Të dashur deputetë,
Sot është data 2 dhjetor. Në bazë të ligjit nr 9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë” dhe standardeve të vendosura gjatë qeverisjes sonë sot duhej ta kishim të votuar buxhetin e shtetit për vitin 2014.
Ligji në fjalë, i hartuar me asistencën më të përparuar europiane, rezulton i shkelur; edhe ky standard i konsoliduar prej vitesh rezulton i zhbërë nga qeveria e zhbërjeve.
Publiku i gjerë duhet ta dijë se në ligjin e lartpërmendur sanksionohen në mënyrë të plotë të gjitha parimet, procedurat dhe përgjegjësitë për hartimin dhe zbatimin e buxhetit në shkallë kombëtare për agjensitë shtetërore qendrore, njësitë vendore dhe fondet speciale (ISSH dhe ISKSH).
Qytetarët duhet të dijë se me vonesat për miratimin e projektbuxhetit 2014 shkeljet dhe pasojat janë një listë e gjatë.
Janë shkelur parimet e transparencës, parashikueshmërisë, gjithëpërfshirjes, disiplinës fiskale, respektimi i tërësisë së procesit etj, parime këto të sanksionuara në nenin 4 të këtij ligji.
Në kushtet kur sipas nenit 13 të të njëjtit ligj, viti buxhetor në Republikën e Shqipërisë fillon me 1 Janar dhe mbyllet me 31 Dhjetor të çdo viti, si do të jetë e mundur të bëhet efektiv buxheti kur ende nuk ka asnjë lloj diskutimi, drafti, apo edhe komunikimi për dokumentin më të rendësishëm e më thëlbësor të çdo qeverie? Pra, parashikueshmëria është zero në çdo aspekt duke dëmtuar rëndë sipërmarrjen e lirë si dhe vendimarrjen për investime qofshin këto të huaja apo të brendshme, qofshin publike apo private.
Në nenin 15, njësitë vendore hartojnë buxhetet e tyre pasi të jetë miratuar buxheti qendror vjetor. Kjo bëhet tërësisht e pamunduar, pasi qeverisja vendore nuk ka asnjë lloj informacioni deri tani për buxhetin e vitit 2014 për nivelin e transfertës, për investimet, programet që do të mbështesë qeveria qendrore, etj; pra është penguar i tërë procesi buxhetor vendor.
Në nenin 29, paragrafi 2 të ligjit thuhet qartësisht se Këshilli Ministrave brenda datës 25 Tetor miraton projektbuxhetin vjetor dhe programin buxhetor afatmesëm të rishikuar.
Në nenin 29 paragrafi 4, sanksionohet prerazi që Kryeministri i vendit brenda datës 1 Nëntor i paraqet Kuvendit projektbuxhetin vjetor. Dhe kjo e ka një arsye madhore; që të ketë kohën e nevojshme për diskutim si akti ligjor më i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik e social të vendit. Me këtë vonesë as që bëhet fjalë për të patur diskutime të tilla të funksion të transparencës e larg qoftë të përmirësimit të projektbuxhetit.
Në nenin 32 kërkohet që Këshillat e Qeverisjes Vendore brenda datës 31 dhjetor miratojnë buxhetin vendor, duke u bazuar në vlerësimin e të ardhurave dhe transfertat e përcaktuara në ligjin e buxhetit vjetor. Por, kjo është e pamundur në këtë situatë që i ka vendosur qeverisja aktuale. Në fakt të gjitha njësitë vendore janë në shkelje të ligjit jo për fajin e tyre, por për arsye se Kryeministri i vendit nuk do t’ja dijë për kërkesat ligjore të ligjit në fuqi.
Qeveria nuk mund të justifikohet, siç e ka ndërmend, me faktin se ky ka qenë viti i rrotacionit të pushtetit. As militantët e thekur të PS-së nuk mund ta besojnë këtë. E jo më publiku i gjerë.
Së pari sepse kjo parti ka konkurruar në zgjedhjet e 23 qershorit me një paketë fiskale të propaganduar me bujë të madhe si thelbi i programit të saj. Po të kishte besuar e respektuar programin e vet të votuar, kjo qeveri do ta kishte gati gjysmën e punës që të nesërmen e zgjedhjeve.
Së dyti, gjatë muajve korrik-gusht të kalimit të pushteti, Rama me qeverinë e tij, që ndërkohë e kishte shpallur, ka bërë shumë takime, mbledhje, tryeza, konferenca dhe përgatitje për t’u hedhur në punë pa humbur një minutë me të marrë detyrën në mënyrë ligjore. Përtej zakonit të tyre të njohur për të bërë show dhe parada mediatike, qytetarët kanë menduar se Ramës dhe të tijve po u hanë vërtetë duart, se po përgatiten vërtetë për punë reale, duke u fokusuar te ekonomia, duke mbledhur e sistemuar bazën e nevojshme të të dhënave e duke hedhur kësisoj brenda afateve ligjore piketat e buxhetit të ri. Aksesin e nevojshëm pranë dhe brenda institucioneve të buxhetimit e kanë patur të plotë. Por çfarë ka bërë kur nuk ka bërë këtë? Show, asgjë tjetër.
