Të nderuar deputetë,
Seanca e sotme parlamentare do t’i kushtohet tërësisht çështjes madhore të integrimit të vendit në Bashkimin Europian me dritën e vendimit që pritet të marrë Këshilli Europian pas rekomandimit pozitiv që ka bërë Komisioni Europian disa javë më parë në konkluzion të Progres-Raportit të tij vjetor.
Kjo seancë dhe Rezoluta përmbyllëse që Grupi ynë Parlamentar do të paraqesë, shpresojmë një Rezolutë që do të miratohet me votat unanime të Kuvendit, janë pjesë e përpjekjeve të pareshtura dhe e lobimit konstant të Partisë Demokratike për marrjen e statusit dhe hapjen e negociatave, përpjekje te cilat nuk kanë reshtur në asnjë hapësirë institucionale të Shqipërisë në çdo aulë, në çdo takim me përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Europian dhe vendeve anëtare të këtij Bashkimi.
Ne jemi partia që lindi, u rrit, është dhe do të mbetet partia e ëndrrës europiane të shqiptarëve. Për ne si forcë politike Europa dhe vlerat e saj të Lirisë dhe Demokracisë kanë qenë dhe janë jeta, shtëpia, identiteti, e mira, progresi, mirëqenia, siguria, e ardhmja më e bukur e fëmijëve tanë, e brezave, e pasardhësve dhe e çdo qytetari.
Prandaj kemi qenë protagonist të çdo hapi domethënës në lidhje me procesin e Integrimit Evropian të vendit, promotorë dhe garantues në të gjitha arritjet e deritanishme të këtij udhëtimi historik, ku shquhen si kulme hyrja në NATO, heqja e vizave dhe pranimi i aplikimit për anëtarësim e dorëzim i suksesshëm i pyetësorit që solli në rekomandimin e vjetshëm dhe më pas rekomandimin final të këtij viti për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Me të njëjtin frymëzim, pasion përkushtim dhe vendosmëri, po shërbejmë sot në opozitë, me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet që kemi, në funksion të ëndrrës europiane të shumicës dërrmuese të qytetarëve tanë.
Ne duam që në këtë fazë, në prag të vendimit për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, Europa të marrë prej nesh një mesazh të qartë, nga opozita dhe qeveria shqiptare të unifikuar dhe në bindjen tonë, të drejtë.
Mesazhi është ky:
Shqipëria e meriton plotësisht statusin e vendit kandidat në Europë.
Shqipërisë duhet t’i jepet statusi i vendit kandidat.
Shqipërisë duhet t’i jepet drita jeshile për hapjen e negociatave për anëtarësim, si hapi që vjen pas marrjes së statusit.
Ky mesazh mbështetet në vlerësimet objektive dhe pozitive që ka bërë Komisioni Europian për Shqipërinë edhe në progres-raportin e këtij viti.
Mbështetet në rekomandimin pozitiv që ky Komision i ka bërë Këshillit Europian për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat; mbështetet në bindjen se i kemi përmbushur detyrat e shtëpisë që ka kërkuar e kërkon marrja e statusit të vendit kandidat si një etapë e rëndësishme por e ndërmjetme në rrugën akoma të gjatë të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Mbështetet në besimin dhe pretendimin e drejtë për një vlerësim të drejtë dhe pa asnjë lloj paragjykimi të Shqipërisë nga çdo vend i veçantë dhe gjithë vendet së bashku anëtare të Bashkimit Europian.
Mbështetet në pikëpamjen që ndajmë me shumicën e partnerëve tanë europianë se në kushtet e përmbushjes pozitive nga Shqipëria të kritereve bazë të marrjes së statusit, dhënia e statusit dhe kalimi në një etapë më të avancuar me detyra më të avancuara në rrugën e integrimit është vendimi më i drejtë dhe zgjidhja më e mirë për të luftuar dhe minimizuar ato sfida dhe dukuri negative që ushqejnë skepticizmin për Shqipërinë në Bruksel dhe në kryeqytetet e vendeve anëtare.
