tjera që s’kemi reshtur e s’do të rreshtim së denoncuari si opozitë.
Të ndalemi pak te një fakt i thjeshtë, por domethënës.
“Rama-Meta” si shumicë nuk u mjaftua të qëndronte në numrat që ka marrë nga kutitë. U bë shumicë e cilësuar me mandate të peshkuar nga opozita. Pse e bëri këtë? Kushdo e ka të qartë. Ishte parathënia e asaj që nisi dhe vazhdon. Për të zhbërë me arrogancën e numrave legjislacionin konsesual dhe produktin e tij, për të goditur dhe për të vënë nën varësi politike institucionet e pavarura, për të shmangur e mundësisht zeruar opozitën, siç është përpjekur në dhjetëra raste deri tani, për të instaluar kudo pushtetin e tyre vetjak dhe sundimin e tyre në vend të sundimit të ligjit.
Në këto kushte të rrezikimit serioz të demokracisë, ne kemi vendosur ta kombinojmë e alternojmë betejën parlamentare me një kalendar gjithnjë e me të ngjeshur protestash, kudo ku është nevojshme dhe sa herë të jetë e nevojshme.
Protesta popullore është mjeti i ligjshëm për të balancuar raportet arbitrarisht të zhbalancuara të forcave në Kuvend. Qytetarëve, jo vetëm votuesve të opozitës por dhe qytetarëve në tërësi u është marrë një pjesë e përfaqësimit në Kuvend, por nuk mund t’u merret në sheshet e protestës popullore.
Ne, qytetarët, votuesit tanë dhe të tjerët e ndjejmë si një obligim të shenjtë ndaj shtetit ligjor dhe demokracisë të dëshmojmë pa pauza dhe pa kompromis në sheshet e protestave forcën tonë reale kundër antireformave me mandate të trafikuara.
Por protesta popullore sot është shumë me tepër se kaq, është thirrja e të gjithë kategorive shoqërore për të mos i dhënë kohë se keqes që ka mbërthyer vendin dhe çdo familje, për të ndaluar kursin e se keqes që vetëm përparon e nuk po di të ndalet. Në të kundërtën, nëse nuk ia dalin, të ndalojnë dhe largojnë burimin e saj, qeverinë Rama-Meta.
Ka shumë e shumë motive që kanë ngritur e po ngrenë në këmbë qytetarët shqiptarë, por kryefjala e “Shqipërisë në protestë” është puna, një fjalë që i jep kuptim dhe dinjitet të madh atyre që kanë zbritur tashmë në rrugët dhe sheshet e protestave dhe atyre që po përgatiten të zbresin si një uragan i papërmbajtshëm.
Në vijën e parë të kundërshtimit dhe kërkimit të llogarisë ndaj qeverisë janë burrat dhe gratë që po humbin me shpejtësi vendet e punës për shkak të politikave të gabuara, arrogante dhe të papërgjegjshme të qeverisë.
Kjo është qeveria e shpunësimit masiv, e heqjes masive nga puna të shqiptarëve që vetem mbyll dhe shkatërron vende pune, vetem hedh e hedh pa pushim njerëz në rrugë me taksat e larta, që e kanë detyruar sipërmarrjen si gjeneratorin kryesor të punësimit të bëjë shkurtime; kjo është qeveria e shpunësimit masiv të shqiptarëve, me të ashtuquajturat reforma rregullatore nga kulla e fildishtë e luksoze, arbitrare, të befta, të pakolaudura me gjendjen dhe oportunitetet reale të vendit, të pakonsultuara me grupet e interesit, të pambështetura në parimet e lirisë ekonomike dhe nevojave shoqërore, siç e shohim me protestën e taksive tetë plus një e dhjetëra të tjerë që po mbërthen e do të mbërthejë vendin në ditët dhe javët në vazhdim.
Qeveria që ka premtuar treqind mijë vende të reja pune, është ndërkohe qeveria kampione e papunësimit të të rinjve e të rejave. Mbyll e prish vendet ekzistuese të punës në një anë, nuk hap asnjë në anën tjetër.
Nuk di të ndërtojë, nuk di të bëjë, vetëm zhbën, merret siç deklaron, me “kontroll revizionim” të tipit të vjetër, duke bllokuar me muaj e muaj qindra kantiere, pra qindra vende të reja pune, në sektorin e energjetikës dhe në shumë sektorë të tjerë ku operatorët private kanë kaluar njëherë përmes burokracisë për të marrë lejet ligjore për projektet e tyre dhe tani, në vend që të mbështeten për t’i çuar ato sa më parë drejt përfundimit, duhet të bllokohen përsëri, pa asnjë shkak ligjor, nga qeveritarët e rinj, vetëm që t’u thuhet se ju kemi në dorë .
Qeveria e shpunësimit masiv dhe papunësimit masiv është qeveria që duket se i ka dalë tepër populli i saj.
Në fakt populli është në vendin e vet.
Qeveria nuk është në krye të detyrës. Qeveria nuk është në lartësinë e premtimeve të saj. Qeveria nuk është në vendin e vetë. Qeveria po del tepër, jo populli.
Populli nuk mund te jetojë në fatalitetin e dështimeve ngaqë ka dështuar qeverisja. Sepse Shqipëria i ka realisht mundësitë të ngrihet. Koha, kjo kohë që jetojmë sot, është plot me mundësi, edhe pse kjo qeveri u ka hedhur këtyre mundësive shaminë e zisë.
Qytetarët e lirë të këtij vendi janë ngritur dhe po ngrihen në këmbë për të çliruar mundësitë e ndaluara.
Dhjetëra greva dhe protesta të tjera, të vogla dhe të mëdha, janë në shpërthim në gjithë vendin. Jemi çdo ditë nën një bombardim thirrjesh, kërkesash dhe shtytjesh për t’u dhënë zërin, bashkimin dhe drejtimin e duhur këtyre protestave.
Duam ti sigurojmë gjithë qytetarët shqiptarë që po protestojë apo duan të protestojnë se Partia Demokratike dhe opozita janë përkrah tyre. Sepse kërkesat e tyre janë të drejta, lufta e tyre është e drejtë, fitorja e tyre është e mundshme, është e sigurt nëse qëndrojmë fort dhe të bashkuar.
Asnjë qeveri në shoqëritë e hapura, sado arrogante dhe e papërgjegjshme të këtë qenë, nuk e ka mundur dot kurrë shpirtin e lirë të njerëzve të lirë, nuk e ka mposhtur kurrë protestën e tyre te drejtë.. Protesta është zgjidhje. Prandaj “Shqipëria në protestë” do të vazhdojë të jetë puna jonë numër një.
Faleminderit!
Fjala e kryetarit të PD, Lulzim Basha, në mbledhjen e parë të Kryesisë së re, 3 Mars 2014