Së treti, nga fillimi i marrjes zyrtare të detyrës e deri sot që po flasim po mbushen tre muaj. Tre muaj janë më së të mjaftueshëm për të përgatitur, konturuar dhe propozuar draftin e projektbuxhetit.
Nuk e kemi akoma, nuk e shohim askund.
Justifikimi me rotacionin nuk e mbulon, por e zbulon akoma keq këtë qeveri. Shkaqet e vërteta të vonesës së saj për paraqitjen e buxhetit janë paaftësia dhe papërgjegjshmëria në një anë, kultura e arbitraritetit në anën tjetër.
Nëpërmjet futjes së buxhetit në ngërçin e mungesës së kohës, kryeministri synon dhe shpreson të mos u japë mundësi opozitës dhe qytetarëve të thellohen në përmbajtjen e tij para së të votohet; synon dhe shpreson të shmangë konsultimet tashmë normative me grupet e interesit; synon dhe shpreson të diktojë eksperimentet e tij të rrezikshme dhe krizëndjellëse për ekonominë e vendit.
Kjo fshehje e paprecedent dhe e pakuptimtë e kantierit të buxhetimit, u jep vetvetiu besueshmëri disa lajmeve që kanë rrjedhur në media për një paketë fiskale me ide dhe projekte skandaloze, që mbështeten në improvizime dhe në llogari me kalem të trashë, pa asnjë lidhje me ekonominë dhe realitetin e gjallë.
Sipas lajmeve që kanë rrjedhur në media të ndryshme, pritet të hiqet fare kufiri i sipërm në paga i vjeljes së kontributit të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, ç’ka do të rrënojë skemën pensionale duke bërë që të prishet raporti mes masës së kontributit e asaj të përfitimit; priten te rriten ndjeshëm akcizat, çka do të jetë një shtysë për kontrabande e evazion; priten të rriten përjashtimet në TVSH, çka do të vështirësojë administrimin dhe do gërryeje shtratin e te hyrave më të konsoliduara që kemi ngritur në këta 20 vite; pritet e çfarë nuk pritet. Por lë të presim draftin zyrtar për t’u marrë një për një me propozimet konkrete.
Duhet të përgatitemi për një ekspertizë profesionale të thellë. Duhet të përgatitemi për një qëndrim politik të qartë, të drejtë e të argumentuar. Duke u nisur nga precedentët e deritanishëm të kësaj qeverie gjatë tre muajve të jetës së saj, por edhe nga lajmet që kanë rrjedhur në media, që i marrim me rezervën e nevojshme, ne shohim me shqetësim të madh që tani se idetë, tezat apo projektet paraprake të qeverisë përfaqësojnë një shmangie të dyfishtë nga premtimet me të cilat kjo qeveri ka ardhur në pushtet dhe nga nevojat reale të ekonomisë për shëndoshje nëpërmjet ndërhyrjeve të matura.
Shkelja e premtimeve është një problem që qeveria e ka pikësëpari me zgjedhësit e saj, të cilët i ka mashtruar. Por e ka edhe me mbarë opinionin publik, pasi mashtrimet elektorale janë një formë e shëmtuar e blerjes së votës; janë shprehje e një degradimi shumë të madh politik, etik, moral dhe ligjor. Kjo është arsyeja që ne nuk do ti japim paqe qeverisë për shkeljen e premtimeve elektorale.
Por shqetësimin më të madhe e kemi për shmangien e dytë, pra për injorimin e nevojave që ka ekonomia për me shumë oksigjen, për më shumë frymëmarrje, për shumë liri. Do të jemi dhe duhet të jemi shumë syçelët në këtë pikë. Nuk do të lejojmë, me sa kemi forcën e argumentit dhe fjalës, që të bëhen eksperimente amatoreske dhe arbitrare me ekonominë, eksperimente që varfërojnë xhepin e qytetarëve, që venë në vështirësi sipërmarrjen e lirë, që shtyjnë me të dyja duart drejt recesionit ekonominë e Shqipërisë.
Për ketë, opozita është duke përgatitur propozimet tona alternative, që do t’i paraqesim e do ti mbrojmë në foltoren e Kuvendit. Shumica do të ketë mundësi të përfitojë nga përvoja dhe dijet tona si forcë që ka qeverisur vendin për tetë vjet me radhë. Publiku do të krahasojë e gjykojë.
Sot, duke denoncuar vonesat e mëdha antiligjore të qeverisë për paraqitjen e projekbuxhetit për vitin 2014, i bëjmë thirrje qeverisë të mos vonohet më asnjë ditë, të paraqesë projektbuxhetin, t’u japë kohë grupeve të interesit të thonë fjalën e tyre.
Boll më me shfaqje e fjalë të bukura. Qeverisja është përgjegjësi dhe kjo shumicë po e provon edhe me buxhetin 2014 se vetëm përgjegjësi nuk ndjen e nuk ka.
Fjala e kryetarit të PD, Lulzim Basha, në mbledhjen e Grupit Parlamentar, 5 Dhjetor 2013