Me fjalë të tjera, kauzës së demokracisë dhe shtetit ligjor në Shqipëri i shërbehet më mirë duke ia hapur derën se sa duke ia mbyllur, duke e futur brenda se sa duke e lënë jashtë.
Të kuptohemi drejt; e gjithë kjo nuk është fare një pretendim për t’i dhënë Shqipërisë atë që nuk e meriton; nuk është fare një kërkesë për të mbyllur sytë para defekteve të demokracisë së saj. Përkundrazi: Ne jemi opozita tani. Ne jemi më të interesuar se askush që demokracia të funksionojë e vota të mos shitblehet. Që ligji e Kushtetuta të zbatohen e jo të nëpërkëmben si pengesa ndaj arbitraritetit qeverisës. Që institucionet e pavarura të forcohen e jo të gjenden përditë nën sulmin e qeverisë. Që administrata publike të mos spastrohet e politizohet, por të konsolidohet dhe të profesionalizohet. Që korrupsioni dhe krimi i organizuar të luftohen me ashpërsinë më të madhe e jo me fjalë dhe bujë të cekët mediatike.
Këto janë sfida që do të kushtëzojnë hapjen e negociatave për anëtarësim dhe do ta shoqërojnë vendin në rrugën e integrimit të plotë në Europë. Ne kërkojmë që Bashkimi Europian të jetë realist dhe i drejtë me Shqipërinë duke u nisur nga fakti tashmë i pranuar botërisht edhe prej Komisionit Europian se vendin e kemi përgatitur për marrjen e statusit.
Shqipëria ishte gati për marrjen e statusit që vitin e kaluar. Partia Socialiste në opozitë, nga frika se mos qeveria do të merrte ndonjë bonus politik, e bllokoi atë duke mos dhënë votën për tre ligjet e njohura.
Në maj të këtij viti ligjet u votuan me konsensus. Qeveria e Partisë Demokratike përmbushi edhe një kriter të fundit të pashkruar, por që kishte peshë sa kohë që vendimi ishte shtyrë për faj të Edi Ramës: mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ne dorëzuam pushtetin me zgjedhjet e organizuara vetë, e majta erdhi në pushtet me zgjedhjet e organizuara prej nesh. Nuk kishte më asnjë pengesë për marrjen e statusit.
Qeverisë së Ramës nuk i mbeti gjë tjetër veçse të shkonte ta merrte në muajin dhjetor në emër të të gjithë shqiptarëve.
Për fat të keq, ajo që e bllokoi kur ishte në opozitë, e vuri në dyshim kur erdhi në pushtet. E vuri në dyshim me paligjshmërinë dhe arbitraritetin sistematik, me mosrespektimin e shtetit të së drejtës, me injorimin e gjithpërfshirjes nëpërmjet dialogut politik me opozitën, e së fundmi me shitblerjen e votës të ngritur në sistem siç panë dhe dëgjuan shqiptarët anembanë gjatë zgjedhjeve në Korçë.
Por këto janë edhe kërkesa, edhe parime të pakapërcyeshme të Europës. Në vend që të jetë shumëfish e kujdesshme dhe korrekte me këto parime, qeveria Rama u ka rënë me shkelm në mënyrën më brutale duke habitur e skandalizuar miqtë e tanë, miqtë e Shqipërisë dhe nga ana tjetër duke u dhënë argumente atyre që kërkojnë ta kalojnë statusin e Shqipërisë në vrimën e gjilpërës.
Pavarësisht nga këto, pavarësisht se si opozitë jemi përfshirë në një betejë ballore dhe pa kompromis me qeverinë që kërcënon ditë për ditë kolonat ekzistenciale të demokracisë, ne përsërisim bindjen tonë se Shqipërisë duhet t’i jepet statusi.
Brukseli i ka dhënë statusin e vendit kandidat Serbisë, kur atje kishte një opozitë që ishte kundër integrimit të atij vendi në Europë.
Nuk ka patur e nuk ka arsye të forta tashmë, që për herë të dytë radhazi Komisioni Europian konfirmon përmbushjen e detyrave, që ky status të mos i jepet Shqipërisë, për faktin se ka patur deri dje një opozitë që sot është në qeveri, që nuk është antieuropiane e deklaruar, por që ka vënë dje në opozitë dhe sot në shumicë interesat e ngushta të pushtetit mbi interesat e integrimit, duke shkelur parimet e Europës.
Kur t’i vijë dita, janë qyetarët europianistë të Shqipërisë që do të bëjnë gjykatësin me votë kësaj qeverie, por ata nuk meritojnë të ndëshkohen për faj të saj. Aq më shumë sot kur vendi ka një opozitë të re, maksimalisht të angazhuar për integrimin.
Për të gjitha këto çështje do të debatohet sot në Kuvend. Grupi ynë Parlamentar, deputetët tanë i kanë të gjitha argumentet, për t’i dhënë debatit vlerën e një ngjarje të madhe për çështjen e integrimit.
Kanë Progres-Raportet e Komisionit Europian, kanë bilancin e qeverisë sonë, kanë vizionin dhe qëndrimet tona në opozitë, kanë shkeljet dhe skandalet e shumta qeveritare që duhet t’i ekspozojmë me fakte dhe profesionalizëm në foltoren e Kuvendit me qëllim që qeveria t’i thërrasë mendjes dhe të mos rrezikojë më tej me statusin dhe integrimin.
Sot, në dritën e pritshmërisë që kemi për marrjen e statusit, duhet ta bëjmë edhe një herë të qartë para qytetarëve shqiptarë, se Zhbërja si filozofi e qeverisjes Rama-Meta rrezikon të prekë edhe integrimin dhe kjo do të jetë një humbje shumë e madhe për vendin.
Grupi ynë parlamentar do të paraqesë, siç e thashë edhe në fillim, një projektrezolutë për këtë çështje kaq të rëndësishme.
Në këtë rezolutë ne do të rikonfirmojmë vendosmërinë e Shqipërisë dhe Kuvendit të saj për tu bërë pjesë e familjes europiane, do të falenderojmë Bashkimin Europian dhe gjithë partnerët tanë europianë për ndihmën që i kanë dhënë e vazhdojnë ti japin Shqipërisë për tu bërë pjesë të familjes europiane; do të rendisin arritjet e Shqipërisë konform detyrave që ka vënë dhe vlerësimeve që ka bërë Komisioni Europian, do të nënvizojmë bindjen tonë se Shqipëria e meriton marrjen e statusit, do tu kërkojmë parlamenteve të vendeve anëtare të marrin në konsideratë rekomandimin e Komisionit Europian dhe rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë, duke ndikuar pozitivisht tek qeveritë e tyre, do t’i parashtrojnë një varg detyrash qeverisë shqiptare me qëllim që në kohën e mbetur të mund të rikuperojë disa prej dyshimeve që ka krijuar me sjelljen e saj.
Si propozues të Projekt-Rezolutës do të kërkojmë përfshirjen e gjithë grupeve dhe deputetëve të Kuvendit në redaktimin e saj, duke respektuar e reflektuar çdo propozim pozitiv që mbështet qëllimin për të cilin është bërë kjo Rezolutë dhe për të shërbyer marrjen e statusit dhe hapjen e negociatave për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.
Për ne integrimi nuk ka qenë e nuk duhet të jetë një çështje e pozicioneve dhe ngjyrave partiake, por një çështje madhore e interesit kombëtar. Në këtë kuptim Partia Demokratike e konsideron veten një pjesë të qenësishme thelbësore të shumicës popullore për pro integrimin europian.
Me ketë vizion, me këtë vetëdije e kemi shërbyer, e shërbejmë e do të vazhdojmë të shërbejmë kauzën e integrimit europian të Shqipërisë edhe sot në Kuvend
Fjala e kryetarit të PD, Lulzim Basha, në mbledhjen e Grupit Parlamentar, 5 Dhjetor 2013